CILËSITË E ROBËRVE TË ALLAHUT 11

Nuk dëshmojnë rrejshëm
Rezymeja: 1. Rëndësia e dëshmisë; 2. Dëshmia e rrejshme, botëkuptimet dhe llojet e saj; 3. Citatet kur’anore dhe profetike përkitazi me ndalimin e saj; 4. Shkaqet e dëshmisë së rrejshme
Besimtarë të nderuar!
Takimi ynë i sotëm do të jetë nën hijen e komentimit të tiparit të radhës të besimtarëve të sinqertë. Më konkretisht, do të jemi bashkërisht me pjesën e parë të ajetit të 72-te nga kaptina el-Furkan: “(Robërit e Zotit janë) Edhe ata që nuk dëshmojnë rrejshëm …” el-Furkan, 72.
Zakonisht, në ligjërata ky tipar shpjegohet bashkërisht me tiparin vijues, i përmendur po në këtë ajet, e i cili ka të bëjë me ruajtjen e karakterit, por ne, duke parë si shumë të rëndësishme që një ligjëratë komplete t’i kushtohet tiparit në fjalë, vendosëm që për tiparin tjetër të flasim në hutben e ardhme inshaAllah. Arsyetim kemi paralajmërimin profetik, të regjistruar në Musnedin e Imam Ahmedit: “Vërtetë, para Kiametit do të ketë dëshmi të rrejshme ndërsa ajo e vërteta do të fshihet”.
Rëndësia e dëshmisë
Dëshmia është peshojë e dallimit të së vërtetës nga e kota, dhe mur që ndan akuzat e vërteta nga ato të pabaza. Dëshmia, siç e quajnë disa, është shpirt i të drejtave; Allahu ngjalli njerëzit me shpirtra të pastër sikur që ngjalli të drejtat me dëshmi të sinqertë.
Dëshmia është domosdoshmëri për jetën shoqërore dhe mbarëvajtjen e saj. Shurejhu, një gjykatës i zoti nga gjeneratat e para pati thënë: Dispozita është sëmundje ndërsa dëshmia shërim, andaj shërimin (ilaçin) hidhja sëmundjes!
Bazuar në këtë, është obligim (farz) që dëshmia të jetë e vërtetë. Allahu ka thënë: „… dhe dëshminë zbatojeni për hir të All-llahut…“ et-Talak, 2.
E nga këtu, nuk është çudi të shohim se si Allahu, në kaptina tjera, jashtë kësaj në të cilën ne po vjelim tiparet e besimtarëve të sinqertë, të radhit këtë tipar prej tipareve të besimdrejtëve: “Edhe ata që dëshminë e vet e zbatojnë (nuk e mohojnë, nuk e fshehin).” el-Mearixh, 33.
Dëshmia e rrejshme, botëkuptimet dhe llojet e saj
Dëshmia e rrejshme është gënjeshtra e qëllimtë në dëshmi për të zhvleftësuar të vërtetën. Po kështu ka kuptim edhe të fshehjes së dëshmisë për tu zhvleftësuar e vërteta. Është lloj i rrezikshëm i gënjeshtrës që për synim ka qëllime jashtëzakonisht të ulëta. Kurtubiu e ka definuar si: ‘Dëshmi të rrejshme për të ardhur deri tek e kota, shkatërrim njeriu, marrje pasurie, lejimi ndalese (harami) apo ndalim lejimi (hallalli) qoftë…’
Të tjerë, mendojnë se dëshmia e rrejshme nuk përkufizohet vetëm në këtë, ajo nënkupton edhe të parit e të keqes dhe heshtjes para saj apo pëlqim – pajtim me të.
Dahhaku dhe Ibni Zejdi dëshmin e rrejshme e kanë kuptuar si politeizëm (shirk), Muxhahidi si këngë, Ibni Xhurejxhi si gënjeshtër apo festë e jomyslimanëve, Katadeja si ndeja me karakter të keq, derisa Ibni Abbasi e sheh si shpifje ndaj Allahut dhe përgënjeshtrim të Tij.
Përgjithësisht, mund të thuhet se ez-Zur (dëshmi e rrejshme) është përshkrimi i gjerave në të kundërtën e tyre. Është gënjeshtër e kulluar, e cila është improvizuar aq shumë saqë duket sikur të jetë e vërtetë.
Citatet kur’anore dhe profetike përkitazi me ndalimin e saj
Allahu i Madhëruar, siç përmendëm edhe në fillim, ka mohuar që dëshmia e rrejshme të jetë pjesë e identitetit të besimtarëve të sinqertë, që nënkupton se vetëm dyfytyrëshat veçohen me të. Madje jo vetëm kaq, në Kur’an, ky mëkat është përmendur paralel me politeizmin. Allahu ka thënë: “…pra largohuni nga ndyrësitë e idhujve dhe largohuni fjalës shpifëse.” el-Haxh, 30.
E pikërisht këtu ka qenë mbështetja e Ibni Mes’udit kur pati deklaruar se ‘Dëshmia e rrejshme është baras me politeizmin.’ Kjo padyshim se ka qenë inspirim edhe për Pejgamberin, alejhi’s selam që të radhis këtë mëkat ndër më të mëdhatë. Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Ebi Bekrete se një ditë derisa ishim tek Pejgamberi, alejhi’s selam, tha: “A t’iu rrëfej për mëkatet më të mëdha? Po, gjithsesi o i Dërguari i Allahut- i thanë. Ato janë -filloi Pejgamberi, alejhi’s selam me numërimin e tyre: T’i përshkruash ortak Allahut, të jesh arrogantë ndaj prindërve, dhe ishte i mbështetur kështu që u ul dhe tha: Vëni re! Edhe dëshmia e rrejshme. Vëni re! Edhe dëshmia e rrejshme. Vëni re! Edhe dëshmia e rrejshme. E përsëriti aq –rrëfen transmetuesi- saqë thamë: Ah sikur të heshtte!”
Pejgamberi, alejhi’s selam përmend edhe një detaj tjetër të dëshmisë së rrejshme. Në fakt, kjo është një pasojë e saj, e cila shkakton defekte në botën e adhurimit aq sa arrin t’i zhvesh adhurimet nga shpërblimi. Buhariu transmeton se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë: “Kush nuk braktisë dëshminë e rrejshme dhe veprimin sipas saj, ai nuk do të ketë shpërblim nga agjërimi, ngase Allahu nuk ka nevojë për askënd prej jush që ta braktis ushqimin dhe pijen e tij.”
Dijetaret janë munduar të numërojnë disa aspekte që këtë mëkat e radhisin ndër më të mëdhatë:
Gënjeshtra dhe shpifja, ndërsa Allahu ka thënë: “… S’ka dyshim se All-llahu nuk udhëzon në rrugë atë që e tejkalon dhe është rrenës.” Gafir, 28.
I ka bërë padrejtësi atij që rrejshëm ka dëshmuar kundër tij
I ka bërë dëm dhe atij në favor të të cilit ka dëshmuar ngase i ka sjelle diç që në fakt nuk është e tij. Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë: “Nëse dikujt (për shkak të dëshmisë së rrejshme) i kam ndarë diç nga e drejta e vëllait të tij, atëherë le të mos e merr ngase kështu ia ndaj një pjesë në zjarrë!” Buhariu.
Ka lejuar diç qe Allahu e ka ndaluar
Shfajësimin e kriminelëve dhe mëkatarëve nëpërmjet dëshmisë së tij të rrejshme
Devijimin e gjykatësve nga e vërteta dhe shkaktimin e gjykimit të kotë. Pejgamberi, alejhi’s selam, në pjesën e parë të hadithit që sapo cituam thotë: “Vërtetë, unë jam njeri dhe ju paraqitni ankesat tuaja tek unë, kështu që ndodhë ndonjëri prej jush të jetë më argumentues se tjetri dhe rrjedhimisht edhe unë të gjykoj sipas asaj që dëgjoj…”.

Shkaqet e dëshmisë së rrejshme
Mendoj se do të bënim mirë sikur të mësonim edhe për disa nga shkaqet që çojnë deri tek dëshmia e rrejshme.
Së pari, dobësia e besimit, ndryshe, besimtari i sinqertë vëllait ia do atë që do për vete dhe nuk mund të paramendohet që ia të dëshmojë rrejshëm kundër tij. Së dyti, zilia, e cila “detyron” njeriun që me çdo kusht t’i bë keq tjetrit, e në këtë rast edhe të dëshmojë rrejshëm kundër tij. Së treti, afërsia, e cila verbërisht e shtyn njeriun ta përkrahë të afërmin, ani pse ai nuk është në të vërtetën. Kjo nuk guxon të jetë pjesë identifikuese e besimtarit, ngase ai e thotë të vërtetën pa marrë parasysh se per kë bëhet fjalë. Së katërti, interesi material që realizojnë për një dëshmi të rrejshme.
Përfundim
Vëllezër të nderuar!
Do të doja që në ndarje porosi të marrim fjalën e Allahut, e cila përmbledh tërë çështjen rrjedhshëm dhe shumë qartë. Allahu thotë:
“O ju që besuat, vazhdimisht të jeni dëshmues të drejtë për hire të All-llahut edhe nëse është kundër (interesit) vetvetes suaj, kundër prindërve ose kundër të afërmve, le të jetë ai (për të cilin dëshmohet) pasanik ose varfanjak, pse All-llahu di më mirë për ta. Mos ndiqni pra emocionin e t’i shmangeni drejtësisë. Nëse shtrembëroni ose tërhiqeni, All-llahu hollësisht di ç’ka punoni.” en-Nisa, 35.
Pra, le të mos na shtyjë të dëshmojmë rrejshëm asgjë, le të kemi parasysh se e tërë ajo që bëjmë nuk i fshihet Allahut dhe se një ditë, kur nuk do të mund të përmirësojmë gabimet me dhe as që do të vlejë pendimi më, do të japim llogari për të madhe e për të vogël. Atë ditë, edhe sikur e gjithë pasuria e botës të jetë në duart tona, nuk do të bëjë dobi. Atë ditë, vetëm zemra e pastër dhe vepra e mirë, e padyshim prej tyre edhe dëshmia e vërtetë, do të bëjnë dobi!

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s