Premtimet dhe përgëzimet nga ligjet e Allahut në gjithësi

Premtimet dhe përgëzimet nga ligjet e Allahut në gjithësi

Sedat ef.Islami

Të nderuar vëllezër besimtarë!

Hytbeja jonë e sotme do të trajtojë temën e filluar tash e sa javë, por nga një këndvështrim tjetër. Paralajmërimeve a përgëzimeve hyjnore për triumfin e së vërtetës dhe për kthimin e saj në skenën njerëzore, do t’u qasemi nëpërmjet analizimit të disa prej ligjeve të Allahut, aplikimi i të cilave ka për pasojë (rezultat) ngadhënjimin e së vërtetës.
Karakteristikë e këtyre ligjeve është se ato nuk ndërrojnë(Shih:El Ahzab, 62 dhe Fatir, 43) dhe se janë të aplikueshme deri në amshim. Madje, e rëndësishme shumë në raport me këto ligje,është se ato janë pjesë e fesë. Pra, njohja e tyre nënkupton njohje të një pjese apo aspekti të fesë(1)
Këto ligje inspirojnë për fundin e materializmit dhe civilizimit të tij, tashmë të qelbur. Se për çfarë bëhet fjalë më konkretisht, ju ftoj të më dhuroni vëmendjen dhe dëgjimin, ndërsa E lus Allahun të keni dobi nga fjalët që dëgjoni!

Ligji i Allahut për ndryshim

Të mirat dhe dhuntitë e Allahut janë të lidhura ngushtë me falënderimin dhe mirënjohjen për to. Njerëzit mund të vazhdojnë jetën me mirësi, nëse falënderojnë për to, por mund të sprovohen nëse janë përbuzës dhe i mohojnë ato. Me një fjalë, ndryshimi vjen në varësi nga ndryshimi, pozitiv a negativ qoftë. Allahu ka thënë: “…Allahu nuk e prish gjendjen e një populli (nuk ua largon të mirat) përderisa ata të ndryshojnë veten e tyre…” (Err-Rra’d, 11)
Reshid Rida ka dhënë një koment të shkëlqyeshëm dhe shumë domethënës. Në lidhje me këtë thotë: “Mirësitë e Allahut për njerëzit dhe popujt janë të kushtëzuara që të fillojnë dhe vazhdojnë (të ekzistojnë) me moral, tipare, bindje dhe gjëra që i përcaktojnë ato.
Evidentimi tek njerëzit dhe mishërimi i tyre me këto tipare, nënkupton se ato do të ekzistojnë dhe vazhdojnë tek ata. Por, po ndërruan (për të keq), atëherë ndërron edhe gjendja e tyre; Allahu tërheq mirësitë prej tyre, kështu që i pasuri bëhet
i varfër, i ndershmi i nënçmuar, i forti i dobët. Ky është ligj që vlen për popujt dhe individët”.
Perëndimi, me gjithë faktin që Allahu u dha shumë të mira, kanë zgjedhur rrugën e përbuzjes dhe mohimit. Sistemet e tyre shoqërore, politike dhe kulturore, janë tërësisht të zhveshura nga feja dhe përkushtimi për Zotin. Ata, në fakt, siç thotë Muhamed Esed në ‘Islami në udhëkryq’, nuk E mohojnë tërësisht Allahun, porse mendojnë se Ai nuk ka vend në ligjet dhe sistemet e tyre të tanishme. ‘Evropiani i ri, pavarësisht se a është demokrat apo fashist, kapitalist apo socialist, inxhinier apo mendimtar, njeh vetëm një fe pozitive, atë të adhurimit të zhvillimit
material’. – konstaton Esedi(2).
Shejhu Ebu-l-Hasen Nedeviu citon një profesor anglez, Xhodin, të ketë përkufizuar teorinë dominante të jetës në kohën moderne ‘në lukth dhe xhep’(3), pra vetëm në interes material. Kësisoj, vështruar nga ky prizëm, mirësitë që disponojnë jobesimtarët, janë vetëm sprovë dhe mashtrim. Allahu i Madhëruar thotë: “Kur e godet njeriun ndonjë e keqe, ai na lutet Neve, e kur nga ana Jonë ia shndërrojmë atë në ndonjë të mirë, ai thotë: “Kjo më është dhënë në bazë të dijes sime”! Jo, por ajo është një sprovë, po shumica e tyre nuk e dinë. Ashtu patën thënë edhe ata që ishin para tyre, por atyre nuk u bëri dobi ajo që kishin fituar”. (Ez-Zumer, 49-50)

Ligji për ata që I kthejnë shpinën Allahut të Madhëruar

Ligji islam është i vetmi që duhet pasuar dhe përvetësuar si program jete (Shih:El Bekare, 120 dhe El Fet’h, 27). Ndërsa ata që nuk bëjnë një gjë të tillë, pra, ia kthejnë shpinën këtij udhëzimi, janë njerëz që veten ia ekspozojnë një ligji tjetër të Allahut, të përshkruar në kaptinën Taha, 124: “E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në Ditën e Kiametit do ta ringjall të verbër”.
Këtë gjendje mund ta vërejmë shumë qartë në shoqëritë perëndimore, me theks të veçantë. Indiferenca ndaj moralit hyjnor dhe largimi nga udhëzimi i Zotit, ka pasur për pasojë shkatërrimin e brendshëm të tyre. Ata tashmë i ngjajnë një skeleti të veshur me rroba të fryra, sepse përndryshe, brenda janë të shkatërruar.
Në Britani, në vitin 1964, 1/3 e vajzave që martoheshin në moshën 20 vjeçe, paraprakisht ishin shtatzëna që përpara. Kini kujdes! Shifra i referohet vitit 1964, kurse sot, ajo është rritur shumë pa dyshim. T’i afrohemi pak më shumë kohës sonë. Në Kajro, në vitin 1994, u mbajt një konferencë, në të cilën u miratua dokumenti famëkeq për lejimin e abortit dhe u sqarua se, sipas statistikave të KB-ve, viktima të kësaj dukurie ishin hiç më pak se 53 milionë fëmijë, 21 milionë prej të cilave kryheshin fshehurazi.
Fëmijët kishin dhe vazhdojnë të kenë dhe një tjetër fatkeqësi, atë të kërcënimit nga dhunimi apo abuzimi seksual. Në Los-Anxheles ekziston madje një shoqatë, motoja e së cilës është: ‘Seks në të tetat, se bëhet vonë’!. Pra, këta u bëjnë thirrje fëmijëve që të bëjnë seks kur të jenë në moshën tetë vjeç. Këto bindje, për të mos ua hedhur fajin vetëm lapërdharëve, ju them se janë edhe të një numri mjekësh, psikologësh, letrarësh, të cilët janë anëtarë të shoqatës në fjalë.
Forma të degjenerimit, shthurjes dhe devijimit moral ka shumë. Homoseksualizmi, si një fenomen për shkak të të cilit Allahu shkatërroi edhe popuj të tërë, është, jo në përhapje, por në legalizim e sipër në shumë vende të botës.
E ç’është më e keqja, kurorëzimi i tyre bëhet në disa kisha. Madje janë vetë disa nga priftërinjtë që ushtrojnë këtë dukuri të shëmtuar, duke ia atribuuar atë edhe Isait,a.s.,. Një prift amerikan në vitin 1970 publikoi një libër me titullin ‘Jezusi si homoseksual’. Një lloj tjetër i shthurjes është lidhja seksuale ndërmjet prindërve dhe bijave të tyre. Revista el-Muxhtemea (24/210) citonte një psikolog britanik dhe thoshte se shumë vajza irlandeze, në rininë e hershme, kishin pasur marrëdhënie me prindërit e tyre, për se jo vetëm që nuk ishin penduar, ngase e vlerësonin si dashuri të prindërve ndaj tyre, porse mendonin se këto lidhje nuk duheshin klasifikuar si lidhje të shthurura… Çmenduritë nuk kanë fund.
Nëse do të donit të tërhiqnit paralele ndërmjet së kaluarës antike a mesjetës së errët dhe kohës moderne, ju lutem, merrni çfarëdo aspekti dhe do të gjeni se në këto kohë ka shembuj të tillë me bollëk. Është interesante se domethëniet e ajetit vërtet janë evidente në këto shoqëri. Të marrim vendet skandinave, standardi jetësor i të cilave është më i larti në botë, por, për çudi, përqindja e vetëvrasjeve në to është duke u rritur me një ritëm të shpejtë dhe alarmues. Kanë çdo gjë dhe nuk kanë asgjë. Mungesa e besimit dhe udhëzimit nënkupton që, edhe po pate tërë botën, je shumë i varfër.

Ligji i Allahut për të dhënit pas luksit

Thotë Allahu i Madhëruar: “Kur duam të shkatërrojmë ndonjë vend (popull), i urdhërojmë pasanikët (parinë) e atjeshëm (të jenë në rrugë), e ata kundërshtojnë; atëherë zbatohet dënimi i merituar kundër tyre dhe i shkatërrojmë krejtësisht”. (El Isra, 16)
Për njerëzit e dhënë vetëm pas kënaqësive dhe dëfrimeve, pas jetës së shthurur, është ligj që të sprovohen me varfëri dhe shkatërrim të vendbanimeve të tyre.
Allahu i Madhëruar thotë: “E, sa vendbanime që përbuzën jetën e vet, Ne i kemi shkatërruar, e ja, ato janë shtëpitë e tyre, që pas tyre, ato për pak kohë, janë banuar prej ndokujt dhe Ne ishim trashëgues të tyre”. (El Kasas, 58)
Dukuria e dhënies pas luksit dhe shpenzimit të tepërt, është në rritje në shoqërinë perëndimore. Jo rrallë lexojmë për ‘të bërat’ e tyre, se filan biznesmeni shpenzoi për këtë gjë kaq milionë, siç bëri një miliarder rus për festën e ndërrimit të motmoteve, që shpenzoi hiç më pak se 90 milionë dollarë(4), apo për shtëpi luksoze, siç u bë bujë rreth një apartamenti në Nju-Jork, që u shit për 88 milionë dollarë(5), apo edhe për pushime dhe dëfrim, siç bëri madje edhe një murgeshë, e cila në një kazino shpenzoi 850.000 dollarë6.
Kështu, këta janë të dhënë pas epsheve dhe shpenzojnë kuturu, ani pse statistikat tregojnë se madje edhe në vendet më të zhvilluara, siç është Amerika p.sh., një në pesë fëmijë është i varfër dhe është pa baba. Ose, për të mos u larguar fare nga Evropa, vetëm këtë dimër, për shkak të ftohtit të madh, vdiqën shumë të pastrehë në vende të zhvilluara, si Gjermania, Anglia dhe Franca. Ishin xhamitë, siç ndodhi në Belgjikë, që, pa dallim feje, u hapën dyert të pastrehëve për të kaluar natën e ftohtë.

Ligji i Allahut për despotët dhe tiranët

Ky ligj është i përshkruar në kaptinën El En’am (ajeti 135):“Thuaj: “O populli im (kurejshit)! Veproni në atë që jeni, e unë do të vazhdoj të veproj në atë që jam, e më vonë do ta dini se kujt do t’i takojë e ardhmja e lavdishme. Është e ditur se zullumqarët nuk gjejnë shpëtim”.
Padrejtësia më e madhe pa dyshim që është kufri, jobesimi, po kjo bëhet dhe më e madhe atëherë kur asaj i shtohet edhe zullumi. Sa herë që të jetë shfaqur kjo cilësi e urryer tek popuj, ata ishin shkatërruar. Ky është ligj i Zotit dhe ndryshe s’bën. Allahu ka thënë: “Ne kemi shkatërruar gjenerata para jush (o idhujtarë), sepse bënin krime dhe sepse nuk besonin, edhe pse të dërguarit u erdhën me argumente të qarta. Kështu i shpërblejmë Ne njerëzit kriminelë”. (Junus, 13)
Ajo që konsideroj se ia vlen të thuhet këtu, është në fakt, konstatimi i një perëndimori të cituar nga Mehdi Abudi në veprën e tij ‘Islami – ideologjia e së ardhmes’, se “…mbajtja e perëndimorëve për Krishterimi, nuk është sepse ata e besojnë, por sepse kanë një bindje që rënia e saj, nënkupton edhe rënien e sistemeve që kanë, siç është marksizmi…”.

Ndëshkimi i zullumqarëve nëpërmjet zullumqarëve

Ka thënë Allahu: “Po ashtu (sikur u dhamë xhinëve dhe njerëzve përjetim), Ne i bëjmë sundues disa mizorë mbi mizorët e tjerë, për shkak të asaj që fituan (vepruan)”. (El En’am, 129) Ka thënë Imam Kurtubiu në koment të këtij ajeti: “Ne bëjmë që disa tiranë të mbizotërojnë mbi të tjerët dhe ta shkatërrojnë njëri-tjetrin.
Ky është kërcënim prej Allahut për despotin e diktatorin, se, nëse nuk ndalen nga padrejtësia, atëherë kësisoj do të jetë fati i tyre”. Ali Emin, një gazetar i njohur arab, në librin ‘Ide në shitje’ (Efkarun li-l-bej’), duke folur për fatin e diktatorëve komunistë, citon një autor rus të ketë përmendur statistika të frikshme për komunistët me pozita të larta, që u vranë pas ardhjes së Stalinit në pushtet. Më konkretisht, Stalini:
– Kishte zhdukur të gjithë anëtarët e mbledhjes së parë të Partisë, të cilët në fakt u pajtuan njëzëri për kandidaturën e tij për president.
– Kishte zhdukur (varur) të gjithë ministrat e Leninit, për shkak se i kishte akuzuar për tradhti.
– Kishte zhdukur 80% të Sekretarëve të Sindikatës së Punës, të cilët përkrahën dhe “lumturuan” kandidaturën e tij.
– Vrau 15 nga 27 anëtarët e Komisionit, të cilët vendosën Kushtetutën e vitit 1936.
– Vrau 43 nga gjithsej 53 Sekretarët, të cilët mbikëqyrnin organizimin e Partisë Komuniste.
– Vrau 70 nga gjithsej 80 anëtarët, sa kishte Këshilli Sovjetik i Mbrojtjes.
– Vrau 9 nga 11 ministrat, prej sa përbëhej kabineti i tij në vitin 1936.
– Vrau dhe zhduku 60% të komandantëve të Ushtrisë së Kuqe si dhe 30.000 nëpunës të Qeverisë.
Kështu, sistemi komunist ‘hante’ veten duke hedhur madje njëherë e përgjithmonë edhe Bashkimin Sovjetik në koshin e plehrave të historisë.

Përfundim

Besimtarë të nderuar!
Rënien e kësaj kulture shterpe dhe të këtij qytetërimi steril e kishin paraparë edhe vetë perëndimorët. Shumë autorë e kishin trajtuar atë në vepra dhe punime të rëndësishme, disa prej të cilave qenë pritur si shenja ogurzeza në ambientet dhe rrethet e tyre. ‘Ditën kur Amerika do të pranojë të vërtetën’, është një libër i botuar në vitin 1991 nga Shtëpia botuese Plume Book, me autorët Xhejms Paterson dhe Piter Kim. Autorët në fjalë kanë trajtuar aspekte të ndryshme të shoqërisë amerikane, për të ardhur në përfundimin se e ardhmja e shoqërisë amerikane është në pikëpyetje të madhe, për shkak të degradimit moral, dhe se rënia e saj është e pashmangshme. Amerika, siç theksohet edhe në vepra të tjera, sikur është ajo e Gjeneralit të pensionuar, Hamilton Howze – ‘The Tragic Descent: America in 2020’ (Rënia tragjike: Amerika në 2020-tën), ku Gjenerali nuk ngurron të tregojë për problemet e shumta që ka Amerika dhe që nuk mund t’i përkufizojë e jo më t’i diskutojë – trajtojë. ‘Fajin për tërë këtë e ka zhveshja nga morali i lashtë i pastërtisë, nderit, butësisë, frenimit, etj.. Këto kanë humbur respektin dhe janë zëvendësuar me vlera të tjera ose kemi mbetur pa vlera fare…’ –thotë Xhejms Xh. Kilpatrick.

Të nderuar vëllezër besimtarë!
Kështu e kanë Ligjet e Allahut. Të gjithë ata që zgjedhin rrugën e mohimit dhe përbuzjes së mirësive të Allahut, do të ndëshkohen, kurse ata që hulumtojnë për udhëzime të tjera, kurrë nuk do të udhëzohen. Allahu ka thënë: (Shih:El Bekare, 211 dhe Ali Imran, 83) Këto ishin edhe fjalët e fundit për këtë hytbe.
Fjalë më të mirë se fjalët e Allahut nuk ka, prandaj E lus Allahun që të na bëjë të jetojmë me Librin e Tij. Të udhëzohemi me traditën të Dërguarit të Tij, Muhamedit, a.s., dhe të jemi prej falënderuesve dhe mirënjohësve!

(1) Allahu i Madhëruar ka thënë: “…Ne ty ta shpallëm librin sqarim për çdo send, udhëzim e mëshirë dhe myzhde për myslimanët.” (En-Nahl, 89) Alusi, [Allahu e mëshiroftë] në koment të këtij ajeti (Ruhu-l-Meani, 14/214) ka thënë: “Pjesa ‘sqarim për çdo send’ përfshin çdo gjë që lidhet me çështjet e fesë. Pra, sqarim të thukët për çdo gjë që lidhet me të, e që në këtë kontekst, normalisht, përfshin edhe gjendjet e popujve me të Dërguarit e tyre [alejhimus salatu ves selam].”
(2) Esed, Muhammed, El-Islamu fi muftereki-t-turuk, f. 41.(3) Nedevi, Ebu-l-Hasen, Ma dha hasere al-alem binhitati-l-muslimine, f. 157.
(4) http://www.revistashtypi.al(5) http://botasot.info(6)www.shqiperia.com

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s