JA PËRSE DËSHTUAN MATURANTËT

JA PËRSE DËSHTUAN MATURANTËT

Falënderimi i takon All-llahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga All-llahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon All-llahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s’ka hyjni tjetër përveç All-llahut, i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij.
Vëllezër besimtarë!
Thotë Allahu i Madhëruar: “Thuaj: “A t’ju tregojmë për më të dëshpruarit në veprat e tyre?” 104. Ata janë veprimi i të cilëve u asgjësua në jetën e kësaj bote, e megjithatë ata mendojnë se janë kah bëjnë mirë” .
Për të mos krijuar përshtypjen qysh në fillim se ligjërata jonë ka të bëjë me ata që i janë larguar fesë, ua bëj me dije se arsyeja  e citimit të këtij ajeti ka motiv tjetër. Ai, krahas tjerash, reflekton edhe një mësim shumë me rëndësi: Jo çdo gjë që bën njeriu, qoftë edhe me qëllim të mirë, është e mirë. Nga këtu, derisa përcillja rezultatet e maturantëve, që këtë vit ishin edhe më zhgënjyese se viteve të kaluara, përpjekjet për ngritjen e nivelit të arsimit në Kosovë, duke filluar nga ndërrimi i sistemeve, certifikimi i mësimdhënësve, kompjuterizimi i shkollave, disi mu duken vetëm si iluzione. Patjetër se një defekt i madh diku ka ndodhur, ndryshe, gjykuar sipas kësaj që na u servohet, gjendja do të duhej të ndërronte për të mirë.
Ndiej se jam i detyruar të flas sot për këtë çështje andaj edhe ligjërata jonë mban titullin “Përse dështuan maturantët?”.
Muslimanë të nderuar!
Për ta kuptuar shqetësimin për një humbje, çfarëdo qoftë ajo, duhet kuptuar së pari vlerën madhështore që ka patur. Kështu, më duket se të kaloj drejtpërsëdrejti në shkaqet e dështimit pa përmendur rëndësinë e diturisë, është mangësi metodologjike. Ndoshta motivi më i thjeshtë që do të vetëdijësonte këta nxënës për të paktën një sukses më të arsyeshëm do te ishte fakti se as injoranti nuk e do këtë epitet (të paditurisë) por çka të bësh; ndoshta nxënësve tanë nuk iu ka kujtuar kjo apo edhe ndoshta nuk ua kanë mësuar fare këtë.
Dituria, vështruar nga prizmi kur’anor dhe profetik, është e një rëndësie të madhe. Nëse kihet parasysh fakti se për të janë shkruar libra me vëllime, atëherë kuptohet se sa mund të thuhet brenda një pike të një ligjërate por mua më mjafton, sipas rastit, të them ca fjalë për të. Në gjuhën fetare, i ditur nuk është ai që diturinë nuk e shfrytëzon, në radhë të parë, për t’iu nënshtruar Krijuesit, dhe pastaj për të qenë i dobishëm edhe për njerëzit. Nga këtu, Allahu i Madhëruar vetëm këto tipare të diturisë i ka përmendur si ato që afrojnë njeriun tek Ai. Thotë Allahu i Madhëruar: “All-llahu vërtetoi se nuk ka zot tjetër përveç Tij, edhe engjëjt e dijetarët, dhe se Ai është Zbatues i drejtësisë. Nuk ka zot përveç Tij, Fuqiplotit, e të Urtit” , “… Po All-llahut ia kanë frikën nga robërit e Tij, vetëm dijetarët,…” .
Pejgamberi, alejhi’s selam kishte thënë gjëra shumë të çmueshme për diturinë. Me një rast pati deklaruar: “Kush niset për në rrugë duke kërkuar dije, All-llahu do t’ia lehtësojë rrugën për në Xhennet. Vërtet edhe melekët ia shtrijnë krahët kërkuesit të diturisë nga kënaqësia me veprën e tij. Për dijetarin falje kërkon çdo gjë në qiej dhe në tokë, e madje edhe peshqit në ujë. Vlera e dijetarit ndaj robit të devotshëm është sikur që është vlera e hënës ndaj  të gjithë yjeve tjerë. Vërtet dijetarët janë trashëgimtarë të pejgamberëve; pejgamberët nuk kanë lënë trashëgimi dinarë as dërhemë, por ata kanë lënë për trashëgimi dijen, prandaj kush e merr, ka marrë hisen më të bollshme” .
Aliu, Allahu qoftë i kënaqur me të, duke folur për rëndësinë e diturisë tha: Dituria është më e mirë se pasuria…; dituria me punë vetëm sa shtohet kurse pasuria me dhënie harxhohet.
Vëllezër të nderuar!
Cilat janë shkaqet e kësaj dekadence? Si është mënyra e identifikimit të këtyre ngecjeve? Si të dalim nga kjo gjendje dhe të shkojmë para me dituri e zhvillim?
Gjatë hulumtimit vërejtëm se problemi në fakt është një trekëndësh që fillon me prindërit, vazhdon me mësuesit dhe mbaron me nxënësit. Që të tri këto kategori janë përgjegjës para këtij dështimi.
1. Prindërit
Prindërit, fajësohen për faktin se kanë anashkaluar dy elemente shumë me rëndësi të arsimimit:
E para, motivimi i fëmijëve për mësim është pakëz banal. Vetëdijesimin për idealin e diturisë, i cili assesi nuk përkufizohet në pozita e vende pune, e kanë të materializuar. Duke projektuar gabimisht ardhmërinë që vetëm Allahu i Madhëruar e di, ata ua imponojnë fëmijëve shkollat që në fakt nuk janë zgjedhje shpirtërore e tyre. Konkurrenca asnjëherë nuk guxon të jetë barrierë për qasje ndaj ndonjë fushe të caktuara studimi. Hakimi transmeton në Mustedrek se Ibni Abbasi i kishte propozuar një ensari (medinasi) të vijonin mësimet tek disa sahabe. “A mendon se njerëzit do të vijnë të mësojnë prej teje kur ka në mesin e sahabeve sahabij kaq madhështorë?!- ia kishte kthyer me ironi disi. Kjo aspak nuk e pengoi Ibni Abbasin të studionte ani pse “konkurrentë” kishte sahabet. Dhe vërtetë, pas një kohe, Ibni Abbasi u bë shkolle në vet. Tek ai mësonin shumë njerëz, kështu që kur i binte rruga ensariut të kalonte kah Ibni Abbasi thoshte: Ky djalosh ishte më i mençur se unë.
E dyta, nuk kërkojnë mësues adekuat për fëmijët e tyre. Ata harrojnë se fëmija deri në pjekuri kopjon. Ai sa mëson nga mësuesi, po aq përvetëson edhe sjelljet dhe etikën e tij. Ibni Asakiri citon Th’aleben të ketë thënë: I thashë Pejgamberit, alejhi’s selam: O i dërguari i Allahut! Më udhëzo tek një burrë që di të mësojë! Pejgamberi, alejhi’s selam e dërgoi tek Ebu Ubejde b. Xherr-rrahi dhe i tha: Po të dërgoj tek një njeri që di të të mësoj dhe edukojë.
2. Mësuesit
Mangësitë, pa dashur të ofendojë askënd, tek një grup mësuesish, jo tek të gjithë ngase në mesin e tyre ka numër të madh për çdo lëvdatë, janë si në personalitet po ashtu edhe në përgatitjen profesionale. Marrë në përgjithësi, tek pjesa që apostrofuam, vërehen:
a) Mungesa e shëmbëlltyrës. Ata nuk janë model për të mirë për nxënësit e tyre, gjë që doemos ndikon negativisht. Allahu i Madhëruar mishëroi shëmbëlltyrën në personalitetin e Muhammedit, alejhi’s selam ndaj si rezultat patëm gjeneratën më të mirë të dalë sipër faqes së dheut ndonjëherë. Thotë Allahu i Madhëruar: “Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e All-llahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e All-llahut në botën jetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh All-llahun” .
Omeri një ditë kishte ligjëruar në minber: Keni kujdes nga dijetari hipokrit!  Si është hipokriti dijetar?!- e pyeten me habi. Ai flet mirë me gjuhë por bën keq me vepra- sqaroi Omeri .
b) Mungesa e kompetencës. Nuk janë të rralla rastet kur dëgjojmë se filan profesori jep lëndën që nuk është e kualifikimit të tij. Kjo normal se ka pasojat e veta, pasoja këto që Pejgamberi, alejhi’s selam i pati quajtur si parashenja e kiametit. Në pyetjen për kohën e ndodhjes së kiametit, ai pati thënë: Kur çështjet të kalojnë tek ata që nuk janë kompetentë për to, atëherë prite kiametin” .
c) Sasia dhe jo cilësia. Për të kuptuar këtë, më së miri është të shikosh çantat e nxënësve. Janë përplot libra, përplot materiale, që pamundëson mësimin normal të lëndëve. Edhe ata që mësojnë e marrin pesa, duket se i kanë mësuar në mënyrë mekanike dhe se fare pak kanë kuptuar.  Këtë e dëshmon edhe fakti se shumë nxënës të shkëlqyeshëm kanë rënë nga testi kombëtar.
Kjo metodologji nuk ishte pjese e arsimimit islam. Imam Ahmedi transmeton se sahabet me të nxënë përmendësh dhjetë citate kur’anore, bënin një pauze për t’i praktikuar ato e më pas për të filluar me mësimin e citateve tjera. Nga këtu, vërehet edhe:
d) Mungesa e përparësimit të gjërave. Sa bukur pati thënë Selman Farisiu: Dituria është shumë kurse jeta është e shkurtër ndaj mëso atë që ke nevojë. Pejgamberi, alejhi’s selam i pati propozuar Zejdit ta mësonte gjuhën sirianite , për të na dhënë një shembull se gjërat duhen selektuar. Unë nuk mohoj faktin se lëndët, përgjithësisht, janë të mira por ajo që dua të them është se sistemi arsimor duhet të jetë në lëvizje përherë. Ai i Bolonjës nuk mund t’i shkoj shtati tërësisht këtij të Kosovës ndonëse nuk prish punë të merret si alternative për projektim të modelit vendor. Nëse ky degjenerim i rinisë ende nuk ka përcaktuar nevojën për inkorporimin e lëndës fetare nëpër shkolla, unë nuk di se çfarë jemi duke pritur.
e) Vrazhdësia dhe ashpërsia. Ndonëse e sanksionuar me ligj, e stimuluar me etikë, sjellja e disa mësuesve dhe profesorëve ende shquhet me këtë tipar. Praktikat në shumë vende kanë treguar se ndikimi pozitiv shumë më shumë arrihet me fjalë se sa me vrazhdësi. Mu për këtë, Allahu i Madhëruar i thotë Pejgamberit, alejhi’s selam: “Ti ishe i butë ndaj atyre, ngase All-llahu të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do shkapërderdheshin prej teje…” .
3. Nxënësit
Doemos duhet kuptuar se slogani i huazuar nga selefi “Njeriu nuk lind i ditur, por diturinë e arrin me mësim” duhet të jetë pompe që zemrën tonë të vdekur klinikisht, ta rikthejë në jetë. Krahas kësaj, edhe respekti i tyre për mësuesit dhe profesorët duhet të jetë shumë i madh. Nëse tërhiqet një paralele krahasimi ndërmjet nxënësve tanë, që rrahin mësuesit, siç ndodhi në Drenas dhe Mitrovicë, dhe gjeneratave të para që respektonin shumë ata, mund të vijmë në përfundim se mungesa e respektit sjell injorancën .
O Zoti ynë! Të lusim për dituri të dobishme, zemër të përulur dhe gjuhë përkujtuese për Ty!

Sedat ISLAMI
23.06.2009,
Hutbe e mbajtur me 19.06.2009 në f.sh. Smrekonicë, Vushtrri.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s