SIKUR TA NDËRRONIM KËTË KOHËN E RAMAZANIT

Sedat ISLAMI

(Ligjëratë e mbajtur vite më parë)

Këtë pyetje nuk po e parashtroj unë por mua më është parashtruar mua disa herë. Edhe këtë vit, e më konkretisht natën e Ramazanit, njëri më pyeti: Hoxhefendi! A nuk do të kishte qenë mirë sikur ta shtynim Ramazanin për pak më vonë, mendoj dimrit, ngase atëherë të gjithë do të agjëronin. Kësaj radhe, Ramazani na ka ardhur ne një vapë të madhe…Kam frikë se nuk do ta agjërojnë shumë njerëz (duke e futur edhe veten e vet në mesin e tyre)…
E them të vërtetën se pyetja më shtangu shumë. Nuk mund ta hapja gojën dot nga habia. Edhe pse një profesor më pati këshilluar se “jo çdo pyetjeje duhet t’i japësh përgjigje”, megjithatë, përmblodha veten disi dhe aty për aty iu përgjigja me këtë, që e kam reduktuar në pikat vijuese, e para prej të cilave:
1. Por, ne nuk jemi pabesimtarë!
Si mendon ashtu Hoxho? As unë nuk jam pabesimtar. Edhe unë e besoj Zotin- më tha. Shume thjeshtë- iu përgjigja. A nuk të ka rënë të dëgjosh ajetin kur’anor përkitazi me agjërimin: “O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” (el-Bekare, 183)
Po, e çfarë dëshmon ky ajet?- më pyeti.
Hasan el-Basriu mendon se të gjithë popujve tjerë iu ishte obliguar agjërimi sikurse neve, 30 ditë, mendim ky i përkrahur edhe nga Sudijji. Komentatorët e shquar të Kuranit si Taberiu dhe Ibnul Arebiu transmetojnë se të krishterëve iu obligua agjërimi [më parë]. Po ashtu iu obligua atyre që të mos hanë pas gjumit [kur të zgjohen në mëngjes] dhe të mos kenë marrëdhënie me gratë gjatë muajit të agjërimit. Agjërimi atyre u vinte në kohëra [stinë] të ndryshme. Herë u vinte në ditë të nxehtë e të gjatë e herë u vinte në ditë të ftohtë e të shkurtër. Kjo sikur i rendoi ata andaj zgjodhën mendimin e tyre që ta caktojnë atë në një stinë mesatare. Kështu që vendosën ta bëjnë atë në vjeshtë, kur nuk është as nxehtë por as ftohtë dhe si arsyetim të krimit që kishin bërë, thanë: Do t’i shtojmë 20 ditë që ta shlyejmë mëkatin të cilin e bëmë. Kështu pra agjërimi i tyre arriti në 50 ditë. Kjo bëri që ata të ligjësojnë atë që Allahu i Madhëruar nuk e ka ligjësuar ndaj edhe u cilësuan si pabesimtarë. Thotë Allahu: “Në të vërtetë, një grup prej tyre janë ata që pështjellojnë gjuhët e tyre kur lexojnë librin (për ta deformuar kuptimin) ashtu që ju të mendoni se ajo (shprehje) është nga libri, po ajo nuk është nga libri (i vërtetë), madje thonë: “Kjo është nga All-llahu”! Po ajo nuk është nga All-llahu. Ata duke ditur thonë gënjeshtra për All-llahun.” (Ali Imran, 78)
Pra ata shtrembëruan parimin fetar origjinal dhe sollën versione sipas qejfeve dhe tekeve të tyre, për çka edhe u cilësuan si të pafe.
Aha! Këtë nuk e paskam ditur –më tha- dhe, më beso, unë nuk e pata këtë për qellim. Unë jam mysliman i devotshëm –shtoi ai.
Nejse, të vazhdojmë.
2. Arsyet nuk janë të justifikueshme
Qëllimi i parë dhe i fundit nga këto fjalë mbetet shmangia një adhurimi, as më shumë dhe as më pak. Tradicionalisht, nuk është parë që njerëzit e këtij karakteri të kenë dalë të sinqertë. Kur Allahu i Madhëruar e dërgoi Muhammedin, [alejhis salatu ves selam] për profet dhe e pajisi me mrekulli, më madhështorja e të cilave ishte Kur’ani, për çka njerëzit u binden se është hyjnor, megjithatë një pjesë e madhe nuk e pranuan atë. Ata dhanë arsye të kësaj natyre që na japin ata që nuk duan të agjërojnë. Ja çfarë na lajmëron Kur’ani për ta. Thotë Allahu i Madhëruar: “Edhe sikur të zbritnim ty një libër të shkruar në letër, e ta preknin atë me duart e tyre, ata që mohuan do të thoshin: “Kjo nuk është tjetër përveç një magji e qartë”. 8. E pastaj thanë: “Pse të mos i zbret atij (Muhammedit) një engjëll (të na thotë për Muhammedin se është i dërguar)”. E sikur të zbritnim Ne një engjëll, çështja do të merrte fund duke mos u dhënë atyre afat. 9. Sikur ta bënim Ne atë (të dërguarin) engjëll, atë do ta bënim (në formë) njeriu e do t’ua përzienim (ngatërronim) atyre atë që i përzien ata vetes së tyre. 10. Edhe të dërguarit e tjerë para teje janë përqeshur, e ata që u tallën pësuan (dënim) për shkak se talleshin.“ (el-En’amë, 7-10); “Edhe sikur Ne t’u hapnim atyre një derë në qiell dhe të ngjiteshin vazhdimisht lart në të (e t’i shihnin engjëjt e fshehtësitë). 15. Ata gjithqysh do të thonin: “Neve na janë ndalë sytë (të pamurit). Jo, ne jemi njerëz të magjepsur”.” (el-Hixhr, 14-15); “Edhe sikur ta shihnin që u bie nga qielli ndonjë copë, ata do të thoshin: “Është re e dendur!”.“ (et-Tur, 44)
Me një fjalë, po t’iu thuhet atyre që kërkojnë agjërim pas sezonit veror për shkak të vapës, ejani agjëroni në dimër, do të ankohen se dimrit është bënë ftoftë dhe se të zgjohemi në suhur (syfyr) në atë kohë është shumë vështirë. Apo ndoshta mu në kohën e agjërimit do të vjen koha e pushimeve dimërore, dhe, sikur tani që shkojnë në plazh pa fije turpi prej Allahut të Madhëruar, atëherë do te shkonin në male për skijim.
3. Jeta është shans që nuk kthehet më kurrë
Mosnjohja e kohës së përfundimit të saj, është urtësia, siç thonë dijetarët, e përgatitjes për vdekjen, kështu që, vetvetiu, lind pyetja: Nëse do të vdisje para dimrit ose para se të vjen Ramazani i ardhshëm, si do të dilje para Allahut të Madhëruar? Thotë Muhammedi, [alejhis salatu ves selam]: “Shfrytëzo pesë gjëra para pesë të tjerave: jetën para vdekjes, shëndetin para sëmurjes, kohën e lirë para zënies me punë, rininë para pleqërisë dhe pasurinë para varfërisë.”
Për Zotin, këtë hadith nuk do ta kuptosh kurrë pa e përjetuar personalisht. Nëse do t’ia dish vlerën pasurisë, pyeti ata që janë varfëruar. A nuk kemi raste të shumta kur janë penduar dhe ndiejnë keqardhje për atë që kanë shpenzuar?! ‘Sikur t’i kisha dhënë ato para për Allah, sot do ta kishim një xhami të bukur në qendër të qytetit!’- na thonë shpesh.
Nëse do t’ia dish vlerën shëndetit, shko tek një i sëmurë dhe me të hyrë tek ai, ndal dhe mendo në vete: Ky i sëmurë a ka mundësi ta fitoj këtë shpërblim të madh që është në Ramazan?, kështu që të bindesh për vlerën e shëndetit.
Nëse do te mësosh për vlerën e jetës, kalo pranë varrezave dhe përshëndeti. Ulu për pak çaste dhe bisedo me ta. Tregojua dertin tënd. Ua rrëfe vapën e madhe….Ankohu…Bërtit…Prit..prit mos të vjen ndonjë përgjigje, por…Thotë Allahu i Madhëruar: “Sa shumë brezni kemi shkatërruar para tyre. A po vëren ndonjë prej tyre, ose a po dëgjon zërin e ulët të tyre (nuk u ndihet zëri)?” (Merjem, 98)
Për Zotin, po patën mundësi të të përgjigjen, do të këshillonin që të agjërosh shumë ngase vapa e dynjasë nuk krahasohet me atë të ahiretit dhe se ata, sikur të ktheheshin në denja prapë, nuk do të linin çast pa shfrytëzuar në rrugën e Allahut të Madhëruar. Nëse tërë këto i ke të qarta, atëherë do ta marrësh si këshille shumë vëllazërore thënien e Muhammedit, [alejhis salatu ves selam]: “…dhe i nënçmuar është ai qe e arrin Ramazanin dhe del prej tij pa iu falur mëkatet…”
4. Si të dallohemi që jemi besimtarë?
Ky virtyt nuk do të dilte në shesh nëse njeriu nuk sprovohet. Të jemi të sinqertë, gjatë dimrit agjërojnë edhe fëmijët, agjërojnë edhe punëtorët, agjërojnë të gjithë ata që duan ngase përveç që nuk ka vapë, edhe koha e agjërimit është shumë e shkurtër. Këtë parim Allahu e ka potencuar disa herë në Kur’an. Përgjithësisht, thotë Allahu i Madhëruar: “Ne i sprovuam ata që ishin para tyre, ashtu që All-llahu gjithqysh do t’i dallojë ata që e thanë të vërtetën e do t’i dallojë edhe gënjeshtarët.“ (el-Ankebut, 3); “…Ne, këto ditë i ndërrojmë (u japim në përdorim) mes njerëzve për t’u ditur tek All-llahu ata që besuan dhe për t’i zgjedhur disa prej jush për dëshmorë (ose dëshmues). All-llahu nuk i do zullumqarët.“ (Ali Imran, 140)
Ja një shembull nga lufta. Beteja e Bedrit ishte vërtetë domethënëse. Ngadhënjimi i besimtarëve, me ndihmën e Allahut të Madhëruar, qe vërtet një motivim i madh për të vazhduar në rrugën e Tij me krenari dhe vullnet. Por sprovimi në Betejën e Uhudit, ku muslimanët humbën betejën, qe një arenë, jo vetëm luftimi, por edhe arenë e peshimit të besimit. Dolën në shesh ata që besimin e kishin formalisht. Thotë Allahu i Madhëruar: “Ajo që ju goditi juve ditën e ballafaqimit të dy grupeve (besimtarë dhe idhujtarë), ishte me lejen e All-llahut, për t’u dalluar besimtarët e sinqertë. 167. Dhe, për t’u ditur ata që ishin hipokritë. E atyre u është thënë: “Ejani e luftoni në rrugën e All-llahut ose mbroni veten!” E ata thanë: “Sikur të dinim se do të luftohej, ne do të vinim pas jush!” Në atë moment ata ishin më afër mosbesimit se besimit. Flisnin me gojët e tyre atë që nuk e kishin në zemrat e tyre, po All-llahu e di mirë për atë që fshehin.” (Ali Imran, 166-167)
Siç ndodhi fitorja në Bedër me caktimin e Allahut të Madhëruar, edhe këtu humbja e betejës ndodhi me caktimin e Tij me një urtësi që të dilnin në shesh besimtarët, që nuk u thyen aspak, dhe hipokritët, të cilët kur e panë luftën, u kthyen mbrapsht me pretekst se nuk po shohin luftë dhe se nuk dinë për çka ta rrezikojnë jetën.
Kësisoj, përfillja ose jo e agjërimit, që është një obligim i detyrueshëm, qet në shesh besimtarin respektivisht hipokritin.
Nëse ke frikë se agjërimi të dëmton, dije se atë që ta ka shkruar Allahu i Madhëruar, do të ndodhë gjithsesi. Ndoshta ushqimi bëhet shkaktar e ti sëmuresh dhe mbetesh i paralizuar. Kur do ta dëshmosh veten se je adhurues i sinqertë? Namaz nuk fal, nuk agjëron, në Haxh nuk shkon…çfarë do të bësh që të jesh mysliman?
5. Islami fe e lehtësisë
Prej ajeteve të agjërimit është edhe ky: “(Ato ditë të numëruara janë) Muaji i Ramadanit që në të (filloi të) shpallet Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton prej jush këtë muaj le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme. All-llahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju. (Të agjëroni ditët e lëshuara më vonë) Që të plotësoni numrin, ta madhëroni All-llahun për atë se u udhëzoi dhe që të falënderoni.” (el-Bekare, 185)
Allahu i Madhëruar me këtë adhurim dëshiron lehtësimin për ne dhe assesi vështirësi. Nëse je i sëmurë dhe ke arsye të justifikueshme, lirohesh nga agjërimi; nëse je plak i moshuar dhe të vjen rëndë agjërimi, lirohesh; nëse je në marrëdhënie pune, flas për punë shumë të rënda dhe assesi nuk mund të lirohesh gjatë kohës së Ramazanit ndërsa në rrethana të tilla agjërimin e ke të pamundur, atëherë, sipas asaj që ka shënuar Sejjid Sabik , ti lirohesh nga agjërimi me kusht që të agjërosh më vonë gjithsesi ditë për ditë.
Por, ke kujdes e mos keqpërdor këtë dispozite nëse puna jote nuk i përgjigjet asaj. Pejgamberi, [alejhis salatu ves selam] ka thënë: “Veprat shpërblehen sipas qëllimit…” (Buhariu)
Nëse e di se nuk bënë pjesë në këtë kategori, atëherë t’ia kesh frikën Allahut të Madhëruar dhe mos e lejo atë që është e ndaluar, ndryshe, edhe nëse agjëron tërë jetën, nuk mund ta kompensosh atë.
6. Përkujto edhe një herë mirësitë e Ramazanit!
E di se ke dëgjuar shume hadithe por ndalu me mua dhe përkujto vetëm një prej tyre. Thotë Pejgamberi, [alejhis salatu ves selam]: “Në Natën e parë të Muajit te Ramazanit, prangosen djajtë dhe xhinët e tërbuar, mbyllen dyert e Xhehenemit dhe nuk hapet asnjë, hapen dyert e Xhennetit dhe nuk mbyllet asnjë, kurse një thirrës thërret: O kërkuesi i hajrit, eja! O kërkuesi i të keqes, pakëso të këqijat! Allahu i Madhëruar për çdo natë liron njerëz nga zjarri”
Ja çfarë mirësish mund të të ikin, ndoshta pa mundësi rikthimi më kurrë, andaj, vendos se a do të agjërosh apo jo, pavarësisht vapës dhe të nxehtit!

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s