HUTBEJA E KURBAN BAJRAMIT (2008)

HUTBEJA E KURBAN BAJRAMIT

***

Ligjërues: Sedat ISLAMI

Lokacioni: Xhamia Gazi Ali Beg

Data: 07/12/2008, Vushtrri, Kosovë

***

الله أكبر، الله أكبر، الله أكبر، الله أكبر كلما تلي الكتاب، الله أكبر كلما أمطر السحاب، الله أكبر كلما طلع كوكب وأفل وغاب، الله أكبر عدد ما وسعت رحمة ربي العزيز الوهاب، الله أكبر عدد خلق الله ومداد كلماته وزنة عرشه، الله أكبر الله أكبر لا إله إلا الله، والله أكبر الله أكبر ولله الحمد.

وأشهد أن لا إله إلا الله وحده لا شريك له، وأشهد أن نبينا وسيدنا محمدًا عبده ورسوله، المبعوث بالحنفية السمحة التي بددت الظلام، وأرست العدل والسلام، اللهم صل وسلم وبارك على عبدك ورسولك محمد وعلى آله وصحابته.

Falënderimet i takojnë Allahut që zgjodhi Islamin për fe të njerëzimit ndërsa përshëndetjet qofshin mbi Muhammedin, që rregulloi jetën njerëzore në baza të shëndosha morali, shkence dhe kulture.

Allahu Ekber, Allahu Ekber, La ilahe il-la Allah, Vallahu Ekber, Allahu Ekber, ve lilahi’l hamd!

Allahu është më i madhi, Allahu është më i madhi, nuk ka të adhuruar përveç Tij, Allahu është më i madhi, Allahu është më i madhi, Atij i takon falënderimi!

Falënderimi i takon Allahut që na dhuroi Islamin, na zbriti Kur’anin, na dërgoi Muhammedin, na e ngarkoi amanetin (Islamin) dhe na e premtoi Xhennetin…

Të falënderojmë Zoti ynë për begatitë që na dhe, për dëfrimet dhe argëtimet që na lejove, të jemi mirënjohës për begatitë e bajrameve, për këto ditë që Ti, Zoti ynë, falë mëkatet tona, pastron shpirtrat tanë, lidh zemrat tona, mbush me hare shtëpitë tona; vëllai viziton vëllanë, miku mikun, shoku shokun, muslimani muslimanin…

اللهُ أَكبر، الله أَكبر، لا إلهَ إلاّ الله، والله أَكبر، الله أَكبر، ولله الحَمد.

Vëllezër muslimanë!

Festa e Kurban Bajramit nuk ka përse të mos jetë njëra ndër festat më madhështore të Islamit, kur ajo me mësimet dhe urtësitë e saja reflekton vizionin, i cili largon pluhurin e së kaluarës dhe ndriçon rrugën drejt së ardhmes. Ajo ka qenë përgjatë gjithë historisë islame burim i fuqisë dhe krenarisë, ka qenë një këndellje nga dehja e mëkateve dhe dobësisë. Ajo me atë thesar të çmuar margaritarësh që ka, ka shërbyer gjithmonë për vetëdijesimin e muslimanëve për kulturën e tyre, kulturë kjo e cila nuk zëvendësohet me asgjë.

Motivet e festimit të saj janë vërtet për çdo konsideratë. “Çlirimi i Mekkës dhe Shtëpisë së Shenjtë nga pabesimtarët të cilët përdhosen shenjtërinë e saj, kryerja e ritualit të haxhit që deri atë ditë nuk qe i mundur, përmbyllja e misionit të Muhammedit, alejhi’s selam, përsosmëria e Fesë Islame, etj, janë vetëm disa nga këto motive e faktorë që kësaj feste ndriçimin ia përçojnë edhe në horizont.

Besimtarë të nderuar!

Nëse ne njerëzit e shek XXI kemi të drejtë të mburremi me përparimin teknologjik dhe me të arriturat shkencore, megjithatë në aspektin moral shumë pak dallojmë nga shekujt e kaluar për të mos thënë nga mesjeta e errët, fundërrinave të së cilës ende po iu vjen era. Kjo festë me vete bartë margaritarë urtësish e mësimesh, rëndësia e të cilave me kalimin e kohës sa vjen e shtohet edhe pse, mjerisht, ato anashkalohen.

Kjo festë sikur sot nuk duron më, dhe me dritën – nurin e saj shqyen atë mbulesë të harresës që ia kemi vënë sipër dhe duke shndritur horizontin reflekton mesazhin se Islami është feja e vetme e njerëzimit sado që rrethanat politike e ekonomike të ndërrojnë. Islami, deshi apo jo bota, është feja e pa alternative, feja e pa rival, feja e vetme që mund ta shpëtojë njerëzimin.

Atyre që sot, në emër të reformave, shtrembërojnë Islamin dhe keqinterpretojnë , apo edhe mundohen të anulojnë parimet islame, duke botuar “Kur’ana modern”, që iu shkojnë shtati tekeve të tekanjozëve dhe lapërdharëve perëndimorë, ua rikujtojmë Kurban Bajramin si dëshmi se përpjekjet e juaja janë te dështuara.

Sot kur bëhen përpjekje për degradim të vlerave fetare, për ç’rrënjosje të parimeve fetare, për shtrembërim të parimeve fetare, Kurban Bajrami vendos një barrikadë të pathyer që nuk lejon dot depërtimin dhe as realizimin e këtyre aspiratave hegjemoniste dhe shtazarake të promotorëve të tyre injorante. Allahu i Madhëruar thotë:

„الْيَوْمَ أَكْمَلْتُ لَكُمْ دِينَكُمْ وَأَتْمَمْتُ عَلَيْكُمْ نِعْمَتِي وَرَضِيتُ لَكُمُ الْإِسْلامَ دِيناً

… Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fe… “. (el-Maide, 3).

اللهُ أَكبر، الله أَكبر، لا إلهَ إلاّ الله، والله أَكبر، الله أَكبر، ولله الحَمد

Vëllezër muslimanë!

Në rrugën drejt rrënjëzimit të vlerave të mirëfillta në shoqëri, në rrugën drejt krijimit të një shoqërie të re, ku prosperiteti dhe arsimimi do të zinin vendin kryesor, padyshim se Republika e Kosovës, në këtë vit të parë të saj, do të duhej Kurban Bajramin ta bënte, të paktën një alternativë, prej nga do të furnizohej me ide e strategji për zhvillimin e saj. Me të çliruar Mekken, Muhammedi, alejhi’s selam filloi në pastrimin e besimit dhe ndërgjegjes së njerëzve, filloi ta ndërton shtetin së pari në koka e zemra e më pas në tokë, filloi me vetëdijesimin e njerëzve, për të patur si rezultat krijimin e njërit prej shteteve më të fuqishme që ka njohur bota. Si duket, ikja nga këto mësime të Kurban bajramit, neve, kosovarëve me shtet të ri, na ka kushtuar mjaftë. Korrupsioni, papërgjegjësia, mos sundimi i ligjit, gjykatat e paralizuara, droga, shthurja morale, vrasjet e shumta, janë vetëm pasojat e para të këtij anashkalimi të porosive të Kurban Bajramit.

Kjo festë, në këtë kohë të krizave ekonomike, me vete sjell programin e saj të pa dështuar, politikat e saja fiskale të paluhatshme, nismat e saja të suksesshme, dhe duke ua përkujtuar njerëzimit se kamata është ajo që mbyt shoqërinë, rëndon dhe më shumë krizat financiare, duke ua përkujtuar solidarizimin që duhet ta shfaqin ndërmjet vete, ajo flak problemet dhe sjell zgjidhjet. Tërë atyre qëllimkëqijve që mundohen ta arsyetojnë fitimin e kamatës, Allahu iu kundërvihet se janë në gabim. Thotë Allahu i Madhëruar:

“ذَلِكَ بِأَنَّهُمْ قَالُوا إِنَّمَا الْبَيْعُ مِثْلُ الرِّبا وَأَحَلَّ اللَّهُ الْبَيْعَ وَحَرَّمَ الرِّبا

…(Bëjnë) kështu ngase thanë: “Edhe shitblerja nuk është tjetër, por njësoj sikurse edhe kamata”! E All-llahu e ka lejuar shitblerjen, por e ka ndaluar kamatën…“. (el-Bekare, 275)

Besimtarë të nderuar!

Fjalët nuk kanë vlerë përderisa nuk dëshmohen me punë. Nëse ne muslimanët dinim ta duanim njëri tjetrin në kohë të luftës ndërsa sot urrehemi, nëse dje i quanim vëllezër ndërsa sot as emrat nuk ua kujtojmë, nëse deri dje ndanim bukën bashke ndërsa sot as nuk përshëndetemi, Kurban Bajrami këtë përbuzje të të mirave, këtë harrim të mirësive, këtë mëri shpirtërore, e zhduk, dhe në vend të saj shtron rrugën drejt përmirësimit të këtyre raporteve. Porosia për therjen e Kurbanit, një mishi që duhet shpërndarë të varfërve që edhe ata ta gëzojnë këtë ditë, sigurisht se i shërben shumë këtij qëllimi.

Vëllezër!

Nuk di se si ndihet ai që fal Namazin e Bajramit dhe therë kurbanin kurse me babanë, nënën, vëllanë a të afërmit tjerë nuk flet fare. Çfarë feste shënon? Çfarë gëzimi ndien ai njeri kur ka hidhëruar ata që Allahu i Madhëruar hidhërohet për hidhërimin e tyre dhe gëzohet për gëzimin e tyre?

Vëllezër besimtarë!

Nuk mund ta ketë domethënien e vet bajrami nëse tërë shoqëria nuk ndihen të lumtur. Shoqëria jonë kosovare ka mungesë për çdo gjë. E dini se sot në Kosove ka familje të varfra më shumë se kurrë më parë. Ka shumë familje që sot kanë zemrat me plagë e lëndime. Kanë humbur më të dashurit e tyre ndërsa jetimët kanë përreth dhe vetëm me 50 euro duhet të mendojnë për bukë, dru e edhe për bajram. Andaj lehtësoni gjendjen e tyre materiale dhe luteni Allahun që tua lehtësoje edhe gjendjen e tyre shpirtërore. Të mirat e këtyre ndihmave, që sado solide mund të jenë, janë të shumta.

Vëllezër te dashur!

Duke shpresuar qe Kurban Bajramin ta përjetojmë kështu origjinal siç është, duke lutur Allahu e Madhëruar që në këto dite festive te mos ketë njerëz që kanë mungesë ushqimi, duke shpresuar që jetimëve nuk do t’iu mungojnë buzëqeshjet, duke shpresuar që nuk do të ketë prindër të pikëlluar nga sjelljet e fëmijëve, ua urojmë Kurban Bajramin.

Allahu na pranoftë veprat e mira! Allahu na pranoftë kurbanët!

اللهُ أَكبر، الله أَكبر، لا إلهَ إلاّ الله، والله أَكبر، الله أَكبر، ولله الحَمد

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s