CILËSITË E ROBËRVE TË ALLAHUT 12

RUAJTJA E KARAKTERIT
Rezymeja: 1. Ç’kuptohet me karakter dhe ruajtje të tij?; 2. E mira dhe e keqja në kahje të ndryshme; 3. Rrugë të ndara; 4. Dëfrimi i tyre nuk guxon të na joshë; 5. Kujdes fjalorin!; 6. Përmendja e grave hapi i pare drejt rrugës se shëmtuar; 7. Besimtarët e sinqertë nuk janë të pa ndjenja.
Besimtare të nderuar!
Portreti i besimtarit mysliman sigurisht se është më i përkryeri, për faktin se ai kushtëzohet të jetë i tillë, ndryshe nuk do të mund ta bartte epitetin prej robi të sinqertë të Allahut. Këto ajete të kaptinës el-Furkan, që tash e sa kohë jemi duke jetuar me to, kanë zbërthyer këtë personalitet madhështor të besimtarit nga aspekte dhe këndvështrime të ndryshme, vetëm e vetëm që të provojnë se besimtari ka një karakter dhe moral shembullor, që padyshim se reflekton edhe në sjelljet dhe veprimet e tij. Këtë realitet sot do ta faktojmë edhe nëpërmjet shtjellimit të një tipari tjetër të tyre, të përmendur në ajetin e 72-të të kaptinës në fjalë, respektivisht në pjesën e fundit të këtij ajeti:
وَإِذَا مَرُّوا بِاللَّغْوِ مَرُّوا كِرَاماً
…dhe kur (rastësisht) kalojnë pranë të keqes, kalojnë duke e ruajtur karakterin e vet.“
Ç’kuptohet me karakter dhe ruajtje të tij?
Komentuesit e Kur’anit kanë shpjeguar domethënien e ruajtjes së karakterit, të përmendur në këtë ajet. Kolosi i komentuesve të Kur’anit, Imam Taberiu, përmend se dijetarët kanë mendime të ndryshme përkitazi me kuptimin e ‘ruajtjes së karakterit’. Disa mendojnë se për qellim është ruajtja nga fjalori banal dhe i ndyrë që idhujtarët përdornin në raport me besimtarët. Ndërsa ‘kalimi pranë të keqes’ nënkupton distancimin prej saj dhe të kthyerit shpinën asaj… Të tjerë mendojnë se për qellim janë të gjitha mëkatet, pa marrë parasysh se për cilat bëhet fjalë.
Ibni Kethiri këtë pjesë të ajetit, kuptimisht, e lidh me pjesën e parë të tij, e që i bie se: besimtarët nuk prezantojnë në gjera të këqija (ndeja apo manifestime qofshin ato), e nëse iu rastis që të qëllojnë në to pa qëllim, atëherë ata largohen menjëherë prej tyre.
Kurtubiu ‘lagv’-in (të keqen), në kuptimin filologjik, e shpjegon si ‘çdo fjalë a vepër e pavlere’, e ku e fut edhe muzikën, dëfrimin (e shthurur) e të ngjashme, e po kështu edhe mendjelehtësinë e idhujtarëve, përmendjen e grave e vepra tjera të urryera. Ndërsa përkitazi me domethënien e ‘ruajtjes së karakterit’ thotë se besimtarët nuk pëlqejnë, gjestet dhe veprat e mëkatarëve, nuk joshen prej tyre dhe nuk i shoqërojnë ata.
Ibnu’l-Muniri citon kompaktësinë e komentuesve të Kur’anit se ‘lagv’-i (e keqja) është të folurit e pahijshëm. Edhe Bejhekiu nga ana tjetër pëlqen këtë mendim dhe shton se ‘e keqja’ është ajo që në fakt thanësi nuk pret ndonjë të mirë prej saj, përkundrazi. Ajo është prej atyre gjerave që nuk i interesojnë…
Kështu, kur kemi parasysh këto domethënie, shumë lehtë bindemi se vërtetë robërit e sinqerte janë besimtarë dhe adhurues të njëmendtë. Kuptimisht, i ngjashëm me këtë ajet –thotë Raziu – është ajeti 55 nga kaptina el-Kasas:
“وَإِذَا سَمِعُوا اللَّغْوَ أَعْرَضُوا عَنْهُ وَقَالُوا لَنَا أَعْمَالُنَا وَلَكُمْ أَعْمَالُكُمْ سَلَامٌ عَلَيْكُمْ لَا نَبْتَغِي الْجَاهِلِينَ
Dhe kur e dëgjojnë ndonjë llomotitje marrëzie, i kthejnë shpinën dhe thonë: “Ne kemi veprat tona e ju tuajat, qofshit larg nesh, ne nuk na duhen injorantët!”
Ndërsa Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
“من حسن إسلام المرء تركه ما لا يعنيه
Prej islamit të mirë të njeriut (shenjë që fakton Islamin rrënjësor tek njeriu) është mosmarrja me gjërat që nuk i interesojnë.”
E dëshmi tjetër që flet se ruajtja e karakterit është pjesë përbërëse e personalitetit të besimtarit, është edhe ajeti do të thosha nga seria e ajeteve tjera nga kaptina el-Mu’minunë, që po kështu trajtojnë tiparet e besimtarëve të sinqerta. Fjala është për ajetin e tretë (3):
“وَالَّذِينَ هُمْ عَنِ اللَّغْوِ مُعْرِضُونَ
Ata të cilët i shmangen të kotës (fjalë a punë).”
Kësisoj, mund të kuptojmë se ajo prej së cilës besimtari duhet ta ruaje karakterin, gjithnjë duke u bazuar në sqarimet e cituara sipër, përgjithësisht mund të përmblidhet në të gjitha mëkatet, e me theks të veçantë në (nga): Idhujtaria dhe idhujtarët (bindjet e tyre dhe shoqërimi me ta), ndejat dhe ahengjet e kota, fjalori i ndyrë – sharja dhe ofendimi, dëfrimi i shthurur, muhabetet rreth femrave, kuptohet për qëllime të ulëta, e të ngjashme.
E mira dhe e keqja në kahje të ndryshme
Tendencat për bashkim apo të paktën përafrim ndërmjet të mirës dhe të keqes, qysh në start janë të gjykuara të dështojnë. Kjo, për shkak se që të dyja ato kanë drejtime plotësisht të kundërta dhe koha punon në largim e jo afrim të tyre. Nuk mund të pretendosh devocion për Allahun dhe përkushtim ndaj fesë së Tij e të njëjtën kohë të kryesh mëkate. Është kontrast dhe absurditet. Allahu mohon që të krahasohen e lëre më të njëjtën kohë të bashkëjetojnë tek një njeri.
“قُل لاَّ يَسْتَوِي الْخَبِيثُ وَالطَّيِّبُ
Thuaj: “Nuk është e njëjtë e keqja dhe e mira…” el-Maide, 100.
Nga këtu, besimtari dhe mëkatari, kanë:
Rrugë të ndara…
Meqë nuk u bashkuan për Zot, pra nuk qe adhurimi për Zotin si motiv bashkimi, atëherë as djalli nuk mund t’i bashkojë. Kjo ngase Allahu shumë qartë ka thënë në Kur’anin famëlartë:
“وَاصْبِرْ نَفْسَكَ مَعَ الَّذِينَ يَدْعُونَ رَبَّهُم بِالْغَدَاةِ وَالْعَشِيِّ يُرِيدُونَ وَجْهَهُ وَلَا تَعْدُ عَيْنَاكَ عَنْهُمْ تُرِيدُ زِينَةَ الْحَيَاةِ الدُّنْيَا وَلَا تُطِعْ مَنْ أَغْفَلْنَا قَلْبَهُ عَن ذِكْرِنَا وَاتَّبَعَ هَوَاهُ وَكَانَ أَمْرُهُ فُرُطاً
Përkufizoje veten tënde me ata që lusin Zotin e tyre mëngjes e mbrëmje, e që kanë për qëllim kënaqësinë (razinë) e Tij, dhe mos i hiq sytë e tu prej tyre e të kërkosh bukurinë e kësaj bote dhe mos iu bind atij që ia kemi shmangur zemrën e tij prej përkujtimit ndaj Nesh dhe i është dhënë epshit të vet, pse puna e tij ka mbaruar.” el-Kehf, 28.
Edhe Pejgamberi, alejhi’s selam mohon një gjë të tillë, madje duke kushtëzuar këtë edhe me besim. Tirmidhiu transmeton se Pejgamberi, alejhi’s selam, në një hadith përveç tjerash, ka thënë:
“وَمَنْ كَانَ يُؤْمِنُ بِاللَّهِ وَالْيَوْمِ الْآخِرِ فَلَا يَجْلِسْ عَلَى مَائِدَةٍ يُدَارُ عَلَيْهَا بِالْخَمْرِ
…Dhe kush beson në Allahun dhe Ditën e Fundit atëherë le të mos ulet në tryeze ku shërbehet me raki!”
Pra, edhe nëse nuk konsumon rakinë, prape ulja në një tryezë me ata që konsumojnë atë, nuk të lejohet.
Dëfrimi i tyre nuk guxon të na joshë
Besimtari i devotshëm e di se jeta e tij në këtë bote mbase nuk është më shumë se një e rrahur e qerpikut të syrit. Në çdo moment mund edhe të shpërngulet prej saj, andaj lidhja me të është lidhje në kuptim të mysafirit me konakun e huaj. Kenaqësitë e kësaj bote, çfarëdo që të jenë, nuk mund ta devijojnë atë, ngase e di se pas tyre vjen dëshpërimi. Allahu solli shembull në Kur’an përkitazi me këtë. Duke folur për Karunin, një njeri të cilin pasuria e dërgoi në mosmirënjohje dhe kundërshtim, Allahu rrëfen:
“فَخَرَجَ عَلَى قَوْمِهِ فِي زِينَتِهِ قَالَ الَّذِينَ يُرِيدُونَ الْحَيَاةَ الدُّنْيَا يَا لَيْتَ لَنَا مِثْلَ مَا أُوتِيَ قَارُونُ إِنَّهُ لَذُو حَظٍّ عَظِيمٍ (79) وَقَالَ الَّذِينَ أُوتُوا الْعِلْمَ وَيْلَكُمْ ثَوَابُ اللَّهِ خَيْرٌ لِمَنْ آَمَنَ وَعَمِلَ صَالِحًا وَلَا يُلَقَّاهَا إِلَّا الصَّابِرُونَ (80) فَخَسَفْنَا بِهِ وَبِدَارِهِ الْأَرْضَ فَمَا كَانَ لَهُ مِنْ فِئَةٍ يَنْصُرُونَهُ مِنْ دُونِ اللَّهِ وَمَا كَانَ مِنَ الْمُنْتَصِرِينَ (81) وَأَصْبَحَ الَّذِينَ تَمَنَّوْا مَكَانَهُ بِالْأَمْسِ يَقُولُونَ وَيْكَأَنَّ اللَّهَ يَبْسُطُ الرِّزْقَ لِمَنْ يَشَاءُ مِنْ عِبَادِهِ وَيَقْدِرُ لَوْلَا أَنْ مَنَّ اللَّهُ عَلَيْنَا لَخَسَفَ بِنَا وَيْكَأَنَّهُ لَا يُفْلِحُ الْكَافِرُونَ (82) تِلْكَ الدَّارُ الْآَخِرَةُ نَجْعَلُهَا لِلَّذِينَ لَا يُرِيدُونَ عُلُوًّا فِي الْأَرْضِ وَلَا فَسَادًا وَالْعَاقِبَةُ لِلْمُتَّقِينَ
Ai (Karuni) doli para popullit të vet me stolinë e vet, e ata që kishin synim jetën e kësaj bote thanë: “Ah, të kishim pasur edhe ne si i është dhënë Karunit, vërtet ai është fatbardhë!” 80. E ata që ishin të zotët e diturisë thanë: “Të mjerët ju, shpërblimi i All-llahut është shumë më i mirë për atë që besoi dhe bëri vepër të mirë, po atë nuk mund ta arrijë kush përveç të durueshmëve!” 81. Po Ne atë dhe pallatin e tij i shafuam në tokë dhe veç All-llahut nuk pati që ta mbrojë, e as vetë nuk pati mundësi të mbrohet. 82. E ata që dje lakmuan të ishin në vendin e tij, filluan të thonë: “A nuk shihni se All-llahu me të vërtetë i jep begati e komoditet atij që do nga robërit e vet, e edhe ia mungon atë atij që do, e sikur All-llahu të mos bënte mëshirë ndaj nesh, do të na sharronte në tokë edhe neve; sa habi, se si jobesimtarët nuk gjejnë shpëtim!” 83. Atë vend të përjetshëm (xhennetin) ua kemi përcaktuar atyre që nuk duan as mendjemadhësi e as ngatërresë në tokë, e përfundim i këndshëm u takon atyre që i frikësohen All-llahut.” el-Kasas, 79-83.
Allahu na mëson se kjo dunja dhe kënaqësitë e dëfrimet në të nuk guxojnë të na privojnë nga mirësitë e botës tjetër ngase vetëm atje është jeta dhe vetëm atje shpërblimi dhe ndëshkimi kanë kuptim. Kjo botë dhe argëtimi në të janë thjesht sikur një argëtim në ëndërr që në të vërtetë nuk ndodhë.
“اعْلَمُوا أَنَّمَا الْحَيَاةُ الدُّنْيَا لَعِبٌ وَلَهْوٌ وَزِينَةٌ وَتَفَاخُرٌ بَيْنَكُمْ وَتَكَاثُرٌ فِي الْأَمْوَالِ وَالْأَوْلَادِ كَمَثَلِ غَيْثٍ أَعْجَبَ الْكُفَّارَ نَبَاتُهُ ثُمَّ يَهِيجُ فَتَرَاهُ مُصْفَرّاً ثُمَّ يَكُونُ حُطَاماً وَفِي الْآخِرَةِ عَذَابٌ شَدِيدٌ وَمَغْفِرَةٌ مِّنَ اللَّهِ وَرِضْوَانٌ وَمَا الْحَيَاةُ الدُّنْيَا إِلَّا مَتَاعُ الْغُرُورِ
Ju njerëz dijeni se jeta e kësaj bote nuk është tjetër vetëm se lojë, kalim kohe në argëtim, stoli, krenari mes jush dhe përpjekje në shtimin e pasurisë dhe të fëmijëve, e që është si shembull i një shiu prej të cilit bima i habit bujqit, e pastaj ajo thahet dhe e sheh atë të verdhë, mandej bëhet e thyer, e llomitur, e në botën tjetër është dënimi i rëndë, por edhe falje mëkatesh dhe dhurim i kënaqësisë nga All-llahu; pra jeta e kësaj bote nuk është tjetër vetëm se përjetim mashtrues.” el-Hadid, 20.
Kujdes fjalorin!
Nëse kemi parasysh këtë standard shpirtëror me të cilin disponojnë robërit e sinqertë të Allahut, atëherë nuk do të duhej çuditur aspak se si Muhammedi, alejhi’s selam kishte kushtëzuar edhe këtë tipar me besim, pra të folurit me kontrollë. Në një hadith autentik qëndron:
“من كان يؤمن بالله واليوم الآخر فليقل خيراً أو ليصمت
Kush beson Allahun dhe Ditën e Fundit, ose le të flet mirë ose le të heshtë!”.
Kjo ngase fjala konsiderohet vepër e njeriut, dhe sikur çdo vepër tjetër regjistrohet dhe llogaritet:
“ما يلفظ من قول إلا لديه رقيب عتيد
Që ai nuk hedh ndonjë fjalë e të mos jetë pranë tij përcjellësi i gatshëm.” Kaf, 18.
Përmendja e grave hapi i pare drejt rrugës se shëmtuar
Mëkati nuk ndodhë befasisht. Ai paraprakisht nga djalli përgatitet në hapa të sigurt në mënyrë që pendimi prej tij të jetë i vështirë. Hapi i parë i djallit në këtë drejtim është që tek njeriu të hedh atë kureshtjen për të menduar dhe më pas biseduar për gjininë femërore. Nga mendimi lind biseda, e nga biseda interesimi, e kështu hap pas hapi vjen deri tek akti i shëmtuar, të cilin e urren Allahu Fuqiplotë. Nga këtu, Muhammedi, alejhi’s selam ka këshilluar ummetin e tij që të kenë kujdes, sidomos nga problematika në fjalë. Buhariu dhe Muslimi transmetojnë se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
“مَا تَرَكْتُ بَعْدِي فِتْنَةً أَضَرَّ عَلَى الرِّجَالِ مِنْ النِّسَاءِ
Pas meje nuk kam lënë ndonjë sprovë më të dëmshme për meshkujt e ummetit tim se sa sprova e grave.”
Por, kjo në asnjë mënyrë nuk nënkupton se besimtarët e sinqertë qenkan njerëz të pandjenja.
Besimtarët e sinqertë nuk janë të pa ndjenja
Përkundrazi, ata janë njerëz shumë normal, madje edhe këtë anën dëfryese, kuptohet të lejuar, e kanë në qejf, saqë, siç do të shohim në tiparet në vijim në ligjëratat vijuese, edhe e lusin Allahun për bashkëshorte dhe pasardhës të hajrit. Pika ndarëse në mes tyre dhe të tjerëve është: e para, tek qëllimi, që bëhet për ta ruajtur nderin dhe shtuar llojin (për pasardhës), dhe e dyta, që kënaqësitë nuk menaxhojnë me ta por janë pikërisht besimtarët e devotshëm që i kanë nën kontroll epshet dhe kënaqësitë e tyre, ndaj edhe nuk devijojnë nga e vërteta. Ata kanë alternativa për çdo gjë nga e lejuara: në vend të adhurimit të kotë, janë monoteistë, në vend të shprehive dhe fjalorit të ndytë, e përkujtojnë Allahun shumë, në vend të marrëdhënieve intime të jashtëligjshme, martohen, dhe në vend të dëgjimit të fjalëve të turpshme, ata dëfrehen duke dëgjuar dhe jetuar me Kur’anin. Asgjë nuk mund ta zëvendësojë Kur’anin në jetën e tyre.
Përmbyllje
Vëllezër të nderuar!
Këto fjalë assesi nuk thërrasin në izolim, përkundrazi, duke u nisur nga roli që kemi mbi supet tona, duhet t’i përvishemi punës dhe të ftojmë të gjithë ata që kanë devijuar nga e vërteta, të japim maksimumin që njerëzit t’i kthehen fesë së Allahut, t’i kthehen natyrshmërisë në të cilën janë krijuar, ngase kështu edhe kryejmë obligimin por edhe sigurojmë një jetë më të qetë. Kjo, ngase për të kundërtën Allahu na është kërcënuar:
“وَاتَّقُواْ فِتْنَةً لاَّ تُصِيبَنَّ الَّذِينَ ظَلَمُواْ مِنكُمْ خَآصَّةً وَاعْلَمُواْ أَنَّ اللّهَ شَدِيدُ الْعِقَابِ
Ruajuni nga e keqja (nga dënimi) që nuk i godet vetëm ata që bënë mizori prej jush, (por edhe të mirët), dhe ta dini se All-llahu është ndëshkues i rreptë.” el-Enfalë, 25.
O Zoti ynë, na mundëso ta jetësojmë në praktikë këtë moral kaq madhështor të robërve Tu të sinqertë! Na udhëzo, na bë prej tyre, bë që prej nesh të udhëzohen të tjerët dhe nesër në Ditën e Kiametit na ringjall në turmën e tyre!
O Zoti ynë, mos bë që Kur’ani të jetë dëshmitar kundër nesh por në favor tonin, na e bë atë prijës dhe pranverë shpirti në këtë botë ndërsa në Ahiret ndërmjetësues!
Të lutemi me përuljen dhe përkushtimin më të madh që të mos na privosh nga shoqërimi i profetit Tënd të dashur, Muhammedit, alejhi’s selam, të parit të të gjithë devotshmëve, atij morali i të cilit ishte Kur’ani! Na mundëso të pimë ujë nga kroi i tij dhe të jetë ndërmjetësues për ne! Amin!!!

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s