CILËSITË E ROBËRVE TË SINQERTË TË ALLAHUT 6

MESATARI NË SHPENZIME
Rezymeja e hutbes: 1. Domethënia e bujarisë, ekstravagancës (mastrafit) dhe koprracisë; 2. Si është balancimi.
Besimtarë të nderuar!
Rrëfimi ynë me robërit e sinqertë të Allahut nuk ka të ndalur. Kësaj radhe ndalesa jonë me ta është nën hijen e një tipari dhe virtyti, rëndësia e të cilit është jashtëzakonisht e veçantë. Pasi që Allahu përshkroi raportet e tyre me vetveten, me njerëzit, me Allahun, përshkroi raportet e tyre edhe me pasurinë e tha: “Edhe ata që kur shpenzojnë nuk e teprojnë e as nuk janë dorështrënguar, por mbajnë mesataren e janë të matur.” el-Furkan, 67.
Kështu janë besimtarët e sinqertë. Nuk është e thënë që për të qenë të tillë (sinqertë) duhet të jenë të varfër . Assesi. Përkundrazi, ata me gjithë faktin që mund të jenë biznesmenë të suksesshëm dhe pasanikë të mëdhenj, prapë këtij karvani, jo që nuk i shkëputen, por edhe mund ta kryesojnë atë. A mund ta kontestojë ndokush faktin që sahabijtë Uthmani dhe AbduRrahman b. Aufi, sa për ilustrim, me gjithë pasurinë që kishin, ishte ndër më të sinqertit, madje ky i pari ishte edhe Halife i dëshmuar. Ajo që veçonte ata dhe ua ruante këtë status të tyre ishte racionalizmi dhe arsyeshmëria në shpenzime. Ndaj, edhe ne këtu, në këtë hutbe, do të mundohemi të hedhim dritë mbi parimet e shpenzimit të duhur ne mënyrë që këtë tipar ta përvetësojmë në formën më të përsosur të mundur.
Besimtarë të nderuar!
Domethënia e bujarisë, ekstravagancës (mastrafit) dhe koprracisë
Këto tri shprehje, realisht, përfaqësojnë një fushë të vetme por e cila nuk menaxhohet njëjtë nga të gjithë. Ka që janë shumë të matur në veprimet e tyre, ka të tjerë që janë të shthurur derisa të tretët, edhe pse janë të vetëdijshëm për mënyrën e mirëmenaxhimit, janë njerëz që interesin e lokalizojnë tërësisht në rrethin më të ngushtë të mundshëm.
a. Bujaria, sipas parimeve fetare, nënkupton: “Dhënia me maturi duke mos rrezikuar gjendjen materiale personale dhe të atyre që janë nën kujdesin tënd material si dhe duke dhënë aq sa i nevojitet nevojtarit”.
Allahu i Madhëruar në Kur’anin Famëlartë bujarinë e ndërlidhi me gjëra madhore, të cilat reflektojnë imazhin e një personaliteti të përkryer të besimtarit, cilësitë e të cilit i përmblodhi në disa ajete, si: “Ky është libri që nuk ka dyshim në te (sepse është prej All-llahut) është udhëzues për ata që janë të devotshëm. 3. Të cilët e besojnë të fshehtën, e kryejnë faljen (namazin) dhe prej asaj që Ne u kemi dhënë, ata japin (zeqat, sadaka etj.)”. (El Bekare, 2-3)
Në këto dy ajete kur’anore, të cilat njihen si “ajetet e besimtarëve”, Allahu i Madhëruar ndërlidh motivet e dhënies në rrugën e Tij me: a) Vizionin largpamës si rezultat i mbështetjes në Kur’anin Famëlartë, i cili është i vërtetë pa asnjë dyshim, b) Besimin në Gajb (sekret), pjesë kjo e domosdoshme në kredon islame, e cila njëherit e bën besimtarin të dallojë jo vetëm prej pabesimtarit por edhe prej hipokritit, dhe c) Faljes së namazit, e cila shkon paralel me dhënien në rrugën e Allahut të Madhëruar. Ai e di se feja është tërësi e cila nuk pranon ndarje ndaj veprimet e tij si në raport me Allahu e Madhëruar po ashtu edhe në raport me rrethin ku jeton, janë të precizuara saktë e mirë.
b. Ekstravaganca (mastrafi) ka kuptimin e shpenzimit në vende të pamerituara, që përfshijnë:
– Gjërat e ndaluara që Allahu i Madhëruar nuk i do. Mu për këtë, është thënë se Israfi nuk është vetëm cilësi e të pasurit. Ajo vjen edhe nga të varfrit. Nga këtu, Sufjani ka thënë: Çdo gjë që nuk shpenzohet për hire të Allahut të Madhëruar, është Israf, edhe nëse është pak” .
– Anashkalimi i qëllimit për çka duhet të shpenzohet pasuria .
– Shpenzim i tepërt në vende të lejuara, cilësi kjo që nuk shkon shtati me besimtarët.
c. Koprracia ka dy kuptime bazë: a) Mosdhënia e asaj që duhet dhënë, dhe b) Mosdhënia lypësit .
Ndërsa në kuptim më të përgjithshëm janë dhënë shumë mendime: a) Koprracia (Buhli) është zhveshja e njeriut nga cilësitë njerëzore dhe pajisje me moral shtazarak , b) Mosdhënia e Zekatit, c) Mosdhënia e obligimeve tjera përveç Zekatit, d) Kryerja e obligimeve por jo edhe e gjërave fisnike, p.sh. mos nderimi i mysafirit, mos dhënia në fatkeqësi natyrore, etj.
Dëmet e koprracisë
Përderisa solidarizimi me njerëz për hire të Allahut të Madhëruar ka vlerë të madhe, koprracia, paraqet një mori rreziqesh për njeriun duke filluar nga:
– Prishja e rendit shoqëror dhe sigurisë. Ka thënë Pejgamberi, alejhi’s selam: “Keni kujdes nga dorështrëngimi ngase ajo i shkatërroi ata që ishin para jush; i urdhëroi me koprraci dhe e bën atë, i urdhëroi me shkëputje të lidhjeve familjare e i shkëputën, i urdhëroi me mëkat e bën mëkate”. Sahihu’l xhamii, 2678.
– Humbja e sigurt e pasurisë, siç qëndron në hadith: “Nuk ka ditë që nuk zbresin dy melekë nga qielli, njëri prej të cilëve thotë: O Allah! Atij që jep, kompensoja, kurse tjetri thotë: O Allah! Atij që nuk jep, shkaktoji humbje” .
Në hadith vërehet lutja e melaikeve, krijesave që kurrë Allahut të Madhëruar nuk i bëjnë mëkat, tipar ky që siguron pranimin e duasë.
Ndodhë që njeriu koprrac të mos sprovohet me këtë por kjo nuk është sihariq për të. Kjo është vetëm një alarmim për një dënim të dhembshëm. Thotë Allahu i Madhëruar: “Ata, të cilët bëjnë koprraci me atë që nga të mirat e veta u dha All-llahu, të mos mendojnë kurrsesi se ajo është në dobi të tyre. Jo, ajo është në dëm të tyre. Ajo e mirë me çka bënë koprraci, në ditën e kijametit do t’u mbështillet në qafën e tyre. All-llahut i mbesin trashëgim qiejt dhe toka, All-llahu është i njohur mirë më atë që veproni” . (Ali Imran, 180)
Të nderuar vëllezër!
Si është balancimi
Ajo që e vërejtëm gjatë shtjellimit të tri termeve ishte se e vetmja mënyrë e pranuar e shpenzimit dhe dhënies ishte bujaria. Për të arritur tek bujaria, patjetër duhet hequr dorë nga ekstravaganca dhe koprracia, dhe ja, këto janë këshillat përkatëse, strumbullar i të cilave është menaxhimi i mirë i pasurisë:
1. Ikja nga luksi – shpenzimet e tepërta, qofshin edhe në gjëra të lejuara. Thotë Allahu i Madhëruar: “O bijtë e Ademit, vishuni bukur për çdo namaz (lutje), hani dhe pini e mos e teproni, pse Ai (All-llahu) nuk i do ata që e teprojnë (shkapërderdhin)”. (El A’rafë, 31)
Ibnu’l Xhevzijj në Zadu’ Mesir përmend katër kuptime të “tepricës”: a) Mos e ndaloni atë që iu është lejuar, b) Mos hani gjëra të ndaluara, c) Mos i bëni shok Allahut të Madhëruar, dhe d) Mos hani nga hallalli më shumë se që keni nevojë.
2. Ikja nga dhënia ku nuk duhet dhe ku nuk synohet kënaqësia e Allahut. Thotë Allahu i Madhëruar: “Ata që nuk besuan, shpenzojnë pasurinë e tyre për të penguar nga rruga e All-llahut. Ata do ta shpenzojnë atë dhe ajo do të bëhet dëshpërim i tyre, madje ata do të mposhten. E ata që mohuan, do të përmblidhen vetëm në xhehennem”. (El Enfalë, 36)
Fetarisht, çdo dhënie, për tu pranuar, duhet të ketë për synim kënaqësinë e Allahut të Madhëruar. Thotë Allahu i Madhëruar: “Të pyesin se ç’do të japin. Thuaj: “Atë që jepni prej pasurisë jepni për prindërit, jepni për të afërmit, për bonjakët, për të varfrit, për kurbetçinjtë. E çdo të mirë që punoni, s’ka dyshim se All-llahu e di”. (El Bekare, 215)
3. Ikja nga dhënia në vende të preferuara por duke anashkaluar ato prioritaret. Dhënia duket të jetë e seleksionuar në atë mënyrë që secili grup apo kategori të përfitojë sipas pozitës dhe rëndësisë që ka. Nuk mund të jesh i mirë për fqinjin nëse nuk je i mire për familjen tënde. Kjo nuk quhet bujari për arsye se është lesuar obligimi për tu kryer një punë e preferuar apo është lëshuar obligimi i prerë (farz ajn) për ta bërë një tjetër që është sekondar (kifaje). Madje shpenzimi jo korrekt me këta është cilësuar mëkat. Thotë Pejgamberi, alejhi’s selam: “I mjafton njeriut mëkat mosdhënia atyre që i ka në mbikëqyrje”. Muslimi.
4. Mesatarja ndërmjet koprracisë dhe israfit. Thotë Allahu i Madhëruar: “Dhe mos e bën dorën tënde të lidhur për qafe (mos u bë koprrac), e as mos e shtrij në tërësi, e të mbetesh i qortuar dhe duarthatë (nga shpenzimi i tepërt)”. (El Isra, 29)
Ibni Kethiri në koment të këtij ajeti ka thënë: Allahu i Madhëruar urdhëron për një jetë normale duke urryer e përbuzur koprracinë si dhe duke ndaluar nga shpenzimet e tepërta.
Nga kjo kuptojmë se dhënia ka dy pole të kundërta, të cilave duhet ikur dhe për të mbajtur drejtpeshimin, duhet zgjedhur mesin. Pra, nuk bën të jesh shumë bujar të kalosh në rangun e atyre që shpenzojnë pasurinë pa kontrolle por nuk bën as të jesh koprrac.
Kjo është përshkruar edhe ne këtë ajet: “Dhe jepi çdo të afërmi të drejtën që i takon, edhe të varfërit, edhe atij në kurbet, po mos shpenzo tepër e pa rrugë. 27. Ata që shpenzojnë tepër (mastrafxhinjtë) janë vëllezër (në veprim) të djajve, e djalli është përbuzës i madh i Zotit të Tij.”. (El Isra, 26-27)
Ajeti në njërën anë flet për dhënie të afërmeve dhe nevojtarëve ndërsa në anën tjetër rekomandon maturinë në këtë dhënie. Ajo që është interesant dhe që ia vlen të përmendet është se Allahu i Madhëruar dhënien e tepërt e shembëlloi me veprim të djallit, i cili nëse nuk mundet te ndalojë nga ndonjë vepër e mirë, ai mundohet që atë vepër të mirë ta njollosë, dhe kështu, të nxit të japësh mbi normalen, që vetvetiu hyn në kuadër të ekstravagancës dhe rrjedhimisht zhveshët nga shpërblimi. Nëse djalli nuk ia arrit qëllimit që njeriun ta bëjë koprrac, atëherë ai e thërret në israf.
5. Dhënia aq sa nuk e dëmton veten. Thotë Allahu i Madhëruar: “Edhe ata që kur shpenzojnë nuk e teprojnë e as nuk janë dorështrënguar, por mbajnë mesataren e janë të matur”. (El Furkan, 67), “….e as mos e shtrij në tërësi, e të mbetesh i qortuar dhe duarthatë (nga shpenzimi i tepërt)”. (El Isra, 29)
Mos e shtrij dorën në dhënie të tepërt që më pas ta qortosh veten dhe të të qortojnë të tjerët dhe të mbetesh pa kurrgjë. Mos jep më shumë se që ke të hyra materiale . Në ajet është përmendur shprehja “mahsura”, që në të folurit e përditshëm përdoret për kafshën e cila nga lodhja dhe dobësia nuk bën për udhëtim me të. Pra, me dhënie të tepërt ti nuk ke mundësi ta zhvillosh pasurinë dhe rrjedhimisht, edhe ti por edhe lëmosha jote marrin fund .
Përmbyllje
Vëllezër të dashur!
Me këto fjalë nuk synojmë largimin e njerëzve nga solidarizimi me të varfrit, bonjakët, jetimët, skamnorët, përkundrazi, ajo që ne synojmë është që edhe veprimet humane të besimtarit të jenë të koordinuara dhe rregulluara në frymën islame. Mbi të gjitha, Islami është program i tillë që njeriun nuk e fut dot në situata që ardhmërinë e tij ia rrezikojnë. Ai vetëm fton në menaxhim të mirë të pasurisë duke dhënë atë që duhet dhënë, atyre që e meritojnë dhe duke ikur sa më shumë nga gjërat e lejuara por jo të preferuara e aq më parë nga ndalesat-haramet.
Allahu na dhëntë bereqet në pasuritë tona dhe na bëftë prej atyre që shpenzojnë në rrugën e Tij!
Amin!

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s