CILESITË E ROBËRVE TË ALLAHUT 2

MODESTIA
Rezymeja: 1. Sekretet e ecjes së qetë; 2. Përse mendjemadhësia?!; 3. Vlera e modestisë; 4. Botëkuptimi real i modestisë në ecje; 5. Edukata e ecjes.
Të nderuar vëllezër!
Në hutben e kaluar mësuam për adhurimin dhe domethënien e tij të vërtetë nën hijen e Kur’anit dhe Sunnetit. Siç potencuam, ajo hutbe ishte vetëm një hyrje në një seri hutbesh përkitazi me cilësitë e robërve të sinqertë të Allahut të vjela nga kopshti kur’anor, përkatësisht nga pema e el-Furkan-it , që dallon të mirën nga e keqja, të sinqertin nga hipokriti, besimtarin nga pabesimtari, robin e Allahut nga robi i djallit…
Të nderuar vëllezër besimtarë!
Hutbeja jonë e sotme mban titullin “Modestia “, titull ky që simbolizon një tipar me të cilin shquhen robërit e sinqertë të Allahut. Allahu thotë:
“وَعِبَادُ الرَّحْمَنِ الَّذِينَ يَمْشُونَ عَلَى الْأَرْضِ هَوْناً
E robërit e Zotit janë ata që ecin nëpër tokë të qetë….”
Përse ka filluar pikërisht me ecjen? Prej çfarë këndvështrimi përfitohet modestia nga ecja? Cilat janë sekretet e saj?
Allahu i Madhëruar hapi serinë e cilësive e robërve të Tij të sinqertë në këtë kaptinë me modestinë në ecje për faktin se të ecurit paraqet dhe demonstron personalitetin e njeriut. Bindjet dhe botëkuptimet e njeriut përkthehen më së miri nga shprehjet, sjelljet dhe veprimet e tij. Nga këtu, arsyet e modestisë së besimtarit në ecje janë vërtetë domethënëse. Besimtari ec modest ngase e di se krijimi i tij është nga poshtë, nga toka, nga dheu, ndaj nuk sheh diç që e motivon për kryelartësi. Bazuar në këtë, ai e di se edhe po ta ngritke kokën shumë lart, edhe po të mos “shihte” askënd përpara, prapëseprapë, mundësitë e tij janë të kufizuara. Nga këtu porosia kur’anore:
“وَلاَ تَمْشِ فِي الأَرْضِ مَرَحاً إِنَّكَ لَن تَخْرِقَ الأَرْضَ وَلَن تَبْلُغَ الْجِبَالَ طُولاً
Dhe mos ec nëpër tokë me mburrje, pse ti as nuk mund ta çash tokën as nuk mund ta arrish lartësinë e maleve.” ,
…bëhet slogan i tij me të cilin marshon drejt lavdisë dhe krenarisë si rob i Allahut të Madhëruar.
Pastaj, besimtari ndërton të ardhmen duke shikuar të kaluarën, kështu që, duke patur të freskët tregimin e Karunit, që u fundos në tokë për mendjemadhësi, ai nuk i lejon vetes trasimin e rrugës së tij. Ndoshta faktor i rëndësishëm për të mos thënë kryesor është edhe fakti se ajo “shtresa e pavlerë”, që anashkalohet qëllimshëm nga ata që dynjaja ua ka verbëruar zemrat e sytë nuk iu bëjnë dritë, është pikërisht ajo që ruan stabilitetin në tokë. Sikur të mos ishi ata, atëherë Allahu do ta kishte shkatërruar njerëzimin. Pejgamberi, alejhis selam ka thënë: “Po ju a ndihmoheni dhe a furnizoheni për tjetër vetëm se për hire të të dobëtëve tuaj” .
Besimtari është modest ngase ka model, ka shembull, ka kë ta pasojë që të përvetësojë këtë tipar. A nuk ka qenë krijesa më e shquar, më e dalluar, më e dashur tek Allahu, Muhammedi, alejhis selam, i pajisur me virtytin e modestisë, përulshmërisë, butësisë, dashurisë, afërsisë me robërit e Allahut…Pejgamberi, alejhis selam, siç kanë transmetuar në transmetime të ndara Aliu dhe Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur me të dy, ecte normal; as ngadalë as shpejt .
Të nderuar vëllezër besimtarë!
Ende ka vend për të parashtruar pyetjen “Përse mendjemadhësia?” sikurse që ka vend për përgjigje për të. Përse ngre kokën lart o njeri kur zanafilla jote, lënda prej së cilës je krijuar, është shumë e pavlerë. A nuk ka thënë Allahu:
“الَّذِي أَحْسَنَ كُلَّ شَيْءٍ خَلَقَهُ وَبَدَأَ خَلْقَ الْإِنسَانِ مِن طِينٍ ثُمَّ جَعَلَ نَسْلَهُ مِن سُلَالَةٍ مِّن مَّاء مَّهِينٍ
Ai që përsosi krijimin e çdo sendi, e krijimin e njeriut e filloi nga balta. 8. Pastaj bëri që pasardhësit e tij të rrjedhin prej një pike uji të dobët.”
Mutarr-rrif b. Abdullahu e takoi një ditë në rruge një ushtarak të lartë që ecte kryelartë. Mutarr-rrifi ia tërhoqi vërejtjen dhe e ndaloi nga një sjellje e tij kurse ai e kërcënoi duke a përmendur pozitën e tij. “E di se kush je. E di fillimin dhe mbarimin tënd. Në fillim ishe vetëm një pikë uji kurse në fund do të qelbesh dhe do të jesh shumë i pavlerë…”- iu përgjigj ai.
Besimtarë të dashur!
Modestia paraqet më së miri filozofinë sociale të Islamit. Islami elementin që përcakton mburrjen dhe krenarinë nuk e ka lënë në prejardhje, familje, pasuri, fizik (bukuri), por në shpirt. Mund të mburresh sa të duash, të shfaqësh mendjemadhësi e krenohesh, por nëse e ke shpirtin e ndyre, atëherë e tëra të shkon kot. Allahu në Kur’anin Famëlartë ka thënë:
“إِنَّ أَكْرَمَكُمْ عِنْدَ اللَّهِ أَتْقَاكُمْ
…e s’ka dyshim se te All-llahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (këqijat)….”
Vëllezër muslimanë!
Si është ecja modeste? Me kokë të ulur? Me shtirje si i sëmurë? Me shfaqje të dobësisë fizike? Jo. Islami ka paraparë edhe këtu mesatarinë, dhe nëse një grup bëjnë mendjemadhësi, grupi tjetër shfaqin modesti t tepruar për çka edhe kanë rënë në shkallën e poshtërimit, Islami sjell alternativën e tij të mishëruar në porosinë e Llukmnait dhënë të birit:
“وَاقْصِدْ فِي مَشْيِكَ
Të jesh i matur në ecjen tënde…”
Të mos jesh kryelartë nuk do të thotë të ulësh kokën poshtë, ose të vishesh keq, ose të ecësh i rraskapitur. Omer disa asketëve injorantë që kinse nga lodhja e rraskapitja nuk mund ta bënin rukunë e sexhden mirë ua përkujtoi se devotshmëria nuk është në rroba por në zemër. Zaten, Pejgamberi, alejhis selam ka thënë:
“لا يدخل الجنة من كان في قلبه مثقال ذرة من كبر» فقال رجل: إن الرجل يحب أن يكون ثوبه حسنًا، ونعله حسنة؟ قال: «إن الله جميل يحب الجمال، الكبر بطر الحق، وغمط الناس
Nuk hyn në Xhennet ai që në zemrën e tij ka mendjemadhësi qoftë edhe sa një grimcë! Por -shtroi pyetjen një i pranishëm- njeriu ka dëshirë ta ketë veshmbathjen të bukur? Allahu është i bukur dhe e do të bukurën –u përgjigj Pejgamberi, alejhis selam dhe shtoi se- mendjemadhësia është mohimi i së vërtetës dhe poshtërimi – nënçmimi i njerëzve.”
Besimtarë të dashur!
Vetvetiu pas kësaj që sqaruam lind nevoja për njohjen më konkrete me edukatën e ecjes në Islam. Si të ecim dhe çka të kemi kujdes gjatë ecjes?
– Gjënë e parë që duhet ta mënjanojmë është shikimi në gjërat që nuk lejohen. Allahu ka urdhëruar besimtarët dhe besimtaret në kaptinën en-Nur, ajetet 30-31, që të ruajnë shikimet:
“قُل لِّلْمُؤْمِنِينَ يَغُضُّوا مِنْ أَبْصَارِهِمْ
Thuaju besimtarëve të ndalin shikimet (prej haramit)…”,
“وَقُل لِّلْمُؤْمِنَاتِ يَغْضُضْنَ مِنْ أَبْصَارِهِنَّ
Thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre…”.
– Ecjen me maturi, madje qoftë edhe duke shkuar në xhami për namaz. Allahu ka thënë:
“وَاقْصِدْ فِي مَشْيِكَ وَاغْضُضْ مِنْ صَوْتِكَ إِنَّ أَنْكَرَ الْأَصْوَاتِ لَصَوْتُ الْحَمِير
Të jesh i matur në ecjen tënde, ule zërin tënd, se zëri më i egër është zëri i gomarit.”
Ebu Hurejre transmeton se Pejgamberi, alejhis selam ka thënë:
“إِذَا أُقِيمَتِ الصَّلَاةُ فَلَا تَأْتُوهَا تَسْعَوْنَ وَأْتُوهَا تَمْشُونَ عَلَيْكُمُ السَّكِينَةُ فَمَا أَدْرَكْتُمْ فَصَلُّوا وَمَا فَاتَكُمْ فَأَتِمُّوا
Kur të filloj falja e namazit mos ejani duke nxituar por ecni të qetë; atë që e zini, falen, e pjesën tjetër plotësojeni”.
– Përshëndetja e njerëzve në rrugë, ashtu siç e do rendi fetar. Pejgamberi, alejhis selam një herë qe pyetur për aspektin më të mirë të fesë për çka pati dhënë këtë përgjigje:
“تُطْعِمُ الطَّعَامَ وَتَقْرَأُ السَّلَامَ عَلَى مَنْ عَرَفْتَ وَمَنْ لَمْ تَعْرِفْ
Të japësh ushqim dhe të përshëndetsh ata që njeh dhe që nuk i njeh”
– Largimi i pengesave nga rruga. Pejgamberi, alejhis selam ka thënë:
” بينما رجل يمشي بطريقٍ إذ وجد غصن شوكٍ على الطريق فأخره، فشكر الله له فغفر له
Derisa një njeri ecte në një rrugë, pa një dege me gjemba, të cilën e largoi nga rruga. Allahu si shpërblim ia fali mëkatet” .
Besimtarë të nderuar!
Përse të mos jetë ky moral pjesë e personalitetit tonë?
Përse të mos jemi modestë kur modestia na ngrit?
Përse të mos përvetësojmë kulturën atyre që Allahu në Kur’an përgëzoi me Xhennet?
Allahun e lusim të na i pastroj zemrat tona dhe të na bëjë model për mirësjellje, edukatë dhe kulturë!

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s