MËSHIRA E MUHAMMEDIT, ALEJHI’S SELAM ME PERSONA ME AFTËSI TË KUFIZUARA

Muhammed Mus’ad Jakut

MËSHIRA E MUHAMMEDIT, ALEJHI’S SELAM ME PERSONA ME AFTËSI TË KUFIZUARA

http://kbi-vushtrri.com/muhammedidhenjerezitmetemeta.html

Më në fund, bota e modernizuar filloi në këtë shekull të mendojë edhe për njerëzit me aftësi të kufizuara pas shkeljes së të drejtës së tyre me pretekstin se prej tyre nuk ka ndonjë dobi për shoqërinë. Organizata Punëtore Ndërkombëtare (International Labour Organization) në raportin e vitit 2000 ka llogaritur se shifra e personave me aftësi të kufizuara në botë arrin 610 milionëshin. Ndërsa sipas Bankës Ndërkombëtare, ky grup njerëzish përbejnë 15 % e çdo vendi në botë.

Personat me aftësi të kufizuara në të kaluarën

Nëse do ta bënim një shëtitje të shkurtër në historinë e përëndimit me këtë shtresë njerëzish do të gjenim se shoqëritë e vjetra evropiane, si f.v. ajo romake dhe spartane, kanë anashkaluar dhe diskriminuar qartë këtë kategori njerëzish. Krahas anashkalimit, ata bënin mbytjen e fëmijëve me të meta, dhe tërë këtë si shkak i bindjeve të kota dhe besëtytnive që kishin zënë vend në zemrat e tyre. Besonin se njerëzit me të meta mentale janë persona të mbizotëruar nga djajtë dhe shpirtrat e ligj, besime këto që u përvetësuan edhe nga filozofët dhe dijetarët përëndimore. Ligjet e Lukourgut spartan dhe Solonit athinas lejonin zhdukjen e atyre që të metat i pengonin nga puna dhe lufta. Filozofi i njohur Platoni kishte shpallur se personat me aftësi të kufizuara janë shtresë e ndyrë e shoqërisë të cilët sa përbejnë një barrë për të po aq edhe i japin edhe imazh të keq asaj. Herbert Spenser, filozof anglez, kishte kërkuar nga shoqëria ndalimin e ndihmave dhe benificioneve të ndryshme me arsye se ata paraqesin vetëm barrë për shoqërinë.

Ndërsa arabët, edhe pse mbytnin vajzat nga frika e turpi, megjithatë në raport me këtë kategori njerëzish ishin pak më të butë edhe pse nuk preferonin që të hanë bashkë me ta në një tryezë.

Në kohën kur bota dyndej ndërmjet teorive që thërrisnin për zhdukjen e personave me të meta mentale dhe teorive që ftonin në shfrytëzimin e tyre në punë të rënda, deshi Zoti e lindi teoria në lindje e përëndim për përkujdesjen e plotë për personat me aftësi të kufizuara. Edukatori i njerëzimit, Muhammedi, paqja dhe mëshira e Allahut të Madhëruar qofshin mbi të, padyshim se qe një themelues i parë i kësaj përkujdesjeje institucionale.

Përkujdesja profetike për personat me aftësi të kufizuara

Enesi transmeton se një grua kishte të meta mentale. “O i dërguari i Allahut! Unë kam nevojë për ty diç? Pejgamberi, alejhi’s selam i tha: “Oj nëna e filanit! Shiko cilën anë të duash të rrugës (ngase çështja ishte intime) e unë vij për kërkesën tënde. Pejgamberi, alejhi’s selam qëndroi me të në një qoshe të rrugës derisa e kreu çka pati me të”. ([1])

Kjo padyshim se flet për modestinë, durimin dhe butësinë e Muhammedit, alejhi’s selam për përmbushjen e kërkesave të personave me aftësi të kufizuara. Njëkohësisht flet edhe për obligimin e udhëheqësit për përkujdesje ndaj kësaj kategorie njerëzish duke përfshirë të gjitha aspektet e jetës: shëndetësor e shoqëror, ekonomik e psikik, etj.

Aspekte të kësaj përkujdesjeje:

®       Shërimi dhe përkujdesja mjekësore për ta.

®       Përgatitja arsimore e tyre aq sa premtojnë mundësitë dhe niveli i tyre mental.

®       Punësimi i personave të cilët përkujdesen vetëm për këtë kategori njerëzish.

Këtë program profetik, Halifeja i drejtë, Omer b. Abdu’l Aziz e kishte zbatuar në praktikë dhe si rezultat pati nxjerrë një dekret për të gjitha vilajetet:“Borxhet e të verbrit, sakatit, të paralizuarit pjesërisht (hemiplegia) dhe atij që ka sëmundje kronike që e pengon nga namazi, m’i sillni mua. Përfaqësuesit e tij ia dërguan”. Kishte urdhëruar që çdo i verbër ta kishte një mbikëqyrës që do të ecte me të dhe do të kujdesej për të ndërsa për çdo dy të sëmurë kronikisht caktoi një shërbëtor që iu shërben dhe kujdeset për ta. ([2])

Këtë rrugë e trasoi edhe halifi emevit el-Velid b. Abdu’l Melik, i cili qe ideatori i themelimit të instituteve apo qendrave për përkujdesjen e personave me aftësi të kufizuara. Kështu, në vitin 707 (88 m.) e themeloi një shoqatë speciale për përkujdesjen e tyre ku punësoi mjekë dhe shërbëtorë me paga mujore vetëm e vetëm për mbikëqyrje dhe përkujdesje ndaj kësaj kategorie të shoqërisë duke i urdhëruar “Mos kërkoni nga njerëzit “ (shpërblim ngase unë iu paguaj). Po kështu punësoi kujdestar për çdo sakat, të paralizuar dhe të verbër([3]).

Përparësia e tyre në përkujdesje

Islami jo vetëm që ka aprovuar përkujdesjen e plotë për këtë kategori të shoqërisë, por edhe iu ka dhënë përparësi përmbushjes së kërkesave të tyre ndaj kërkesave të pjesës tjetër shoqërisë -të shëndoshëve. Pejgamberi, alejhi’s selam i qe mrrolur([4]) një muslimani të verbër, Abdullah b. Ummi Mektumit, i cili qe ardhur ta pyeste për një çështje fetare. Meqë ishte duke ndenje me disa nga elita udhëheqëse e popullit, të cilët mundohej t’i kthente në Islam dhe edhe pse ai nuk e pa këtë vrenjtje të fytyrës së Pejgamberit, alejhi’s selam, megjithatë Allahu i Madhëruar e qortoi duke i thënë: “Ai vrenjti (fytyrën) dhe u kthye. 2. Ngase atij i erdhi i verbëri. 3. E ku mund ta dish ti, ndoshta ai do të pastrohet. 4. Apo do të këshillohet dhe këshilla do t’i bëjë dobi! 5. E ai që nuk ndien nevojë (për Zotin) pse ka pasuri”. ([5])

Studiuesi britanik, Lightner, në koment të kësaj ngjarjeje ka thënë: Njëherë Allahu i Madhëruar i shpalli Pejgamberit, alejhi’s selam vahj (shpallje) qortues ngase ia ktheu kokën një njeriu të varfër e të verbër që ta thërriste në Islam një njeri të pasur dhe me pozitë. Ky vahj është përhapur dhe po të ishte Pejgamberi, alejhi’s selam ashtu siç thonë përkitazi me të të krishterët (se ai e ka shpifur Kur’anin) ky lloj vaji nuk do të kishte ekzistuar fare([6]). Pas kësaj ngjarjeje, kur Pejgamberi, alejhi’s selam e takonte këtë njeri, i buzëqeshte dhe sillej butë me të e thoshte: “Mirë se vjen o ti që më qortoi Zoti im për ty!”. ([7])

Në këtë tregim shohim edhe shkakun e qortimit e që është preokupimi me thirrjen në Islam të disa zotërinjve dhe lënia anash e përmbushjes së kërkesës së këtij të verbri, të cilit kërkesa më parë do të duhej t’i përmbushej. Tregimi dëshmon se kësaj kategorie të shoqërisë duhet t’iu përmbushen kërkesat më parë se të tjerëve.

Toleranca e Pejgamberit, alejhi’s selam ndaj sjelljeve të mendjelehtëve dhe injorantëve të kësaj kategorie

Mëshira e Pejgamberit, alejhi’s selam me personat me aftësi të kufizuara shprehet edhe atëherë kur shohim tolerancën e tij ndaj injorantit të tyre dhe butësinë ndaj mendjelehtit të tyre. Në Betejën e Uhudit, kur Pejgamberi, alejhi’s selam u drejtua me ushtri kah Uhudi, vendosi të kalonte nëpër arën e një hipokriti të verbër, i cili e ofendoi dhe shau. E morri një grusht dhe e tha: Po ta dija se të qëlloj ty do të gjuaja me këta dhe. Shokët e Pejgamberit, alejhi’s selam deshën ta mbysin këtë të verbër mëkatar por Pejgamberi, alejhi’s selam refuzoi dhe tha: Lëreni! ([8]).

Pejgamberi, alejhi’s selam nuk deshi që dobësinë e këtij të verbri ta shfrytëzojë; as nuk urdhëroi mbytjen dhe as shqetësimin, edhe pse ushtria ishte në rrugë për të luftuar ndërsa situata dhe rrethanat ishin të përshtatshme për mbytjen e tij (meqë bëhej fjalë për luftë). Pejgamberi, alejhi’s selam refuzoi këto dhe insistoi vetëm në falje. Nuk është tipar i luftëtarëve muslimanë mbytja e njerëzve me të meta, përkundrazi, butësia me ta, marrja mësim nga gjendja e tyre dhe lutja Allahu e Madhëruar që të mos sprovohemi me një gjë të tillë ishte traditë e tij, alejhi’s selam.

Nderimi dhe ngushëllimi i tyre

Aisheja transmeton ta ketë dëgjuar Pejgamberin, alejhi’s selam duke thënë: “Allahu i Madhëruar më ka shpallur se kushdo që trason rrugën e diturisë do t’ia lehtësojë atë dhe çdokujt që ia marrë dy fisniket e tij (dy sytë), gjithsesi (si kompensim), do t’ia jap Xhennetin”. ([9])

Irbad b. Sarije rrëfen se Pejgamberi, alejhi’s selam duke transmetuar prej Allahut të Madhëruar ka thënë: “Nëse robit Tim ia marr dy fisniket e tij (dy sytë) ndërsa atij i bën durim dhe llogarit në ta[10], nëse më falënderon për këtë, Unë nuk pranoj t’i jap shpërblim tjetër përveç Xhennetit”. ([11])

Përkitazi me të sprovuarit dhe të prekurit nga të metat, Pejgamberi, alejhi’s selam thotë: “Nuk ka musliman që lëndohet nga ndonjë ferrë e më shumë e që me të nuk do t’i shkruhet një gradë (në Xhennet) dhe nuk do t‘i fshihet një mëkat ”. ([12])

Në këto tekste profetike dhe hadithe kudsijje shprehet ngushëllimi por edhe përgëzimi për çdo njeri me të meta që bën durim për sprovën e tij, është i pajtuar me Allahun për caktimin e Tij dhe shpreson në shpërblimin e Tij, atëherë Allahu nuk pranon që shpërblimi për të të jetë diç tjetër veç Xhennetit.

Pejgamberi, alejhi’s selam në shenjë nderimi dhe respekti për Amr b. Xhumuhin, i cili qe i çalë, thoshte: “Zotëria juaj i bardhë, Amr b. Xhumuhi”.

Me një rast i pati thënë: “Sikur po të shoh në Xhennet duke ecur me këtë këmbën tënde (të sëmurë tani) të shëndoshë (atje)”.

Amri, Allahu qoftë i kënaqur me të, bënte gostinë për Pejgamberin, alejhi’s selam kur martohej([13] ).

Enes b. Maliku rrëfen se Pejgamberi, alejhi’s selam e kishte lënë zëvendës Ummi Mektumin dy herë në Medinë; ai falte namazin si imam edhe pse ishte i verbër([14]).

Aisheja rrëfen se Ummi Mektum ishte muezzin i Pejgamberit, alejhi’s selam edhe pse ishte i verbër([15]).

Seid b. Musejjibi rrëfen se musliman.t e kishin zakon që nëse shkon në luftë, të sëmurëve kronik ua dorëzonin çelësat e shtëpive të tyre dhe iu thoshin: ne ua lejuam që të hani çdo gjë që kemi në shtëpitë tona!([16])

Hasan b. Muhammedi rrëfen: Shkova tek Ebu Zejd el-Ensariu, i cili e thirri ezanin dhe bëri kiametin duke qënë ulur. Pastaj erdhi një njeri i çale dhe doli imam. Ai kishte pësuar këtë në një luftë në rrugë të Allahut të Madhëruar([17] ).

Kështu ishte shoqëria profetike; koorporim në ngushëllim të tyre, bashkëpunim në nderim të tyre, unifikim në respekt ndaj tyre, dhe tërë kjo si rezultat i pasimit të programit të Pejgamberit të mëshirës përkitazi me personat me aftësi të kufizuara.

Vizita e tyre

Islami ligjësoi vizitën e të sëmurëve në përgjithësi dhe të personave me aftësi të kufizuara në veçanti. Kjo me qëllim të lehtësimit të dhimbjeve të tyre ngase njeriu me të meta, në krahasim me të shëndoshët, është më i vetmuar, më pesimist, më i prekur nga sëmundjet shpirtërore.

Pejgamberi, alejhi’s selam vizitonte të sëmurët dhe lutej për ta, mundohej të shtrinte besnikërinë në zemrat e tyre dhe gëzimin në shpirtrat e tyre. E shihje ndonjëherë tek shkonte në periferi të Medinës e t’ia përmbushte ndonjërit prej tyre ndonjë kërkesë apo të falte ndonjë rekate në shtëpinë e të sprovuarit si përgjigje kërkesës së tij. Itban b. Maliku, një medinas i verbër, i kishte thënë Pejgamberit, alejhi’s selam: O i dërguari i Allahut, sa shumë do të doja sikur të vijë në shtëpinë time e të falje namaz, vend të cilin me pas do ta bëja si faltore. Pejgamberi, alejhi’s selam i premtoi se do ta vizitonte dhe do të falej në shtëpinë e tij. Në mëngjes, Pejgamberi, alejhi’s selam me Ebu Bekrin shkuan tek Itbani dhe me të hyrë në shtëpi i tha: Në cilin vend të shtëpisë sate ke dëshirë të falem?

I bëra me shenjë vendin ndërsa ai, alejhi’s selam morri tekbir dhe ne u rreshtuam pas tij. I fali dy rekate e pastaj dha selam”. ([18])

Lutja për ta

Mëshira e Pejgamberit, alejhi’s selam shprehet me këtë kategori te shoqërisë edhe atëherë kur shohim ligjësimin e duasë-lutjes për ta, si përforcim dhe përkrahje morale për përballimin e sprovave. Ai synonte mbjelljen e vullnetit në shpirtrat e tyre, ndërtimin e vendosmërisë në qëndrimet e tyre, dhe në një rast, kur një i verbër i tha Pejgamberit, alejhi’s selam: Lute Allahu e Madhëruar të më shërojë! Pejgamberi, alejhi’s selam i tha: Nëse do lutem e nëse do, duro, është më mirë për ty. Jo, lute Allahu e Madhëruar të më shërojë- i tha ai. Pejgamberi, alejhi’s selam e urdhëroi të merr abdes me përpikëri dhe të lutet me këtë dua: O Zoti im! Unë të lus dhe drejtohem tek Ti me pejgamberin Tënd, Muhammedin, pejgamberin e mëshirës. Unë drejtohem me ty tek Zoti im për këtë kërkesë timen që të ma përmbushësh. O Allahu im! Caktoje ndërmjetësues për mua!”. ([19])

Pejgamberit, alejhi’s selam i erdhi një grua e sëmurë nga epilepsia dhe i tha: Mua më dhemb koka (më kap epilepsia) dhe zbulohem andaj lute Allahu e Madhëruar për mua. Pejgamberi, alejhi’s selam tha: Nëse do, bë durim, e shpërblim e ke Xhennetin, ndryshe e lus Allahu e Madhëruar të të shërojë. Do të bëj durim por po zbulohem ndaj lute Allahun që vetëm të mos zbulohem- i tha gruaja. Pejgamberi, alejhi’s selam u lut për të ”. ([20])

Kështu është shoqëria islame, të gjithë, pa dallim, luten për të sprovuarit e kësaj natyre, dhe përveç shoqërisë islame, nuk kemi parë ndonjë shoqëri tjetër në sipërfaqen e dheut të jetë lutur për ta.

Nuk lejohet tallja me ta

P.A.K-atë ishin objekt talljeje në shoqëritë injorante të Evropës së vjetër. Personi me te meta ishte në mes dy zjarreve: atij të indiferencës dhe talljes e përqeshjes. Bazuar në këtë, shoqëria për ta ishte vatër gurbeti, persekutimit e ndarjeje. Sheriati islam erdhi dhe ndaloi talljen me njerëz në përgjithësi dhe me p.a.k.-të në veçanti. Motoja “Mos shpreh talljen për vëllanë tënd që ta mëshirojë atë Allahu e të të sprovoj ty!” ishte gjithmonë në mendjet e tyre..

Allahu i Madhëruar zbriti ajete te qarta qe dnalojne këtë dukur injorante: “O ju që besuat, nuk bën të tallet një popull me një popull tjetër, meqë të përqeshurit mund të jenë më të mirë nga ata të cilët përqeshin dikë tjetër, e as gratë me gratë e tjera, sepse mund të ndodhë që gratë e tjera të jenë më të mira se ato që përqeshin (duke e nënçmuar njëri-tjetrin) dhe mos etiketoni njëri-tjetrin me llagape. Pas besimit është keq të përhapet llagapi i keq. E ata që nuk pendohen, janë mizorë”. ([21])

Ndërsa Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë: “Mendjemadhësia është refuzimi i së vërtetës dhe nënçmimi i njerëzve”. ([22])

“وغمط الناس Nënçmimi i njerëzve” është i ndaluar ndërsa me p.a.k-të është edhe më i theksuar, sidomos nëse personi me aftësi të kufizuara është i ditur, i devotshëm, i ndershëm dhe edukuar. Mjafton rregulli i përgjithshëm profetik: “Allahu ua ka ndaluar derdhjen e gjaqeve, keqpërdorimin e pasurisë dhe shkeljen e nderit në mes jush”. ([23])

Pejgamberi, alejhi’s selam kërcënoi me dënim atë që e drejton gabim në rrugë të verbrin e tha: “I mallkuar është ai që një të verbëri ia tregon rrugën gabim”. ([24])

Ky është një kërcenim i ashpër për ata që të metat i marrin si shkas për tallje me njerëz apo nënçmim të tyre. Njeriu me të meta është vëlla, baba, apo bir që është sprovuar nga Allahu i Madhëruar që të jetë këshillë për ne dhe dëshmi për fuqinë e Allahut të Madhëruar.

Ikja nga bojkotimi dhe izolimi i tyre

Shoqëria e vjetër injoronte këtë kategori të shoqërisë dhe e izolonte tërësisht atë duke ua mohuar të drejtën e martesës dhe shoqërimit me njerëz. Medinasit para ardhjes se Muhammedit, alejhi’s selam nuk lejonin që te njerëzit e çalë, të verbër a të sëmurë të hanin me ta në një tryezë duke i menduar si të ndyrë([25]). Allahu i Madhëruar shpalli: “Nuk është mëkat për të verbrin, as për të çalin, as për të sëmurin, as për ju vetë, të hani nga shtëpitë tuaja, ose nga shtëpitë e etërve tuaj, shtëpitë e nënave tuaja, në shtëpitë e vëllezërve e të motrave tuaja, në shtëpitë e xhaxhallarëve, të hallave, të dajëve tuaj, në shtëpitë e tezeve tuaja ose të atyre që u janë besuar çelësat e tyre, ose (në shtëpitë) e miqve tuaj. Mund të hani bashkërisht ose veçmas, nuk është mëkat. Kur të hyni në ndonjë shtëpi përshëndetni (ata që janë në to) me një përshëndetje të caktuar nga All-llahu (me selamun alejkum) që është e bekuar dhe e këndshme. Kështu All-llahu ua sqaron argumentet që t’i kuptoni”. ([26])

…d.t.th.: Nuk ka gjë të keqe që të hani bashkë me të sëmurin, të verbrin dhe të çalin ngase edhe ata janë njerëz sikurse ju, kanë gjithë të drejtat sikurse ju kështu që mos i bojkotoni, mos u largoni prej tyre dhe mos i braktisni duke patur në hatër gjithmonë fjalën e Allahu e Madhëruar: “Më i miri prej jush është ai më i devotshmi” dhe fjalën e Pejgamberit, alejhi’s selam: “Allahu i Madhëruar nuk shikon në fytyrat a format e juaja por shikon në zemrat tuaja”.

Kështu zbriti Kur’ani -mëshirë për personat me aftësi të kufizuara; i ngushëllon, i përkrah shpirtërisht, ua lehtëson dhimbjet, i shpëton nga sëmundjet shpirtërore.

Derisa popujt injorant nuk lejuan martesën e personit me aftësi të kufizuara, Islami e lejoi një gjë të tillë nëse kanë mundësi për të duke iu thënë të drejta por edhe duke iu caktuar obligime. Muslimanët nuk shfrytëzuan dobësinë e tyre që t’ua shkelin të drejtat apo tua mohojnë ato, dhe ja, Omer b. Hattabi, kishte vënë rregullin: “Çdo njeri që martohet me ndonjë grua të çmendur, a që ka leprozën apo gërbulën dhe flenë me te, asaj i takon dhurata martesore e plotë”([27]).

Lehtësimet e parapara për ta

Peizazh tjetër i mëshirës me këtë kategori të shoqërisë është edhe konsiderata e gjendjes së tyre fizike a mentale përkitazi me obligimet fetare duke ua lehtësuar dhe larguar vështirësitë në to. Zejd b. Thabiti rrëfen se Pejgamberi, alejhi’s selam i diktonte ajetin: “Nuk janë të ngjashëm besimtarët që nuk luftojnë  ”([28]), kur ja erdhi Ibni Ummi Mektumi dhe tha: O i dërguari i Allahut! Po të kisha mundësi të luftoja, gjithsesi se do të luftoja([29] ). Atëherë zbriti ajeti: “Nuk janë të barabartë prej besimtarëve ata që ndejtën (nuk luftuan) dhe ata që me pasurinë dhe me jetën e tyre luftuan në rrugën e All-llahut, me përjashtim të atyre që ishin të penguar pa vullnetin e vet…”. ([30])

Allahu duke ua lehtësuar kësaj kategorie obligimet tha: “Nuk është mëkat (të ngelë pa dalë) për të verbërin, për të çalin, e as për të sëmurin. E kush respekton All-llahun dhe të dërguarin e Tij, Ai atë e shtie në xhennete ku rrjedhin lumenj, e kush mbetet prapa, Ai atë e ndëshkon me një dënim të dhëmbshëm”. ([31])

Këtyre iu hoq obligimi i xhihadit në fushëbetejë, përveç nëse del vullnetarisht. Tregimi përkitazi me këtë është ai i Amr b. Xhumuhit në Betejën e Uhudit. Ishte, Allahu e mëshiroftë, njeri që çalonte shumë dhe kishte katër djem, të cilët vazhdimisht merrnin pjesë në betejat me Pejgamberin, alejhi’s selam. Ditën e Uhudit deshën ta pengojnë dhe i thanë: Allahu i Madhëruar të ka arsyetuar. Amri shkoi tek Pejgamberi, alejhi’s selam dhe tha: Djemtë e mia duan të më pengojnë nga lufta ndërsa unë, pasha Allahu e Madhëruar, me këtë këmbën time të çalë shpresoj ta shkeli Xhennetin. “Mos e pengoni, ndoshta Allahu e begaton me rënie dëshmor”- iu tha Pejgamberi, alejhi’s selam djemve të tij”. Amri doli dhe u vra shehid.

Megjithatë, jo të gjithë janë të njëjtë. Lehtësimet bëhen në përputhje me gjendjen e tyre, fizike a mentale. Ka thënë Kurtubiu:

®       Allahu i Madhëruar ia largoi obligimet të verbrit të cilat lidhen me shikim,

®       Të çalit që lidhen me të ecur,

®       Të sëmurit që lidhen me shëndet, si agjërimi, xhihadi, etj([32]).

Shembulli i kësaj është i verbri dhe i çmenduri. I pari është i obliguar me të gjitha obligimet fetare me përjashtim të disa prej tyre, si: xhihadi. Ndërsa i dyti është i liruar nga të gjitha obligimet. Aisheja transmeton se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:

“Lapsi është ngritur nga (nuk llogarit) tre veta: për atë që flenë derisa ë zgjohet, për të voglin derisa të rritet dhe për të çmendurin derisa të arrijë vetëdijen”. ([33])

Sado që të gabojë i çmenduri apo të kryejë ndonjë krim, ai nuk ka as dënim dhe as dispozitë kundër tij. Ibni Abbasi rrëfen: Omerit ia sollën një grua të çmendur, e cila kishte rënë në prostitucion. I konsultoi njerëzit dhe morri vendim që ta gurëzojë. Duke e dërguar në vendin e ekzekutimit kaluan pranë Aliut, i cili pyeti: Ç’është puna e kësaj gruaje? E çmendura e filan fisit ka rënë në prostitucion kështu që Omeri urdhëroi të gurëzohet. Kthehuni me të!- i urdhëroi Aliu ndërsa vet shkoi tek Omeri dhe i tha: O prijësi i besimtarëve! A nuk e di se lapsi nuk llogarit tre veta: të çmendurin derisa të vetëdijesohet, gjumashin derisa të zgjohet, dhe fëmijën derisa të rritet?! Po- ia ktheu Omeri. Atëherë përse ky gurëzim?! Asgjë- ia ktheu Omeri. Liroje!- tha Aliu, dhe Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me ta, e liroi dhe e madhëronte Allahu duke thënë: Allahu Ekber!([34]) .

Kështu ishte programi profetik në marrëdhëniet me personat me aftësi të kufizuara në kohën kur popujt dhe sistemet nuk njihnin të drejtat e kësaj kategorie të shoqërisë. Ai ligjësoi kujdesin e plotë për ta, iu dha përparësi në përmbushje të kërkesave e nevojave, fali e toleroi mendjelehtin dhe injorantin, nderoi të sprovuarit e sidomos ata që shquhen me eksperiencë e njohuri në ndonjë lëmi, nxiti për vizite të tyre, stimuloi në lutje për ta, ndaloi talljen dhe përqeshjen e tyre, ndaloi bojkotin dhe braktisjen e tyre, ua lehtësoi dispozitat fetare.

T’ia keni frikën Allahu e Madhëruar për Islamin dhe Pejgamberin e Islamit!

Burimi: www.islamonline. net/Arabic/ In_Depth/ mohamed/morals/ article12. shtml

Përshtati në shqip: Sedat Islami

09/07/2008

Vushtrri, Kosovë

———— ——— ——— ——— ——— ——— ——— ——— —–

[1] Transmeton Imam Muslimi ndërsa Imam Neveviu në koment të këtij hadithi ka thënë: Pejgamberi, alejhi’s selam u vetmua me të që t’i përgjigjej në pyetjet e saja. Kjo nuk është vetmi me një femër të huaj, ndalesa e së cilës është transmetuar në hadithe ngase Pejgamberi, alejhi’s selam në fakt nuk qe vetmuar por vetëm larguar pak aq sa njerëzit e shihnin dhe kalonin pranë por nuk e dëgjonin se ç’fliste për shkak të ruajtjes së intimitetit të asaj gruaje.

[2] Ibnu’l Xhevzijj, Siretu Umer b. Abdu’l Aziz, f. 130.

[3] Ibni Kethir, el-Bidaje ven-Nihaje, 9/186, Tarihu’t Taberijj, 5/265.

[4] Kjo assesi nuk do të thotë se Muhammedi, alejhi’s selam kishte anashkaluar këtë njeri. Ai, paqja dhe mëshira e Allahut të Madhëruar qoftë mbi të, kishte qenë duke ftuar disa njerëz nga paria arabe në Islam andaj kishte menduar se marrja me ta ishte më parësore se sa me të ngase ky veç ishte bërë musliman. Allahu i Madhëruar e di më së miri!

[5] Abese, 1-5

[6] Lightner, Dinu’l islam (Feja islame), f. 12-13.

[7] Tefsiri i Kurtubiut, 19/184 dhe ai i Bejdaviut f. 451.

[8] Transmeton Bejhekiu në Shuab’l iman ndërsa hadithi është autentik!

[9] Transmeton Bejhekiu në Shuab’l iman ndërsa hadithi është autentik. Sih hadithin 5511.

[10] Danin d.t.th.: të jesh koprrac ndaj ndonjë gjëje. Këtu në këtë hadith, bazuar edhe në hadithet tjera të ngjashme, synohet diç tjetër. Synohet kuptimi: Ai bën durim dhe shpërblimin e kërkon prej Allahut të Madhëruar. Transmeton Tirmidhiu nga Ebu Hurejre  se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë: “مَنْ أَذْهَبْتُ حَبِيبَتَيْهِ فَصَبَرَ وَاحْتَسَبَ لَمْ أَرْضَ لَهُ ثَوَابًا دُونَ الْجَنَّةِ Kujt ia marrë dy të dashurat e tij (dy sytë) ndërsa ai bën durim dhe llogarit në shpërblimin Tim, nuk pajtoj t’i jap shpërblim tjetër përveç Xhennetit”. Albani e ka cilësuar autentik në Sahihu ve daifu suneni’t Trimidhijj, 2401. Përkthyesi.

[11] Transmeton Ibni Hibbani, 2993, ndërsa hadithi është autentik. Albani në Sahihu’l xhamii, 4305, e ka cilësuar hasen-të mirë.

[12] Buhariu dhe Muslimi

[13] Ebu Neim el-Esbehani, ma’ifetu’s sahabe, 14/155.

[14] Transmeton Ahmedi, nr. 13023. Hadithi është hasen.

[15] Transmeton Imam Muslimi.

[16] Tefsiri i Rraziut, 11/374.

[17] Transmeton Bejhekiu 1/392, ndërsa hadithi është hasen.

[18] Buhariu dhe Muslimi.

[19] Transmetojnë Tirmidhiu dhe Ibni Maxheh ndërsa hadithi është autentik.

[20] Buhariu dhe Muslimi.

[21] el-Huxhurat, 11

[22] Muslimi

[23] Buhariu

[24] Transmeton Ahmedi në Musned ndërsa hadithi është hasen.

[25] Tefsiru’t Taberijj, 19/219.

[26] en-Nur, 61

[27] Ibni Ebi Shejbe, vell.3, f. 319.

[28] en-Nisa, 95

[29] Buhariu

[30] en-Nisa, 95

[31] el-Fet’h, 17

[32] Ibni Hisham, 2/90.

[33] Transmetojnë Ibni Maxheh dhe Ibni Huzejme ndërsa hadithi është autentik.

[34] Transmeton Ebu Davudi ndërsa hadithi është autentik.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s