Namazi i nates

Namazi i nates

Sedat Islami

Të nderuar vëllezër besimtarë!
Rrugëtimi ynë me robërit e sinqertë të Allahut vazhdon.. . Sot do të njihemi me ata nga një këndvështrim tjetër. Jetët e tyre përplot tregime të suksesshme do t’i prezantojmë nga aspekti i adhurimit të tyre për Allahun, Krijuesin e qiejve dhe Tokës, dhe kjo nëpërmjet shfletimit të urtësive të ajetit 64 të kaptinës el-Furkan: “Dhe që për hir të Zotit të tyre natën e kalojnë duke i bërë sexhde dhe duke qëndruar në këmbë (falen). ” Këtë përshkrim, Allahu Fuqiplotë, ua vërtetoi edhe në vende të tjera në Kur’an, si në edh-Dharijat, 17-18; es-Sexhde, 16; ez-Zumer, 9, etj.
Se namazi i natës është karakter dhe pjesë e pandarë e personalitetit të tyre, këtë e vërtetojnë edhe shumë thënie profetike, të cilat do t’i bëjmë lëndë shtjellimi në këtë ligjëratë, por në fillim do të mjaftohemi me transmetimin e Ebu Hurejres, Allahu qoftë i kënaqur me të, nga Pejgamberi, a.s., transmetim i cili do të duhej të merrej si moto e kësaj ligjërate: “Nderi i besimtarit është namazi i tij gjatë natës.. . ”1.

Pse namazi i natës?

Mbase ju kujtohen ato dhjetëra qindra ligjërata të hoxhallarëve tanë për namazin, që thuajse ka qenë dhe është e pamundur që ndonjëri prej tyre të flasë e të mos i kushtojë kohë ekskluzive namazit. Kjo, sa nga mirësitë nga të cilat shquhet, por aq edhe nga rreziku që prodhon braktisja e tij. Këtë gjë e kemi përsëritur shumë shpesh, dhe sot, dikush me të drejtë do të pyeste: Pse nuk janë identifikuar robërit e sinqertë të Allahut për namazin në përgjithësi, kur kjo është vlera dhe ky është rreziku i tij, po janë veçuar vetëm për namazin e natës? Përgjigjja është se ata kishin thyer rregullat, jo për të keq, po për të mirë. Ndoshta më mirë është të shprehem: kishin thyer rekordet. Çështja të falesh a të mos falesh nuk ekziston në programin e tyre. Preokupimi i tyre ishte se cilës pjesë të natës t’ia kushtonin namazin? Të qëndronin më shumë në namaz apo në leximin e Kur’anit? Të studionin pjesë të fesë apo të falin namaz fakultativ? Kështu ishin ata, dhe tash -vëllezër të nderuar- nëse jeni kureshtarë të mësoni urtësitë e kësaj tradite të bekuar, na falni vëmendjen tuaj edhe ca çaste e momente, ngase ka shpresë që shkëndija e tyre të ndriçojë shpirtrat e mendjet tona dhe kështu të arrijmë kënaqësinë e Allahut të Madhëruar!

Veçoritë e namazit të natës?

E tash, ejani së bashku të gjurmojmë për margaritarët dhe xhevahiret e namazit të natës!
– Namazi i natës, sikurse edhe në këtë varg ajetesh të kaptinës el-Furkan, ka ardhur si një kulmim vlerash, nuri i të cilave shndrit një shoqëri të tërë. Më konkretisht, namazi i natës në traditën profetike na vjen si përmbyllje e një mori parimesh etike e sociale, të cilat, me pak fjalë, paraqesin karakterin impozant dhe të përkryer të shoqërisë myslimane. Thotë Pejgamberi,a.s.: “O ju njerëz! Përhapeni selamin – përshëndetjen në mesin tuaj, jepuni ushqim njerëzve, mbani lidhjet familjare, dhe, kur njerëzit të flenë, ju falni namaz , ngase kështu hyni në Xhennet me paqe”2
Pra, ai që fal namaz nate, paraprakisht është prej atyre që çdokujt ia ka dhënë të drejtën e vet. Besimtarin e përshëndet dhe, po pati nevojë, e ndihmon, familjarët dhe farefisin çdoherë i ka parasysh, dhe, kur të përmbushë këto kërkesa, atëherë ai, në shenjë falënderimi e përkushtimi, natën e kalon në shoqëri të namazit, në leximin e Kur’anit, në dhikër etj.. Zaten, kështu edhe e ka mësuar Allahu, i Cili urdhëron: “E kur ta kryesh (obligimin), atëbotë mundohu me adhurim (ndaj Allllahut). Dhe, vetëm te Zoti yt përqendro synimin!”3.
Namazi i natës paraqet karakterin e fortë të besimtarit, i cili jo vetëm që nuk bie pre e epsheve të ndaluara, por edhe ato që i ka të lejuara, i mban aq fort nën kontroll, saqë ndikimi i tyre nuk vërehet asnjëherë tek ai. Allahu thotë: „I heqin trupat e tyre prej dyshekëve, duke e lutur Zotin e tyre nga frika dhe nga shpresa dhe, nga ajo që Ne ua kemi dhënë (pasuria) atyre, ata japin.“4. Në koment të këtij ajeti, është thënë: …ata braktisin gjumin dhe shtrirjen në shtretër…5
Gjumi dhe pushimi janë të lejuara, porse shpirtrat e tyre kanë dresuar trupin që të mbahet gjallë duke e ushqyer, të jetojë me adhurim, të forcohet me besim e lutje, me përulje e nënshtrim para madhërisë së Allahut.. .Këtë e paraqet shumë bukur edhe një thënie profetike, e përcjellë tek ne nëpërmjet Ebu Derdasë r.a.,:“Allahu i do tri grupe njerëzish.. . (në mesin e të cilëve): …dhe atë që e ka gruan të bukur dhe shtratin të butë e të bukur, por që zgjohet natën (për të falur namaz). Ai- thotë Allahuepshin e braktis për hir Timin dhe Më kujton, e po të donte, do të pushonte-flinte”6.
Namazi i natës paraqet kohën e falënderimit. Kujto se në kohën kur ti ngrihesh për të falur namaz, sa njeriun nuk e zë gjumi nga hallet e varfërisë, sa të tjerë nga dhimbjet e mundimet nuk mund të vënë një sy gjumë, sa
të tjerë planifikojnë të bëjnë keq, kurse ti, i ngritur vetëm për hir të Allahut, duhet të jesh krenar. Jo rastësisht, Pejgamberi, alejhi’s selam, i qe përgjigjur Aishes, nënës së besimtarëve – Allahu qoftë i kënaqur me të- për motivin e faljes shumë namaz të natës: “A të mos dëshiroj të jem rob falënderues?!”7.

Përse nata për namaz?

Tash kur mësuam diçka për vlerën e namazit të natës, ndoshta rrjedhimisht do të pasonte pyetja tjetër: Pse u zgjodh nata që ta ketë këtë vlerë? Ku qëndron sekreti? Cilat janë fshehtësitë?
Nata është koha e takimit me Allahun, është koha dhe shansi më i volitshëm për faljen e mëkateve. Pejgamberi, alejhi’s selam, ka thënë: “Kur të kalojë gjysma apo 2/3 e natës, Allahu i Madhëruar dhe i Lartësuar zbret në qiellin e dynjasë – ashtu siç I takon madhërisë së Tij- dhe thotë:a ka ndonjë lypës që t’i jepet! A ka ndonjë lutës, që t’i përgjigjet! A ka ndonjë kërkues faljeje, që t’i falet, dhe kjo derisa të agojë mëngjesi”8.
– Nata është koha kur ndahen çmimet më të rëndësishme dhe gradat më të larta, jo nga njerëzit po nga Krijuesi i njerëzve. Abdullah b. Amri rrëfen se veçimi i Profetit tonë, alejhi’s selam, për pesë karakteristika nga profetët e tjerë qe bërë pikërisht natën. Imam Ahmedi transmeton me sened autentik nga ky sahabij i nderuar, se Pejgamberi, alejhi’s selam, vitin e betejës së Tebukut qe ngritur për t’u falur natën. Rreth tij u tubuan ashabë për ta ruajtur. Kur e kreu namazin, shkoi e u tha atyre: Sonte më janë dhënë pesë gjëra që askujt para meje nuk i janë dhënë:
– Unë jam dërguar tek tërë njerëzimi, ndërsa para meje profetët dërgoheshin vetëm tek populli i vet;
– Jam përkrahur kundër armikut me frikë, edhe nëse ndërmjet meje e tij ka distancë njëmujore;
– Mua më është lejuar ngrënia – shfrytëzimi i presë së luftës, kurse më parë nuk lejohej, përkundrazi, e digjnin atë;
– Toka më është bërë vend faljeje dhe pastrimi, kurse më parë kjo gjë merrej gabim i madh- ata faleshin vetëm në kishat dhe sinagogat e tyre
– E pesta më është thënë të kërkoj prej Allahut çfarë të dua, por e shtyva deri në Ditën e Kiametit. Ajo është për ju (të drejtën time po jua jap juve) dhe për ata që dëshmojnë se nuk ka Zot përveç Allahut”.
Nata është koha e ndërrimit të orareve të melaikeve. Më konkretisht, është koha e përmbylljes së raportit për veprën tënde. Prandaj, po deshe që raporti yt t’i dorëzohet Fuqiplotit, Atij që mund të të ndëshkojë dhe askush të mos I kundërvihet, ngrihu dhe falu e lutu, në mënyrë që raporti të përmbyllet me të mirë, sepse veprat vlerësohen sipas përfundimit të tyre. Buhariu dhe Muslimi transmetojnë se Pejgamberi, a.s., ka thënë: “Tek ju ndërrohen melaike të natës dhe melaike të ditës, të cilat bashkohen (për ndërrim detyre) në kohën e namazit të sabahut dhe ikindisë. Ato që bujtën gjatë natës ngrihen, kurse Allahu i pyet edhe pse e di gjendjen më mirë se ato: Si u ndatë prej robërve të Mi? I lamë duke u falur ashtu siç i gjetëm duke u falur- përgjigjen melaiket”. Prandaj, le të të mos privojë dembelia dhe dëshira për gjumë nga kjo mirësi, se përndryshe, përgjigjja e melaikeve për ty mund të jetë: E lamë fjetur ashtu siç e gjetëm fjetur”.
– Nata është koha kur shtohet agresiviteti i djallit ndaj njeriut, sidomos ndaj të sinqertëve, mu prandaj i tërë mundi i tij fokusohet në pamundësimin e ngritjes për të falur namaz nate, vetëm e vetëm që besimtari të mos jetë afër Allahut ashtu siç ai nuk është. Pejgamberi, a.s., thotë:“Nuk ka burrë dhe as grua që të mos ketë një litar të lidhur tek koka, kur të flejë. Nëse zgjohet dhe e përmend Allahun, atëherë zgjidhet një nyjë, kurse, po u ngrit dhe mori abdes, atëherë zgjidhet nyja (tërësisht) dhe ai/ajo bëhet i/e relaksuar, shpirtmirë, dhe ngadhënjen me hajr (të mirë)”9.

Vëllezër të dashur!
Të kthehemi prapë tek vlera e namazit të natës, jo për të vazhduar atë, po për të përmbyllur ligjëratën tonë me një mirësi të madhe, e cila – shpresojmë- të jetë motiv shtesë për të filluar, nëse deri tash nuk kemi falur
namaz nate, apo për të vazhduar me të, nëse Allahu më herët na ka nderuar me këtë virtyt. Pejgamberi, alejhi’s selam, ka thënë: “Nëse dikush prej jush ngrihet të falë namaz nate, atëherë le të pastrojë dhëmbët me misvak, ngase, kur dikush prej jush këndon Kur’an në namazin e tij, meleku e vë gojën në gojën e tij dhe asgjë nuk del prej gojës së falësit e të mos hyjë në gojën e melekut”. Hadithi është autentik. Shih: Sahihu’l xhamii, 720.

Allahu na bëftë prej robërve të sinqertë të Tij!Allahu na mundësoftë të jemi sa më pranë Tij, çdoherë, në çdo kohë dhe çdo rrethanë! Allahu na bëftë të vdesim duke qenë i kënaqur me ne!

1. Albani këtë hadith në Sahihu’l xhamii, 3710,e ka cilësuar hasen
2. Hadithin e transmetojnë Tirmidhiu, Daremiu, Ibni Maxheh kurse Albani e ka cilësuar autentik
3. el-Inshirah, 7-8
4. es-Sexhde, 16.
5. Tefsiru’l Kur’ani’l Adhim, Ibni Kethir, el-Mektebetu’sh shamileh.
6. Albani e ka cilësuar hasen
7. Buhariu dhe Muslimi.
8. Muslimi.
9. Albani këtë hadith e ka cilësuar autentik(sahih).

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s