PËRGATITJA PËR RAMAZAN!

(Hutbe)
Falënderimi i takon All-llahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga All-llahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon All-llahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s’ka hyjni tjetër përveç All-llahut , i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij.
“O ju që keni besuar, keni frikë All-llahun me një frikë të denjë dhe mos vdisni, pos duke qenë muslimanë!” (Ali Imran: 102)
“O ju njerëz! Keni frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje dhe nga ajo krijoi palën e saj, e prej atyre dyve u shtuan shumë burra e gra. Dhe keni frikë All-llahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin, se All-llahu është Mbikqyrës mbi ju.” (En-Nisa:1)
“O ju besimtarë, keni frikë All-llahun dhe thuani fjalë të drejta. Ai (All-llahu) ju mundëson të bëni vepra të mira, jua shlyen mëkatet e juaja,e kush respekton All-llahun dhe të Dërguarin e Tij, ka shpëtuar me një shpëtim të madh.” (El-Ahzab:70:71)
Vëllezër besimtarë!
Mëshira dhe urtësia e Allahut kanë caktuar që disa kohë të veçohen me shumëfishim të shpërblimeve për veprat e mira për t’ia mundësuar besimtarit furnizimin me më shumë të mira, me më shumë përgatitje për udhëtimin e pashmangshëm të quajtur “Vdekje!” dhe për t’ia përkujtuar mirësitë e Allahut ndaj tij. Prej këtyre kohëve më e çmuara është koha apo stina e Ramazanit, muaj në të cilin obligohet një rit shumë i madh-agjërimi, muaj, në të cilin ka filluar zbritja e librit të fundit hyjnor-Kur’anit:
“شَهْرُ رَمَضَانَ الَّذِيَ أُنزِلَ فِيهِ الْقُرْآنُ هُدًى لِّلنَّاسِ وَبَيِّنَاتٍ مِّنَ الْهُدَى وَالْفُرْقَانِ
Muaji i Ramadanit që në te (filloi të) shpallet Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra…”. (el-Bekare, 185)
Besimtari patjetër duhet t’iu kushtoje vëmendje te posaçme këtyre kohëve, duke ndier në shpirt madhështinë e tyre dhe në praktike gjallërinë për shumëfishim të veprave. Mendoni, Ramazani me dite e net është i bekuar; veprat shpërblehen shumëfish në të, në të është Nata e Kadrit më e mirë se 1000 muaj.
Në këtë muaj kemi mirësi dhe begati të mëdha: Hapen dyert e Xhennetit, mbyllen dyert e Xhehennemit, Allahu liron njerëz besimtarë nga zjarri i Xhehennemit çdo nate, duaja e agjëruesit nuk refuzohet, agjërimi dhe falja me besim dhe sinqeritet gjate Ramazanit shlyejnë mëkatet e mëparshme, Nata e Kadrit shlyen mëkatet e mëparshme dhe te mëvonshme, Shpërblimi për agjërim është i pakufishëm, agjërimi është mburoje nga zjarri, etj.
Muslimanë të nderuar!
Si e prisnin të parët Ramazanin?
Muhammedi, alejhi’s selam çdoherë na e paraprinte në vepra të mira. E pamundur ka qenë që ai të urdhërojë diç e vet ta ketë bërë të kundërtën. Mu për këtë, Allahu në Kur’an e përshkroi e tha:
” لَقَدْ كَانَ لَكُمْ فِي رَسُولِ اللَّهِ أُسْوَةٌ حَسَنَةٌ لِّمَن كَانَ يَرْجُو اللَّهَ وَالْيَوْمَ الْآخِرَ وَذَكَرَ اللَّهَ كَثِيراً
Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e All-llahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e All-llahut në botën jetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh All-llahun”. (el-Ahzab, 21)
Gjate këtij muaji zakonisht Muhammedi, alejhi’s selam falej vetëm si mëshirë për ummetin e tij ngase ai e zgjaste namazin aq sa të paktë prej nesh do ta përballonin atë. Hudhejfeja përcjell se: “Një natë në Ramazan u fala me Pejgamberin, alejhi’s selam ndërsa ai lexoi kaptinën el-Bekare, atë en-Nisa dhe Ali Imran… ”. (Ahmedi)
Ku jemi ne në raport me të parët tanë?! Ali b. Abdil-lah b. Abbasi çdo dite bënte 1000 sexhde kështu qe quhej “Sexh-xhad” (ai që bënë shumë sexhde).
Ebu Is’hak es-Sibai thotë: Namazi im ka përfunduar. Tani jam dobësuar dhe nuk mund të fal më shumë se sa leximin e kaptinës el-Bekare dhe Ali Imran. Paramendoni ky njeri është plakur dhe është mërzitur se si tani në namazin e tij nuk mund të këndon më shume se sa dy kaptina: el-Bekare dhe Ali Imran…Nëse kjo që përmendëm ishte gjendja e tyre jashtë Muajit të Ramazanit atëherë çfarë mendon se ka qenë gjendja e tyre në Ramazan. Ata në Ramazan faleshin aq gjatë saqë detyroheshin të mbaheshin për shkopinjve. Nëse dikush e lexonte kaptinën el-Bekare në tetë rekate mendonin se ka lexuar pak. Sikur ta dija se çfarë do te thoshin për ne që 20 rekate i përfundojmë me një apo dy faqe të kësaj kaptine?!
Xhematlinjë të nderuar!
Allahu ligjësimin e agjërimit e shoqëroi me disa urtësi dhe sekrete, prej të cilave do të përmendnim:
Realizimin e adhurimit të vërtetë për Allahun, ngase njeriu e braktis ushqimin dhe pijen për hire të Allahut dhe atë vetëm pse Allahu e urdhëroi me këtë gjë. Ky është fakt për besimin e tij. Allahu thotë në një hadith kudsijj: “Ai, për hire Timin, e braktisi ushqimin dhe pijen”.
Realizimin e devotshmërisë duke kryer çdo gjë që sjell kënaqësinë e Allahut dhe duke iu shmangur çdo gjëje që sjell hidhërimin e Allahut. Kjo për arsye se agjërimi formal nuk është i kërkuar, siç thotë Muhammedi, alejhi’s selam: “Kush nuk braktis gjatë agjërimit edhe fjalët e këqija (gënjeshtrën) dhe veprimin sipas asaj, (ai nuk ka arritur nga agjërimi i tij asgjë) ngase Allahu nuk ka nevoje qe ndonjëri prej jush ta braktise ushqimin dhe pijen e tij”. (Buhariu)
Agjërimi të ushtron për përmbajtjen nga mllefi dhe situatat e pakontrolluara. Në hadith qëndron: “Nëse e shan apo fyen dikush le t’i thotë: Unë jam agjërues!”.
Agjërimi na përkujton te varfrit dhe skamnorët, të cilët nuk kanë ushqim që ta shuajnë urine e tyre. Omer b. Abdu’l Azizi prej kur u bë halife kurrë nuk ngopej. E pyetën për këtë ndërsa ai tha: Nuk ngopem ngase i harroj të varfrit. Përse të mos bëhemi te tille kur Pejgamberi jonë, siç transmeton Buhariu, ishte njeriu më bujar porse bujaria e tij në Ramazan ishte më e madhe se sa në muajt tjerë.
Muslimanë të bekuar!
Derisa jemi në prag të Ramazanit përse të mos ndalemi dhe të llogarisim veten tonë për Ramazanin e kaluar: Sa u kujdesem për agjërim? Sa u falëm? Sa lexuam Kur’an? Sa dëfreheshim me namaz të gjatë? Sa e përkujtonim Allahun? Sa i mbanim lidhjet me familjaret dhe farefisin? Ne çdoherë trumbetonim: Do ta shfrytëzojmë shansin e Ramazanit dhe ja tani Ramazani po na vjen por çfarë do të bëjmë? A do te jemi prej atyre dembelëve dhe përtacëve që çdoherë thonë: “unë do të…” apo do të jemi prej atyre që seriozisht bëjnë përpjekje në këtë muaj për ta arritur kënaqësinë e Allahut? A do të jetë ky Ramazan agjërim i trupit apo edhe i shpirtit? A do te jete Ramazan i ligjëratave fetare apo i serialeve dhe filmave në televizion?
Robër të Allahut!
Ramazani është shans për të bërë një ndryshim në personalitetin tonë. Sa shumë gëzohet njeriu kur sheh besimtarë të shumtë të frekuentojnë xhamitë gjatë këtij muaji për te falur namazin e teravive. Sa shumë gëzohet syri kur sheh besimtarët të garojnë për tu ulur në radhët-safat e parë. Selefi kishin përjetuar ëmbëlsinë e kësaj në praktike. Njëri prej tyre thoshte: Nuk më ka rënë të dal nga xhamia pas namazet e të mos përmallohem për namazin e ardhshëm. Ramazani është shans për te filluar me faljen e rregullte të namazeve nëse më parë nuk ke qenë i rregulltë. Ramazani shans për leximin e Kur’anit për ata që gjatë muajve të tjerë e kanë braktisur atë. Ramazani është shans për t’i përmirësuar lidhjet me farefisin dhe ata që ke patur ndonjë zënkë a kacafytje.
O ti që humb kohën në gjëra që ta dobësojnë besimin, Ramazani të thërret. O ti që ua ke kthyer shpinën fitimeve të mëdha, Ramazani të thërret: Kur do të kthjellesh? A nuk sheh se si vepërmirët ngadhënjejnë me të mira?! A nuk të pëlqen adhurimi i të sinqertëve?! A nuk ka jetë zemra jote që ta shfrytëzosh Ramazanin në vepra të mira?! Përkujto ata që vitin e kaluar ishin me ne ndërsa sot i ka mbuluar dheu, duke mos patur mundësi më për të bërë asnjë punë të mirë, madje as për tu penduar. Ata nuk mund te pendohen më për gjërat që i kanë bërë ndërsa ti, ende i gjallë, shfrytëzoje këtë shans dhe pendohu e bë vepra të mira! Jeta jote edhe në këtë Ramazan është dhunti prej Allahut andaj shiko se si do ta shfrytëzosh këtë dhunti: Në kënaqësi të Allahut e të shpëtosh apo në hidhërim të Allahut e të humbësh!
Muslimanë të nderuar!
Përkujtojeni Allahun, faleni namazin dhe dërgoni salavat mbi Muhammedin, alejhi’s selam, që Allahu dhe i dërguari i Tij të jenë të kënaqur me ne!

Sedat ISLAMI

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s