REFLEKSIONET E PËRSOSMËRISË NË RAMAZAN

http://kbi-vushtrri.com/Refleksionet_e_persosmerise_ne_Ramazan.pdf

Agjërimi nuk është vetëm largim nga ushqimi dhe pija. Ky është agjërim skllevërish. Agjërimi të cilin e synon feja është ai që ka një mision shumë human. Ndryshe, shpërblimi i Allahut për agjëruesit, që është pa kufi, dhe kërcënimi me humbje të shpërblimit tërësisht për ata që agjërimin e përkufizojnë vetëm në largim nga ushqim dhe pija, do të ishte i pakuptimtë. Ajo që mëton agjërimi është përsosmëria…kalimi nga materialja në shpirtërore…nga egoizmi në shpirtgjerësi…nga adhurimi i epshit në adhurim për Allahun…
1. Përsosmëri shpirtërore
Ramazani i ndihmon besimtarit që të jetë i sinqertë me veten e tij, që të njoh shkaqet e përmirësimit dhe dështimit (moral e shpirtëror), për të kaluar me to në shkallën e lartësimit dhe përsosmërisë. Ramazani i ofron ambient të vetmimit me veten (nefsin) dhe llogaritjen e saj për të zbuluar se cilat janë të metat në mënyrë që shërimi të jetë adekuat dhe shpirti të pastrohet e të shndrisë. Kështu, besimtarit i lehtësohet udhëheqja e vetvetes dhe drejtimi kah horizontet e lartësimit, përsosmërisë, mirësive. Në Ramazan hapen dyert e Xhennetit, mbyllen ato të Xhehennemit kurse djajtë lidhen në zinxhirë. Kjo nënkupton se motivet e së keqes dobësohen ngase djalli është ai që vazhdimisht ndez zjarrin e këtyre shkaqeve në mënyrë që njeriun ta fut në robëri të epsheve dhe shthurjes shtazarake. E kur në Ramazan të lidhet djalli, atëherë njeriu shpëton nga sherre (të liga) të shumta. Si pasojë e kësaj dobësie të motiveve të së keqes, forcohen motivet e së mirës dhe besimtari arrin të shtrijë pushtet edhe mbi nefsin që urdhëron për të keq. Këto motive të së mirës i bëjnë më të fuqishme edhe dhuntitë dhe mirësitë e Allahut të cilat i veçoi për Ramazan. Ndoshta këtu qëndron arsyeja pse Ibnu’l Kajjimi kur e definoi agjërimin tha: “Privimi i (burgosja e) nefsit nga epshet, ndarja e tij nga gjërat me të cilat është familjarizuar, modifikimi i forcës së tij epsharake, në mënyrë që të jetë gati për kërkimin e asaj ku është lumturia dhe mirësia e tij, si dhe të pranojë atë me të cilën pastrohet, gjë në të cilën e ka jetën e tij të amshueshme.”
Agjërimi përmban nefsin nga shkaqet e humbjes, dhe këtë nëpërmjet ngushtimit të kanaleve të ushqimit dhe pijes, të cilat në fakt janë kanale të depërtimit të djallit. Kur këto rrugë dhe kanale të mbyllen, atëherë djalli bëhet më i dobët se kurrë më parë. E nëse kësaj mirësie ia shtojmë edhe adhurimet dhe lutjet (namaz, dhikr, lexim kur’ani, istigfar) atëherë djalli humb fare, madje ik duke qarë dhe duke qenë i dëshpëruar. Një aspekt të tillë na e përshkruan Muhammedi, alejhi’s selam: “Kur njeriu ta lexojë ajetin e sexhdes në Kur’an dhe të bjerë në sexhde, djalli largohet duke qarë e duke thënë: Mjerë për mua! Njeriu u urdhërua të bjerë në sexhde, e ra, për çka ka Xhennetin, kurse unë u urdhërova të bie në sexhde por kundërshtova, kështu që kam zjarrin.” Muslimi.
2. Përsosmëria adhuruese
Përsosmëria e këtij muaji qëndron në alternativat e shumta adhuruese që ka, prej luleve, frutave dhe aromave të këndshme të të cilave besimtari asnjëherë nuk ndihet monoton. Ramazani është:
– Muaji i Kur’anit, siç thotë Allahu: “Muaji i Ramadanit që në te (filloi të) shpallet Kur’ani…” el-Bekare, 185.
Xhibrili, alejhi’s selam, vinte dhe ia mësonte Kur’anin Muhammedit, alejhi’s selam në Ramazan. Për këtë, preferohet dhe pëlqehet shumë që Kur’ani në këtë muaj të lexohet, të mësohet përmendësh, të meditohet, të studiohet dhe të dëgjohet.
– Muaji i agjërimit. Allahu thotë: “…E kush e përjeton prej jush këtë muaj le të agjërojë…” el-Bekare, 185.
– Muaji i namazit. Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë: “Kush falet në Ramazan me besim dhe llogari, atij i falen mëkatet e mëparshme.”Muslimi.
– Muaji i bujarisë dhe lëmoshave. Pejgamberi, alejhi’s selam ishte njeriu më bujar kurse këtë tipar e kishte më së shumti të shprehur në Ramazan kur e takonte Xhibrilin, i Cili ia mësonte Kur’anin. Pejgamberi, alejhi’s selam ishte më bujar me të mirën se sa era e dërguar.” Buhariu dhe Muslimi.
– Është muaj i Umres. Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë: “Një Umre në Ramazan vlen sa një Haxh.” Transmetim unanim. Kurse ne një version: “…sa një haxh me mua”.
– Është muaj i dhikrit dhe duasë. Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë: “Çdo besimtar çdo ditë dhe natë ka nga një lutje të pranuar.” Transmeton Bezzari ndërsa Albani e ka cilësuar autentik.
Çfarë monotonie mund ta kap besimtarin kur ai shëtit nga një në lulen tjetër, lule këto që kanë nektar dhe erë që edhe horizontit i kanë dhënë aromë të këndshme.
Ky aspekt i përsosmërisë nuk është përkufizuar vetëm në këtë kolorit adhurimesh; ai shquhet dhe me lehtësim. Agjërimi është nga lindja e diellit e deri në perëndim të tij, periudhe kjo që nuk është aq e gjatë saqë njeriu të mos mund ta përballojë atë, dhe as e shkurtër saqë të mos jap frytet e dëshiruara dhe kërkuara prej agjërimit.
Po kështu edhe namazi; rekatet u lanë të lira në mënyrë që besimtari të kënaqet aty ku e gjen veten. Po deshe Kur’an më shumë, atëherë më pak rekate, po deshe sexhde më shumë, atëherë më pak Kur’an. Mu për këtë ne shohim se ka njerëz që namazin e përfundojnë brenda një ore derisa të tjerë nuk e përfundojnë për dy e madje as për tri orë të tëra.
3. Përsosmëri morale
Agjërimi i Ramazanit ka rol dhe ndikim pozitiv në sjelljet dhe moralin e besimtarit. Agjërimi pastron moralin, dëlirë shpirtin, ngjall emocione (për të mirë), fton në butësi, falje dhe durim. Këtë aspekt të agjërimit, Pejgamberi, alejhi’s selam e aludoi në fjalën e tij: “E kur të jetë dita e agjërimit të ndonjërit prej jush, atëherë ai le të mos shkelë dispozitat dhe le të ruhet nga marrëdhëniet intime. Po e shau apo kacafyti ndokush, le t’i thotë: Unë jam agjërues! Unë jam agjërues!” Buhariu dhe Muslimi.
Pejgamberi, alejhi’s selam sqaroi se kjo sjellje nuk është alternative, përkundrazi, ai që neglizhon këtë aspekt, ai veç ia ka ekspozuar agjërimin rrezikut të mospranimit. Thotë Pejgamberi, alejhi’s selam: “Kush nuk braktis shpifjen dhe veprimin sipas saj, është sikur të mos ketë agjëruar fare,ngase Allahu nuk ka nevojë që agjëruesi ta braktisë ushqimin dhe pijen e tij.” Buhariu.
Mjerisht disa njerëz shkelin ndershmërinë e agjërimit kështu që tregojnë moral të ulët, natyrë të vështirë, raporte të këqija, vrazhdësi ndaj të mëdhenjve e të vegjëlve…Këta njerëz kanë neglizhuar qëllimin dhe moton e agjërimit dhe përveç distancimit nga ushqimi dhe pija tjetër nuk kanë kuptuar prej tij. Agjërimi – siç kanë nënvizuar ulemaja – është shkallë –shkallë, më e ulëta prej të cilave është: braktisja e ushqimit dhe pijes. Ekziston agjërim i zemrës, e cila braktis çdokënd përveç Allahut; agjërim i gjuhës nga fjalët e këqija (gënjeshtra, sharja, përgojimi, bartja e fjalëve, tallja, përqeshja, etj); agjërim i pjesëve të trupit nga rënia në harame…
4. Përsosmëri shoqërore
Përsosmëria e agjërimit në këtë fushë shihet nga kënde të ndryshme. Njeri nga të parët kur qe pyetur: Përse u obligua agjërimi?, pati thënë: që i pasuri të shijojë shijen e urisë e të mos e harrojë të varfrin. Shumë prej të parëve tanë – selefit – nuk bënin iftar vetëm. Ibni Omeri nuk bënte iftar veçse me të varfër, e nëse ndodhte që ndonjë lypës t’i vinte në shtëpi kurse nuk kishte mbetur gjë për t’i dhënë, atëherë ai agjëronte në mënyrë që dhimbjen e urisë ta shijonte edhe vet.
Tregime të kësaj natyre ka shumë dhe qëllimi i tyre është që besimtarit t’ia përkujtojnë njerëzit e uritur për ta shpjerë kështu në taborin e atyre që falënderojnë Allahun.
Disa mbase mund të perceptojnë këto botëkuptime të vërteta të Ramazanit, në fakt këta janë që Allahu ua ndriçoi mendjet e tyre, por ka të shumtë që neglizhojnë ato.
Shembull ideal për besimtarët mbetet figura e Pejgamberit, alejhi’s selam i cili ishte vërtetë bujar porse në këtë muaj bujaria e tij kalonte çdo rekord, saqë e krahasuan me erën e dërguar, e cila të shtyn e të ndërron nga gjendja në gjendje. Pejgamberi, nxiti për dhënien iftar e tha: “Kush i jep iftar një agjëruesi, ka edhe shpërblimin si të tij!” Transmeton Tirmidhiu ndërsa Albani e ka cilësuar autentik.
Kjo për arsye që muslimanët të ndiejnë mungesën e vëllezërve të tyre, t’i ushqejnë të uriturit dhe t’iu japin të varfërve.
5. Përsosmëri edukative
Agjërimi nuk iu obligohet të miturve, megjithatë, sahabet shfrytëzuan stinën e agjërimit për të edukuar fëmijët e tyre me botëkuptimet e durimit, fuqisë për të përballuar sfidat, dhe këtë qysh nga fëmijëria e tyre e hershme.
6. Përsosmëri ekonomike
Aspekti i përsosmërisë ekonomike në Ramazan është aspekt i dukshëm; Ramazani është muaj i agjërimit, me kuptim të braktisjes së ushqimit dhe pijes nga lindja deri në perëndim të diellit. Nëse njeriu zakonisht ka ngrënë tri racione ushqimi, në Ramazan i han dy, dhe kursimi i një racioni në tërë ummetin nënkupton kursim të milionave. Fatkeqësisht, ky aspekt i agjërimit është injoruar nga muslimanët. Jo që nuk janë bërë kursime, por shpenzimet janë shtuar më shumë se në çdo muaj tjetër sikur Ramazani është muaj i ushqimit. Madje është vërejtur në shumë raste se edhe pesha e besimtarëve është shtuar në Ramazan…
7. Përsosmëri shëndetësore
Nuk ka dyshim se agjërimi islam turpit i dhuron të mira të shumta. Mjekët dhe ekspertët e fushës së shëndetit janë pajtuar për një gjë të tillë. Agjërimi është një lloj diete e cila ka dhënë efekte në shërimin e shumë sëmundjeve, si: largimin e tepricave fiziologjike nga lukthi dhe zorrët; lehtëson sëmundjen kronike të zorrës së trashë, qetësimin e organit tretës dhe atij nervor, shërimin e sëmundjeve të zemrës, lukthit, tensionit të lartë, mbipeshës, etj. Po kështu i kontribuon shumë edhe shkatërrimit të qelizave të prishura, pastrimin e trupit nga toksina, etj.
8. Përsosmëri legjislative
Agjërimi ka dispozita përkatëse, të cilat dëshmojnë tolerancën e kësaj feje dhe universalizmin e saj për zgjidhje të çdo problemi që sjell koha. Agjërimi nuk i obligohet të miturit dhe as atij që për shkak të një pengese të përhershme, sëmundje apo moshe e shtyrë qoftë, nuk mund të agjëroj. Po kështu nga përgjegjësia e agjërimit lirohen edhe udhëtari, i sëmuri përkohësisht, gruaja me të përmuajshmet, lehonia, ajo që ka fëmijën për gjiri, etj. Kurse prej problemeve bashkëkohore të cilat i trajtoi Islami dhe ofroi zgjidhje adekuate, të cilat njëkohësisht vërtetojnë edhe fleksibilitetin e aspektit legjislativ islame, janë:
• Lejimi i përdorimit të aparatit për frymëmarrje kundër astmës,
• Lejimi i injeksioneve shëruese, me përjashtim të atyre që janë ushqyese,
• Vendosja e pilulave shëruese nën gjuhë për shërimin e Angjinës, me kusht që të mos kapërdihen,
• Futja e kateterit në kanalet e gjakut për të incizuar apo shëruar zemrën apo pjesë tjera të trupit.
Këto dhe të ngjashme janë problematika bashkëkohore, të cilave Islami iu ka gjetur zgjidhje, për të dëshmuar kështu tolerancën, aktualitetin dhe univerzalitetin e kësaj feje. Të vërtetën e ka thënë Allahu: “A thua mos po kërkojnë gjykimin e kohës së injorancës, po për një popull që bindshëm beson, a ka gjykim më i mirë se ai i All-llahut?” el-Maide, 50; “A nuk e di Ai që ka krijuar, kur dihet se Ai depërton në thellësi të sekreteve, i njeh hollësitë.”el-Mulk, 14.
9. Përsosmëri strategjike (politike)
Aspekti më i dukshëm i përsosmërisë politike është uniteti islam të cilin e përjetojnë më shumë se një miliardë e gjysmë besimtarë; ata agjërojnë bashkërisht një muaj hënor, agjërojnë dhe hanë bashkërisht me gjithë dallimin në gjuhë, ngjyrë, zakone, adete. Sado që ata të jenë të ndryshëm dhe të dallojnë, Ramazani garanton bashkimin e tyre në një tryezë…Ky është një ummet i vetëm me gjithë përpjekjet e deformimit dhe shtrembërimit të imazhit të vërtetë të tij…
10. Përsosmëri misionare
Muslimanët nëse arrijnë të kuptojnë thelbin dhe qëllimet e këtij muaji, atë mund ta shndërrojnë në një mjet jashtëzakonisht të rëndësishëm të Daues (thirrjes islame). Nëse ata jetësojnë në praktikë mesazhet e Ramazanit, atëherë ata botës do t’ia ofrojnë imazhin e vërtetë dhe të shndritshëm të Islamit, të cilin mjerisht me veprat e tyre disa injorantë nga radhët tona e kanë njollosur.
Ne jemi ummeti i vetëm që Allahun e adhurojmë mëngjes e mbrëmje këtë muaj, dhe kjo formë e adhurimit kolektiv, që tregon për unitet të paparë, do të duhej t’i përcillej botës nëpërmjet çdo mjeti informativ, e sidomos atyre satelitor.
Një punë të madhe në këtë drejtim është duke e bërë Televizioni Shtetëror Saudit, i cili emiton faljen e teravive drejtpërdrejt duke përkthyer ajetet kur’anore në gjuhën angleze, për t’ia mundësuar kështu botës mbarë përcjelljen e kësaj pikture besimi të rrallë, e cila lë gjurmë të thella në shpirtra…

Shkroi: Halid Ebu Salih
Përshtati: Sedat Islami
12/08/2010

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s