HUMANIZMI SI MESAZH I FESTËS SË KURBAN BAJRAMIT

HUMANIZMI SI MESAZH I FESTËS SË KURBAN BAJRAMIT
(Ligjëratë e mbajtur për festën e Kurban Bajramit në palestrën sportive në Vushtrri, 6.11.2011)
Kurban Bajrami është njëra ndër dy festat islame, të cilat paraqesin një rëndësi të veçantë, dhe këtë për shkak se që të dyja shënojnë datat më të rëndësishme të kësaj feje. Nëse për Fitër Bajramin lidhet fillimi i shpalljes islame, sepse siç dihet Kur’ani filloi të shpallet pikërisht në muajin e madhërishëm të Ramazanit, atëherë për Kurban Bajramin lidhet përmbyllja e suksesshme e kësaj feje. Në vitin e dhjetë sipas hixhrit, në Arafat, në Haxhin Lamtumirës, Allahu i Madhëruar shpalli përmbylljen e kësaj feje:
            
…Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fe…” (Kur’ani: el-Maide, 3.)
Kësisoj, rënia e kësaj feste në njërën prej ditëve më të mira të vitit dhe e lidhur për manifestimin më të madh, ngase për dallim nga fetë tjera që filluan mirë e mbaruan si të devijuara dhe shtrembëruara, Islami edhe mbaroi mirë, nuk guxon të merret e rastësishme. Sigurisht se ajo ka domethënie shumë më të rëndësishme se sa simbolika e therjes së një kurbani. Mesazhet dhe porositë që reflektojnë prej kësaj feste janë po aq madhështore sa është edhe kjo fe, ngase siç e dini, në Islam edhe festat janë të përcaktuara prej fesë, çka do të thotë se ato nuk janë të tipit të Halloween-it ku mentaliteti njerëzor degradohet aq shumë saqë –kinse- për tu argëtuar imitojnë djallin, sikur që nuk janë as të tipit të Shën Valentinit për të përkujtuar mëkatarët. Festat në Islam nuk kanë të përbashkët as me festat tjera që sipërfaqësisht joshin ndërsa në esencë pasqyrojnë një diskriminim ndaj të tjerëve. Thënë të drejtën, këto nuk do të duhej të ishin festa por ditë të shënimit të turpit, por nejse, derisa po festohen edhe festa të shtrigave, atëherë këto nuk do të duhej të na habisnin fare.
Kurban Bajrami në vete përmbledh urtësi dhe mësime të shumta dhe të ndryshme, që pothuajse nuk lënë aspekt shoqëror pa prekur, por ne, për shkak të natyrës së takimit tonë, gjithsesi se do të mundohemi, duke patur parasysh edhe rrethanat dhe aktualitetin tonë, të përzgjedhin një prej atyre mësimeve, jo me të rëndësishmin, por më të domosdoshmin. Kohëve të fundit, në Kosovë, vihen re tendenca për të minimizuar rolin e Islamit, jo vetëm si faktor në jetën e përditshme të kosovarëve por edhe në atë historik. Si rezultat, jo vetëm që shkelen të drejtat tona, por ndonjëherë edhe nga instancat më të larta shtetërore, në këtë rast presidenca, lansohen akuza që në shtetet demokratike, në rastin më të mirë do të përfundonin me shkarkimin “moral” të akuzuesit, por ç’të bësh, në Kosovë as demokraci nuk ka. Për të qenë më i drejtpërdrejtë, në një manifestim të organizuar nga Kisha Katolike, ndër pjesëmarrësit e paktë ishte edhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila ndër tjera në fjalimin e saj përmend për të mirë Kanunin e Lekë Dukagjinit se kinse ai paska ndaluar përhapjen e Sheriatit në Kosovë, që prenë dorën dhe rrah me kamxhik gruan.
Nuk dua të krijohet përshtypja se ligjërata ime është e motivuar politikisht, asnjëherë, por për shkak se kjo festë sjell para nesh njërin prej dokumenteve më të rëndësishme , jo vetëm të Islamit si fe, por edhe të drejtave të njeriut në përgjithësi, mendoj se ia vlen të bëjmë një ndalesë dhe të kemi në fokus këto shpifje për të parë me fakte dhe dëshmi se sa të pavërteta janë ato.
Në fakt, ligjëratën e sotme do ta përqendrojmë në aspektin human të Islamit, të cilin na e sjell kjo festë madhështore.
1. Besnikëria
Të flasësh për Kurban Bajramin e të mos zësh në gojë rrëfimin e Ibrahimit me të birin, Ismailin, alejhima-s-selam, pothuajse është e pamundur. Kjo, jo vetëm pse simbolika e kësaj feste lidhet me që të dy porse edhe për faktin se në rrëfimin e tyre ka mësime për tu marrë. Thotë Allahu:
                                                  
Ne e gëzuam atë me një djalë që do të jetë i butë (i sjellshëm). 102. Dhe kur arriti ai (djali) që së bashku me të (me Ibrahimin) të angazhohet në punë, ai (Ibrahimi) tha: “O djali im, unë kam parë (jam urdhëruar) në ëndërr të të pres ty. Shiko pra, çka mendon ti?” Ai tha: “O babai im, punoje atë që urdhërohesh, e ti do të më gjesh mua, nëse do All-llahu, prej të durueshmëve!” 103. E kur ata të dy iu dorëzuan urdhrit të Zotit dhe e përmbysi atë në fytyrë (në ballë). 104. Ne e thirrëm atë: “O Ibrahim!” 105. Ti tashmë e zbatove ëndrrën! Ne kështu i shpërblejmë të mirët!” (Kur’ani: es-Saffat, 101-105.)
Gatishmëria e Ibrahimit, alejhis selam për të therë të birin nuk paraqet mungesë të mëshirës ndaj tij, si do të mund të thuhej kjo kur në fillim të këtyre ajeteve Kur’ani nënvizon se ai ishte përgëzuar, dhe përgëzimi nënkupton vetëm gëzim dhe dashuri, ajo aludon në diç tjetër, në gatishmërinë për të kryer me besnikëri dhe sinqeritet atë që i është ngarkuar, ngase Ibrahimi pati parë në ëndërr, ishte urdhëruar në fakt, ta bënte një gjë të tillë.
Ky akt i Ibrahimit, alejhis selam duhet të merret model dhe shembull se në çfarë gjendje dhe në çfarë shkalle duhet të jemi të gatshëm të sakrifikojmë për të çuar në vend amanetet e marra sipër. Në radhë të parë, ky tregim do të duhej të prekte në ndërgjegjen e politikanëve tanë, ngase si pasojë e anashkalimit të mësimeve të mirëfillta, sot Kosova mban rekordin vetëm për dështime. Më konkretisht, Kosova, sipas raporteve për vitin 2010, llogaritet ndër vendet më të korruptuara në botë përderisa është kampion për këtë gjë në rajon .
Por, sigurisht, se ky tregim, në rast se lexohet, lexohet mbrapsht, ngase Presidentja jonë gjen vend për ta akuzuar Islamin se kinse njerëzve po ua preka duart ndërsa harron këtë krim në të cilin është zhytur politika kosovare. Leximi i Islamit si fe që pret duart i ngjan shikimit të gotës së mbushur gjysmë me ujë nga ata që kanë defekte mentale, që në vend se të thonë se gota është gjysma me ujë, ata thonë se ajo është gjysmë e zbrazur. Këtë e them ndërsa parasysh kam ajetin kur’anor:
        
O ju të zotët e mendjes, kjo masë e dënimit është jetë për ju, ashtu që të ruheni (nga mbytja e njëri-tjetrit).” (Kur’ani: El-Bekare, 179.)
Si mund të ketë ‘jetë’ në këtë masë dënimi? Si mund të mbytet njeriu, ose t’i pritet dora e kjo të interpretohet si jetë dhe siguri për shoqërinë? Kjo mund të kuptohet fare thjesht por me kusht që gjërat të lexohen drejt dhe mbarë. Nëse një njeri vret dhe nuk mbytet, ai mund të vret prapë; nëse një njeri vjedh dhe nuk i pritet dora, ai mund të vjedh prapë; nëse një njeri bie në prostitucion apo ushtron atë si biznes, siç është i njohur tek ne, dhe megjithëkëtë, ai vetëm burgoset, atëherë ai mund ta ushtrojë prapë atë, dhe këtë me rastin e parë që i jepet pas daljes në liri. Kjo mëshira e theksuar këtu nga politikanët tanë dhe homologët e tyre që urrejnë Islamin dhe parimet e tij, i ngjan në fakt atij pacientit që për t’iu ndalë dhimbjet i jepet një bar për humbjen e vetëdijes përkohësisht, e që pas kthjelljes sigurisht se do të ketë dhimbje ndoshta edhe më shumë. Islami nuk zvarrit punët, ai tenton ta shërojë plagën konkretisht. Pikërisht me këto arsyetime, në një shtet në Amerikë, para pak vitesh u ekzekutua një vrasës, ani pse pati shprehur keqardhjen e tij për ata që tashmë nuk ishin në jetë. Me gjithë konsideratën e autoriteteve për keqardhjen e tij, ai u ekzekutua ‘për ta ruajtur qetësinë, sigurinë dhe stabilitetin në vend.’
Ekzekutimi i normave islame nuk paraqet as edhe për një çast degradimin për qenien njerëzore, ndryshe Islami të tillëve nuk do tua kryente ceremonitë fetare përkatëse dhe nuk do të respektonte kufomat e tyre. Vendimin për ekzekutim e merr vetëm për të mos lejuar përsëritjen e së keqes. Për shkak të kësaj “mëshire”, sot në Kosovë numri i narkomanëve ehte afër 5000 por në rritje e sipër, numri i të trafikuara për prostitucion është në rritje, sikur që në rritje janë të gjitha dukuritë negative.
2. Dinjiteti njerëzor
Për të kuptuar më mirë teorinë islame, them se ia vlen të shkëpusim disa fragmane nga dokumenti më madhështor i të drejtave të njeriut, Hutbeja e Lamtumirës.
2.1. Modusi i përbashkët njerëzor
Kurban Bajrami, përveç tjerash, shpreh edhe atë tolerancën islame dhe të qenit e hapur për të gjithë. Në fjalimin e tij në Arafat, i Dërguari i Allahut, Muhammedi, alejhis selam, disa herë iu drejtua masës me: “O Njerëz! Dëgjoni çka do t’ju them…”, “O njerëz! Kini frikë Zotin dhe respektojeni Atë…”, dhe ata që kuptojnë sado pak nga stili fetar i të thirrurit, kuptojnë se kjo formë përfshin të gjithë njerëzit, besimtarët dhe jobesimtarët, muslimanët dhe të tjerët, sidomos nëse kemi parasysh faktin se në fund të kësaj ligjërate, Muhammedi, alejhis selam bën thirrje që të përcillen dhe transmetohen fjalët e tij tek të tjerët.
“O njerëz! I dëgjuat porositë e mia, futini në zemrat tuaja e në jetën tuaj. Të gjithë ata që i kanë dëgjuar këto fjalë të mia, le t’ua përcjellin atyre që nuk i kanë dëgjuar, sepse prej tyre mund të ketë më mbamendës se vetë dëgjuesit.”
Kjo dëshmon se Islami nuk luan rol përjashtues, përkundrazi, ai fton të gjithë që të bashkohen për një qëllim për të cilin i ka krijuar Allahu.
                                
Thuaju (o i dërguar): “O ithtarë të librit (Tevrat e Inxhil), ejani (të bashkohemi) te një fjalë që është e njëjtë (e drejtë) mes nesh dhe mes jush: Të mos adhurojmë, pos All-llahut, të mos ia bëjmë Atij asnjë send shok, të mos e konsiderojmë njëri – tjetrin zotër pos All-llahut”! E në qoftë se ata refuzojnë, ju thoni: “Dëshmoni pra, se ne jemi muslimanë (besuam një Zot)”! (Kur’ani: Ali Imran, 64.)
2.2. Pozita e njeriut
Se cili është qëndrimi i Islamit mbi njeriun dhe ç’vlerësim ka për të, më së miri mësojmë nga kjo festë. Se a fton Islami në mbytjen e njeriut apo në përkrahjen e tij për të zhvilluar jetën dinjitetshëm mësojmë nga porositë e Kurban Bajramit. Muhammedi, alejhis selam gjatë ligjërimit të tij, ndër tjera nënvizoi dhe këto fjalë: “O njerëz! Kini frikë Zotin dhe respektojeni Atë. Bëhuni të njerëzishëm dhe të drejtë ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve. Kjo është dita e flijimeve në emër të Allahut. Më të vërtetë gjaku dhe pasuria juaj janë të shenjta për ju, derisa të takoheni me Krijuesin tuaj, ashtu siç është e shenjtë kjo ditë në këtë muaj dhe në këtë vend. Ruajeni, respektoni dhe nderojeni vlerën e personalitetit dhe dinjitetit njerëzor. Njeriu është vepër madhështore e Allahut dhe mjere ai që e nënçmon nderin dhe dinjitetin e veprës së Allahut.”
E shihni, njeriun e ka krahasuar me shenjtërinë e Shtëpisë së Zotit dhe vendit me të dashur te Tij, Mekkes. Si jo, kur Allahu në Kur’an tërheq vërejtjen se:
            ••      ••  
…kush mbyt një njeri (pa të drejtë), pa pasë mbytur ai ndonjë tjetër dhe pa pasë bërë ai ndonjë shkatërrim në tokë, atëherë (krimi i tij) është si t’i kishte mbytur gjithë njerëzit. E kush e ngjall (bëhet shkak që të jetë ai gjallë) është si t’i kishte ngjallur (shpëtuar) të gjithë njerëzit…” (Kur’ani: el-Maide, 32.)
E për të na bindur edhe më shumë për kujdesin për njeriun, në Kurban Bajram hasim edhe në porosi tjera, si p.sh. ndalimi i gjakmarrjes dhe ndalimi i kamatës dhe fajdes. “O besimdrejtë! Ta dini, ta mbani mend dhe të jeni të bindur se përfundoi koha e mosdijes dhe traditave të këqija, që i sollën fatkeqësi të shumta gjinisë njerëzore. Unë jua kam treguar rrugën e shpëtimit, nëpër të cilën duhet të shkoni. Gjakmarrja është e ndaluar…Fajdeja dhe kamata janë të ndaluara. Huadhënësi nga huamarrësi duhet ta marrë vetëm atë që vërtet ia ka huazuar… Duhet t`ua falni kamatat borxhlinjve.”
Si pasojë e anashkalimit të mësimeve islame, sot jo rrallë dëgjojmë për probleme me kamatë dhe fajde që dinë të kenë edhe epilog tragjik.
2.3. Diskriminim apo respektim gjinor
Nder akuzat që i vishen Islamit është edhe shkelja e të drejtës së gruas. Mendojnë se Islamit i bën padrejtësi gruas pasi që e detyron atë të vë shaminë, të mos ekspozojë bukuritë e saja trupore dhe të mos qëndrojë bashkë me meshkuj. Për këtë shkak mbase janë duke na e ndaluar edhe bartjen e shamisë në shkolla. Për ne e rëndësishme është të kuptojmë se këto janë akuza dhe se Islami ka ngritur pozitën e gruas. Ja çfarë porosish jep Muhammedi, alejhis selam në Arafat: “Me përgjegjësi të thellë përmbushni detyrat dhe obligimet që ekzistojnë ndërmjet burrit dhe gruas…Ruajuni nga prostitucioni, tradhtia bashkëshortore dhe xhelozia. Prostitucioni dhe tradhtia bashkëshortore janë mëkate të rënda, ndërkaq xhelozia mund të shkaktoj prishjen e bashkëshortësisë. Martohuni me ato që i doni. E kur vullneti i Zotit t’ju bashkojë, atëherë respektojeni dhe duajeni njëri-tjetrin dhe jetoni në dashuri dhe harmoni të vërtetë.
O bashkëshortë! Silluni ndaj grave tuaja me shumë mirësi dhe dashuri…
…Ata që shpifin për gratë e ndershme, le të jenë të mallkuar në të dy botët. Ata që i akuzojnë gratë e ndershme për tradhti në martese ose për amoralitet, ndërkaq që nuk mund për këtë t’i sjellin katër dëshmitarë të besueshëm, dënoni me tetëdhjetë goditje, dhe asnjëherë në të ardhmen në asgjë mos u besoni, sepse ata janë njerëz të këqij. Nëse mendoni se ndaj grave tuaja më nuk e ndjeni dashurinë e dikurshme, mos nxitoni, por mendoni mirë. Ndoshta Allahu nëpërmjet këtij sprovimi ju udhëzon në rrugën e fatit të ri të madh, me të cilën dëshiron t’ju përgëzojë. Mos kërkoni shkurorëzim pa shkaqe të arsyeshme, meqë prej të gjitha gjërave që Allahu i ka lejuar, më së tepërmi e urren shkurorëzimin. Gratë tuaja u janë dorëzuar në besë të Zotit. Respektojeni, o besimdrejtë, atë amanet të Zotit.”
3. Solidariteti
Therja e Kurbanit nuk është qëllim në vete. Allahu shumë qartë ka definuar rolin dhe rëndësinë që ka ai:
                      
Tek All-llahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre, por te Ai arrin bindja juaj. Ai ashtu ua nënshtroi ato juve që ta madhëroni All-llahun për udhëzimet që ua bëri. Bamirësve merru myzhde.” (Kur’ani: el-Haxh, 37.)
Dhe siç duket këtë nuk e kanë kuptuar të tjerët. Holanda para pak muajsh ka ndaluar therjen e kafshëve për kurban, dhe këtë duke qarë me lot krokodili, derisa siç e dini, nën “vëzhgimin” e tyre janë vrarë mbi tetë mijë boshnjakë muslimanë. Therja e kurbanit nuk nënkupton assesi mungesën e mëshirës ndaj kafshëve, sidomos kur dihet se Muhammedi, alejhis selam pati lajmëruar për një mëkatar që për shkak të dhënies ujë një qeni të etur kishte fituar parajsën dhe për një grua që për shkak të torturave ndaj një maceje kishte shkuar në ferr. Kurbani, ashtu sikur Sadakatul fitri në Ramazan, paraqet vetëm një aspekt të unitetit islam dhe interesimit të muslimanëve për njeri tjetrin.
Megjithëkëtë, kurbani nuk është gjithçka. Ose, kurbani nuk mund të përfshijë tërë humanizmin. Mu për këtë, ne gjejmë të Dërguarin e Allahut tek porositë:
“إنكم لن تسعوا الناس بأموالكم وإنما يسعهم منكم بسط الوجه وحسن الخلق
Ju, vërtetë nuk do të mund të mbuloni njerëzit me pasuritë tuaja (jo të gjithë njerëzit mund të përfitojnë nga pasuria juaj), por ajo që mund t’i mbulojë dhe përfshijë që të gjitha është buzëqeshja dhe morali juaj i mirë.”
Pra, për të dëshmuar humanizmin islam, sot nuk duhet të mjaftojmë vetëm me shpërndarje mishi, por duhet të thyejmë egon dhe unin, duhet të tregojmë nivel të lartë devotshmërie për të vizituar madje edhe ata që nuk na vizitojnë, nuk na flasin, janë të hidhëruar me ne, etj. Përshëndetni këdo që takoni dhe mos harroni të gëzoni fëmijët, sidomos jetimët.
4. Respektimi i prindërve
Tjetër aspekt që dëshmon humanizmin islam nga kjo festë është edhe porosia për respektimin e prindërve. Allahu në tregimin e Ibrahimit me të birin, Ismailin, alejhima-s-selam, sjell një shembull dhe model të përkryer të respektit për prindër.
                           
Dhe kur arriti ai (djali) që së bashku me të (me Ibrahimin) të angazhohet në punë, ai (Ibrahimi) tha: “O djali im, unë kam parë (jam urdhëruar) në ëndërr të të pres ty. Shiko pra, çka mendon ti?” Ai tha: “O babai im, punoje atë që urdhërohesh, e ti do të më gjesh mua, nëse do All-llahu, prej të durueshmëve!” (Kur’ani: es-Saffat, 102.)
Sa shumë kemi nevojë për një moral të këtillë sot kur prindërit, sidomos ata të shtyrë në moshë po pësojnë më së keqi. Fëmijët, të edukuar në fryma dhe kultura të ndryshme, gjithsesi të zhveshura nga ajo hyjnore, nuk ndiejnë shumë dhimbje për prindërit e tyre.
Kjo edukatë brilante e Ismailit, alejhis selam duhet të jetë motiv për respekt edhe më të madh, për kujdes dhe dhembshuri edhe më të theksuar karshi prindërve.
Përfundim
Të nderuar vëllezër!
Prej mirësive të kësaj feste është edhe kjo se krahas këtyre mësimeve dhe porosive, sjell edhe rrugën dhe mënyrën e realizimit, kultivimit dhe kujdesit për to. Në fakt, Kurban Bajrami na adreson në vendin ku këto mësime bëhen realitet. Nëse keni parasysh atë që potencuam se në këtë festë nuk ka rastësi, atëherë edhe lidhja e saj për Haxhit – vizitës së Xhamisë së parë, Qabesë, nënkupton këtë. Allahu i Madhëruar ka thënë:
• •   ••      
Shtëpia (xhamia) e parë e ndërtuar për njerëz, është ajo në Bekë (Mekke), e dobishme, udhërrëfyese për mbarë njerëzimin.” (Kur’ani: Ali Imran, 96.)
Pra, referencë për përsosje morale ehte Xhamia, andaj le të jetë pjesë e jetës sonë ajo, le të jetë vendpastrim për shpirtin, të lidhemi më shumë për saj dhe të mishërohemi me mësimet dhe edukatës e saj.
O Zot i Madhëruar! Na begato me të mirat Tua në këtë dhe botën tjetër!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

Create a free website or blog at WordPress.com.

Up ↑

%d bloggers like this: