DITËT E TESHRIKUT

DITËT E TESHRIKUT

Falënderimet i takojnë Allahut ndërsa përshëndetjet qofshin mbi zotëriun tonë, Muhammedin, familjen, shokët dhe mbarë pasuesit e tij gjer në amshim!
Të nderuar muslimanë!
Në vazhdën e ligjëratave të parapara për sezonin e ritualit të haxhit, ndër tjera, kemi paraparë të flasim edhe për vlerën e këtyre ditëve madhështore, ditë që Allahu i ka veçuar prej të tjerave. Thotë Allahu:
„وَرَبُّكَ يَخْلُقُ مَا يَشَاءُ وَيَخْتَارُ مَا كَانَ لَهُمُ الخِيَرَةُ
Zoti yt krijon çka të dojë dhe zgjedh kë të dojë, atyre nuk u takon zgjedhja…“. ([1])
Natyrisht se gjatë ligjëratave „Vlera e dhjete ditëve të Dhu’l Hixh-xhes“, në përgjithësi, „Haxhi dhe katër llojet e njerëzve“, „Dita e Arafatit“, etj, kemi folur për rëndësinë dhe porositë e mësimet që vjelim prej këtyre ditëve, megjithatë sot, me lejen e Allahut, ligjërata jonë fokusohet vetëm në vlerën e Ditëve të Teshrikut. Këto ditë, siç do të sqarojmë më poshtë, janë tri ditët pas ditës së parë të Kurban Bajramit.
Xhemat i nderuar!
Për të qenë ligjërata sa më mësimdhënëse, sa më e dobishme, si përkujtim, do të bëjmë dy tri fjalë edhe për ditën e parë të Kurban Bajramit. Dita e parë e Bajramit është Dita e Haxhit të madh, ditë prej ditëve më të mira të vitit, siç thotë Pejgamberi, alejhi’s selam:
„إِنَّ أَعْظَمَ الْأَيَّامِ عِنْدَ اللَّهِ تَبَارَكَ وَتَعَالَى يَوْمُ النَّحْرِ ثُمَّ يَوْمُ الْقَرِّ
Vërtet, ditët më të mëdha tek Allahu janë Dita e Nahrit ([2]) dhe Dita e Karr-rrit ([3])“. ([4])
Bazuar në këtë, kjo ditë është më e madhe se sa dita e Fitër Bajramit, dhe për arsye se në këtë ditë krahas namazit të bajramit kryhet edhe riti i therjes së kurbanit. Këtu, për ta shfrytëzuar rastin, ua bëj me dije besimtarëve se K. Bajrami nuk është “Bajrami i vogël” por “Bajrami i madh”.
Bajrami është festa jonë me citat fetar, dhe kjo, krahas tjerash, d.t.th.: se Islami si fe ka rregulluar dhe sistemuar edhe jetën festive të njeriut. Lejohet dëfrimi në Bajram, lejohet gëzimi por jo shthurja morale, jo dëfrimi i pakontrolluar.
“إِنَّ اللَّهَ قَدْ أَبْدَلَكُمْ بِهِمَا خَيْرًا مِنْهُمَا يَوْمَ الْأَضْحَى وَيَوْمَ الْفِطْرِ
Allahu ua ka ndërruar këto dy ditë me dy më të mira: Ditën e Fitër Bajramit dhe Ditën e Kurban Bajramit”. ([5])
Sot ekskluzivisht do t’i përkushtohemi ditëve të teshrikut, këtyre ditëve festive që gazmojnë zemrat tona përherë…
1. Përse quhen me këtë emër?
Ditët e Teshrikut janë tri ditët vijuese pas ditës së parë të K. Bajramit, e të cilat janë: Dita e 11-të, e 12-të dhe e 13-të e muajit Dhu’l Hixh-xheh. Kështu, dita e parë e bajramit, nuk llogaritet në këto tri ditë([6]). Këto ditë kane një emër të përgjithshëm, Ejjamu’t Teshrik-Ditët e Teshrikut, por kanë edhe emra të veçantë. Sa i përket emërtimit të tyre me „Teshrik“ janë transmetuar disa mendime të dijetarëve:
Quhen kështu ngase mishi i kurbanëve vendoset në diell për t’u thare-terur.
Kurbani nuk theret derisa të lind (teshrik) dielli([7]).
Namazi i K. Bajramit nuk falet derisa të lind dielli, dhe meqë këto ditë pasojnë ditën e parë të K. Bajramit, janë quajtur me këtë emër([8]).
Është thënë se quhen me këtë emër ngase arabët para islamit thoshin: “أشْرِقْ ثَبِير كَيْمَا نُغِير qe d.t.th.: أي ادخل أيها الجبل في الشروق لكي ندفع للنَّحْر Hyn oj kodër nën rrezet e diellit që të nxitojmë për therjen e kurbaneve”. Pra nga kjo fraze është huazuar emërtimi i këtyre ditëve([9]).
Këtyre ditëve iu thuhet edhe Ejjamu mina- Ditët e Mina-së([10]). Ndërsa përkitazi me emrat personal të tyre, është thënë:
§ Dita e 11-të (e parë në renditje) quhet Jevmu’l karr-rri (Dita e qëndrimit) ngase haxhilerët qëndrojnë neë Mina.
§ Dita e 12-të (e dyta) quhet Jevmu’n nefri’l evvel (dita e largimit të parë). Quhet me këtë emër ngase haxhilerët, që dëshirojnë të nguten([11]), largohen nga Mina([12]).
§ Dita e 13-të (e treta) quhet Jevmu’n nefri’th thani (dita e largimit të dytë, dhe ka kuptimin e të parës).
2. Vlera e tyre
– Ditët e teshrikut janë tri ditët vijuese pas ditës së parë të Kurban Bajramit. Ato janë të synuara në ajetin kur’anor:
„وَاذْكُرُوا اللَّهَ فِي أَيَّامٍ مَّعْدُودَاتٍ
All-llahun përmendeni në ditët e caktuara (në ditët e bajramit)…“. ([13])
– Ato janë festë për ne, siç thotë Muhammedi, alejhi’s selam:
“يوم عرفة ويوم النحر وأيام التشريق عِيدُنا أهلَ الإسلام، وهي أيام أكل وشرب
Dita e Arafatit, dita e parë e Kurban Bajramit, ditët e teshkrikut (tri ditët vijuese të k. bajramit) janë festa jonë, ithtarëve të Islamit; ato janë ditë ngrënie dhe pijeje”. ([14])
– Këto ditë janë ditë për therje të kurbanit, i cili ekskluzivisht duhet të jetë vetëm për Allahun. Thotë Allahu:
“قُلْ إِنَّ صَلَاتِي وَنُسُكِي وَمَحْيَايَ وَمَمَاتِي لِلَّهِ رَبِّ الْعَالَمِينَ
Thuaj: “Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për All-llahun, Zotin e botëve”. ([15])
Therja e kurbaneve aspak nuk korrespondon me shpifjen që i bëhet Islamit se kinse ai nuk ka mëshirë ndaj kafshëve. Allahu, sikur që ka krijuar njeriun ka krijuar edhe kafshën, dhe ka sqaruar se sikur që mëshira e Tij kaplon atë që kujdeset për kafshë po kështu ndëshkimi i Tij përfshin atë që është i vrazhdë ndaj tyre.
Ebu Hurejre r.a. thotë se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë:
“Një njeri duke udhëtuar në një rrugë e kaplon etja e madhe, e gjen një pus, zbret në të dhe pi ujë. Pastaj del nga pusi dhe has një qen me gjuhë të nxjerrë jashtë që han baltë nga etja. Njeriu thotë: “Këtë qen e paska kapluar etja siç më pat kapluar edhe mua më parë”. Pastaj njeriu zbret në pus dhe mbush këpucën e vet me ujë, pastaj e kap me gojë derisa ngjitet lartë dhe i jep të pijë qenit. All-llahu për këtë e falënderon dhe ia fal mëkatet”. (As’habët i) Thanë: “O i Dërguari i All-llahut, edhe për kafshët kemi shpërblim?” (Pejgamberi) Tha: “Në gjithçka që ka mëlqi të lagur ka shpërblim”. ([16])
Në një transmetim të Buhariut dhe Muslimit (ku kjo ngjarje theksohet më gjerësisht), theksohet:
“Një ditë një qen u soll rreth pusit, pasi që etja e kishte kapluar për vdekje. Atë e sheh një lavire dhe horre prej Beni Israilëve e cila e zbathi këpucën e saj dhe me të i dha ujë qenit derisa e ngopi; për këtë vepër iu falën mëkatet”.
E shihni, Allahu fali mëkatet e një prostitute vetëm e vetëm se ajo tregoi kujdes për një kafshë. Por, siç thamë, ndëshkimi kaplon ata që janë të vrazhdë dhe të pamëshirshëm ndaj tyre. Nga Ibni Umeri r. anhuma transmetohet se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë:
“Një grua do të dënohet për shkak të maces. E ka mbyllur në shtëpi derisa ka ngordhur, e për këtë do të hyjë në zjarr. As s’e ka ushqyer, as nuk i ka dhënë ujë kur e ka mbyllur, as nuk e ka lëshuar që vetë të ushqehet me zvarritësit dhe insektet e tokës”. ([17])
Nga Ibni Umeri r. anhuma transmetohet se ai ka kaluar pranë disa djelmoshave nga fisi Kurejsh, të cilët e kishin vendosur një shpend për ta qëlluar; dhe ata e qëllonin me shtiza. Kush nuk e qëllonte, shtizën e vet ia jepte pro­narit të shpendit. Kur e panë Ibni Umerin, djelmoshat u shpërndanë, kurse Ibni Umeri u tha:
“Kush bën kështu? All-llahu e ka mallkuar kush bën kështu. Vërtet i Dër­guari i All-llahut s.a.v.s. e ka mallkuar çdokënd që merr krijesë të gjallë për cak në të cilin qëllohet me diç”. ([18])
Kurbani është një simbol nënshtrimi absolut për Allahun duke dhënë edhe gjënë më të çmuar, dhe nëse Ibrahimi, alejhi’s selam, ka qenë i gatshëm që për Allahun ta therë edhe djalin e tij, Ismailin, alejhi’s selam, atëherë a thua vallë ne nuk jemi në gjendje që për Allahun ta therim një kurban. Përfundimisht, Allahu sqaron se:
“لَنْ يَنَالَ اللَّهَ لُحُومُهَا وَلا دِمَاؤُهَا وَلَكِنْ يَنَالُهُ التَّقْوَى مِنْكُمْ كَذَلِكَ سَخَّرَهَا لَكُمْ لِتُكَبِّرُوا اللَّهَ عَلَى مَا هَدَاكُمْ وَبَشِّرِ الْمُحْسِنِينَ
Tek All-llahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre, por te Ai arrin bindja juaj. Ai ashtu ua nënshtroi ato juve që ta madhëroni All-llahun për udhëzimet që ua bëri. Bamirësve merru myzhde”. ([19])
– Këto ditë edhe pse festë megjithatë sikur festat tjera janë adhurime. Allahu i Madhëruar ka thënë:
“وَيَذْكُرُوا اسْمَ اللَّهِ فِي أَيَّامٍ مَعْلُومَاتٍ
… dhe që ta përmendin All-llahun në ato ditë të caktuara (në shenjë falënderimi)…”. ([20])
Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
“أيام التشريق أيام أكل وشرب، وذكر لله
Ditët e Teshrikut janë ditë ngrënie, pijeje dhe përmendjeje të Allahut”. ([21])
3. Rregullat përkatëse të këtyre ditëve
1) Nuk lejohet agjërimi i tyre ngase Muhammedi, alejhi’s selam ka thënë:
“أيام التشريق أيام أكل وشرب، وذكر لله
Ditët e Teshrikut janë ditë ngrënie, pijeje dhe përmendjeje të Allahut”. ([22])
Ibni Omeri dhe Aisheja transmetojnë se:
„لَمْ يُرَخَّصْ فِي أَيَّامِ التَّشْرِيقِ أَنْ يُصَمْنَ إِلا لِمَنْ لَمْ يَجِدْ الْهَدْيَ
Pejgamberi, alejhi’s selam nuk i ka dhënë leje askujt të agjërojë këto ditë përveç haxhiut që nuk ka mundësi të therë kurban“. ([23])
Transmetohet se Pejgamberi, alejhi’s selam:
“ نهى عن صوم ستة أيام من السنة : ثلاثة أيام التشريق و يوم الفطر و يوم الأضحى و يوم الجمعة مختصة من الأيام
Ka ndaluar të agjërohen gjashtë ditë gjatë vitit: Tri ditët e Teshrikut, Ditën e Fitër Bajramit, Ditën e K. Bajramit, dhe Ditën e Xhuma, që është e veçuar nga ditët tjera”. ([24])
„نهى عن صيام يوم قبل رمضان و الأضحى و الفطر و أيام التشريق
Ka ndaluar të agjërohet një ditë para Ramazanit, Ditën e K. Bajramit, Ditën e F. Bajramit dhe tri ditët e Teshrikut“. ([25])
Abdullah b. Amri kishte shkuar në Ditët e Teshrikut tek babai i tij Amr el-Asi, dhe ai me atë rast ia ofroi ca ushqim. Jam agjërueshëm, nuk mund të ha- i qe përgjigjur Abdullahu. Ha, ngase këto janë ditë që Pejgamberi, alejhi’s selam na urdhëronte të hanim në to dhe na ndalonte agjërimin e tyre([26])-i tha babai.
Disa nga selefi mendonin se lejohet agjërimi i këtyre ditëve, por ky mendim, ose është thënë si shkak i mos njohjes-informimit me hadithet e ndalimit, ose edhe mundësia tjetër që ata kanë patur për qëllim haxhiun që bën haxhin temettu’ apo Kiran dhe nuk ka mundësi të therë kurban. Këtij i lejohet agjërimi i këtyre tri ditëve, siç ka thënë Allahu:
„فَمَنْ تَمَتَّعَ بِالْعُمْرَةِ إِلَى الْحَجِّ فَمَا اسْتَيْسَرَ مِنْ الْهَدْيِ فَمَنْ لَمْ يَجِدْ فَصِيَامُ ثَلَاثَةِ أَيَّامٍ فِي الْحَجِّ وَسَبْعَةٍ إِذَا رَجَعْتُمْ تِلْكَ عَشَرَةٌ كَامِلَةٌ
…ai që bënë umren para haxhit (duhet therrë) një kurban që i vjen më lehtë, mirëpo nëse nuk ka, le të agjërojë tri ditë gjatë haxhit e shtatë ditë kur të ktheheni, këto janë dhjetë ditë të plota…“. ([27])
Vërtetim tjetër për këtë merret edhe hadithi i Buhariut nga Amri dhe Aisheja se:
“لم يُرَخَّص في أيام التشريق أن يُصَمْن إلا لمن لم يجد الهدي
Nuk lejoi që të agjëroheshin Ditët e Teshrikut përveç për atë që nuk pati mundësi të therë kurban”.
2) Dhikri. Meqë këto ditë janë si përmbyllje e sezonit të haxhit, një sezonë adhurimi, ku haxhilerët përmbyllin vlerën e dhjetë ditëve të Dhu’l Hixh-xhes me ritualet e Haxhit ndërsa ata që nuk kryejnë Haxhin plotësojnë me rituale adekuate, si: falja e namazit të bajramit, therja e kurbanit, etj, u përshtat që ato ditë të përmbyllen me dhikr-përkujtim të Allahut([28]). Thotë Pejgamberi, alejhi’s selam:
“أيام التشريق أيام أكل وشرب، وذكر لله
Ditët e Teshrikut janë ditë ngrënie, pijeje dhe përmendjeje të Allahut”. ([29])
Urtësia e tekbirit në këto ditë, siç potencon Hitabiu, është për faktin se pabesimtarët në periudhën paraislame kurbanet e tyre i thernin në emër të putave dhe idhujve të tyre ndërsa ne, nëpërmjet shqiptimit të tekbirit, shprehim besimin tonë të pastër se këtë rit, sikurse çdo gjë tjetër, e kryejmë vetëm për Allahun e Madhëruar([30]).
Dhikri, si formë adhurimi, është një ligj i Allahut pas çdo adhurimi([31]). Në lidhje me namazin Allahu i madhëruar ka thënë:
„فَإِذَا قَضَيْتُمُ الصَّلاةَ فَاذْكُرُوا اللَّهَ قِيَاماً وَقُعُوداً وَعَلَى جُنُوبِكُمْ
Kur të kryeni namazin (e frikës) përmendeni All-llahun, kur jeni në këmbë, ulur, të mbështetur…“. ([32])
Përkitazi me namazin e xhumasë ka thënë Allahu:
“فَإِذَا قُضِيَتِ الصَّلاةُ فَانْتَشِرُوا فِي الْأَرْضِ وَابْتَغُوا مِنْ فَضْلِ اللَّهِ وَاذْكُرُوا اللَّهَ كَثِيراً لَعَلَّكُمْ تُفْلِحُونَ
E kur të kryhet namazi, atëherë shpërndahuni në tokë dhe kërkoni begatitë e All-llahut, por edhe përmendeni shpeshherë All-llahun, ashtu që të gjeni shpëtim“. ([33])
Po kështu, për Haxhin, Allahu thotë:
“فَإِذَا قَضَيْتُمْ مَنَاسِكَكُمْ فَاذْكُرُوا اللَّهَ كَذِكْرِكُمْ آبَاءَكُمْ أَوْ أَشَدَّ ذِكْراً
E kur t’i kryeni detyrat tuaja, përmendeni All-llahun sikurse i përkujtoni prindërit tuaj, bile përmendeni edhe më forte…”. ([34])
Dhikri në këto ditë është në format dhe aspektet vijuese:
§ Tekbiri pas çdo namazi. Këshilli i Përhershëm për Fetwa, përkitazi me dhikrin në këto ditë, ka lëshuar këtë deklaratë: Në festën e K. Bajramit ligjësohet tekbiri i pakushtëzuar dhe ai i kushtëzuar. I pakushtëzuar është tekbirit në çdo kohë prej fillimit të muajit Dhu’l Hixh-xhe e deri në ditën e fundit të bajramit ndërsa i kushtëzuari është vetëm pas namazeve farz duke filluar nga namazi i sabahut të Arafatit e deri në ikindinë e ditës së tretë dhe të fundit të teshrikut([35]). Forma e tekbirit është: Allahu ekber, Allahu ekber, la ilahe il-la Allah, vallahu ekber, Allahu ekber ve lil-lahi’l hamd!
§ Përmendja e emrit të Allahut (bismilah-i) me rastin e therjes së kurbanit. Thotë Allahu:
„لِيَشْهَدُوا مَنَافِعَ لَهُمْ وَيَذْكُرُوا اسْمَ اللَّهِ فِي أَيَّامٍ مَعْلُومَاتٍ عَلَى مَا رَزَقَهُمْ مِنْ بَهِيمَةِ الْأَنْعَامِ
(Vijnë) Për të qenë të pranishëm në dobitë e tyre dhe që ta përmendin All-llahun në ato ditë të caktuara (në shenjë falënderimi) dhe për që i ka furnizuar me kafshë…“. ([36])
§ Bismilahi me rastin e ngrënies dhe pijes.
§ Tekbiri me rastin e hedhjes së guralecëve.
§ Përkujtimi i Allahut përgjithësisht([37]). Thotë Allahu:
„فَإِذَا قَضَيْتُمْ مَنَاسِكَكُمْ فَاذْكُرُوا اللَّهَ كَذِكْرِكُمْ آبَاءَكُمْ أَوْ أَشَدَّ ذِكْرًا فَمِنَ النَّاسِ مَنْ يَقُولُ رَبَّنَا آتِنَا فِي الدُّنْيَا وَمَا لَهُ فِي الْآخِرَةِ مِنْ خَلَاقٍ وَمِنْهُمْ مَنْ يَقُولُ رَبَّنَا آتِنَا فِي الدُّنْيَا حَسَنَةً وَفِي الْآخِرَةِ حَسَنَةً وَقِنَا عَذَابَ النَّارِ أُولَئِكَ لَهُمْ نَصِيبٌ مِمَّا كَسَبُوا وَاللَّهُ سَرِيعُ الْحِسَابِ
E kur t’i kryeni detyrat tuaja, përmendeni All-llahun sikurse i përkujtoni prindërit tuaj, bile përmendeni edhe më fortë. Ka disa prej njerëzve që thonë: “Zoti ynë, na jep Ti neve në këtë botë”! Për të nuk ka asgjë në botën tjetër. 201. E, ka prej tyre asish që thotë: “Zoti ynë na jep të mira në këtë jetë, të mira edhe në botën tjetër dhe na ruaj prej dënimit me zjarr”! 202. Të tillët e kanë shpërblimin nga ajo që e fituan. All-llahu është i shpejtë në llogari“. ([38])
Shënim: Tekbiri i kushtëzuar a bëhet vetëm pas namazeve farze apo edhe pas namazeve tjera? Nëse njeriu fal namaz fakultativ në këto ditë të teshrikut, a duhet pas atij namazi të këndojë tekbir apo jo?
Dijetarët kanë polemizuar rreth kësaj çështjeje. Buhariu në Sahihun e tij rrëfen se disa nga selefi këndonin tekbirin edhe pas namazeve fakultative- nafileve, gjë që dëshmon ligjësimin e këndimit edhe pas këtyre namazeve([39]). Mirëpo jo të gjithë mendojnë si Imam Buhariu. Nëse Imam Shafiu mendon se është e preferuar kjo gjë, Ebu Hanife, Maliku, Theuriu, Is’haku dhe Davudi thonë se nuk ka nevojë për tekbir pas namazeve nafile([40]).
Disa kanë rënë ne konfuzion se a këndohet para apo pas istigfarit pas faljes së namazit farz? Për këtë nuk është transmetuar ndonjë citat i drejtpërdrejtë kështu që çështja mbetet e hapur; bën edhe para por edhe pas, madje këtë të fundit e preferuan disa dijetarë([41]).
Nëse falet vetëm njeriu, a të bëjë apo jo tekbirin? Edhe për këtë kanë diskutuar dijetarët. Omeri dhe Ibni Mes’udi mendojnë se nuk ka nevojë për tekbir nëse falesh vetëm ngase ai, siç thotë Ibni Mes’udi, është për ata që falen me xhemat. Këtë mendim e ka përvetësuar edhe Ibrahim en-Nah’ijj([42]).
Maliku([43]), Shafiu, Evzaiu, Ebu Jusufi, Muhammedi, etj, mendojnë se tekbiri duhet thuhet edhe nëse njeriu falet vetëm.
Nëse e harron tekbirin pas namazit çfarë të bej? Shafiu mendon se duhet ta thotë edhe nëse ka kaluar kohë e gjatë, gjë për të cilën Maliku dhe Ebu Hanife nuk kanë pajtuar. Ata thonë se nëse është afër koha e kryerjes së farzit, kthehet dhe e bën, ndryshe, nuk ka nevojë. Uthejmini ka thënë: Mendimi i qëlluar është se tekbiri bie nëse kalon kohë e gjatë prej namazit e jo pse njeriu vetëm del prej xhamisë. Kjo për arsye se tekbiri është i ndërlidhur me namazin; nëse i kalon koha namazit i kalon edhe tekbirit, madje nëse kalon kohë e gjatë e mos thënies atëherë kjo i bie sikur ai nuk është i ndërlidhur me namaz.
Nëse njeriu nuk e zë namazin me xhemat prej fillimit çfarë bën pas këndimit të tekbirit të xhematit? Maliku([44]), Shafiu, Evzaiu, Ahmedi, Is’haku, Ebu Teuri dhe Ebu Hanife mendojnë se ai duhet ta plotësojë namazin e mbetur e pastaj ta thotë tekbirin, gjë për çka Hasani nuk ka pajtuar.
Mysafiri si të veproj? Maliku, Shafiu dhe Ahmedi mendojnë se ai duhet të bëjë tekbir, gjë për të cilën nuk mendon njëjtë edhe Ebu Hanife([45]).
Gruaja a këndon tekbirin? Shafiu, Maliku, Ebu Jusufi dhe hanbelitët mendojnë se lejohet ta këndojë edhe gruaja tekbirin ndërsa Ebu Hanife thotë se gruaja nuk ka nevojë.
Çka nëse Imami harron tekbirin? Nëse imami harron të këndojë tekbirin atëherë fillojnë xhemati([46]).
3) Ditë të therjes. Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
“كل أيام التشريق ذبح
Të gjitha ditët e teshrikut vlejnë për therje”. ([47])
Bazuar në këtë, ditët e therjes së kurbanit janë katra: dita e parë e k. bajramit dhe tri ditët e teshrikut.
4) Për haxhilerët janë ditë të hedhjes së guralecëve. Pas namazit të drekës haxhiu gjuan shtatë (7) guralecë në xhemren e parë, pastaj kthehet kah kibleja dhe bën dua. Pastaj hedh edhe shtatë guralecë në xhemren e mesme dhe vepron njësoj sikurse në herën e parë. Pastaj, përfundimisht, hedh shtatë gurë në xhemren e madhe por nuk vepron sikur në dy rastet e para([48]). Pra nuk ndalet që të kthehet kah kibleja dhe të bëjë dua([49]).
5) Duaja. Thotë Allahu:
„فَإِذَا قَضَيْتُمْ مَنَاسِكَكُمْ فَاذْكُرُوا اللَّهَ كَذِكْرِكُمْ آبَاءَكُمْ أَوْ أَشَدَّ ذِكْرًا فَمِنَ النَّاسِ مَنْ يَقُولُ رَبَّنَا آتِنَا فِي الدُّنْيَا وَمَا لَهُ فِي الْآخِرَةِ مِنْ خَلَاقٍ وَمِنْهُمْ مَنْ يَقُولُ رَبَّنَا آتِنَا فِي الدُّنْيَا حَسَنَةً وَفِي الْآخِرَةِ حَسَنَةً وَقِنَا عَذَابَ النَّارِ أُولَئِكَ لَهُمْ نَصِيبٌ مِمَّا كَسَبُوا وَاللَّهُ سَرِيعُ الْحِسَابِ
E kur t’i kryeni detyrat tuaja, përmendeni All-llahun sikurse i përkujtoni prindërit tuaj, bile përmendeni edhe më fortë. Ka disa prej njerëzve që thonë: “Zoti ynë, na jep Ti neve në këtë botë”! Për të nuk ka asgjë në botën tjetër. 201. E, ka prej tyre asish që thotë: “Zoti ynë na jep të mira në këtë jetë, të mira edhe në botën tjetër dhe na ruaj prej dënimit me zjarr”! 202. Të tillët e kanë shpërblimin nga ajo që e fituan. All-llahu është i shpejtë në llogari“. ([50])
Dijetarët e kanë preferuar shumë thënien e kësaj lutjeje gjatë ditëve të teshrikut([51]).
6) Preferohet shtrimi i drekave apo darkave për miq, shok, të afërm, të varfër, etj. Ibni Tejmije ka thënë:
Tubimi i njerëzve për ushqim në ditët e fier dhe kurban bajramit si dhe në ditët e teshrikut është sunnet. Kjo është moto e Islamit, që si sunnet-traditë na e la Muhammedi, alejhi’s selam!([52])
Por jo me shpenzime të tepërta e të pa nevoja. Thotë Allahu:
„ولا تسرفوا إنه لايحب المسرفين
…dhe (hani-jepni) mos teproni, pse Ai nuk i do shkapërderdhësit“. ([53])
Shënim: Ka thënë Ibni Rexhebi([54]):
Në thënien e Muhammedit, alejhi’s selam se ditët e festës janë ditë ngrënie është për qellim se me atë ushqim njeriu forcohet për dhikr dhe respekt e nënshtrim për Allahun. Allahu në Kur’an na ka rrëfyer për begatinë e kafshëve e ka thënë:
„وَالْبُدْنَ جَعَلْنَاهَا لَكُمْ مِنْ شَعَائِرِ اللَّهِ لَكُمْ فِيهَا خَيْرٌ فَاذْكُرُوا اسْمَ اللَّهِ عَلَيْهَا صَوَافَّ فَإِذَا وَجَبَتْ جُنُوبُهَا فَكُلُوا مِنْهَا وَأَطْعِمُوا الْقَانِعَ وَالْمُعْتَرَّ كَذَلِكَ سَخَّرْنَاهَا لَكُمْ لَعَلَّكُمْ تَشْكُرُونَ
E devet (therrjen e tyre për kurban) ua kemi bërë prej dispozitave të All-llahut, e ju prej tyre keni dobi, andaj përmendeni emrin e All-llahut duke qenë ato (të përgatitura për therrje) në këmbë, e kur të shtrihen ato në tokë (dhe t’u dalë shpirti), hani prej tyre dhe ushqeni nevojtarin dhe atë që lyp. Ashtu, ato ua vëmë në shërbimin tuaj që ju të jeni mirënjohës“. ([55])
„أَوَلَمْ يَرَوْا أَنَّا خَلَقْنَا لَهُمْ مِمَّا عَمِلَتْ أَيْدِينَا أَنْعَاماً فَهُمْ لَهَا مَالِكُونَ( 71 )وَذَلَّلْنَاهَا لَهُمْ فَمِنْهَا رَكُوبُهُمْ وَمِنْهَا يَأْكُلُونَ(72 )وَلَهُمْ فِيهَا مَنَافِعُ وَمَشَارِبُ أَفَلا يَشْكُرُونَ
A nuk e shohin ata se nga ajo që Ne vetë e shpikëm, u krijuam atyre kafshët që ata i kanë. 72. Dhe ua bëmë ato që t’u binden atyre, e disave prej tyre u hipin, ndërsa prej disave ushqehen. 73. Ata kanë edhe dobi të tjera në to, e edhe pinë (qumësht) prej tyre. A nuk duhet të falënderojnë? “. ([56])
Allahu këto kafshe i krijoi për njeriun dhe interesat e tij ndryshe Allahu nuk ka nevojë për asgjë prej tyre. Pabesimtarët në të kaluarën e edhe tani u ofrojnë „zotave“ të tyre fals mishra të kurbanëve të tyre. Islami një gjë të tillë e ka ndaluar, dhe Allahu ka sqaruar se:
„لَنْ يَنَالَ اللَّهَ لُحُومُهَا وَلا دِمَاؤُهَا وَلَكِنْ يَنَالُهُ التَّقْوَى مِنْكُمْ كَذَلِكَ سَخَّرَهَا لَكُمْ لِتُكَبِّرُوا اللَّهَ عَلَى مَا هَدَاكُمْ وَبَشِّرِ الْمُحْسِنِينَ
Tek All-llahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre, por te Ai arrin bindja juaj. Ai ashtu ua nënshtroi ato juve që ta madhëroni All-llahun për udhëzimet që ua bëri. Bamirësve merru myzhde“. ([57])
Kur dhuntia e dhuruar nga Allahu të shfrytëzohet për adhurim Allahun konsiderohet se pronari i saj ka bërë falënderimin më të mirë për të…Ndërsa ata që përdorin këto begati për t’i bërë mëkat Allahut, ata janë përbuzës të të mirave dhe meritojnë që ato dhunti t’iu merren. Ndoshta ngrënia nga mishi i kurbanit është dëshmia më e mirë për këtë ngase edhe kafshët pranojnë me vullnet t’i nënshtrohen Allahut ndërsa njeriu i bën mëkat dhe e kundërshton. Ka thënë Allahu:
„وَإِنْ مِنْ شَيْءٍإلا يُسَبِّحُ بِحَمْدِهِ
…e nuk ka asnjë send që nuk e madhëron (nuk i bën tesbihë), duke i shprehur falënderim Atij…“. ([58])
„وَلِلَّهِ يَسْجُدُ مَا فِي السَّمَاوَاتِ وَمَا فِي الْأَرْضِ مِنْ دَابَّةٍ وَالْمَلائِكَةُ وَهُمْ لا يَسْتَكْبِرُونَ
Vetëm All-llahut i bën sexhde çdo gjallesë që është në qiej e që është në tokë, e edhe engjëjt, ata nuk bëjnë kryelartësi“. ([59])
„أَلَمْ تَرَ أَنَّ اللَّهَ يَسْجُدُ لَهُ مَنْ فِي السَّمَاوَاتِ وَمَنْ فِي الْأَرْضِ وَالشَّمْسُ وَالْقَمَرُ وَالنُّجُومُ وَالْجِبَالُ وَالشَّجَرُ وَالدَّوُابُّ وَكَثِيرٌ مِنَ النَّاسِ وَكَثِيرٌ حَقَّ عَلَيْهِ الْعَذَابُ وَمَنْ يُهِنِ اللَّهُ فَمَا لَهُ مِنْ مُكْرِمٍ إِنَّ اللَّهَ يَفْعَلُ مَا يَشَاءُ
A nuk e di për All-llahun se Atij i nënshtrohet (i bën sexhde) kush është në qiej dhe kush është në tokë, edhe dielli, edhe hëna, edhe kodrat, edhe bimët, edhe shtazët, e edhe shumë njerëz, po shumë janë që dënimi është meritë e tyre. Atë që e poshtëron All-llahu nuk ka kush që mund ta bëjë të ndershëm. All-llahu punon atë që dëshiron“. ([60])
Ndoshta këtu qëndron urtësia se pse Allahu përmendi në Kur’an se shumë njerëz dhe xhin janë në shkalle morali më të ultë se sa kafsha.
Ditët e Teshrikut dhe përkujtimi i Xhennetit
Ndalimi i agjërimit në këto ditë pas veprave të mira gjatë dhjetë ditëshit të parë të Dhu’l Hixh-xhes dhe dëfrimit të lejuar në to pas riteve të haxhit, reflekton gjendjen e besimtarit në këtë botë. Tërë jeta në këtë botë është udhëtim pikërisht siç është haxhi. Dunjaja është kohë e ihramit të besimtarit nga ndalesat dhe epshet; ai që bën durim në këto ditë dhe largohet nga epshet në haram, kur të përfundojë udhëtimi i jetës së tij dhe të rrijë në Mina të dëshirave, ai do të pastrohet nga mëkatet dhe tërë jeta e tij do të jetë sikurse ditët e Minasë: gëzim, ngrënie, pije dhe përkujtim të Allahut([61]). Mu për këtë, banorëve të Xhennetit iu thuhet:
„كُلُوا وَاشْرَبُوا هَنِيئاً بِمَا كُنْتُمْ تَعْمَلُونَ
(U thuhet) Me të mirë hani e pini, për atë që vepruat mirë“. ([62])
„كُلُوا وَاشْرَبُوا هَنِيئاً بِمَا أَسْلَفْتُمْ فِي الْأَيَّامِ الْخَالِيَةِ
(E thuhet) Hani e pini shijshëm, ngase në ditët e kaluara ju e përgatitët këtë“. ([63])
Ai që sot agjëron ndaj epsheve të tij, iftar do të bëjë nesër pas vdekjes së tij!
Ai që ngutet dhe kënaqësinë e ndaluar e praktikon, ai privohet nga kënaqësitë e Xhennetit.
Andaj të vendosim: Duam të agjërojmë – heqim dorë nga të këqijat sot për tu shpërblyer nesër apo duam sot të dëfrehemi e nesër të përjetojmë pikëllimin?!
Dhashtë Zoti e festat tona bëhen të kësaj natyre dhe me moto e mësime të ngjashme!
Sedat G. ISLAMI
16-12-2006, e diele
Vushtrri, Kosovë

Advertisements

One comment on “DITËT E TESHRIKUT

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s