CILËSITË E ROBËRVE TË SINQERTË TË ALLAHUT 5

FRIKA NGA ZJARRI I XHEHENNEMIT
Besimtarë të nderuar!
Robërit e sinqertë të Allahut, ani pse përvetësuan një thesar të tërë virtytesh, ani pse në llogaritë e tyre deponuan aq shumë të mira: ishin modest, të vetëpërmbajtur, falnin madje edhe namaz nate, ata as edhe për një çast të vetëm nuk ia lejuan vetes të bien në grackën e asketëve injorantë. Përkundrazi, ata vërtetuan se krahas devotshmërisë, kanë thithur edhe nektar diturie, dhe në kohën kur shohim të tjerët tek mbështetën në adhurimin e tyre dhe pretendojnë një lloj sigurie dhe komoditeti nga Xhehennemi, këta ndiejnë një frikë për çka i drejtohen Allahut me lutje: “Edhe ata që thonë: “Zoti ynë, largoje prej nesh vuajtjen e xhehennemit, e s’ka dyshim se vuajtja në të është gjëja më e rëndë”. 66. Ai, vërtet është vendqëndrim dhe vendbanim i keq.” el-Furkan, 65-66.
Nuk mashtrohen me atë që kanë bërë
Kështu është puna e besimtarit të sinqertë. Sado që të jetë i devotshëm, sado që të jetë në shërbim të fesë dhe fjalës së Allahut, ai asnjëherë nuk pretendon pavarësi prej mëshirës së Tij.
Madje jo vetëm kaq, por edhe e di se një gjë e tillë është mëkat, që sipas terminologjisë profetike, mban rrezikun e shkatërrimit. Pejgamberi, alejhi’s selam, në një hadith, pos tjerash, thotë: “Tri gjëra janë shkatërruese…: koprracia e respektuar, epshi i pasuar dhe mashtrimi i njeriut me vetveten (me veprat e tij);…” (Hadithi është hasen. Shih: Sahihu’l xhamii, 3045.)
Nëse shpëtimi nga Xhehennemi si produkt i veprës nuk i qe garantuar as Muhammedit, alejhi’s selam, krijesës më të devotshme, atëherë ku mbetet vend për të tjerët të shpresojnë apo mbështeten në veprat e tyre. A nuk ka thënë Muhammedi, alejhi’s selam: “Askënd vepra e tij nuk mund ta fus në Xhennet! A as ty o i dërguari i Allahut?!- e pyetën me habi. As mua, përveç nëse Allahu me mbulon me mëshirë- u përgjigj ai” (Muslimi.)
Nëse do ta kuptosh këtë figurativisht, atëherë shfleto pakëz me mua historinë e një legjendeje të gjallë, Omerit, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili thoshte: “Sikur të thërriste prej qiellit një thirrës: O ju njerëz! Që të gjithë do të hyni në Xhennet me përjashtim të një njeriu, do të kisha frikë se mos unë jam ai.”
Nga këtu nuk është çudi kur te shohësh ndonjërin nga selefi – gjeneratat e para – tek dëshmojnë se: “Po të buja fjetur dhe të ngrihesha me keqardhje do të më ishte më e dashur se sa të buaj duke u falur e të gdhijë i mashtruar me atë që kam bërë (të ndiej sikur kam bërë shumë punë të madhe).”
Kjo për faktin se, siç është sqaruar nga Imam Gazaliu , vetëmashtrimi – të mendosh se ke bërë mirë shumë-, njeriun e bën t’i anashkaloj dhe harrojë mëkatet, e kështu bie thellë në humnerën e mëkateve.
Përse frika nga zjarri i Xhehennemit?
Çfarë e bënë atë aq të rrezikshëm saqë besimtari të ketë frikë të madhe prej tij?
Pse si tipar shquhen me të robërit e sinqertë të Allahut?
Përgjigjen e këtyre dhe pyetjeve të ngjashme do e gjejmë –inshaAllah- në vijim.
– Ngase është adhurimi më i mirë. Vehb b. Munebbihi pati thënë: “Allahu nuk është adhuruar me diç të ngjashme sikur frika.”
E për ta kuptuar sekretin e kësaj forme adhurimi, i kthehemi fjalës së Sulejman ed Daranit, i cili shpjegon se ”Bazë e çdo të mire në dynja dhe ahiret është frika ngase një zemër që nuk është e mbushur me frikë prej Allahut, ajo është gërmadhë.”
– Ngase, për rrezikun që paraqet, edhe Pejgamberi, alejhi’s selam lutej në çdo namaz për tu mbrojtur prej tij. Nëse kihet parasysh se kush është Muhammedi, alejhi’s selam dhe cila ishte pozita e tij tek Allahu, atëherë sqarimet duhet të mjaftojnë me kaq. Imam Muslimi transmeton se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë: “Kur ta kryejë dikush prej jush teshehuudin e fundit, le të kërkojë mbrojtje tek Allahu prej katër gjërave: prej ndëshkimit të Xhehennemit, prej ndëshkimit të varrit, prej sprovës së të gjallëve dhe të vdekurve dhe prej sherrit të Mesihut Dexh-xhall”.
– Ngase takimi me Xhehennemin, çfarëdo që të jesh, i mirë apo i keq, i sinqertë a mëkatarë, është i pashmangshëm. Allahu ka thënë: “Dhe nuk ka asnjë prej jush që nuk do t’i afrohet atij. Ky (kontaktim i xhehennemit) është vendim i kryer i Zotit tënd. 72. Pastaj, (pas kalimit pranë tij) do t’i shpëtojmë ata që ishin ruajtur (mëkateve), e zullumqarët do t’i lëmë aty të gjunjëzuar.” Merjem, 71-72.
Dijetarët kanë polemizuar se ç’kuptim ka afrimi Xhehennemit. Disa thanë se bëhet fjalë për kalim pranë tij e të tjerë thanë se hyrja në të është për qëllim . Sido që të jetë, neve për kuptimin e tyre do t’i ktheheshim njërit që këto ajete ia kishin humbur gjumin për kohë të gjatë. Ibni Ebi Mejsere kur shkonte të flinte qante shumë dhe thoshte: Ah sikur nëna të mos më lindte fare! Kurse e ëma e cila e dëgjoi tek qante dhe tha këtë fjalë iu drejtua: Po përse kështu o biri im? A nuk të ka bërë mirë Allahu?! A nuk të ka udhëzuar në Islam?! Po, nënë e dashur, por Allahu na ka treguar se ne doemos do të ndalemi tek zjarri e pastaj nuk na ka treguar se a do të dalim prej tij apo jo- ia ktheu ai.
Ne fakt, Allahu ka përmendur se ata që ia kanë patur frikën Atij do të shpëtojnë prej Xhehennemit, por ah sikur ta dinim se a jemi prej tyre apo jo!
– Ngase zjarri i Xhehennemit është diç që nuk zmbrapset dot nga asnjë forcë. Allahu ka thënë: “Është e vërtetë se dënimi i Zotit tënd patjetër do të ndodhë. 8. Atë nuk ka kush që mund ta largojë.” Tur, 7-8.
Një natë, gjersa kalonte Omeri pranë një xhamie, dëgjoi një njeri të devotshëm, i cili kishte zgjedhur xhaminë për namaz nate, e dëgjoi tek lexonte këto ajete. Për një çast u ndal. Mendoi e mendoi e pastaj tha: ” Pasha Allahun, Zotin e Qabes, ky është një betim I vërtetë! Omeri u sëmur nga ky kërcënim hyjnor dhe për një muaj mbeti në shtrat pa lëvizur fare. Njerëzit e vizitonin por nuk e dinin se prej çfarë ankonte.
– Ngase dënimi në të është i pafund. Kjo sigurisht se për pabesimtarët dhe hipokritët porse një gjë e tillë vlen mësim edhe për besimtarin. Se për çfarë në të vërtetë bëhet fjalë do të mësojmë nga këto ajete kur’anore: “Ndërkaq, kriminelët janë në vuajtje të përjetshme të xhehennemit. 75. Atyre as nuk u lehtësohet (vuajtja) dhe aty janë të dëshpëruar. 76. Ne nuk u bëmë atyre padrejtësi, por ata vetë kanë qenë horra. 77. Dhe ata thërrasin: “O Malik, le të na e marrë shpirtin Zoti yt!”. Ai thotë: “Ju do të jeni aty përgjithmonë!” 78. Ne u patëm sjellë të vërtetën, por shumica prej jush ishit urrejtës të së vërtetës.” ez Zuhruf, 74-78.
E shihni, ata kërkojnë edhe vdekjen, e duan atë më shumë se çdo gjë, duan t’i japin fund jetës, por jo, vdekje më nuk ka.
– Ngase ka pamje trishtuese dhe një imazh, që po të arrihej pikturimi i tij, çdokush që do ta shihte do të binte në komë për të mos thënë se do vdiste fare. Ka thellësi shumë të madhe , madje ka edhe lugina të tilla ; nxehtësia e tij është e papërballueshme , banorët e tij janë të prangosur ; ushqimi dhe pija e tyre janë shumë të hidhura ; rrobat i kane nga zjarri dhe katrani e të tilla edhe mobiliet dhe orenditë ku do ta kalojnë jetën e pafund .
Ndërmjet frikës dhe shpresës
Ndarjen me ju, pas kësaj frike që sqaruam dhe pas këtij përshkrimi që i bëmë Xhehennemit, nuk do e bëjmë shpejt, ngase nuk duam që tek ju të krijohen përshtypje a bindje të gabuara. Po kështu, nuk duam as që të bëheni pesimist e të humbni nga e vërteta. Duam tua sqarojmë pozicionin që besimtari duhet ta këtë dhe kursin që duhet ta ndjekë përkitazi me frikën nga Xhehennemi por edhe shpresën në Xhennet.
Islami fton që të ndiqet një mesatare ndërmjet tyre. As nuk thërret në frikë, e cila të shpien në pesimizëm, por as në shpresë, e cila do ia bënte shumë të thjeshte rrugën e mëkateve. Megjithatë, për shkak se instinktivisht ngacmohet nga epshet, që për pasojë ndonjëherë edhe bie në mëkate, per të mos thënë se ca të vogla i bëhen edhe traditë, caktoi që frika t’ia paraprijë shpresës tek njeriu sa të jetë gjallë ndërsa kur të vjen momenti i dhënies shpirt, atëherë shpresa t’ia paraprije frikës në mënyrë që të del nga kjo botë duke ndarë mendime të mira për Allahun. Apo, ai duhet të jetë, sipas shembullit të hoxhës së nderuar, Muhammed Husejn Jakubit, sikur një shpend, që nuk mund të fluturojë dot pa lëvizur që të dy krahët.
Vëllezër të nderuar!
Le të jenë frika dhe shpresa krahët tonë, të cilët në rrugëtimin tonë do të na shpien tek Allahu në formën më të sigurtë ë mundshme. Le të kujtojmë se Allahu nuk është vetëm Falës, por edhe ndëshkues dhe ndëshkimi i Tij është shumë i ashpër.
O Zoti ynë!
Na dhuro të mira në dynja dhe ahiret dhe na ruaj nga zjarri i Xhehennemit neve, familjet tona dhe mbarë besimtarët!
Amin!

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s