HUTBEJA E DITËS SE ARAFATIT DHE KURBANIT

HUTBEJA E DITËS SE ARAFATIT DHE KURBANIT

Falënderimi i takon All-llahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga All-llahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon All-llahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s’ka hyjni tjetër përveç All-llahut, i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij.

Besimtarë të nderuar!

Dalëngadalë po i afrohemi ditëve më të çmuara të vitit, ditëve, domethënia e të cilave është vërtetë madhështore. Jemi më pranë ditëve, të cilat janë shumë të rënda dhe thuajse të papërballuara për djallin dhe pasardhësit e tij të mallkuar, në njërën anë, dhe janë ditë shprese, artikuluese të fuqisë, forcëmbledhëse, ditë krenarie dhe gëzimi, në anën tjetër për besimtarët. Jemi në vigjilje të Ditës së Arafatit, ditë kjo e cila e pikëllon shumë djallin e mallkuar. Imam Maliku transmeton nga Talha b. Ubejdil-lahu se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë: „ Djalli asnjëherë nuk është parë më i poshtëruar, përzënë, nënçmuar dhe hidhëruar se sa në Ditën e Arafatit me përjashtim të Ditës së Bedrit. Kjo për faktin se ai sheh zbritjen e mëshirës së Allahut dhe faljen e mëkateve të mëdha të robërve prej Tij“.

Jo vetëm ai, por edhe këta djajtë në formë njeriu, edhe këta le të dëshpërohen ngase mëshira e Allahut të Madhëruar kurrë nuk ka për t’i lënë vetëm besimtarët. Ajo, që edhe më shumë e shton dëshpërimin e djallit dhe pabesimtarëve, politeistëve, ateistëve, komunistëve, shekullaristë ve, laicistëve, natyralistëve, etj, është se, nëse Fier Bajrami shënonte fillimin e misionit islam, Dita e Arafatit së bashku me Ditën e Kurban Bajramit, shënojnë suksesin spektakular dhe të padiskutueshë m të përmbylljes së misionit islam. Në këtë dite zbriti ajeti:

“الْيَوْمَ أَكْمَلْتُ لَكُمْ دِينَكُمْ وَأَتْمَمْتُ عَلَيْكُمْ نِعْمَتِي وَرَضِيتُ لَكُمْ الْإِسْلَامَ دِينًا

… Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fe…” (El Maide, 3).

Pastaj, përkujtimi se kjo ditë është dita e besëlidhjes ndërmjet njeriut dhe Allahut të Madhëruar se askënd përveç Tij, në asnjë forme dhe as mënyrë, nuk do ta adhurojnë, është po kështu një grusht i rëndë për të gjithë ata që përmendëm sipër.

Ibni Abbasi transmeton se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë: “Allahu mori besën e pasardhësve të Ademit në Ne’man (Arafat). Prej kurrizit të tij nxori të gjithë pasardhësit e Ademit që i ka krijuar, i shpërndau para Vetes, ashtu siç i takon madhërisë së Tij, si të ishin thnegla-milingona (ose si shumë të vegjël) dhe iu foli duke iu drejtuar: …A nuk jam Zoti juaj?” Ata thanë: “Po, dëshmuam!”. Të mos thoni në ditën e kijametit: “Ne nga ky (dëshmim) ishim të panjohur”. Ose të mos thoni: “Prindërit tanë më parë ishin idhujtarë, e ne ishim pasardhës të tyre. A do të na shkatërrosh ne për atë që bënë ata asgjësues të së vërtetës?”([1])”. ([2])

Xhematlinjë të dashur!

Neve po kështu këto ditë do të shënojmë këto festa edhe me ritin e kurbanit –therjes apo sakrificës për hirë të Allahut të Madhëruar. Historiku i Kurbanit apo thënë më mirë i Ibrahimit me të birin Ismailin, alejhima’s selam, reflekton edhe esencën e tij. Kurbani nuk theret pse Allahu i Madhëruar ka nevojë për të. Larg asaj, i pastër nga të metat është Allahu im. Kurbani theret që këto festa shumë të mëdha dhe jashtëzakonisht të rëndësishme të mos lënë pa i gëzuar edhe fukaratë. Mu për këtë Allahu i Madhëruar ka thënë:

“لن ينال الله لحومها ولا دماؤها ولكن يناله التقوى منكم

Tek All-llahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre, por te Ai arrin bindja juaj…”. El Haxh, 37.

Po kështu, me këtë ajet kur’anor iu kundërvihemi edhe atyre që vuajnë për kafshe dhe çdo vit, me rastin e haxhit, shfaqin dhimbjen e tyre se me miliona kafshë po theren. Këta njerëz të mjerë shumë më mirë do të kishte qenë sikur të ishin ankuar për kurbanët e gjinisë njerëzore, që vetëm në Irak qysh prej pushtimit më 2003 kanë humbur jetën mbi 1 milionë veta. Apo edhe tash, rishtazi, në Palestine pamë se si muslimanët e Gazës për shkak të bllokadës së çifutëve barbarë, vuajnë për një kafshatë bukë. Askush nuk ngriti zërin për ta, madje as muslimanët.

Mendoj se kjo hutbe, edhe pse është përgatitur të jetë e shkurtër për shkak të refrenit “s’kemi kohë”, megjithatë nuk do të ishte zgjatur nëse përmendim edhe disa bindje të gabuara rreth kurbanit. Kurbani nuk ndahet në gjini. Besimi se kurbani femër nuk vlen për mashkullin dhe se kurbani mashkull nuk vlen për femra është besëtytni. Kafsha për Kurban nuk bën të jetë e verbër, e çalë, e sëmurë, apo me brirë të thyer a veshë të prerë. Po kështu, kurban për të vdekur nuk ka. Therja e tij natën e bajramit është vetëm një mish i rëndomtë dhe jo kurban. Kurbani theret vetëm për të gjallët dhe atë pas namazit të bajramit e jo më herët.

Vëllezër besimtarë!

Bashkësia Islame e Kosovës, respektivisht M.M. ”Alauddin” në Prishtinë me paralelet e saja në Gjilan e Prizren, edhe këtë vit organizojnë therjen e kurbanëve. Çmimi i paraparë për këtë vit është 100 euro. Në mënyrë që porosite tuaja të kryhen sa më lehtë dhe në kohën e duhur, do të ishte mirë që pagesën ta bëni sa më shpejtë në Këshillin e Bashkësisë Islame në Vushtrri. Namazi i Bajramit falet në ora 7:34 kurse tekbiret fillojnë nga namazi i sabahut të Ditës së Arafatit, pra ditën e dielë.

***

O Zot! Na furnizo me iman, udhëzim, devotshmëri, nder dhe pasuri! Na i hap dyert e mirësive Tua që nuk harxhohen kurrë. Na bë falënderues të mirësive dhe pranues të dhuntive Tua.

O Zot! Përmirëso muslimanët, bashkoji në një fjalë të vetme, ktheji kah feja, caktoju liderë të drejtë që ua shtojnë krenarinë e jo liderë që ushtrojnë dhunë dhe terror mbi ta.

O Zot! Mos lë brengë tonën pa na e larguar, mëkat pa na e falur, të sëmurë pa na e shëruar, të vdekur pa na e mëshiruar, borxh pa na e paguar, të sprovuar pa e çliruar, mëkatarë pa udhëzuar, të shkelur (madhlum) pa e përkrahur, zullumqar pa e udhëzuar e nëse refuzon atëherë mos e lë pa e shkatërruar!

O Zoti ynë! Ndihmoje Islamin dhe muslimanët! Ruana fenë ndersa ata që bëjnë përpjekje për ta shkatërruar atë, shkatërroji Ti ata.

O Zot! Ne te lusim me emrin Tënd fisnik, me fytyrën Tënde të Ndritur, që ta mëshirosh Muhammedin dhe familjen e tij si dhe të na dhurosh kënaqësinë Tënde dhe Xhenentin Firdeus.

O Zot! Na begato me fjalë e vepra që na afrojnë tek Xhenneti dhe na vdis duke qenë robër të sinqertë me qëllime dhe vepra të mira.

Sedat Islami

——————————————————————————–
[1] el-A’rafë, 172-173
[2] Transmeton Imam Ahmedi në Musnedin e tij ndërsa Shejh Albani e ka cilësuar autentik.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

Blog at WordPress.com.

Up ↑

%d bloggers like this: