CILËSITË E ROBËRVE TË ALLAHUT 10

Pendimi i sinqertë
Besimtarë të nderuar!
Karvani ynë sot ndalon tek një virtyt tjetër i robërve të sinqertë të Allahut. Është ky virtyti i pendimit të vërtet. Pasi që Allahu nënvizoi mëkatet e mëdha, prej të cilave janë të pastër robërit e Tij të sinqertë, sqaroi se rënia në mëkate të tilla, jo vetëm që tërheq pas vete dënime të mëdha si në këtë po ashtu edhe në botën tjetër porse janë prej mëkateve që pa pendim të sinqerte nuk falen. Allahu i Madhëruar thotë: “Edhe ata që pos All-llahut, nuk lusin zot tjetër dhe nuk mbysin njeriun që e ka ndaluar All-llahu, por vetëm kur e meriton në bazë të drejtësisë, dhe që nuk bëjnë kurvëri, ndërsa kush i punon këto, ai gjen ndëshkimin. 69. Atij i dyfishohet dënimi ditën e kijametit dhe aty mbetet i përbuzur përgjithmonë. 70. Përveç atij që është penduar dhe ka bërë vepër të mirë, të tillëve All-llahu të këqijat ua shndërron në të mira. All-llahu është mëshirues, ndaj Ai falë shumë. 71. Ai që është penduar dhe ka bërë mirë, në të vërtetë, ai është kthyer tek All-llahu dhe është i pranishëm.” el-Furkan, 68-71.
Këto ajete kur’anore nuk përshkruajnë vetëm qëndrimet e besimtarëve të devotshëm, ato reflektojnë edhe mbi mëshirën e pakufishme të Allahut, ngase Allahu, me gjithë që cilësoi këto vepra të sipërpërmendura ndër mëkatet më të mëdha (idhujtarinë, vrasjen, prostitucionin), prapë derën e pendimit, madje me premtimin për të zëvendësuar të këqijat me të mira, e la të hapur.
Për të përshkuar rrugën deri kjo derë dhe për tu ndarë njëherë e përgjithmonë nga bota monstruoze dhe neveritëse e mëkateve, ju ftojë të jetojmë ca çaste bashkërisht nën hijen e pendimit.
Besimtarë të nderuar!
(Nuk ka njeri të përsosur)
Njeriu, realisht, është krijesa më e priveligjuar e Allahut në këtë botë. Atë e favorizoi dhe ngriti mbi të gjithë, madje duke i dhënë edhe rolin e udhëheqësit në tokë. E pajisi me intelekt dhe të menduar dhe e krijoi në formën fizike më të mirë. Me gjithë këtë, nuk e bëri të përsosur. Nuk ka njeri të pamëkate; të gjithë njerëzit në një apo formë tjetër gabojnë, qoftë nga harresa, qoftë nga lakmia, qoftë nga indikatorë tjerë. Kjo gjë është mishëruar me personalitetin e tyre dhe kurrë nuk ndahet ani pse mund të mos ketë ndikim. Kjo natyrë e njeriut (prej mëkatari) dhe elementi që zbeh ndikimin e saj janë të përshkruara në këtë thënie profetike të shënuar nga Tirmidhiu dhe të verifikuar si autentike nga Albani: “Të gjithë njerëzit bëjnë mëkate ndërsa mëkatarët më të mirë janë të penduarit.”
Çka është pendimi?
Pendimi d.t.th. që të largohesh nga gjërat që i urren Allahu, të dukshme apo fshehta qofshin ato, dhe të kthehesh tek gjërat që Allahu i do dhe e kënaqin Atë. Pendimi është udhëzimi që të ruan nga pesimizmi, është burim i çdo të mire dhe lumturisë në këtë dhe botën tjetër. Është gjallëria shpirtërore dhe vet shpëtimi…Është ndjenja e keqardhjes për atë që ka ndodhur, vendosmëria për tu drejtuar kah Allahu për pjesën e jetës që ka mbetur dhe largimi nga mëkati.
Po, përse pendohemi, cilat janë motivet e pendimit?
– Besimtari pendohet para së gjithash për arsye se Allahu ka urdhëruar kështu. A nuk ka thënë Allahu në Kur’an: “O ju që keni besuar, pendohuni tek All-llahu me një pendim të sinqertë…” et-Tahrim, 8.
– Besimtari pendimin e ka në agjendë ngase aty e gjen edhe shpëtimin. Allahu thotë: “…Pendohuni të gjithë te All-llahu, o besimtarë, në mënyrë që të gjeni shpëtim.” en-Nur, 31.
– Pendimi është mënyrë e qëlluar e arritjes së kënaqësisë së Allahut, i Cili thotë: “…All-llahu i do ata që pendohen dhe ata që ruhen prej punëve të ndyta e të neveritshme.” el-Bekare, 222.
– Pendimi shkak për mirëqenie dhe begati në jetën e kësaj bote. Allahu duke përshkruar efektin që ka në këtë aspekt pendimi thotë:“Unë u thashë: “Kërkoni falje Zotit tuaj, se Ai vërtet falë shumë; 11. Ai ju lëshon nga qielli shi me bollëk, 12. Ju shumon pasurinë dhe fëmijët, ju bën të keni kopshte dhe ju jep lumenj.” Nuh, 10-12.
– Pendimi shkop magjik. Pendimi nuk arrin vetëm të shlyejë mëkatet porse ai ka edhe një funksion tjetër; ato i shndërron në te mira. Allahu thotë: “…që Zoti juaj t’i largojë prej jush të këqijat, t’ju shpie në xhennete nën të cilët rrjedhin lumenj…” Tahrim, 8.; “Përveç atij që është penduar dhe ka bërë vepër të mirë, të tillëve All-llahu të këqijat ua shndërron në të mira. All-llahu është mëshirues, ndaj Ai falë shumë.” el-Furkan, 70.
– Pendimi madje edhe problemet psikike arrin t’i shërojë. Studimet psikologjike moderne vërtetojnë se pendimi sipas parimeve islame është ilaç shumë efektiv ngase personalitetit me karakter të trazuar ia rikthen besimin në vete, në Zot dhe në njerëz. Pikërisht bazuar në këtë, shumë psikologë ndoqën rrugën e pendimit për të arritur deri tek rehatia shpirtërore. Është sqaruar se pendimi ndihmon në shkarkimin nga barrët e rënda, në largimin e frikës, ankthit dhe shqetësimit, në zhdukjen e brengës dhe ndjenjës së fajit.
Si të pendohem?
Këto fjalë, ani pse janë vetëm një përmbledhje, megjithatë motivojnë shpirtin për pendim dhe e bindin atë se lumturia nuk është në epsh e mëkate por në nënshtrimin para Allahut. Por megjithatë, mbetet disi problem çështja se si të pendohem, si dhe nga t’ia filloj? Çfarë më ndihmon në rrugën e pendimit?
Pendimi realizohet suksesshëm atëherë kur ne ndërmarrim këta hapa:
– Dëlirësia shpirtërore dhe sinqeriteti në pendim, ngase Allahu nuk lë pa ndihmuar ata që sinqerisht i kthehen Atij.
– Llogaritja sistematike e vetes.
– Përkujtimi, këshillimi, qortimi dhe frikësimi i vetvetes, dhe këtë duke sjellë para sysh (duke menduar) pasojat e mëkateve dhe largimit nga pendimi.
– Izolimi nga vendet e mëkateve. Pejgamberi, alejhi’s selam për njeriun që kishte mbytur 100 veta rrëfeu se zgjidhja që i qe bërë ishte largimi nga vendi i tij ngase ishte vend mëkatarësh. (Hadithin e transmeton Imam Muslimi)
– Braktisja e shoqërisë së keqe ngase njeriu ka moralin e atyre që i shoqëron. Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë: “Njeriu vlerësohet sipas moralit të shokut andaj keni kujdes kë shoqëroni!”
Pendimi i vërtetë
Për të realizuar pendimin e vërtetë paraprakisht duhen realizuar disa kushte, përmbledhja e të cilave figuron si më poshtë:
– Sinqeritet për Allahun, ngase veprat qe nuk i përkushtohen Atij nuk pranohen. Allahu thotë: “ Përveç atyre që u penduan, u përmirësuan, iu përmbajtën All-llahut (mësimeve të Tij) dhe praktikojnë sinqerisht fenë e tyre për All-llahun. Të tillët do të jenë bashkë me besimtarët…” en-Nisa, 146.
– Heqja dore nga mëkati menjëherë.
– Pranimi i fajit (kryerjes së mëkatit).
– Keqardhja për mëkatin e bërë.
– Vendosmëria për të mos iu kthyer më kurrë mëkateve.
– Kthimi i të drejtave të njerëzve. Nëse mëkati ka të bëjë me njeriun, atëherë duhet t’ia kompensosh dëmin që ia ke shkaktuar.
Të jetë në kohën e pranimit ngase ka kohë kur pendimi më nuk vlen. Pejgamberi, alejhi’s selam, ka thënë: “Vërtetë, Allahu i Madhëruar pranon pendimin derisa robit të mos i vijë shpirti në gropën e fytit (gargara).” ; “Vërtetë, Allahu shtrin dorën e Tij natën që të fal mëkatarin e ditës dhe shtrin dorën ditën për të falur mëkatarin e natës, dhe këtë derisa të lind dielli nga perëndimi.” Muslimi.
Si të shpresoj se më është pranuar pendimi?
Pendimi ka shenja që tregojnë pranimin, prej të cilave do të veçonim:
– Që besimtari pas pendimit të jetë më i mirë se që ka qenë para se të pendohej.
– Që çdoherë të ketë frikë për kthim tek mëkatet ngase besimdrejti çdoherë është në frikë se si po mbaron puna e tij. Qetësinë e ndien vetëm atëherë kur të ndiejë fjalët e melaikeve: “…të mos u frikësoheni, të mos pikëlloheni, keni myzhde xhennetin që u premtohej.” Fussilet, 30.
– Që mëkatet që i bën, qofshin ato edhe të vogla, t’i shohë si shumë të mëdha, ngase besimtari, siç sqaron sahabiu i nderuar Ibni Mes’udi, i sheh mëkatet sikur të jetë ulur nën një kodër që ka frikë se për çdo çast mund t’i bie sipër ndërsa imorali mëkatet i sheh si një mize qe i kalon mbi hunde dhe te cilen e largon me nje lëvizje te dorës. Të parët thoshin: “Mos shiko sa i vogël është mëkati por shiko sa madhështor dhe i fuqishëm është Ai që i bën mëkat!”
– Që pendimi të të bëjë modest dhe të përulur para Allahut të Madhëruar ngase zemra e besimtarit gjallërohet pikërisht me këto sjellje.
– Të ruajë gjymtyrët: të ketë kujdes nga gjuha, respektivisht gënjeshtra, përgojimi, bartja e fjalëve; të ketë kujdes nga barku i tij, gjegjësisht të mos hajë gjërat e ndaluara, t’i ikë kamatës dhe çdo lloj përfitimi të ndaluar; të ruaje sytë nga shikimi në gjërat e ndaluara; të mbikëqyrë duart dhe këmbët e tij nga gjërat e ndaluara; t’i kushtojë vëmendje zemrës se tij në mënyrë që urrejtja, smira, zilia të mos kenë vend.
Të nderuar vëllezër!
Pendimi nuk shtyhet
Një prej elementeve më të rëndësishme të pendimit është nevoja imediate e kryerjes së tij menjëherë pas mëkatit. Kjo, ngase vdekja nuk afatizon askënd dhe mundësia për kthim nuk ekziston më. Allahu i Madhëruar thotë: “Pendim i pranueshëm te All-llahu është vetëm ai i atyre që e bëjnë të keqen me mosdije shpejt pendohen; të tillëve All-llahu ju pranon pendimin, se All-llahu është më i dijshmi, më i urti. 18. Nuk është pendim (i pranueshëm) i atyre që vazhdimisht bëjnë punë të këqia dhe vetëm atëherë kur t’i vjen vdekja ndonjërit prej tyre, të thotë: “Unë tash u pendova!” e as i atyre që vdesin duke qenë jobesimtarë. Ndaj tyre kemi përgatitur dënim të ashpër.” en-Nisa, 17-18.
Andaj, le të nxitojmë me pendim nga mëkatet e mëdha e të vogla, le të jetë prioritet i prioriteteve tona pendimi, le të shfrytëzojmë këto çaste të jetës që na kanë mbetur për të arritur pendimin, ndryshe, nesër para Allahut të Madhëruar nuk do të qortojmë askënd përveç vetes sonë.
O Zoti im! Unë nuk gjej fjalë më të bukura për të shprehur pendimin se sa fjalët tua, andaj të lutem: “…E lartë është madhëria Jote, pendohem te Ti…” el-A’rafë, 143; “…Zoti ynë, ne i bëmë të padrejtë(i dëmtuam) vetvetes sonë, në qoftë se nuk na falë dhe nuk na mëshiron, ne me siguri do të jemi prej të shkatërruarve!” el-A’rafë, 23; “… Zoti im, më inspiro mua që të falënderoj për të mirën Tënde që ma dhurove mua dhe prindërve të mij, që të bëj vepra të mira që i pëlqen Ti dhe m’i bën të mirë pasardhësit e mij, unë pendohem te Ti dhe unë jam me muslimanët.” el-Ahkaf, 15.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s