HUTBEJA E DITËS BOTËRORE TË POPULLSISË

HUTBEJA E DITËS BOTËRORE TË POPULLSISË

Falënderimi i takon All-llahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga All-llahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon All-llahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s’ka hyjni tjetër përveç All-llahut, i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij.
Besimtarë të nderuar!
Hutben e kësaj dite do ta hapim me një ajet kur’anor, që tërthorazi, aludon në përmbajtjen e fjalimit tonë. Thotë Allahu: ” Ka ndonjë nga njerëzit që fjala e tij të mahnit, por vetëm në këtë botë (meqë në botën tjetër gjykon Ai që i di të fshehtat), dhe për atë që ka në zemrën e tij, e paraqet All-llahun dëshmues, e në realitet ai është kundërshtari më i rreptë. 205. E posa të kthehet ai në tokë, vepron të bëjë shkatërrim në të, të asgjësojë të korrat (mbjelljet) dhe gjallesat. E All-llahu nuk e do çrregullimin (fesadin)” .
Allahu i Madhëruar krijoi njeriun dhe ia caktoi jetën dhe gjendjet e saj, me varfëri e pasuri, begati e shëndet, sprova e sëmundje, lumturi e dëshpërim, dhe këtë para se njeriu të vijë në këtë botë. Ka thënë Pejgamberi, alejhi’s selam: “Secili prej jush formohet në barkun (mitrën) e nënës dyzet ditë si ‘nutfe’ (pikë), pastaj shndërrohet në ‘alaka’ (gjak i ngjizur), në një periudhë të afërt me të parën, pastaj transformohet në ‘mudga’ (copë mishi), në një periudhë të afërt me të parën. Pastaj Allahu dërgon një engjëll, i cili fryn në të shpirtin dhe urdhërohet të shkruaj katër gjëra: riskun e tij, sa do të jetojë, punët që do të kryejë dhe a do të jetë i lumtur apo i mjerë. …” .
Muslimanë të nderuar!
11 korriku është Dita Botërore e Popullsisë, e cila i kushtohet ruajtjes së rritjes natyrore të popullsisë, uljes së vdekshmërisë foshnjore, zgjatjes së moshës mesatare të jetës si dhe kujdesit ndaj jetës . Tanimë kjo datë shënohet në 140 shtete të botës .
Hutbeja jone e sodit, që do të bëjë fjalë ekskluzivisht për këtë datë, assesi nuk reflekton aspekte të participimit tonë, përkundrazi, ajo është përpiluar në atë formë që të qet në shesh realitetin, që duke ia përshtatur kohës, njerëzit e kanë devijuar tërësisht. Shënohen data, organizohen solemnitete, përkujtohen ditë, që po të shikoheshin nga këndvështrimi real, do të ishin absurde dhe absolutisht të pavenda.
Çka synohet me këtë ditë dhe cilat janë motivet e saj?
Pas leximit të disa deklaratave të disa zyrtareve vendore e ndërkombëtarë, qoftë në Kosovë qoftë edhe më gjerë, arritëm në përfundim se boshti rreth së cilës sillet kjo date përbëhet nga tri elemente si më kryesoret:
•   Frika për “shëndetin” e nënës,
•   Fika nga varfëria – planifikimi i familjes,
•   barazia gjinore .
Vëllezër muslimanë!
Vërtetë duken joshëse këto motive por të jeni të bindur se tërësisht janë të zhveshura nga shpirti human dhe fryma njerëzore. Ndonëse duken se brengosen për faktorin njeri, megjithatë, kjo është vetëm një ëndërrim duke qenë zgjuar. Këto nuk janë motive të mirëfillta dhe arsye të shëndosha. Ne nuk duam që me këtë ligjëratë të identifikohemi se jemi kundër shëndetit familjar, jemi kundër nënave, jemi kundër fëmijëve, larg asaj, ne jemi më pranë tyre dhe iu kushtojmë rëndësi e kujdes më shumë se çdokush tjetër. A nuk është nëna ajo që Muhammedi, alejhi’s selam na porositi që shoqërinë e parë dhe atë më meritoren t’ia kushtojmë pikërisht asaj? A nuk është nëna ajo që Xhenneti nuk fitohet dot pa kënaqësinë e saj? A nuk është nëna ajo që po nuk u respektua nuk respektohet as Allahu, edhe nëse të gjithë urdhrat fetar i përfill? Është gabim i madh të mendohet një gjë e tillë.
Të nderuar Xhematlinjë!
Islami dhe kujdesi për gruan shtatzënë
Islami është feja që gruas, e cila dje në mesjetën e errët diskriminohej dhe diskutohej qenia e saj në ishte njeri apo jo dhe sot në botën moderne kur vetëm trupi i saj vlen e vlerësohet, ia dha tretmanin e duhur. Islami, ndonëse ka vlerësuar se roli i saj është lindja, megjithatë nuk e ka konsideruar atë si fabrikë hekuri që vetëm prodhon e prodhon. Islami u interesua shumë për kujdesin e saj, dhe shkurtimisht, caktoi këto masa për gratë shtatzënë:
•   Lirimi nga obligimet fetare që gjatë shtatzënisë mund ta dëmtojnë foshnjën, si: agjërimi, etj.
•   Caktimi i lindjes jo më shpesh se një herë në tri vjet. Kjo nuk është e detyrueshme vetëm se është bërë për faktin se gruaja e ka obligim që fëmijës t’i japi gji dy vjet dhe pastaj edhe nëntë muaj të shtatzënisë, periudhe kjo që gruas aspak nuk do ti sillte ndonjë problem shëndetësor.
Ikja nga shtatzënia nuk do të thotë ikje nga vdekja. Sa gruaja që lindi 12 fëmijë jetoi e fortë dhe me vetëdije deri në pleqëri të thellë derisa gra tjera që në lindjen e parë vdiqën. Sa njeriu shkoi në luftë, vend ku drejtpërdrejtë jeta e njeriut është në rrezik, nuk vdiq, derisa ata që fshiheshin nëpër shtëpitë  e tyre, vdiqën. Pra, çështja e vdekjes nuk lidhet aspak me shëndetin. Vdekja është ligj i Allahut, i caktuar për tërë njerëzimin, siç thamë në hadithin e cekur më lartë, dhe atë me kohë dhe caktim prej Tij. Thotë Allahu duke folur për ata frikacakë e pabesimtarë që me bindje të gabuara se “po të ishin me ne këtu nuk do të vdisnin as nuk do te vriteshin” mundoheshin te arsyetonin vdekjen e të afërmeve në luftë: “Dhe ata që nuk luftuan dhe atyre të vetëve u thanë: “Sikur të na dëgjon neve (e të ktheheshin siç u kthyem ne), nuk do të mbyteshim!” Thuaju: “Largojeni pra vdekjen prej vetes suaj, nëse jeni të sigurt çka thoni?” .
Ne jemi për kujdesin maksimal për shëndet, jemi për trajtim adekuat të grave shtatzëna por nuk jemi për ndaljen e tyre, e sidomos kur dimë se kjo ishte një aspiratë hegjemoniste e armiqve tanë fetarë e kombëtare, të cilët, nëse dje me dhunë nuk arritën ta realizojnë atë synim banal të tyre, sot me modernitet duket se ia kanë arritur qëllimit. Them kështu ngase këtë vit Kosova, si një sihariq djallëzor, botës i ka dhënë lajmin se ka 12.000 lindje  më pak se vitin e kaluar , lajm që më së shumti ka gëzuar armiqtë tanë . Krahas tjerash, kjo gjë vërteton dhe largimin nga udha fetare, sepse pjesë e asaj udhe a tradite ishte edhe lindja e shumtë. Muhammedi, alejhi’s selam porosiste: “Martohuni ngase unë në Ditën e Gjykimit do të mburrem me numrin tuaj para ummeteve tjera” .
Si pasojë e shthurjes së sistemit të mirëfilltë familjar, sot bota ka shumë fëmijë të paligjshëm. Ndoshta edhe kjo formë jetese është një prej faktorëve, që ka ndikuar që sot, Evropa, të ketë 1/3 e foshnjave të lindura të paligjshme  derisa vetëm Anglia ½ e fëmijëve ta ketë nga lidhje jashtëmartesore .
Të nderuar të pranishëm!
Motivi i dytë i kësaj date ndërkombëtare fokusohet në luftimin e varfërisë. Sivjet kjo ditë u mbajt me moton “Planifikimi familjar-është e drejtë, ta bëjmë realitet”…ngase “…planifikimi familjar do të ndikojë në mënyrë efikase edhe në luftimin e varfërisë .
Shqyrtimi ynë rreth kësaj pike do të përqendrohet në të vërteta, që nuk mohohen:
   Roli i njeriut. Allahu i Madhëruar ka sqaruar në Kur’an se roli i njeriut në këtë botë është përmirësimi i saj e jo shkatërrimi i saj duke kushtëzuar që ky përmirësim të jetë sipas kushteve që vet Allahu i Madhëruar parashtroi. Si rezultat i kësaj, sot në botë, për të mos rënë çmimi i grurit, me mijëra tonelata grurë derdhen nëpër dete e oqeane dhe nuk iu jepen atyre që vuajnë nga uria ose thënë më mirë nga padrejtësia e të pasurve.
   Pozitat udhëheqëse duhet t’iu jepen atyre që i meritojnë, ndryshe katastrofat janë të pashmangshme. Ndonjëherë, dështakët mendojnë se fëmijët janë shkak i katastrofave ekonomike ndërsa de facto ata janë vet shkaktarë, sepse janë udhëheqës jo të denje për postet e tyre. Shikoni se si Kur’ani, nëpërmjet tregimit të Jusufit, alejhi’s selam, aludoi në këtë çështje. Kur Egjiptin e pati goditur krizë ekonomike, si shkak i thatësisë 7 vjeçare, Allahu kishte caktuar që Jusufi të vinte si mbikëqyrës i depove, dhe i cili me sinqeritetin dhe besnikërinë e tij, arriti ta përballonte dhe shuante në masë të madhe problemin ekonomik. Ai kishte kërkuar postin e mbikëqyrësit të depove, meqë e kishte ditur se nuk ka më të denjë se ai për këtë dhe kishte thënë: ” Ai (Jusufi) tha: “Më cakto mua përgjegjës të depove të vendit, unë jam besnik i dijshëm” .
   Furnizimi në dorën e Allahut të Madhëruar. Thotë Allahu: ” Ju mos i mbytni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë, se Ne ua sigurojmë furnizimin atyre dhe juve, e mbytja e tyre është mëkat i madh” .
   Puna. Gjermania, në vitin 1880, kishte 45 milion banorë. Atëbotë vuanin nga varfëria, saqë një numër i madh i tyre migronin nga Gjermania për të gjetur punë në ndonjë vend tjetër. Kur në vitin 1910, Gjermania arriti shifrën e banorëve 68 milionë, situata ekonomike ndryshoi krejtësisht; mjetet e jetës u shtuan shumëfish, burimet e të ardhurave po ashtu, saqë Gjermania u detyrua të kërkojë punëtorë nga jashtë, dhe vetëm gjatë vitit 1910, kishte 1 milion e 300.000 punëtorë të huaj.
   Të vërteta ekonomike. Ata që kukasin shtimin dhe sihariqojnë varfërinë nuk dine asgjë për të vërtetat ekonomike. Kur shifra e banorëve të botës u shtua për 2,6%, përqindja e grurit u shtua për 3,2%, farërave tjera për 4,7%. Kjo d.t.th. se bota për çdo vit prodhon më shumë se sa kërkesat e konsumatorëve, dhe sikur vendet kapitaliste të mos hidhnin sasi marramendëse te grurit dhe qumështit (e prodhimeve të tij) në oqeane (vetëm e vetëm që të mos zbret çmimi në treg), nuk do të vuante as Afrika dhe as Azia nga uria.
   Ne e dimë fare mirë se këto vende (Afrikë e Azi) kanë themeluar organizata dhe shoqëri për ruajtjen e kafshëve ndërsa ne e dimë se më mirë do te ishte të ruhej njeriu se sa kafsha?!
Vëllezër besimtarë!
Barazia gjinore është motivi i tretë i shënimit të ecësja date. Në një mesazh të veçantë, Drejtoresha Ekzekutive e Fondacionit të OKB-së për Popullësinë, Thoraya Ahmed Obaid tha se planifikimi familjar është gjithashtu i rëndësishëm për barazinë gjinore dhe luftën kundër varfërisë . Barazia gjinore është plotësisht e paqartë ngase të mos lindësh nuk do të thotë barazi por do të thotë t’i ikësh qëllimit dhe rolit me të cilin je veçuar. Të jenë të barabartë është diç që Islami para më shumë se 14 shekujsh insistoi në të dhe aprovoi parime të tilla, por të jenë të barabartë në gjini nuk ka mundësi një gjë e tillë. Allahu ka thënë:“Zoti i tyre iu përgjigj lutjes së tyre (e tha): Unë nuk ia humb mundin asnjërit prej jush, mashkull qoftë apo femër. Ju jeni njëri nga tjetri…” .
Të nderuar besimtarë!
Sikur bota të jetonte në përputhje me fenë e Allahut të Madhëruar, këto gjëra, jo që si praktikë por as si ide nuk do të ekzistonin. Allahu thotë: ” E sikur banorët e këtyre vendbanimeve të kishin besuar dhe të ishin ruajtur, Ne do t’ju hapnim begati nga qielli e toka, por ata përgënjeshtruan, andaj i dënuam me shkatërrim për atë që merituan” .

Sedat Islami

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s