MESHIRA E MUHAMMEDIT, ALEJHI’S SELAM ME TE MOSHUARIT

MESHIRA E MUHAMMEDIT, ALEJHI’S SELAM ME TE MOSHUARIT

Muhammed Mus’ad Jakut

Kohëve të fundit bota i ka kushtuar më shumë vëmendje njerëzve të moshuar. Shoqëria ndërkombëtare shënoi hapa progresiv duke mbajtur seminare e takime në nivel ndërkombëtar përkitazi me çështjen e të moshuarve. Sinjali i parë ndërkombëtar përkitazi me këtë erdhi në vitin 1982 kur KB (Kombet e Bashkuara) shpallën në prezence të 124 përfaqësues shtetesh se dekada e nëntë e shek. XX-të duhet të jetë dekada e të moshuarve. ONS (Organizata Ndërkombëtare e Shëndetësisë-WHO) në vitin 1983 ngriti moton “Le t’i shtojmë vjetëve të moshës jetë”. Ndërsa në vitin 2002, në Madrid, KB-ja filloi punimet për përgatitjen e planit dhe strategjisë për trajtimin dhe zgjidhjen e problemeve të njerëzve të moshuar në vende të ndryshme të botës.
Fatkeqësisht, këto takime e seminare më shumë i kanë ngjarë një takimi ide-dhënës, ndryshe, praktikisht ndonjë veprim nuk u ndërmor dhe ndonjë strategji nuk u realizua.
Më mirë do të ishte për këto takime e seminare që të lexonin programin e Pejgamberit Muhammed dhe të mësonin në praktikë kujdesin për të moshuarit. Muhammedi, alejhi’s selam ishte i pakrahasuar në këtë aspekt, ishte referencë për këtë çështje, që, moralisht e parimisht, do të duhej edhe nga të tjerët, tani, kur bëhen përpjekje e organizime për kujdes të të moshuarve, të merrej referencë.
Programi islam për kujdesin ndaj të moshuarve fillon dhe starton nga parime njerëzore duke refuzuar çdo favorizim tjetër në baze të gjinisë, ngjyrës apo fesë. Islami normat e përkujdesjes ndaj të moshuarve nuk i aprovon në baza racore apo fisnore, siç edhe ndodhë sot në botën e « moderuar ».
Ah ! sikur bota të merrte programin e Muhammedit, alejhi’s selam përkitazi me të moshuarit ; të bardhët e të zitë, arabët e joarabët, muslimanët e jomuslimanët.
Në vijim, disa nga mësimet e Muhammedit, alejhi’s selam përkitazi me të vjetrit :
1. Nxitja e të rinjve që të përkujdesen për të vjetrit.
Enesi transmeton se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë: “Nuk ndodhë që një i ri ta respektoj ndonjë të vjetër për hirë të moshës së tij e që Allahu të mos ia caktoj dikë që do ta respektoj kur ky i ri të arrij pleqërinë”. ([1])
Kështu Muhammedi, alejhi’s selam i porosite të rinjtë për pleqtë ngase të rinjtë e sotit janë pleqtë e së nesërmes. Edhe pse koha kalon, porosia e Muhammedit, alejhi’s selam mbetet aktuale më shumë se kurrë; ajo porositë gjeneratë pas gjenerate…
Shiko në këtë përgjithësim : «Nuk ndodhë që një i ri ta respektoje një të vjetër», pra një plak apo plakë të vjetër, pa marrë parasysh se kush është, çfarë ngjyrë ka, çfarë feje ka. Muslimani është i obliguar të respektojë të vjetrit pa marrë parasysh fenë, vendin apo ngjyrën e tyre. Enesi, Allahu e mëshiroftë, prapë transmeton se Muhammedi, alejhi’s selam ka thënë: «Pasha Atë, në dorën e të Cilit është shpirti im, Allahu nuk e mëshiron askënd përveç mëshiruesit. O i dërguari i Allahut, ne te gjithë mëshirojmë?- e pyetën. Nuk është mëshirë të mëshirosh shokun tënd…mëshirë është të mëshirosh tërë njerëzit». ([2])
Muslimani mëshiron të gjithë njerëzit, të gjithë fëmijët, të gjithë të moshuarit…
2. Nderimi i të moshuarit respektim për Allahun
Musa Esh’ariu, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se Muhammedi, alejhi’s selam ka thënë: “Vërtetë, madhërim dhe respektim për Allahun konsiderohet edhe respektimi i muslimanit të thinjur, hafizit të Kur’anit që as nuk tejkalon kufijtë por as nuk lë mangu në të, si dhe respektimi i prijësit të drejtë”. ([3])
Muhammedi, alejhi’s selam respektimin e të moshuarve e bëri pjesë të respektimit për Allahun, dhe, respektin për Krijuesin e lidhi me respektin për krijesën, duke përmendur edhe shenjen në bazë të së cilës respektohet: qimet e thinjura në kokë. Kështu, çdokujt që i shihen qimet e thinjura në kokë, duhet respektuar.
Edhe një gjë tjetër, që në këtë hadith e vërejmë, dhe qëe është me rëndësi, është edhe përparësia e të moshuarit në respekt ndaj hafizit (mbamendësit) të Kur’anit dhe prijësit. Sikur Muhammedi, alejhi’s selam na thotë: Respektoje të vjetrin ashtu siç e respekton prijësin, nderoje të vjetrin ashtu siç e nderon hafizin e sinqertë të Kur’anit.
Nën tekstin “Nderimi i muslimanit të thinjur” hyn çdo formë e përkujdesjes, si: përkujdesi shëndetësor, psikik, shoqëror, ekonomik, arsimor, e forma tjera të përkujdesjes që shoqëritë moderne thërrasin në to.
3. Nuk është musliman ai që nuk respekton të vjetrit.
Abdullah b. Amri transmeton se Muhammedi, alejhi’s selam ka thënë: « Nuk është prej nesh ai që nuk mëshiron të vegjlit tanë dhe nuk nderon të vjetrit tanë». ([4])
Muslimanët që nuk kujdesen për të mëdhenjtë dhe të vjetrit, Muhammedi, alejhi’s selam i cilësoi si shtresë e ultë e shoqërisë, madje edhe u deklarua se të tillët nuk janë ithtarë të denjë të tij, ngase muslimani nderon të vjetrit dhe të moshuarit. Nëse e studiojmë sado pak këtë hadith, do të shohim se shprehja “Nuk nderon të vjetrit tanë” nuk është përdorur e pashquar “kush nuk respekton te vjetrit”, dhe këtë si aludim se çdokush që cenon të drejtën e të vjetrit, qoftë me fjalë, vepër apo aludim, ai në një mënyrë ka cënuar edhe autoritetin e Muhammedit, alejhi’s selam ngase të vjetrit edhe i cilësoi si të tij por edhe vet u cilësua si i tyre. Shprehja « Të vjetrit tanë » e dëshmon këtë.
4. Përshëndetja e të riut për të vjetrit.
Ebu Hurejre transmeton se Muhammedi, alejhi’s selam ka thënë : «I vogli përshëndet të vjetrin, këmbësori ulësin, pakica shumicën». ([5])
Pejgamberi, alejhi’s selam aprovoi shembuj të thjeshtë praktik që lidhen me aspektet e përgjithshme me ndikim në shoqëri. Filloi nga aspekti moral, i cili shfaqet në respektimin dhe nderimin e njerëzve të mëdhenj dhe të moshuar…Meqë i riu fillon në këtë gjë, pra në përshëndetje, atëherë edhe gjërat tjera i mbeten obligim atij, si: ndihma për të vjetrin, butësia me të, vizita e tij, etj.
5. Dhënia përparësi të vjetërve në respekt përgjithësisht.
Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë: « Xhibrili më urdhëroi që të vjetërve t’iu jap përparësi». ([6])
Ky është një rregull i përgjithshëm për dhënie përparësi të vjetërve në respekt dhe nder. Pejgamberi, alejhi’s selam urdhëroi që dhënia ujë e të ngjashme të fillojnë nga të vjetrit: “Filloni me të vjetrit ose të mëdhenjtë”. ([7])
Pejgamberi, alejhi’s selam këtë tipar morali e kishte ushtruar në praktike. Aisheja rrëfen: “Pejgamberi, alejhi’s selam pastronte dhembet me misvak ndërsa mysafir i kishte dy burra. U frymëzua që misvakun për përdorim t’ia jepte atij më të vjetrit”. ([8])
Abdullah b. Ka’bi rrëfen: “Kur Pejgamberi, alejhi’s selam përdorte misvakun, ia jepte më pas njeriut më të vjetër ndërsa kur pinte ujë, ia jepte më pas atij që e kishte në të djathtë”. ([9])
Ka thënë Ibni Bettali në koment të këtij hadithi: Në hadith sqarohet se të vjetërve iu jepet përparësi në përdorimin e misvakut (furçë dhëmbësh). Këtu hyjnë edhe: pija, ushqimi, ecja dhe të folurit([10]). Thënë shkurt, hyn çdo formë e respektit.
Po kështu, Muhammedi, alejhi’s selam urdhëroi që i vjetri t’iu bëhet njerëzve imam. Malik b. Huvejrithi transmeton se Muhammedi, alejhi’s selam ka thënë: « E kur të vijë koha e namazit, njëri prej jush le ta thërrasë ezanin e më i moshuari nga ju le të dalë imam». ([11])
Ky hadith aspak nuk bie ndesh me porosinë që imam të bëhet më i dituri për Kur’anin. Përputhja në mes këtyre argumenteve gjendet në hadithin e Ebu Mes’ud el-Ensariut, i cili rrëfen se Muhammedi, alejhi’s selam ka thënë: “Njerëzve iu bëhet imam më i dituri dhe ai që më së pari ka filluar të lexojë. Nëse leximi i tyre është i njëjtë, atëherë le të bëhet imam ai që më së pari ka bërë hixhretin. Nëse edhe në hixhret janë të njëjtë, atëherë ai që është më i moshuar”. ([12])
Në udhëzimin profetik, të vjetrit i jepet edhe e drejta e të folurit para tjerëve. Raf’i b. Hadixhi dhe Sehl b. Ebi Hathmeh rrëfejnë se Abdullah b. Sehli dhe Muhajjisah b. Mes’ud kishin shkuar në Hajber dhe ishin shpërndarë nëpër palma. Abdullahu ishte mbytur ndërsa Abdurrahman b. Sehli dhe Huvejsa e Muhajjisah, dy djemtë e Mes’udit, erdhën tek Muhammedi, alejhi’s selam që t’i rrëfenin për ngjarjen e shokut të tyre. Filloi Abdurrahmani të flas por meqë ishte më i vogli, Muhammedi, alejhi’s selam i tha: « Respektoje të madhin». Jahjaja, në koment të hadithit thotë: Le të flas ai që është më i madhi ! ([13])
6. Lehtësimi i dispozitave fetare për të vjetrit.
Në Islam dispozitat fetare gjithnjë nisen nga aspekti i lehtësimit për atë që është në hall, siç f.v. është i moshuari. Këtë, thekshëm, e vërejmë në shumicën e ligjeve dhe dispozitave islame. Feja ka paraparë lehtësime për të moshuarin në shpagime (keffarat), farze dhe vaxhibe.
Sa i përket shpagimeve, tregimi i Havle b. Tha’lebe, e cila diskutonte me Muhammedin, alejhi’s selam për burrin e saj Evs b. Samitin, i cili kishte rënë në mëkatin e dhiharit (thënies gruas: Ti për mua je sikurse nëna ime). Allahu përkitazi me këtë shpalli: “Ata që krahasojnë (me nëna) dhe largohen nga gratë e veta, e pastaj zbrapsen nga ajo që kanë thënë, janë të obliguar që para se të kontaktojnë ndërmjet vete ta lirojnë një rob. Kjo është dispozitë me të cilën porositeni, e All-llahu është i njohur hollësisht me atë që ju punoni. 4. E kush nuk gjen (rob për lirim), atëherë le të agjërojë dy muaj rresht para se të kontaktojnë, e kush nuk mundet, atëherë le t’i ushqejë gjashtëdhjetë të varfër. Kjo (dispozitë ju shërben) për të vërtetuar ju se besoni All-llahun dhe të dërguarin e Tij (e jo zakonet injorante). Këto, pra janë përcaktimet e All-llahut. Ndërkaq, mohuesit kanë dënim të rëndë”. ([14])
Havles, e cila diskutonte me Muhammedin, alejhi’s selam për çështjen e burrit të saj, i cili ishte i shtyrë në moshë, Muhammedi, alejhi’s selam i tha: Urdhëroje ta lirojë një rob! Burri im nuk ka mundësi për këtë andaj a ka diç më të lehtë?-pyeti ajo. “Le të agjëroj dy muaj atëherë”- tha Pejgamberi, alejhi’s selam. Pasha Allahun, ai është i shtyrë në moshë dhe nuk mund të agjëroj- u përgjigj Havleja. Atëherë le të ushqej 60 të varfër…As këtë nuk ka mundësi- tha ajo. Atëherë ne do t’i ndihmojmë- tha Muhammedi, alejhi’s selam…([15])
Ndërsa sa iu përket farzeve, njeriut të moshuar iu lejua që gjatë ditës në Ramazan të hajë, pastaj të falet ulur apo edhe shtrirë nëse as ulur nuk mund të falet…Muadh b. Xhebelin, Muhammedi, alejhi’s selam e qortoi një ditë kur u fal si imam dhe ua zgjati njerëzve namazin. «O Muadh!, a provokues je ti? (3 herë) Sikur t’ua falje namazin me leximin e kaptinave mesatare, si: Sebbihisme Rabbike, vesh-Shemsi ve duhaha, vel-Lejli idha lagsha, ngase pas teje falet i vjetri, i dobëti (në shëndet) dhe nevojtari». ([16])
Pastaj, të moshuarit iu lejua që në vend të tij të dërgoj ndonjë zëvendës për kryerjen e ritualit të Haxhit. Fadli rrëfen se një grua nga Hath’ami kishte thënë: « O i dërguari i Allahut, babai tim i është bërë obligim Haxhi por është i shtyrë në moshë dhe nuk mund të ngjitet dot mbi shpinën e devesë së tij. Pejgamberi, alejhi’s selam i tha: Atëherë ti bëje hahxin për të!». ([17])
7. Anashkalimi i të moshuarve në luftëra dhe mos mbytja e tyre.
Muhammedi, alejhi’s selam shokët dhe komandant[t ushtarakë i porosiste: “Marshoni me emrin e Allahut, me Allahun, në fenë e të dërguarit të Allahut. Mos mbytni asnjë plak të vjetruar, as fëmijë dhe as të vegjël, as gra, dhe mos kaloni kufijtë por rregulloni e bëni mirë ngase Allahu i do ata që bëjnë mirë”.
Ky është urdhër nga Muhammedi, alejhi’s selam për mos mbytje të pleqve, grave dhe fëmijëve, të cilët nuk marrin pjesë në luftë. Një gjë e tillë në botë ndodhi 13 shekuj pas vdekjes së Muhammedit, alejhi’s selam. Më 12 gusht 1949 në Gjenevë, u dakorduan që qytetarët që nuk marrin pjesë në luftë të mos vriteshin, por edhe kjo marrëveshje, sikurse ajo e para për përkujdesje ndaj pleqve, mbeti vetëm ngjyrë në letër, ndryshe, vetëm në Kosovë, shumica e viktimave të luftës ishin njerëz të pafajshëm([18]).
Shembuj nga mëshira e Muhammedit, alejhi’s selam me të vjetër
Këta janë disa shembuj praktik nga jeta e Muhammedit, alejhi’s selam që dëshmojnë mirësjelljen e tij me njerëzit e moshuar…
1. Mëshira dhe butësia me Utben
Utbe b. Rebiah, njëri nga pleqtë politeist në periudhën e Mekkes, erdhi tek Pejgamberi, alejhi’s selam dhe filloi t’i fliste për ta bindur të largohet nga kjo fe. Muhammedi, alejhi’s selam vetëm e dëgjonte pa reaguar aspak dhe atë në asnjë mënyre. A je ti më i mirë apo Abdullahu ? A je ti më i mirë apo Abdul Muttalibi ? Nëse thua se nuk je më i mirë se ata, atëherë ata kanë adhuruar zotat, që ti po i cilëson me të meta. Ndërsa nëse thua se ti je më i mirë se ata, atëherë fol se po të dëgjoj ngase na ka rënë hije e keqe tek arabët shkaku yt saqë për ty flasin se je magjistar, falltar dhe se nxit që të luftojmë kundër njëri tjetrit derisa ta shkatërrojmë veten (fisin) tonë([19]).
Kur Utbe e pa se Muhammedi, alejhi’s selam nuk po reagon, përkundrazi është shumë gjakftohtë dhe i qetë, iu kthye me të butë dhe i tha : O nipi im, nëse dëshiron para, të japim, nëse do pozitë, të bëjmë zotëriun tonë, nëse je i sëmure, do të shpenzojmë tërë pasurinë derisa të shërojmë…Utbeja fliste ndërsa Pejgamberi, alejhi’s selam e dëgjonte me respekt. Kur përfundoi, Pejgamberi, alejhi’s selam me moral dhe edukatë, iu drejtua: O babai i Velidit, a e kreve? Po- ia ktheu. Atëherë dëgjo prej meje!- I tha Muhammedi, alejhi’s selam dhe filloi t’ia lexonte disa ajete të kaptinës Fussilet([20]).
2. Lirimi i pleqve nga robëria
Kur ra peng lufte Amr b. Ebu Sufjani në luftën e Bedrit, Ebu Sufjanit i propozuan: Liroje me pagesë birin tënd ! Si, të jap edhe para edhe gjak; ata e vranë Handhalen ndërsa tash ta shpaguaj Amrin?! Lëreni në duart e tyre aq sa ata të dëshirojnë.
Derisa gjendja ishte kjo, një plak musliman shkon në Mekke për ta kryer Umren. Bazuar në marrëveshjen që kishin se askujt nuk do t’ia ndalonin kryerjen e ritualeve fetare, ky plak, i quajtur Sa’d b. Nu’man b. Ekkal, shkoi atje por u robërua nga Sufjani për shkak të rënies peng në duar të muslimanëve të birit të tij, Amrit. Erdhën familjaret e Sa’dit dhe kërkuan nga Muhammedi, alejhi’s selam që ta liroj Amrin në mënyre që Sa’di të lirohet dhe të kthehet në shtëpi. Pejgamberi, alejhi’s selam e liroi menjëherë dhe e dërgoi në Mekke ku më pastaj edhe Sufjani e liroi Sa’din plak([21]).
3. Butësia dhe nderi për Ebu Kuhafen
Kur Pejgamberi, alejhi’s selam hyri në Mekke si çlirues në vitin 8 h. në Ramazan (janar 630) dhe hyri në Qabenë e Shenjtë, erdhi Ebu Bekri me babain e tij tek Pejgamberi, alejhi’s selam që ta pranoj Islamin. Kur e pa Ebu Kuhafen, Muhammedi, alejhi’s selam me plot mëshirë e butësi tha: Përse nuk e lije plakun në shtëpi që ne të vijmë tek ai? O i dërguari i Allahut, ky më shumë ka nevojë që të vjen tek ti se sa ti tek ky- iu përgjigj Ebu Bekri.
Muhammedi, alejhi’s selam e uli pranë, e nderoi, dhe i tha: Pranoje Islamin e ai e pranoi.
Meqë Ebu Kuhafe ishte thinjur, Muhammedi, alejhi’s selam urdhëroi që t’i ngjyroseshin flokët e thinjura me kanë([22]).
Përmbyllje
Nëse feja islame i ka kushtuar rëndësi të veçantë të moshuarve dhe të drejtave të tyre, siç mësove më lart, atëherë ligjeve dhe rregulloreve nëpër vendet tona iu mbetet që të trasojnë këtë rrugë profetike dhe të shuajnë etjen nga ky krua. Nuk ka dobi në një kushtetutë e rregullore që nuk përfshin të drejtat dhe përkujdesjen e të moshuarve. Madje, çka tjetër përveç të dobëtëve dhe pleqve ruan shoqëritë nga shkatërrimi?!
Rezymenë e udhëzimit profetik përkitazi me moralin dhe edukatën për të vjetrit e moshuarit, do të mund ta përmblidhnim në këto pika:
· Përkujdesi për të moshuarit është barrë e tërë shoqërisë, e në veçanti e të rinjve.
· Përkujdesi për të moshuarit përfshin çdo aspekt të jetës; shëndetësor, ekonomik, shpirtëror, mental, shoqëror, etj.
· Respektimi i të vjetërve në sjelljet e përditshme dhe të ndryshme shoqërore.
· Dhënia përparësi të vjetërve në respektim çdoherë.
· Lehtësimi fetar për të vjetrit dhe të moshuarit.

Përshtati në shqip:
Sedat G. ISLAMI
23-3-2008, e diele
Vushtrri, Kosovë

——————————————————————————–

[1] Transmeton Tirmidhiu ndërsa Albani në Sahihu ve daifu suneni’t Tirmidhijj, 2022, e ka cilësuar të dobët. Autori i el-Xhamiu’s sagir, e ka cilësuar të miurë-hasen.
[2] Transmeton Ebu Ja’la el-Musulijj, 4145, ndërsa Albani në es-Silsiletu’ s sahihah, 167, e ka cilësuar autentik.
[3] Transmeton Ebu Davudi ndërsa Albani në Mishkatu’l mesabih, 3/78, e ka cilësuar hasen-të mirë.
[4] Transmetojnë Ahmedi dhe Tirmidhiu ndërsa Albani në Silsiletu’s sahihah, 5/230, e ka cilësuar autentik.
[5] Buhariu
[6] Hadithi është autentik. Shih: Silsiletu’s sahihah, 1555.
[7] Transmeton Ebu Ja’la ndërsa Albani në Silsiletu’s sahihah, 1778, e ka cilësuar autentik.
[8] Transmeton Ebu Davudi ndërsa Albani në Silsiletu’s sahihah, 1555, e ka cilësuar autentik.
[9] Hadithi është auntetik. Shih: Sahihu ve daifu xhamiis sagir, nr. 8797.
[10] Albani, es-Silsiletu’ s sahihah, 4/126.
[11] Buhariu dhe Muslimi.
[12] Muslimi.
[13] Buhariu dhe Muslimi.
[14] el-Muxhadele, 3-4
[15] Tefsiri i Ibni Kethirit, 8/36.
[16] Buhariu
[17] Muslimi.
[18] Shënim i përkthyesit.
[19] Es-Siretu’l halebijjeh, 1/456.
[20] Ibni Kethir, es-Siretu’n nebevijjeh, 1/504.
[21] Muhammed b. Jusuf es-Salihijj esh-Shamijj, Subulu’l huda ve’rr rreshad, 4/70.
[22] Ibni Kethir, es-Siretu’n nebevijjeh, 3/558

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s