MUAJT E SHENJTË PASQYRË E MIRËSIVE TË ALLAHUT TË MADHËRUAR

MUAJT E SHENJTË PASQYRË E MIRËSIVE TË ALLAHUT TË MADHËRUAR

Falënderimi i takon All-llahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga All-llahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon All-llahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s’ka hyjni tjetër përveç All-llahut, i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij.
Vëllezër besimtarë!
(Seri e pafund e mirësive)
Thotë Allahu i Madhëruar:
“وَإِن تَعُدُّواْ نِعْمَةَ ٱللَّهِ لاَ تُحْصُوهَا
…edhe në qoftë se përpiqeni t’i numëroni të mirat e All-llahut, nuk do të mund të arrini t’i përkufizoni (në numër)” .
Ishim në muajin Ramazan, ku mundësia për vjelje të shpërblimeve qe në dispozicion thuajse si asnjëherë më parë. E patëm agjërimin, që shpërblimi për të qe i pafund; e patëm namazin e teravive, i cili fali të gjitha mëkatet (e vogla); e patëm leximin e Kur’anit, shpërblimi për leximin e të cilit u shumëfishua; e patëm Natën e Kadrit, mirësia e së cilës tejkaloi dekadat…
Shkoi Ramazani por begatitë e Allahut nuk patën të ndalur. Menjëherë pas tyre na begatoi me agjërimin e gjashtë ditëve të Shevvalit, statutin e të cilave e bëri kurorë të mirësive të Ramazanit. Thotë Pejgamberi, alejhi’s selam:
“من صام رمضان ثم أتبعه ستا من شوال كان كصيام الدًّهر
Kush agjëron Ramazanin dhe e përcjell me gjashte dite te Shevvalit shpërblehet sikur ta ketë agjëruar tere vitin” .
Ka thënë Imam Neveviu: Ka thënë dijetarët: Shpërblimi është vlerësuar si një vjeçar ngase një e mirë shpërblehet me dhjete sosh, kështu Ramazani me 30 dite vlen sa 10 muaj te plote kurse këto gjashtë ditë sa dy muaj (dhe kështu bëhet një vit i plotë).
Hafidh Ibni Rexhebi citon Ibnu’l Mubarekun të ketë thënë: Është thënë se agjërimi i Shevvalit përcjell Ramazanin në vlerë kështu që shpërblimi është sikur të ketë agjëruar 1 agjërim të obliguar (farz e jo nafile).
Shkoi Shevvali dhe ja tash na erdhën muajt e shenjtë, na erdhi një seri e re e dhuntive të Allahut të Madhëruar, na erdhën një mori shansesh për të qenë sa më afër Allahut, për të fituar mëshirën e Tij, për të shlyer mëkatet dhe për të filluar një kapitull të ri jete, bardhësia (pastërtia, dëlirësia) e të cilit nuk do të duhej ndotur kurrë.
Robër të Allahut!
(Muajt e shenjtë dhe domethënia e tyre ndërmjet realitetit dhe alegorisë)
Nominimi me “shenjtëri” është e drejtë ekskluzive e Allahut të Madhëruar, ndaj, edhe këta muaj janë caktuar të tillë prej tij. Thotë Allahu i Madhëruar:
“إِنَّ عِدَّةَ ٱلشُّهُورِ عِندَ ٱللَّهِ ٱثْنَا عَشَرَ شَهْراً فِي كِتَـٰبِ ٱللَّهِ يَوْمَ خَلَقَ ٱلسَّمٰوٰت وَٱلأرْضَ مِنْهَا أَرْبَعَةٌ حُرُمٌ ذٰلِكَ ٱلدّينُ ٱلْقَيّمُ فَلاَ تَظْلِمُواْ فِيهِنَّ أَنفُسَكُمْ
Te All-llahu numri i muajve është dymbëdhjetë (sipas hënës), ashtu si është në librin e All-llahut prej ditës kur krijoi qiejt dhe tokën. Prej tyre katër janë të shenjtë. Kjo është fe e drejtë. Pra, mos e ngarkoni (me mëkat) veten tuaj në ata (katër muaj) ” .
Kjo shenjtëri nuk është kishtare, nuk është simbolike, është shenjtëri e cila në vend të arenës dhe fushëbetejës sjelle klimën e paqes dhe pajtimit, dhe rrjedhimisht, komentimi i emrave të këtyre muajve, e të cilët janë: Dhu’l ka’deh, Dhu’l hixh-xheh, Muharrem dhe Rexheb, me domethënie të pasynuara nga feja, siç mund të hasësh tek disa sufistë dhe injorantë, është devijim nga e vërteta e tyre. Muharremi (i ndaluari) quhet kështu ngase Allahu e ndaloi luftën në të; Rexheb quhet kështu për shkak të shenjtërimit të arabëve që ia bënin këtij muaji duke hequr majat e mprehta nga shigjetat e tyre kështu që nuk luftonin fare në këtë muaj; Dhu’l ka’deh për shkak të uljes së arabëve në kafshët e tyre hipëse duke mos dëshiruar luftë, lodhje dhe as furnizim; Dhu’l hixh-xheh quhet kështu ngase haxhi bëhet në këtë muaj.
Besimtarë të respektuar!
(Veçoritë e muajve të shenjtë)
Muajt e shenjtë ani pse janë katër, siç përmendëm sipër, megjithatë ne do të përqendrohemi vetëm në mirësitë e tre muajve serik: Dhu’l Ka’de, Dhu’l Hixh-xhe dhe Muharrem, meqë lidhja me ta, tematikisht, është e synuar në këtë ligjëratë.
Këta muaj në vete ngërthejnë parime, urtësi dhe mësime, rrezatimi i të cilave shfaq vetëm prosperitet, humanitet, solidaritet, dëlirësi shpirtërore, etj. Le të shohim diç konkrete nga kjo:
A) Humanizmi i muajve të shenjtë
1. Islami, paqe e jo luftë. Veçori e spikatur e këtyre muajve në të kaluarën por edhe me ardhjen e Islamit mbeti ndalimi i luftës në ta dhe hapja e mundësive për marrëveshje paqësore. Kjo paraqet aspektin real të Islamit, i cili kur bëhet fjalë për luftërat, sjell alternativa të ndalimit, përkufizimit, zëvendësimit (me marrëveshje), dhe atë e lë vetëm si mbrojtje dhe hap të fundit.
Pastaj elementi kohe është edhe një urtësi në vete. Ai ka ndikim jashtëzakonisht të madh në psikikën dhe të menduarit e njeriut. Ai mundëson shuarjen e armiqësisë shpirtërore. Mu për këtë, Pejgamberi, alejhi’s selam porosit që me rastin e hidhërimit apo gjykimit të mos rrjedh prej nesh ndonjë fjalë apo veprim përderisa nuk shuhet hidhërimi.
2. Islami kundër traditave të shëmtuara. Përderisa ndalohet lufta kundër të pafeve, atëherë nuk do mend se ndalesa ndërmjet vëllezërve të një feje është edhe më e theksuar. Mu për këtë, Pejgamberi, alejhi’s selam në Hutben Lamtumirëse, përveç tjerash, ndalon edhe gjakmarrjen dhe urdhëron faljen e gjaqeve, duke filluar së pari nga familja e tij.
3. Demantim akuzash. Breshëritë e akuzave ndaj Islamit me pozicionim tek pika më e ndishme, femra, në këta muaj zhduken. Islami nuk është një fe që përbuz statutin e gruas, nuk vlerëson rolin apo pozitën e saj, përkundrazi, atë e sheh si pjesë përbërëse të mashkullit, si edukatore e njerëzimit, dhe shih për këtë, edhe në Hutben Lamtumirëse, Pejgamberi, alejhi’s selam nuk harron t’ua përkujtojë njerëzve një gjë të tillë. “O bashkëshortë! Silluni ndaj grave tuaja më shumë mirësi dhe dashuri.” – porositi Pejgamberi, alejhi’s selam.
4. Barazia e njerëzve. Islami nuk vlerëson njeriun asnjëherë nga aspekti i jashtëm. Përderisa ky aspekt është i përkohshëm (me vdekje kthehet në dhe), atëherë fokusi i tij është në shpirt, ndaj këta muaj i bëri vetëm si një shenjë në trafik që përkujtojnë rëndësinë e këtij parimi. Në fakt edhe ritualet gjatë këtyre muajve, sidomos gjatë Du’l Hixh-xhes prodhojnë këto efekte. Unifikimi në veshje (Ihrami në Haxh), tavafi pa pozita të përcaktuara sipas pasurisë a pozitës, falja në xhami krah për krah me njeri tjetrin, janë vetëm disa nga ato shkëndija të këtij humanizmi islam.
B) Solidariteti i muajve të shenjtë
Angazhimi i njeriut është në varësi edhe me kohët dhe shanset e ndryshme. Në Ramazan njerëzit kthehen më shumë në fe, falen, agjërojnë, japin lëmoshë, për arsye se veprat shumëfishohen, në njërën anë, por edhe dënimi për mëkatet, mu ashtu sikurse rregulli për shpërblimin, shumëfishohet. Kështu, ky motiv do të duhej të nxiste besimtarët prapë për vet faktin se me një gjë të tillë, drejtpërdrejtë, porositi Allahu i Madhëruar kur tha:
“فَلاَ تَظْلِمُواْ فِيهِنَّ أَنفُسَكُمْ
…Pra, mos e ngarkoni (me mëkat) veten tuaj në ata (katër muaj) ” .
Shpërblimi i shumëfishuar do të duhej të stimulonte shpirtin që dora e mirësisë të shtrihej dhe sadakatë e lëmoshat të mos kenë të ndalur.
Por, nejse. Në këta muaj ky solidarizim është edhe i obliguar. Nëse në Fitër Bajram urdhëroheshim me dhënien e Sadakatu’l Fitrit, në Kurban Bajram, urdhërohemi me therjen e Kurbanit, traditë kjo që gërsheton shpirtin dhe pasurinë për të rezultuar me kontribut konkret. Kur them shpirtëroren, kam për qëllim motivimin e zbatimit të këtij riti nëpërmjet tregimit të Ibrahimit, alejhi’s selam, i cili për Allahun e Madhëruar deshi ta bëjë kurban djalin e tij, kështu që nëse ai ka qenë deri në atë gjendje, çfarë na bën neve të mos ndajmë një pjesë të caktuar nga pasuria për këtë rit. Mos harroni se kurbani nuk theret për Allahun e Madhëruar pse Ai, qoftë i pastër nga të metat, ka nevojë për mish a për gjak. Assesi. Ai theret për njerëzit por përkushtimi dhe dedikimi duhet të jenë për Allahun e Madhëruar. Thotë Allahu:
“لَنْ يَنَالَ اللَّهَ لُحُومُهَا وَلا دِمَاؤُهَا وَلَكِنْ يَنَالُهُ التَّقْوَى مِنْكُم
Tek All-llahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre, por te Ai arrin bindja juaj…” .
Aspekt tjetër që dëshmon këtë lidhje ndërmjet anëtarëve të shoqërisë muslimane është edhe ripërsëritja e urdhrit për ndalimin e kamatës dhe fajdes, veprime këto që shkatërrojnë harmoninë dhe stabilitetin shoqëror. Në Arafat, në Hutben Lamtumirëse, Pejgamberi, alejhi’s selam, përsëriti edhe një herë se “Fajdeja dhe kamata janë të ndaluara.”
C) Dëlirësia shpirtërore në muajt e shenjtë
Ajo që këtu synojmë është mundësia e madhe për realizim të një gjeje të tillë, prej të cilave unë do të përmendi vetëm dy:
 Në asnjë ditë më parë dhe as më pas, veprat nuk janë më të dashura tek Allahut se sa në dhjetë ditët e para të muajit Dhu’l Hixh-xhe .
 Agjërimi i Ditës së Arafatit shlyen mëkatet e dy vjetëve .
D) Mësime madhështore të Islamit
1. Islami universal. Në këta muaj vërehet edhe aspekti universal i Islamit, i cili nuk fillon me Muhammedin, alejhi’s selam por, në kuptim të përmbylljes legjislative dhe inspiruese, por jo edhe ekzistuese, mbaron me të. Të gjithë profetët që ishin para tij, duke filluar me njeriun e parë, Ademin, alejhi’s selam, ishin të kësaj feje .
2. Islami komplet. Kryhet riti i pestë i Islamit, Haxhi, i cili shënon, në vija të trasha, edhe plotësimin e Islamit .
3. Islami borxh dhe amanet. Si? Në këta muaj Allahu mori besën e pasardhësve të Ademit, alejhi’s selam se do ta adhurojnë vetëm Atë dhe nuk do t’i shoqërojnë askënd në adhurim .
4. Saktësimi i kohës. Pabesimtarët duke qene se kishin shkelur parimet fetare, kishin shkelur edhe atë qe dihej, tradicionalisht, si parim kohor dhe shenjtërinë e muajve duke ndërruar ecurinë e tyre hyjnore, atëherë islami erdhi dhe ne momentin me te duhur deklaroi rrjedhën normale te kohës dhe atë nëpërmjet gjuhës se Pejgamberit, alejhi’s selam:
“إن الزمان قد استدار كهيئته يوم خلق الله السماوات والأرض
Koha është kthyer ashtu siç ka qenë në formën, kur Allahu ka krijuar qiejt dhe tokën” .
Besimtarë të dashur!
(Kujdes mëkatet!)
Pak më herët përmendëm tek shpërblimi rregullin e dyfishimit apo shumëfishimit të shpërblimit dhe aluduam edhe tek dënimi. Ibni Ebi Talha rrëfen te ketë thënë Ibni Abbasi: “Allahu i veçoi katër muaj, shenjtërinë e të cilëve e bëri të madhe. Mëkatin në ta e bëri më të madh sikurse që edhe shpërblimin për veprën e mirë e bëri më të madh… Kjo për faktin se kur Allahu i Madhëruar veçon diç, atëherë këtë parim të shumëfishimit të shpërblimit dhe ndëshkimit, e vë në funksion .
Mëkatet prej të cilave njeriu do të duhej të largohej në këta muaj, si këshillë, do të ishin:
– Çdo forme të padrejtësisë, meqë edhe vet Allahu i Madhëruar e përmendi një gjë të tillë në kontekstin e muajve të shenjtë në Kur’an.
– Sharjen e kohës, e cila siç cekëm është kthyer në normalitetin e saj pikërisht nga Pejgamberi, alejhi’s selam, ndaj sharja e saj konsiderohet mëkat:
“لا تسبوا الدهر فإن الله هو الدهر يقلب ليله ونهاره
Mos e shani kohën ngase Allahu është kohë; e ndërron ditën dhe natën e saj (kohës)” .
Kjo sharje nuk nënkupton vetëm shprehjet banale por edhe ato që nënçmojnë kohën, si: e mallkuar qoftë ajo ditë, vit i fëlliqtë na qe ky, ditë e zezë, etj.
Vëllezër!
(Kujdes veprat e shpifura!)
Mirësia e këtyre kohëve me gjithë alternativat hallall (e ligjësuara) për shfrytëzimin e tyre, megjithatë nuk kalon, fatkeqësisht, pa u përcjellë edhe me risi. Nuk di përse nuk mjaftojnë me ato vepra që na u janë ligjësuar? Përse dikush është i prirë që në vend të së lejuarës të sjell forma e veprime të palejuara? Se çfarë pasoje shkakton kjo, më së miri do të na mësonte thënia e Ibni Abbasit: Nuk do të ketë vit që njerëzit nuk do të shpikin një risi dhe ta zhdukin (vdesin) një sunnet derisa të mbizotërojnë bidatet dhe të zhduken sunnetet” .
Le të mjaftojmë me atë që e kemi traditë (sunnet), do të na porosiste Ibni Me’sudi, e t’i largohemi asaj që është shpikur . Mos harroni se nuk do të arsyetoheni për veprimet e gabuara nëse keni patur mundësinë ta mësoni ta vërtetën. Allahu i Madhëruar urdhëron:
“فَٱسْأَلُواْ أَهْلَ ٱلذّكْرِ إِن كُنْتُم لاَ تَعْلَمُونَ
Ju pyetni pra dijetarët nëse ju nuk dini” .
Xhematlinjë të dashur!
(Pendim, po çka tjetër)
Pas këtij përshkrimi që i bëmë këtyre muajve dhe mirësive të tij, ani pse jo në mënyrë të detajuar, megjithatë mendojmë se shpirtit ia kemi ofruar një rast që jo vetëm të ringjallet, jo vetëm ta marrë veten por edhe ta riktheje krenarinë dhe vullnetin e Ramazanit për të qenë sa më afër Krijuesit fuqiplotë. Ndaj, ta presim dhe përjetojmë këtë stinë mirësish me moralin e muslimanit modest, muslimanit të përulur, i cili sa herë që priveligjohet prej Allahut të Madhëruar me një mirësi, krahas falënderimit shpreh edhe kërkimfalje të mëkateve. Mos harroni se jemi në kohën kur fuqia e nurit të mëshirës hyjnore zhduk çfarëdo mëkati që të ketë qenë. Jemi në kohën më madhështore, në ditët më të mira ndaj mos ngurroni, nxitoni në faljen e Zotit tuaj, shpejtoni kah e mira…Thotë Allahu i Madhëruar:
“يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا تُوبُوا إِلَى اللَّهِ تَوْبَةً نَّصُوحاً عَسَى رَبُّكُمْ أَن يُكَفِّرَ عَنكُمْ سَيِّئَاتِكُمْ وَيُدْخِلَكُمْ جَنَّاتٍ تَجْرِي مِن تَحْتِهَا الْأَنْهَارُ يَوْمَ لَا يُخْزِي اللَّهُ النَّبِيَّ وَالَّذِينَ آمَنُوا مَعَهُ نُورُهُمْ يَسْعَى بَيْنَ أَيْدِيهِمْ وَبِأَيْمَانِهِمْ يَقُولُونَ رَبَّنَا أَتْمِمْ لَنَا نُورَنَا وَاغْفِرْ لَنَا إِنَّكَ عَلَى كُلِّ شَيْءٍ قَدِيرٌ
O ju që keni besuar, pendohuni tek All-llahu me një pendim të sinqertë në mënyrë që Zoti juaj t’i largojë prej jush të këqijat, t’ju shpie në xhennete nën të cilët rrjedhin lumenj ditën kur All-llahu nuk e turpëron Pejgamberin, e së bashku me të as ata që kanë besuar. Drita e tyre ndriçon para tyre dhe në të djathtë të tyre, e ata thonë: “Zoti ynë, vazhdona dritën tonë, falna neve. Vërtet, Ti je i plotfuqishëm për çdo send” .
Dhe krejt për fund nuk na mbetet gjë tjetër vetëm se ta lusim Allahun, Krijuesin e qiejve dhe tokës, për sukses gjatë këtij panairi dhuntish hyjnore, nëse mund ta quaj kështu, me shpresën se do të jemi në mesin e atyre që do të respektojnë parimet e Tij, si kusht, për ta arritur kënaqësinë e Tij, si ideal. Allahu i Madhëruar thotë:
“وَمَنْ يُعَظِّمْ شَعَائِرَ اللَّهِ فَإِنَّهَا مِنْ تَقْوَى الْقُلُوبِ
…E kush madhëron dispozitat e All-llahut, ajo është shenjë e devotshmërisë së zemrave” .

Sedat ISLAMI
21.10.2009, e mërkurë
Vushtrri, Kosovë

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s