REBIUL EVVELI NË JETËN E MUHAMMEDIT, alejhi’s selam

Sedat ISLAMI

REBIUL EVVELI NË JETËN E MUHAMMEDIT, alejhi’s selam

Falënderimet i takojnë Allahut, Zotit të qiejve dhe tokës ndërsa përshëndetjet qofshin mbi zotëriun e njerëzimit, Muhammedi, familjen, shokët dhe mbarë pasuesit e tij gjer në amshim !
“Sa shumë nevojë ka bota për një njeri që mendon sikurse Muhammedi! Klerikët e shekujve të mesjetës, si rezultat i injorancës dhe fanatizmit të tyre, patën dhënë një imazh të shëmtuar të fesë së Muhammedit. Ata konsideronin se ai ishte armik i krishterimit, por unë, pas shfletimit rreth këtij burri, jam mahnitur dhe kam përfunduar se ai jo që nuk është armik i krishterimit, përkundrazi, ai është shpëtues i njerëzimit. Unë mendoj se sikur ky burrë sot të merrte në dorë çështjet e botës bashkëkohore, do t’i zgjidhte problemet duke siguruar paqe dhe lumturi, gjëra që aq shumë i ëndërron njerëzimi”.
Këto fjalë jo rastësisht janë caktuar të jenë fillim i kësaj ligjërate përkitazi me Muhammedin, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të. Arsyeja e tyre është shumë fisnike. Ato nuk janë fjalë të Kur’anit, nuk janë as lëvdata të muslimanëve; ato janë fjalë të një shkencëtari evropian por jo musliman, që sot, kur bashkëkontinentalistë të tij, nëse mund t’i quaj kështu disa evropianë të tjerë, të nxitur e stimuluar nga qëllime e moto banale, fyejnë dhe shajnë njeriun, që Bernard Shou, thanësi i fjalëve më lartë, e lëvdoi shumë. Edhe pse ka dekada që Bernardi ka vdekur, fati i librit të tij “djegie me urdhër të qeverisë” disi të bën të kuptosh se ky fenomen paska një zingjirë të gjatë.
Muaji Rebiul Evvel është i një rëndësie të veçantë për arsye se në historinë islame paraqet një trekëndësh ngjarjesh madhështore, jo vetëm për ne, muslimanët, por edhe për tërë njerëzimin, si në aspektin kohor po ashtu edhe në atë përmbajtjesor. Më konkretisht, në këtë muaj lindi, në këtë muaj arriti në Medine (përmbylli me sukses hixhretin) dhe në këtë muaj vdiq([1]) Muhammedi, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të([2]).
Këto tri ngjarje në vete ngërthejnë një arsenal të tërë ndryshimesh shoqërore, morale, edukative dhe arsimore por jo gjithnjë pozitive, dhe rrjedhimisht, shkaktojnë një trazim, përzierje dhe tundje ndjenjash. Them kështu ngase, nëse me lindjen e tij i është dhënë fund injorancës, besëtytnive, dhunës…, me vdekjen e tij këto janë rishfaqur prapë në skene, siç do të mësojmë në vijim.
Le të jetojmë ca çaste bashkë me lindjen e Muhammedit, alejhi’s selam dhe të shohim madhështinë e kësaj ngjarjeje nëpërmjet vrojtimit dhe studimit të ndodhive që u shënuan në atë kohë, qoftë pak para lindjes apo edhe pas lindjes së tij.
Muhammedi, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi te, lindi pas ndodhisë së Elefantit, e cila është simbolikë e luftës së Ebrehesë, mbretit të Jemenit për shkatërrimin e Qabesë, Shtëpisë së Allahut, luftë kjo që përfundoi me pësimin fatal të ushtrisë së Eberehesë. Ne këtë luftë, Allahu sikur paralajmëroi fillimin e rënies së perandorisë së politeizmit, shkatërrimin e kalasë së besëtytnisë, shembjen e murit të injorancës. Këtë proces madhështor, Allahu ia ngarkoi njeriut që sapo erdhi në dynja. Ai duhej të ndërtonte fortifikatën e monoteizmit në tokë dhe duhej të hapte shtigjet drejt diturisë dhe arsimimit. Thotë Allahu:
اقْرَأْ بِاسْمِ رَبِّكَ الَّذِي خَلَقَ (1) خَلَقَ الْإِنسَانَ مِنْ عَلَقٍ (2) اقْرَأْ وَرَبُّكَ الْأَكْرَمُ (3) الَّذِي عَلَّمَ بِالْقَلَمِ (4) عَلَّمَ الْإِنسَانَ مَا لَمْ يَعْلَمْ
Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë). Krijoi njeriun prej një gjaku të ngjizur (në mitrën e nënës). 3. Lexo! Se Zoti yt është më bujari! 4. Ai që e mësoi (njeriun) të shkruajë me pendë. 5. Ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte”. ([3])
Lindjen e Muhammedit, alejhi’s selam, e përcollën edhe ngjarje tjera me rëndësi, prej të cilave do të veçoja:
– Xhinët, që deri më parë kishin mundësinë të depërtonin deri në sferat më të thella të hapësirës dhe të dëgjonin lajmet e qiellit, me lindjen e Muhammedit, alejhi’s selam u privuan nga kjo mundësi, që, në një mënyrë a tjetër, vërteton faktin e pamohuar se feja që do të predikohet nga ky i porsalindur do të jetë e ruajtur përherë nga Allahu, fat jo edhe i shpalljeve të mëhershme. Allahu thotë:
“إِنَّا نَحْنُ نَزَّلْنَا الذِّكْرَ وَإِنَّا لَهُ لَحَافِظُونَ
Ne me madhërinë Tonë e shpallëm Kur’anin dhe Ne gjithsesi jemi mbrojtës të tij”. ([4])
– Fikja e zjarreve të Persisë reflekton zhdukjen e të kotës, pavërtetës, mashtrimit dhe mbizotërimin e së vërtetës. Allahu i tha Muhammedit, alejhi’s selam:
“وَقُلْ جَاء الْحَقُّ وَزَهَقَ الْبَاطِلُ إِنَّ الْبَاطِلَ كَانَ زَهُوقاً
Dhe thuaj: “Erdhi e vërteta e u zhduk e kota”. Vërtet, e kota gjithnjë ka qenë e zhdukur”. ([5])
– Ndriçimi i pallateve të vendeve përreth dhe të Basrasë padyshim se paralajmëron të vërtetën e pamposhtur të përhapjes së Islamit anekënd botës, siç është vërtetuar edhe nga thënie profetike autentike. Theubani transmeton se Pejgamberi, alejhi’s selam, ka thënë:
” إِنَّ اللَّهَ زَوَى لِي الْأَرْضَ فَرَأَيْتُ مَشَارِقَهَا وَمَغَارِبَهَا وَإِنَّ أُمَّتِي سَيَبْلُغُ مُلْكُهَا مَا زُوِيَ لِي مِنْهَا
Allahu ma bashkoi-afroi tokën kështu që pashë lindjen dhe perëndimin e saj (tërë tokën). Pushteti i ummetit tim do të arrijë në tërë atë që mu bashkua (afrua apo pashë)”. ([6])
– Lindja e Muhammedit, alejhi’s selam botën femërore e gjeti në mjerim. Femra, përveç që ishte e diskriminuar në shoqëri, ajo, jo rrallë, nuk gëzonte as të drejtën e jetës, madje qysh nga fëmijëria e hershme, e drejtë kjo që i shuhej në format më brutale: Varrosje duke qenë gjallë. Lindja e tij sikur barkës së botës femërore, që gati ishte të fundosej, ia shtriu litarin e ndihmës dhe e nxori në bregdetin e njerëzisë dhe lirisë së pacenuar. Më thjesht, në ditën e lindjes së Muhammedit, alejhi’s selam, u lirua nga robëria shërbëtorja e Ebu Lehebit, xhaxhait të Muhammedit, alejhi’s selam, e cila i kishte marrë myzhde zotëriut të saj për lindjen e nipit, Muhammedit, alejhi’s selam.
Dhe praktikisht, gëzimi i kësaj femre, e së bashku me të edhe i tërë botës femërore, nuk do kthehej në vaj dhe pikëllim kurrë siç ishte më parë ngase feja e kësaj foshnje të ndritur përcaktonte barazinë e gjinive, pra barazinë e meshkujve dhe femrave. Allahu ka thënë:
“فَاسْتَجَابَ لَهُمْ رَبُّهُمْ أَنِّي لاَ أُضِيعُ عَمَلَ عَامِلٍ مِّنكُم مِّن ذَكَرٍ أَوْ أُنثَى بَعْضُكُم مِّن بَعْضٍ فَالَّذِينَ هَاجَرُواْ وَأُخْرِجُواْ مِن دِيَارِهِمْ وَأُوذُواْ فِي سَبِيلِي وَقَاتَلُواْ وَقُتِلُواْ لأُكَفِّرَنَّ عَنْهُمْ سَيِّئَاتِهِمْ وَلأُدْخِلَنَّهُمْ جَنَّاتٍ تَجْرِي مِن تَحْتِهَا الأَنْهَارُ ثَوَاباً مِّن عِندِ اللّهِ وَاللّهُ عِندَهُ حُسْنُ الثَّوَابِ
Zoti i tyre iu përgjigj lutjes së tyre (e tha): Unë nuk ia humb mundin asnjërit prej jush, mashkull qoftë apo femër. Ju jeni njëri nga tjetri por ata që u dëbuan prej shtëpive të tyre dhe emigruan, u munduan vetëm pse ishin në rrugën Time, luftuan dhe u vranë, atyre patjetër do t’ua shlyej mëkatet e tyre dhe do t’i vejë në xhennete në të cilët burojnë lumenj. Ai është shpërblim nga ana e All-llahut, se më i miri i shpërblimeve është tek All-llahu”. ([7])
– Lindja e tij jetim pa baba e më pas mbetja edhe pa nënë, mbase në radhë të parë forcon identitetin moral të krejt atyre fëmijëve që patën këtë fat. Sot, fëmijët e dëshmorëve të luftës së UÇK-së për çlirimin e Kosovës nga okupatori serb, të lënë disi pas dore nga të tjerët, duhet të ndalen për pak kohë dhe të mësojnë se sikur që Allahu mori nën kujdes Muhammedin, alejhi’s selam, po kështu, edhe ata do të jenë nën kujdesin e Tij, i Madhëruar dhe Lartësuar qofte Ai! Thotë Allahu:
“أَلَمْ يَجِدْكَ يَتِيماً فَآوَى
A nuk të gjeti ty jetim, e Ai të bëri vend (të dha përkrahje)”. ([8])
– Një ngjarje tjetër, e cila ndodhi në rininë e hershme të Muhammedit, alejhi’s selam dhe që sot, atakon akuzat e rreme të shpifësve dhe dashakëqijve të tij, është edhe ndërtimi i Qabesë. Injoranca e arabëve shpesh ishte shkak konflikti. Se kush do ta vënte Gurin e Zi në Qabe pas riparimit të saj ishte bërë mollë sherri. Derisa djalli kishte ndezur zjarrin e armiqësisë dhe konfliktit i dilte tymi, uji i diturisë, butësisë dhe largpamësisë së Muhammedit, alejhi’s selam e fiku atë. “Merreni një pëlhurë, vendoseni gurin në të e pastaj të gjithë kapeni atë pelhurë. Kështu konsiderohet se secili prej jush e ka vënë gurin”- i mësoi Muhammedi, alejhi’s selam.
Kjo ndodhi para se ai të bëhej pejgamber. Andaj, nëse një gjë e tillë ka qenë agjendë e përhershme e tij, edhe pa qenë pejgamber, si mund t’i mohohet kjo mirësi dhe ky tipar pas kësaj periudhe kur ishte stolisur me urtësi kur’anore?!
Ndoshta Bernardi, i fascinuar nga kjo ngjarje, konstatoi sinqeritetin e tij dhe dyfytyrësinë dhe hipokrizinë e huliganëve dhe bastardëve që shpifin për të.
***
Ky muaj, siç thamë edhe më parë, është muaj reformash shpirtërore e shoqërore. Diagonalja b. (nr. 2) e këtij trekëndëshi quhet Hixhret (migrim nga Mekka në Medine). Se Hixhreti ka rëndësi të madhe dëshmojnë shumë fakte. Hixhreti nuk ishte vetëm lirim nga ngatërresat dhe trazirat, por ka pasur edhe domethënie përkrahjeje dhe bashkëpunimi në ven­dos­jen e the­meleve të një shoqërie të re në një vend të sigurt([9]). Karta e Medinës e lidhur nga muslimanët dhe pjesëtaret e feve tjera sigurisht se është dëshmi e gjallë e kësaj reforme. Krijohej një shtet me ligj e rend ku secili kishte të drejta por edhe detyrime.
Hixhreti, njihej si epoka e luftës zyrtare apo quaje shtetërore kundër së keqes dhe besimeve të gabuara, në njërën anë, dhe lirisë së pakufizuar në praktikumin e fesë, në anën tjetër. Nëse deri dje në Mekke nuk guxonin ta falnin namazin publikisht, tani kishin dy xhami; atë të Kubasë dhe atë të Medinës.
***
Ndryshimet nuk dinë të ndalur dhe këtu nuk synojmë t’i përfshijmë ato andaj kjo që thamë për këtë diagonale, mendojmë se mjafton, për të kaluar kështu tek diagonalja c. (nr. 3) e cila dallon nga dy të parat. Kjo sikur është tunduesja e ndjenjave. Gëzimin e lindjes e përzien me lotët e ndarjes fizike nga Muhammedi, alejhi’s selam. Pikërisht në këtë muaj para 1418 vitesh ndërroi jetë Muhammedi, alejhi’s selam.
Vërtet janë të pa përshkruara pasojat e vdekjes së tij, sidomos tani në kohën moderne, për çka janë bindur edhe ithtarët e feve tjera. Fjalët e Bernardit, respektivisht pjesa e fundit e tyre “Unë mendoj se sikur ky burrë sot të merrte në dorë çështjet e botës bashkëkohore, do t’i zgjidhte problemet duke siguruar paqe dhe lumturi, gjëra që aq shumë i ëndërron njerëzimi””- e dëshmojnë qartë këtë.
Megjithatë, një gjë të tillë e kishte paralajmëruar edhe vet Muhammedi, alejhi’s selam.
„إِذَا أَصَابَ أَحَدَكُمْ مُصِيبَةٌ فَلْيَذْكُرْ مُصَابَهُ بِى ، فَإِنَّهَا مِنْ أَعْظَمِ الْمَصَائِبِ
Kur dikë ta godet ndonjë fatkeqësi le ta përkujtojë fatkeqësinë që e ka goditur nga vdekja ime ngase ajo është fatkeqësia më e madhe“. ([10])
Pasojat janë të çdo natyre. Injoranca që dje u dogj, sot nga hiri krijoi flakë. Armiqësia që dje u shua sot u ndez prapë. Fantaiymi racor a fisnor që dje u shkul me rrënjë, sot ngreu kokën mbi dhe. Besimi i drejte, i themeluar nga Kur’ani dhe tradita e tij tani kishte rivalë të padenjë; fraksionet degjeneruese kishin vërshuar shtetin islam. Shteti Islam që dje dinte të çlironte dhe të hapte vende duke liruar njerëzit nga robëria e njerëzve, pas vdekjes së tij, alejhi’s selam, kishte filluar të marrë plagë, që më vone do t’i kushtonin me fatalitet.
Nëse femra dje u gëzua me lindjen e këtij burri të madh, këtij Pejgamberi të pashoq, sot kur në këtë muaj përveç lindjes përkujton edhe vdekjen e tij, sigurisht se do të ndihet keq. Një keqardhje të tillë duhet ta ndiejnë edhe femrat kosovare ngase atyre, siç shihet nga aktualiteti, kjo gjë u ka shkaktuar vuajtje më së shumti. Kur e them këtë kam parasysh statistikat e trafikimit të motrave dhe bijave tona shqiptare, që nga viti në vit rriten dhe alarmojnë rrezikun e fundosjes morale të shoqërisë sonë të re. Deri më tani listës së femrave të trafikuara i kanë prirë femrat e huaja ndërsa tani kryesojnë listën femrat kosovare. Statistikat për viktimat e trafikimit gjatë vitit 2007 tregojnë se nr. i viktimave të identifikuara është më së shumti nga Kosova. Më konkretisht, shifrat janë siç vijon: Moldavi = 3, Shqipëri = 9, Kosovë = 18, Ukrainë = 1, Maqedoni = 1, vende tjera = 1([11]).
Përmbyllje
Një muaj që përfshin këto tri periudha kaq të rëndësishme për historinë e një bashkësie besimtarësh, afër ose mbi dy miliardë njerëzish, meriton një qasje serioze dhe trajtim adekuat. Kalimi i tij pa përfituar nga këta thesare urtësish vërtet do të ishte disfatë mbi disfatë.
Sigurisht se një manifestim sikur ky jo që nuk i del haku personalitetit të Muhammedit, alejhi’s selam, këtij burri që na nxori nga injoranca në dritë, nga humnera e besëtytnive në parajsën e besimit, por as juve, të nderuar qytetare, me kaq nuk ua kryejmë borxhin që kemi ndaj jush. Me shpresë se viteve në vijim ky manifestim do të jetë më gjithëpërfshirë s, e ndoshta edhe në nivel shtetëror, pranoj me plot ndërgjegje detyrën për të folur më shumë për këtë burrë por, ju lutem, pranoni edhe ju detyrën që të mësoni më shumë për të!
Faleminderit për vëmendje dhe urime Ditëlindja e Muhammedit, alejhi’s selam, në njërën anë, dhe ngushëllime për vdekjen e tij, në anën tjetër!

17 mars 2008, e hënë
Vushtrri, Kosovë

——————————————————————————–

[1] Shih: Nektari i vulosur i Xhennetit, Safijurrahman el-Mubarekfuri, Prishtinë, 200,f.: 58, 199, 561.
[2] Po kështu, këto ngjarje deri diku janë përputhur edhe në ditën që lindi. Sipas asaj që shkroi S. Mubarekfuri, Muhammedi, alejhi’s selam lindi ditën e hënë, shpallja e Kur’anit filloi ditën e hënë, arriti në Kubba këtë ditë dhe vdiq këtë ditë. Shih: Nektari i vulosur i Xhennetit, f.: 56, 69, 192, 545.

[3] el-Alek, 1-5
[4] el-Hixhr, 9
[5] el-Isra, 81
[6] Muslimi
[7] Ali Imran, 195
[8] ed-Duha, 6
[9] Shih: Nektari i vulosur i Xhennetit, Safijurrahman el-Mubarekfuri, f.: 207.
[10] Transmeton Daremiu në Sunenin e tij dhe Ibni Sa’di. Shejh Albani, pasi që sjell dëshmi për këtë hadith, thotë se ai është autentik. Shih: Silsiletu’s sahihah, 1106.
[11] Këto të dhëna janë marrë nga një seminar me liderë religjiozë, muslimanë e të krishterë, përkitazi me ndalimin e trafikimit të qenieve të gjalla. Seminari “Partneriteti kundër trafikimit me qenie njerëzore – PATH” është organizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës, USAID, Qeveria e Kosovës, Karitasi francez, Kisha Katolike, CRS, dhe atë gjatë 26-27 shkurtit, 2008 në lokalet e vilës Pikniku në Prishtinë.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s