PËRKUSHTIMI ISLAM PËR PERSONAT ME AFTËSI TË KUFIZUARA

PËRKUSHTIMI ISLAM PËR PERSONAT ME AFTËSI TË KUFIZUARA

 

Falënderimi i takon All-llahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga All-llahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon All-llahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s’ka hyjni tjetër përveç All-llahut, i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij.

Besimtarë të nderuar!

Islami është fe, programi i së cilës synon gjithëpërfshirjen në çdo aspekt. Nga këtu, në shoqërinë islame nuk ka njerëz të diskriminuar, shkelur e anashkaluar, pa marrë parasysh se çfarë kategorie përfaqësojnë ata.

Meqë ende jemi në muajin tetor, muaj ky që është cilësuar si periudhë e një përkujdesjeje (lexo: vetëm teorike) për personat me aftësi të kufizuara, këtë ligjëratë vendosëm ekskluzivisht t’ia dedikojmë këtij grupi njerëzish për të vënë në pah vizionin dhe programin e pakrahasuar të islamit për njerëzimin. Ndoshta mund të mos iu duket me interes kjo temë por nëse protagonistë të saj janë 610 milionë njerëz apo 15% i çdo shteti, duhet ta dini se ajo është e një rëndësie të madhe.

Për të kuptuar më mirë pikëpamjen islame për këtë pjesë të shoqërisë, kalimthi do bëjmë një shëtitje në kopshtin e (lënë shkret të) të drejtave të tyre në të kaluarën për të ardhur në përfundim se vërtet Islami është i tillë, madhështor e human.

Në shoqëritë e mëhershme, këta persona konsideroheshin si njerëz që jo vetëm familjes por edhe vendit i jepnin një imazh të keq ndaj, fëmijët me të meta vriteshin që në vegjëlinë e hershme sikurse zhdukeshin ata që ishin të paaftë fizikisht për punë. Arsyet banale të këtyre veprimeve ishin të përqendruara në një logjikë të pistë. Ata konsideroheshin se ishin të mbizotëruar nga djalli, se janë të ndyrë dhe se, meqë shoqëria nuk përfiton prej tyre, atëherë ata nuk meritojnë të jenë barrë e saj.

Islami këtë logjikë e quajti besëtytni, këto parime i quajti pashpirtësi, këto vlera i quajti antivlera, dhe si reagim, solli ligje, norma e parime, që barazojnë këtë pjesë të shoqërisë me pjesën tjetër.

Vëllezër të dashur!

Prezantimi i programit islam përkitazi me p.a.t.k.-ët do të fokusohet në një trekëndësh parimor, diagonalja e parë e të cilit është:

1. Parimi i përgjegjësisë.

Njeriu, që veten e konsideron si halife në tokë, paralel me këtë privilegj ka edhe përgjegjësinë e mbarëvajtjes së rendit në tokë. Ndaj, nëse ai është urdhëruar që të ketë mëshirë e kujdes edhe ndaj kafshëve, për shoqërinë njerëzore, çfarëdo që të jenë ata, kujdesi gjithsesi se duhet të jetë edhe më i theksuar. Në këtë kontekst, Allahu i Madhëruar njeriut ia përkujton lidhjen e tij me njerëzit tjerë, lidhje kjo prej një babai e nëne. Thotë Allahu i Madhëruar:

“يا أيها الناس اتقوا ربكم الذي خلقكم من نفس واحدة وخلق منها زوجها وبث منهما رجالاً كثيراً ونساء

O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje (njeriu) dhe nga ajo krijoi palën (shoqën) e saj, e prej atyre dyve u shtuan burrra shumë e gra…”. (En Nisa, 1)

Pra, nëse anashkalon këta persona, ke anashkaluar llojin tënd.

Në kuadër të këtij parimi, është futur edhe parimi i përgjegjësisë qendrore, respektivisht, përgjegjësisë para Allahut të Madhëruar. Pushteti i takon vetëm Allahut, ndaj çdo pushtet dhe çdo ngritje vjen prej Tij, kështu që sikur ka urdhëruar që t’iu japim njerëzve ngase Ai na ka dhënë neve, po kështu urdhëron që të kujdesim për ta ashtu siç Allahu i Madhëruar na ka nderuar me këtë favorizim. I inspiruar nga kjo fjale e Allahut, sheh një legjendë të gjallë tek zbaton në praktikë këtë parim hyjnor. Ja Muhammedi, alejhi’s selam, ftohet nga një grua me të meta, grua që liderët e sotshëm as që do të qanin kokën për të, ndërsa ai i përgjigjet kërkesës së saj dhe ia përmbush nevojat.

Këtu, nuk do të kaloja tutje, pa përmendur se dekorim i brendshëm i këtij parimi, ka ardhur edhe një element tjetër. Fjala është për përkujtimin e gjenealogjisë së njeriut, përkujtim ky që nuk le vend me për mburrje mendjemadhësi. Thotë Allahu i Madhëruar:

“أحسن كل شيء خلقه وبدأ خلق الإنسان من طين ، ثم جعل نسله من سلالة من ماء مهين ، ثم سواه ونفخ فيه من روحه وجعل لكم السمع والأبصار والأفئدة قليلاً ما تشكرون

Ai që përsosi krijimin e çdo sendi, e krijimin e njeriut e filloi nga balta. 8. Pastaj bëri që pasardhësit e tij të rrjedhin prej një pike uji të dobët. 9. Mandej, Ai e formëson atë (në barkun e nënës) dhe nga ana e vet i jep shpirt atij dhe Ai është që juve ju pajis edhe me dëgjim, me të parit dhe me zemër, e pak send është ajo që ju falënderoni”. (Es Sexhde, 7-9)

Ndërsa Pejgamberi, alejhi’s selam, siç transmetojnë Ebu Davudi dhe Tirmidhiu nga Ebu Hurejre, thotë:

“إِنَّ اللَّهَ عَزَّ وَجَلَّ قَدْ أَذْهَبَ عَنْكُمْ عُبِّيَّةَ الْجَاهِلِيَّةِ وَفَخْرَهَا بِالْآبَاءِ مُؤْمِنٌ تَقِيٌّ وَفَاجِرٌ شَقِيٌّ أَنْتُمْ بَنُو آدَمَ وَآدَمُ مِنْ تُرَابٍ لَيَدَعَنَّ رِجَالٌ فَخْرَهُمْ بِأَقْوَامٍ إِنَّمَا هُمْ فَحْمٌ مِنْ فَحْمِ جَهَنَّمَ أَوْ لَيَكُونُنَّ أَهْوَنَ عَلَى اللَّهِ مِنْ الْجِعْلَانِ الَّتِي تَدْفَعُ بِأَنْفِهَا النَّتِنَ

Allahu i Madhëruar e zhduku prej zemrave tuaja krenarinë injorante (të periudhës paraislame) dhe mburrjen me baballarë. Besimtar i devotshëm, mëkatar i dëshpëruar. Që të gjithë ju jeni nga Ademi ndërsa Ademi është i krijuar prej dheut. Ose do ta lënë ca njerëz mburrjen me grupe, që në të vërtetë janë thëngjill i Xhehennemit, ose do të jenë tek Allahu i Madhëruar më të pavlerë se sa bubazheli, që me hundën e tij largon ndyrësitë” .

Të nderuar muslimanë!

Parimi i dytë islam për p.a.t.k – ët, është parim etik. Nuk do të ndalem shumë në të për arsye se do të përmend vetëm dy gjëra me rëndësi, të cilat besoj se do ta përfshijnë tërë atë që duhet thënë këtu. E para, Islami porosit për ngushëllim të tyre duke përdorur një logjike mjaft impresionuese. Në njërën anë, iu përkujton se kjo jetë është kalimtare kështu që nëse këtu nuk je i kompletuar, nuk është diç e madhe në krahasim me mungesën në ahiret, e cila, sikur që në këtë botë nuk synon mungesën konkrete të organeve të trupit, po ashtu as në botën tjetër nuk nënkupton një gjë të tillë. Më konkretisht, njeri me të meta këtu e atje është ai që nuk ka besim e moral. Thotë Allahu i Madhëruar:

“فإنها لا تعمى الأبصار ولكن تعمى القلوب التي في الصدور

…Pse në të vërtetë sytë nuk verbërohen, por verbërohen zemrat në kraharor”. (El Haxh, 46)

Krahas kësaj, njerëzit e sprovuar në këtë bote, i ka garantuar me privilegj në botën e ardhme. Muhammedi, alejhi’s selam ka thënë: “(Thotë Allahu i Madhëruar) Nëse robit Tim ia marr dy fisniket e tij (dy sytë) ndërsa atij i bën durim dhe llogarit në ta, nëse më falënderon për këtë, Unë nuk pranoj t’i jap shpërblim tjetër përveç Xhennetit” .

Mu për këtë, Islami, besimtarin e ka përshkruar të favorshëm në të dyja rastet. Thotë Muhammedi, alejhi’s selam: “Është e çuditshme situata e besimtarit, çdo gjë dhe çdo gjendje e tij është e mirë, kjo s’i ndodh askujt përveç besimtarit. Nëse është në mirëqenie, është mirënjohës dhe kjo është mirë për të, por edhe nëse e godet ndonjë fatkeqësi, duron edhe kjo është mirë për të…” .

E dyta, Islami ka ndaluar talljen me ta duke ua bërë me dije se i tallur dhe i përqeshur është hipokriti e dyfytyrëshi. Thotë Allahu i Madhëruar:

“يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آَمَنُوا لَا يَسْخَرْ قَوْمٌ مِنْ قَوْمٍ عَسَى أَنْ يَكُونُوا خَيْرًا مِنْهُمْ وَلَا نِسَاءٌ مِنْ نِسَاءٍ عَسَى أَنْ يَكُنَّ خَيْرًا مِنْهُنَّ وَلَا تَلْمِزُوا أَنْفُسَكُمْ وَلَا تَنَابَزُوا بِالْأَلْقَابِ بِئْسَ الِاسْمُ الْفُسُوقُ بَعْدَ الْإِيمَانِ وَمَنْ لَمْ يَتُبْ فَأُولَئِكَ هُمُ الظَّالِمُونَ

O ju që besuat, nuk bën të tallet një popull me një popull tjetër, meqë të përqeshurit mund të jenë më të mirë nga ata të cilët përqeshin dikë tjetër, e as gratë me gratë e tjera, sepse mund të ndodhë që gratë e tjera të jenë më të mira se ato që përqeshin (duke e nënçmuar njëri-tjetrin) dhe mos etiketoni njëri-tjetrin me llagape. Pas besimit është keq të përhapet llagapi i keq. E ata që nuk pendohen, janë mizorë”. (El Huxhurat, 11)

Pra, i shëmtuar e për tu përqeshur e tallur me të është ai që është hipokrit.

Besimtarë të respektuar!

Nëse në të kaluarën ishin propozuar dhe aprovuar ligje për zhdukjen e atyre që për shkak të pafuqisë fizike nuk i sillnin beneficione shtetit, Islami jo vetëm që ka anuluar një gjë të tillë por edhe ka paraparë lehtësime për ta, qoftë në raport me shtetin, qoftë edhe në raport me adhurimin. Kursimi nga pjesëmarrja në luftëra, në aktivitete kolektive, e madje edhe në ato fetare për një grup të veçantë brenda grupit të personave me aftësi të kufizuara, janë vetëm një përshkrim i thjeshtë i këtij parimi. Ka thënë Muhammedi, alejhi’s selam: “Është ngritur lapsi (nuk shkruan lapsi) nga tre persona: Nga personi që është fjetur, derisa të zgjohet, nga fëmija, derisa të hyjë në moshën madhore, dhe nga i çmenduri, derisa të bëhet i mençur.”

Duke e lutur Allahun e Madhëruar që Islami të depërtojë deri në thellësitë e shpirtit tonë, dhe sjelljet tona të reflektojnë atë që është origjinale e burimore e tij, e përmbyllim këtë ligjëratë me falënderim për Allahun e Madhëruar dhe me përshëndetje mbi të dërguarin e Tij, Muhammedin, alejhi’s selam!

 

Sedat Islami

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s