CILËSITË E ROBËRVE TË ALLAHUT 13

KËSHILLIMI NGA FAKTET E ZOTIT
Besimtarë të nderuar!
Karakteri i njeriut është i lidhur ngushtë edhe me besimin e tij. Sa më i fortë që të jetë besimi, aq më i fortë bëhet edhe karakteri. Njerëzit me besim të thellë në Zotin dhe fenë e Tij janë ata më të mirët, më të dashurit, më të dobishmit dhe më të përulurit. Ata janë më modestit, në radhë të parë me Allahun e pastaj edhe me krijesat e Tij. Nga këtu, Allahu i përshkruan, krahas atyre tipareve të tyre që kemi patur rastin t’i mësojmë deri më tani, edhe me këtë: nënshtrimin dhe dorëzimin para fakteve të Allahut dhe këshillimin prej tyre. “Edhe ata që kur këshillohen me ajetet e Kur’anit të Zotit të tyre, nuk u kthejnë shpinën si të shurdhët e të verbër.” Kur’ani, el-Furkan, 73.
Ndryshe, nëse karakterin e njeriut nuk e përcakton besimi, apo nuk është i ndërtuar prej tij, atëherë çfarëdo fakti t’i sillet njeriut, ai prapë do ta mohoj dhe do të shfaqë kryelartësi ndaj tyre. Mu për këtë, Allahu në Kur’anin e Madhërishëm njerëzit e kësaj kategorie, me gjithë dijen dhe shëndoshmërinë trupore që kanë, i përshkruan me të meta shumë të mëdha. “… Ata kanë zemra që me to nuk kuptojnë, ata kanë sy që me ta nuk shohin dhe ata kanë veshë që me ta nuk dëgjojnë…” el-A’rafë, 179.
Pra, njerëzit me gjithë titujt e shumtë akademikë që mund t’i kenë, me gjithë njohuri të shumta që mund të zënë, nëse dija e tyre nuk i shpie në nënshtrim para Allahut dhe përfitim nga faktet e Tij në natyre dhe në vet qenien e tyre, atëherë mundi i tyre ka shkuar huq. Me një fjalë, mungesa e besimit të mirëfilltë bën që karakteri i njeriut të ketë një pamje monstruoze dhe t’i ngjajë më shumë një gërmadhe.
Për të kuptuar më shumë për këtë cilësi të pëlqyer të besimtarëve të sinqertë, për tu njohur më hollësisht me domethënien dhe esencën e saj, dhe pse jo edhe me pasojat e zhveshjes eventuale prej saj, sot ligjërata jonë në fokus do të ketë ajetin 73 të kaptinës el-Furkan: “Edhe ata që kur këshillohen me ajetet e Kur’anit të Zotit të tyre, nuk u kthejnë shpinën si të shurdhët e të verbër.”
Esenca e këtij tipari dhe domethënia e tij
Se çfarë në të vërtetë paraqet kjo cilësi e tyre dhe ç’kuptim ka përkujtimi apo këshillimi nga faktet e Allahut, do të mundohemi ta kuptojmë nëpërmjet shtjellimeve dhe komenteve që kolosë të Tefsirit i kanë bërë/dhënë ajetit në fjalë. Imam Taberiu, Allahu e mëshiroftë, në koment të këtij ajeti ka thënë: “E (besimtarë të sinqertë janë) ata që kur ndokush i përkujton me argumente të Allahut, nuk bëhen sikur janë të shurdhër e nuk dëgjojnë, apo si të verbër që nuk shikojnë, por janë me zemra të zgjuara, me mendje që kuptojnë; kuptojnë atë me të cilën Allahu i përkujton, kuptojnë atë për të cilën iu tërhiqet vërejtja, kuptojnë këshillën që veshët e dëgjojnë dhe zemrat e kuptojnë.” Ndërsa Ibni Kethiri, Allahu e mëshiroftë, këtë ajet e sheh si një argument shtesë që vërteton se kjo cilësi është burimore dhe origjinale tek besimtarët e vërtet, siç është f.v. ajetin 2 në kaptinën el-Enfalë: “E, besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, të të cilëve kur përmendet All-llahu u rrëqethen zemrat e tyre, të cilëve kur u lexohen ajetet e Tij u shtohet besimi, dhe që janë të mbështetur vetëm te Zoti i tyre.”
Apo, edhe ajetet 124-125 nga kaptina et-Teubeh: “E kur zbret ndonjë kaptinë, ka prej tyre që thonë: “Cilit prej jush ia shtoi kjo besimin?” Sa u përket atyre që besuan, atyre u shtohet besimi dhe gëzohen për të. 125. E sa u përket atyre që kanë sëmundje në zemrat e tyre, ajo (zbritja e kaptinës) ndyrësisë së tyre u shton ndyrësi dhe ata vdesin si jobesimtarë.”
Kjo cilësi mund të ketë edhe kuptimin e asaj përgjegjësisë që besimtari ndien për veprimet e tij. Apo thënë më qartë, veprimin në bazë të një logjike dhe arsye të shëndoshë. Thjesht, bën atë që din dhe duhet bërë, ndërsa për gjërat tjera, qofshin edhe këto të mira por që nuk i di përse bëhen, nuk i bën. Me një fjalë, nuk është oportunist. Ibni Kethiri citon Sha’biun, i cili kur qe pyetur nga një njeri se “A duhet të bej sexhde nëse veç shoh njerëzit se kanë bërë sexhde pa e ditur shkakun përse?”, kishte dhënë përgjigjen duke e lexuar pikërisht këtë ajet, duke aluduar kështu në atë se nuk bën sexhde ngase ai nuk e ka medituar çështjen e sexhdes dhe se besimtari nuk guxon të bëhet oportunist por duhet të veprojë në bazë të argumenteve dhe bindjes së qartë.
Pastaj, kjo si cilësi, shpreh edhe besimin e thellë në Ditën e Llogarisë, ngase, siç komenton Imam Kurtubiu, “Kur besimtarëve t’iu lexohet Kur’ani, ata përkujtojnë Ahiretin dhe vendkthimin e tyre duke mos u bërë neglizhentë për asnjë çast në mënyrë që të mos zbresin në nivelin e atij që nuk dëgjon.”
Rëndësia e këshillimit dhe fakte këshilluese
Përkujtimi apo këshillimi nga faktet e Allahut dhe argumentet e Tij është me rëndësi të veçantë, për shkak të pasojave pozitive, në rast të këshillimit, dhe atyre negative në rast të arrogancës dhe kryeneçësisë. Allahu tregon se këshillimi perceptuar nga këndvështrimi i asaj se njeriu patjetër se do të ketë fund dhe se do të dali për të dhënë llogari para Allahut për çdo vepër që ka bërë, të madhe e të vogël, vështruar nga ky pozicion, këshillimi me faktet e Allahut paraqet diturinë dhe mençurinë e vërtetë. “…përveç të mençurve këtë nuk e kupton kush.” Kur’ani, el-Bekare, 269. “Ndërkaq, ata që u larguan prej adhurimit të idhujve dhe iu drejtuan All-llahut, ata kanë gëzim të madh, e ti përgëzoji pra robërit e Mi! 18. Të cilët i dëgjojnë fjalët dhe pasojnë atë më të mirën prej tyre. Të tillët janë ata që All-llahu i udhëzoi në rrugën e drejtë dhe të tillët janë ata të mençurit.” Kur’ani, ez-Zumer, 17-18.
Këshillimi është cilësi e të penduarve, e atyre që kthehen me përulje tek Allahu, atyre që zemrat iu janë ngjallur me besim – iman dhe veprat iu janë qëndisur me sinqeritet. Allahu thotë: “Ai (All-llahu) është që po ua dëfton juve argumentet e veta, që ju sjell furnizim prej qiellit (shiun), por përveç atyre që janë të kthyer te Zoti, të tjerët nuk marrin mësim.” Kur’ani, Gafir, 13. “(I bëmë ashtu) Dëshmi të dukshme dhe përkujtuese për secilin njeri që ka drejtuar mendjen (te Zoti).” Kur’ani, Kaf, 8.
Këshillimi në fakt është i obliguar ngase me të synohet arritja dhe realizimi i bindjes për Njëshmëri – monoteizëm të pastër të Zotit të botëve. Sa bukur është përshkruar kjo në biografinë e Ibrahimit, alejhi’s selam, i cili pasi që gjeti të vërtetën, përmendi arsye të shumta që popullit të vet nuk iu bashkua kurrë në idhujtari, një prej të cilave edhe ajo e krijimit të qiejve dhe tokës: “Unë me veten time i drejtohem Atij që krijoi qiejt e tokën, larg besimeve të tjera; unë nuk jam prej atyre që i përshkruajnë shok!” Kur’ani, el-En’amë, 79.
Kjo, krijimi i qiejve dhe tokës, është vetëm një fakt, ndryshe fakte të tilla këshilluese dhe përkujtuese ka shumë, madje njeriu nuk mund t’i numërojë kurrë ato. Siç thotë poeti:
Në çdo gjë Ai ka fakt
Që aludon se Ai është Një
Ka dëshmi konkrete, siç është p.sh. ndërrimi i ditës dhe natës , krijimi i njeriut , krijimi i botës shtazore , por ka edhe dëshmi të tjera, si mirësitë e shumta të Allahut ndaj njerëzve , apo edhe fati i popujve tjerë mohues dhe përbuzës të të mirave .
Pasojat e mos këshillimit apo mos përkujtimit nga faktet e Allahut të Madhëruar
Kthimi shpinën këtyre fakteve nënkupton refuzimin e udhëzimit në rrugën e drejt, në besimin e pastër, kështu që për pasojë jeta e njeriut do të ngritët mbi themele që në asnjë rrethanë nuk i sigurojnë lumturi shpirtërore. Mund të ketë ndoshta pasuri shumë, pallate, vetura, e shumë çka tjetër, por i lumtur kurrë nuk do të jetë. Jo rrallë dëgjojmë e lexojmë se një i pasur bëri vetëvrasje, e vari veten, kërceu nga ura, pallati, etj. Allahu ka thënë: “E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në ditën e kiametit do ta ringjall të verbër.” Kur’ani, Taha, 124.
Ndërsa në botën tjetër, njeriun e këtillë e pret ndëshkim i madh. “E kush është më zullumqar se ai që këshillohet me ajetet e Zotit të vet, e pastaj u kthen shpinën atyre? Ne me siguri do të hakmerremi kundër kriminelëve.” Kur’ani, es-Sexhde, 22.
E për shkak të ambientimit me parime të tilla, atyre e vërteta dhe udhëzimit iu bëhen të paqarta dhe realisht të paarritura. Kjo ngase Allahu refuzon që me nurin e udhëzimit të Tij të ndriçohen zemrat e ndyta. “Kush është më zullumqar se ai që është këshilluar me argumentet e Zotit të vet, e ua kthen shpinën atyre dhe harron atë që vetë e punoi? Ne kemi vënë mbi zemrat e tyre mbulesë në mënyrë që të mos e kuptojnë atë (Kur’anin), kurse në veshët e tyre shurdhim, andaj edhe nëse i thërret ti ata në rrugë të drejtë, ata si të tillë nuk do të udhëzohen kurrë.” Kur’ani, el-Kehf, 57.
Mu për këtë, rrugët e besimtarëve janë të ndara nga rrugët e këtyre arrogantëve. Njerëzit, që me gjithë qartësinë e këtyre fakteve, prapë nuk pranojnë t’i nënshtrohen Allahut, janë më të urryerit, janë kriminel dhe njerëz që nuk meritojnë aspak shoqërinë tonë. “… dhe mos iu bind atij që ia kemi shmangur zemrën e tij prej përkujtimit ndaj Nesh…” Kur’ani, el-Kehf, 28.
Të nderuar vëllezër!
(Të shurdhëtit dhe të verbëtit e vërtetë)
Në përfundim të kësaj ligjërate, do të doja të kthehem tek fillimi, respektivisht, tek fakti që përmendëm se njerëzit që nuk i nënshtrohen Allahut, sado të ditur që të jenë, prapë janë të humbur dhe thuajse sikur ato ndjenjat që i kanë, e në veçanti ndjenja e shikimit dhe dëgjimit, nuk iu funksionojnë fare. Allahu i Madhëruar në Kur’anin Famëlartë, sikurse edhe i Dërguari i Tij, Muhammedi, alejhi’s selam në thëniet e tij, problemet i kanë trajtuar nga thelbi, esenca, e jo aspekti sipërfaqësor. Nuk është me të meta ai për këtë apo atë shkak nuk e ka ndjenjën e të dëgjuarit apo të shikuarit të zhvilluar, por i verbër dhe i shurdhër është ai që sheh dhe dëgjon faktet e Allahut ndërsa nuk pranon t’i nënshtrohet Atij. “… Pse në të vërtetë sytë nuk verbërohen, por verbërohen zemrat në kraharor.” Kur’ani, el-Haxh, 46.
Pra, syri nuk verbohet, ose verbohet vetëm atëherë kur sheh të vërtetën dhe nuk e pranon atë.
O Zoti ynë! Na bë prej robërve Tu të sinqertë, prej atyre që të duan dhe i do, prej atyre kur këshillohen me fjalët dhe faktet Tua, këshillohen. Mos lejo që zemrat tona të bëhen të vrazhda dhe të verbra para fakteve dhe dëshmive Tua, përkundrazi, na bë prej atyre që të përulen dhe qëndrojnë në sexhde me dashuri, kënaqësi dhe sinqeritet!

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s