ME RASTIN E DITËLINDJES SË PEJGAMBERIT, ALEJHIS SELAM

ME RASTIN E DITËLINDJES SË PEJGAMBERIT, ALEJHIS SELAM

Vëllezër besimtarë!
Rëndësia e lindjes së Muhammedit, alejhis selam për njerëzimin mbarë
Rebiul Evveli është njëri ndër ata muajt që në vete ngërthen data shumë të rëndësishme për ummeti islam , por që padyshim lindja e Pejgamberit, alejhis selam mbetet absolutisht më e rëndësishmja prej tyre. Madje është bërë edhe ikonë e tij, dhe pothuajse, nuk identifikohet me diç tjetër vetëm se me të. Kështu e ka historia. Ajo, jo vetëm që përjetëson emrat që lanë lënë gjurmë në histori dhe bënë krenarë popujt e tyre, porse përjetëson edhe një pjesë të jetës së tyre që të jetë model për gjeneratat e ardhshme…Ndër këta emra dhe këto personalitete Muhammedi, alejhis selam definitivisht gëzon respektin dhe fatin më të madh, për faktin si ai nuk ishte një njeri i rëndomtë dhe se misioni i tij nuk ishte çfarëdo misioni; ai ishte i Dërguar i Zotit, madje ishte i fundit dhe vulë e të gjithë të Dërguarve të mëparshëm ndërsa misioni i tij ishte më madhështor se ço mision tjetër. Lindja e tij ishte shpresë ndërsa dërgimi i tij agim me të cilin Allahu zhduku të gjitha errësirat, udhëzoi pas humbjes, mësoi pas injorancës, drejtoi pas devijimit…
Arabët para lindjes së tij bënin jetë të shthurur; adhuronin putat dhe idhujt ndërsa mohonin Zotin e vërtetë, diskriminonin gruan ndërsa vajzat jo rrallë i varrosnin dhe duke qenë gjallë. Besonin në besëtytni. Njerëzit ishin të ndarë në shtresa ku i forti pamëshirshëm shtypte të dobëtin, i pasuri të varfërin, robëronin njerëzit dhe i shtinin ata në tregje. Kamata dhe fajdeja ishin të përhapura në mesin e tyre ndërsa morali i tyre ishte nën çdo nivel. Ditën e kalonin ndërmjet verës, muzikës dhe prostitucionit. Kalonin jetën ndërmjet injorancës dhe pabesimit, dehjes dhe dëfrimit…Kështu vazhdoi gjendja derisa erdhi Muhammedi, alejhis selam, shpëtimi i njerëzimit, njeriu të cilin Allahu e urdhëroi me kumtimin e fesë, e cila ka për t’i nxjerrë ata dhe gjithë të tjerët nga errësira në dritë, nga injoranca në dije, nga degjenerimi dhe edukim dhe moral. Allahu i Madhëruar thotë:
Ai është që arabëve të pashkolluar u dërgoi Pejgamberin nga mesi i tyre që t’ua lexojë ajetet e Tij, t’i pastrojë ata, t’ua mësojë librin dhe sheriatin, edhe pse më parë ata ishin në një humbje të dukshme.” (el-Xhumuah, 2)
Esenca dhe mësimet që reflektojnë nga kjo datë
Lindja e një burri kaq të madh mbi supet e të cilit do të rëndonte misioni më madhështor në të gjithë historinë e njerëzimit, që jo vetëm se është universal në kuptim të shtirjes horizontale dhe vertikale, por edhe përmbyllës dhe vulë e të gjitha misioneve dhe shpalljeve të mëhershme hyjnore, sigurisht se duhet të dal jashtë margjinave të një date a përkujtimi kureshtja për shënimin dhe përkujtimin e së cilës sa vjen e shuhet ndër vite. Shëmbëlltyra e Muhammedit, alejhis selam dhe mësimet që predikoi ai kanë një forcë që shpirtin e mbajnë në kontakt, dhe jo ditët, por castet dhe momentet janë përkujtime. A nuk janë besimtarët ata që brenda ditës përkujtojnë orë e çast Muhammedin, alejhis selam në lutjet dhe ndejat e tyre?! Më thoni, ka ndonjë burrë nga historia që përmendet dhe respektohet më shumë se Muhammedi, alejhis selam. Urve Ibn Mes’udi, një idhujtar mekkas i dërguar për të negociuar me Pejgamberin, alejhis selam ‘Marrëveshjen e Hudejbisë’ kishte parë një respekt, që me gjithë udhëtimet e shumta të tij dhe takimet me mbretër e liderë të ndryshëm, nuk kishte mundur ta haste. “…Kur fliste i Dërguari i Allahut, uleshin zërat, saqë nga turpi i madh që kishin ndaj tij nuk kishin guxim as ta shikonin në fytyrë.”- tha Urveja, për t’iu drejtua më vonë shokëve të vet se nuk ka parë mbret [edhe pse Muhammedi, alejhis selam nuk ka qenë mbret] që është respektuar më shumë nga ithtarët e vet se sa Muhammedi (alejhis selam) .
Mu për këtë, dijetarët urrejnë që kjo datë të veçohet si festë, ngase ne kemi vetëm dy festa, ndërsa me Muhammedin, alejhis selam respektin dhe nderin për të jetojmë çdo ditë. Të parët nuk festonin këtë datë, e madje s nuk e shënonin atë, për arsye se besonin që madhështia e këtij burri nuk është e llojit të heronjve dhe burrave që njerëzit i marrin për të mëdhenj, përkujtimet për të cilët me kalimin e kohës shuhen. Madhështia e Muhammedit, alejhis selam nuk është e këtij lloji, ajo është e përhershme dhe, rrjedhimisht, përherë duhet të jetë e vendosur në shpirt, duhet të jetë e mishëruar me të dhe e reflektuar në vepra. Këtë mund ta mësojmë edhe më mirë nëse bëjmë një ndalesë tek disa prej teksteve kur’anore dhe profetike. Allahu kushtëzon dashurin për Të me pasimin dhe zbatimin e urdhrave dhe këshillave të Muhammedit, alejhis selam.
Thuaj: “Nëse e doni All-llahun, atëherë ejani pas meje që All-llahu t’ju dojë, t’ju falë mëkatet tuaja, se All-llahu është që fal shumë, mëshiron shumë.” (Ali Imran, 31)
Të gjitha fjalët, këshillat, porosit, urdhëresat, ndalesat, duhet marrë prej Muhammedit, (el-Hashr, 7) ngase vetëm kështu jetësohet epiteti i të qenit musliman dinjitoz (en-Nur, 51-52) sikur që i shpëtohet një dënimi të dhimbshëm. Allahu i Madhëruar në kaptinën en-Nur, ajeti 63, thotë:
… prandaj, le të ruhen ata që kundërshtojnë rrugën e tij (të të dërguarit) se ata do t’i zë ndonjë telashe, ose do t’i godasë dënimi i hidhët.”
E sa e rëndësishme është kjo, mësojmë edhe nga hadithet e tij, të cilat përveç urdhrit për mbajtjes për traditës së tij, japin shpjegime shtesë se çdo veprim që nuk është në përputhje me mësimet dhe traditën e tij, apriori është i refuzuar. Buhariu (2697) dhe Muslimi (1718) transmetojnë se Pejgamberi, alejhis selam ka thënë: “Kush shpik diç që nuk është prej traditës sonë, ajo i refuzohet!”
Vëllezër besimtarë!
Nevoja për mësimet e Muhammedit, alejhi’s selam në kohën tonë
Rëndësinë e kësaj date mund ta masim edhe nga një këndvështrim tjetër, nga ai i nevojës tejet të madhe të jetësimit të praktikave të tij në jetën tonë bashkëkohore. Suksesi i tij në menaxhimin e problemeve shoqërore ka bërë që edhe të huajt t’ia keni lakmi. Ja përshtypjet e njërit prej perëndimorëve me famë, Bernard Shou-t, i cili për Muhammedin, alejhi’s selam ndan këtë mendim: “…Ne duhet ta quajmë shpëtues të njerëzisë. Njeriu sikur ai po ta merrte timonin mbi botën bashkëkohore, do të korrte sukses në zgjidhjen e të gjitha problemeve dhe në sigurimin e qetësisë dhe lumturisë, për të cilat njerëzia ka aq shumë nevojë.”
Majkëll Harti (Michael H. Hart) pikërisht për këto arsye e kishte vënë në krye të listës së personaliteteve më me ndikim në botë, derisa Bosworth Smith bën një përshkim tejet interesant. Duke folur për Muhammedin, alejhi’s selam thotë: “Ai ishte Qesari dhe Papa i mishëruar në një trup, mirëpo ai ishte Papë pa pretendimet e Papës, Qesar pa legjionet e Qesarit; pa armatë të rregullt, pa truprojë, pa pallat, pa të ardhura të caktuara. Po qe se dikush ka pasur të drejtë të thotë se ka sunduar me të Vërtetën hyjnore, atëherë ai ka qenë Muhammedi, pasi që kishte fuqi të pakufishme pa instrumentet e saj dhe pa u mbështetur në të.”
Nëse ky është admirimi i të huajve për Muhammedin, alejhi’s selam, atëherë cili duhet të jetë admirimi ynë për të?!
Nëse jomyslimanët e shohin si të domosdoshëm rikthimin e modelit të qeverisjes së tij, rikthimin e kodit etik dhe moral, atëherë si duhej ta shohim ne?!
Rebiul Evveli shënon edhe vdekjen e Muhammedit, alejhi’s selam
Ky muaj paraqet një përzierje ndjenjash për besimtarët. Është gëzim i madh për lindjen e tij, në njërën anë, dhe pikëllim për ndarjen e tij fizike prej nesh në anën tjetër. Mungesa e tij është vërejtur që nga ditët e para të vdekjes së tij ndërsa me kalimin e kohës ajo sa vjen e bëhet më e papërballueshme. Bernard Show-i ankohej se në të kaluarën ishin klerikët mesjetar ata që patën dhënë imazh të shëmtuar për Islamin në perëndim, ndërsa sot një mesazh të tillë mbase e japin edhe disa prej muslimanëve, të cilët me veprimet dhe sjelljet e tyre irritojnë njerëzit nga kjo fe. Suksesi i Muhammedit, alejhi’s selam, pas Allahut të Madhëruar, i detyrohej praktikës së tij, e cila ishte e ndërtuar mbi butësi, mëshirë, dashuri. Allahu i Madhëruar thotë:
Ti ishe i butë ndaj atyre, ngase All-llahu të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do shkapërderdheshin prej teje, andaj ti falju atyre dhe kërko ndjesë për ta, e konsultohu me ta në të gjitha çështjet, e kur të vendosësh, atëherë mbështetu në All-llahun, se All-llahu i do ata që mbështeten.” (Ali Imran, 159)
Përfundim
Besimtarë të nderuar!
Gëzimi ynë për Muhammedin, alejhi’s selam, lindjen dhe dërgimin e tij, nuk guxon të ngelë vetëm në një ditë; gëzimi dhe dashuria nëse nuk përkthehen edhe në vepra, në zbatim të porosive të tij, nuk kanë asnjë efekt. Nga këtu, siç transmeton Buhariu (6737), Pejgamberi, alejhi’s elam ka thënë: “Tërë ummeti im do të hyjnë në Xhennet përveç atyre që refuzojnë. Thanë: E kush refuzon o i dërguari i Allahut?! Tha: Kush më respekton mua hyn në Xhennet ndërsa kush më kundërshton mua ai ka refuzuar (hyrjen në Xhennet).”

——————————————-
Në këtë muaj ka lindur Pejgamberi, alejhis selam, në të dhe ka vdekur, në të ka bërë hixhretin në Medinë, në të i është dhënë besa Ebu bekrit si hafife, në të është dërguar ushtria nën komandën të riut Usames për luftimin e romakëve, në të ka vdekur Imami i Sunnetit, Imam Ahmedi, etj.
Për më shumë shih: Mubarekfuri, SafijuRrahman, Nektari i vulosur i Xhennetit, f. 406.
http://www.way-to-allah.com/alb/islam/aboutmuhammad.html

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s