ETIKA E AGJËRIMIT

Sedat ISLAMI

(Ligjëratë)

Ligjërata jonë në fokus ka etikën e agjërimit. Vetvetiu kuptohet nga kjo përzgjedhje tematike e ligjëratës se agjërimi nuk qenka si të thuash një adhurim teknik, që ka të bëjë vetëm me një aspekt dhe jo aspekte tjera të fesë. Ajo që dua të them është se agjërimi, ani pse sipërfaqësisht nënkupton abstenimin nga ushqimi dhe pijet, megjithëkëtë, qëllimi dhe roli i tij nuk përkufizohen vetëm në të (abstenim). Përkundrazi, ngelja me agjërim vetëm në këtë stad rrezikon agjërimin tërësisht. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] thotë: “Ndodhë që ndonjë agjërues të mos ketë përfituar nga agjërimi i tij asgjë përveç urisë dhe etjes!”[1]

Kjo për shkak se qëllimi i agjërimit nuk ka të bëjë aspak me ushqimin apo me trupin e njeriut. Agjërimit i intereson shpirti i besimtarit. Kësisoj e definon qëllimin e tij Allahu në Kur’an: O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” (el-Bekare, 183)

Nga fjala e Allahut dhe thënia e të Dërguarit të Tij fisnik, Muhammedit [alejhis salatu ves selam] mësuam për nevojën e domosdoshme të shoqërimit të këtij adhurimi madhështor me etikë dhe edukatë, ndryshe, shembulli i agjërimit në rast të zhveshjes së tij nga etika dhe morali i kërkuar do të ishte sikur shembulli i namazit pa pastrim paraprak – pa abdes. Kësisoj, për të mos lejuar humbjen e vlerës dhe shpërblimit të agjërimit, për të mos penguar agjërimin të ndikojë thellë në shpirt, për të mundësuar që mësimet, porositë dhe imazhi i tij të mishërohen me karakterin dhe natyrën tonë, sonte do t’i kthehemi traditës profetike, për të marrë udhëzimet dhe rekomandimet përkatëse.

Etika dhe morali i Ramazanit kanë një degëzim të madh, aq sa përfshijnë besimtarin shpirtërisht dhe fizikisht, përfshijnë gjërat e brendshme, të cilat syri nuk i sheh, por edhe ato të dukshmet, pra sjelljet verbale dhe fizike. Le të shohim bashkërisht një ndarje të bukur dhe domethënëse të etikës ramazaneske sipas traditës së të dashurit tonë, Muhammedit [alejhis salatu ves selam].

1) Etika shpirtërore, e cila përfshin ndjesinë e të qenit në vëzhgim nga Allahu i Madhëruar (el-murakabeh), durimin, ver’in apo, siç e shpjegon Ibnul Kajjimi[2], braktisjen e atyre gjërave që ke frikë se do të bëjnë keq në Ahiret.

2) Etika praktike, e cila nënkupton para së gjithash sjelljen e mirë me njerëz, asketizmin në dynja, bujarinë ndaj njerëzve, mbajtjen e lidhjeve familjare, etj.

3) Etika verbale –nëse mund të quhet kështu-, dhe e cila përfshin braktisjen e fjalëve të këqija, thirrjen në Rrugën e Allahut, përmendjen e Allahut dhe leximin e Kur’anit Fisnik.

Sigurisht, etika e Ramazanit përfshin edhe më shumë. Ajo, që si buqetë lulesh do të doja tua ofroj agjërues të respektuar ka të bëjë me disa thënie profetike të cilat përfshijnë aspekte të rëndësishme nga pikat e sipërpërmendura.

1) Braktisja e fjalorit të ndytë

Buhariu [Allahu e mëshiroftë] transmeton nga Ebu Hurejre [Allahu qoftë i kënaqur me të] se i Dërguari i Allahut, Muhammedi [alejhis salatu ves selam] ka thënë: “Kush nuk braktisë shpifjen dhe veprimin sipas saj, atëherë të mos agjëron fare, ngase Allahu nuk ka nevojë që dikush prej jush ta braktisë ushqimin apo pijen e vet!”

Muhel-lebi[3], një dijetar mysliman, bazuar në këtë hadith konstaton se “në agjërim lypset abstenim nga fjalët e këqija ashtu sikur nga ushqimi dhe pija, ndryshe, agjërimi rrezikon të pakësohet (në vlerë), t’i ekspozohet hidhërimit të Allahut dhe mospranimit të tij (agjërimit) prej agjëruesit.”

Këtu do të doja të përmend atë që kanë nënvizuar dijetarët tanë se, hadithi nuk bën thirrje që përderisa nuk i braktis fjalët e këqija, braktise agjërimin, assesi, hadithi vetëm tërheq vërejtjen nga disa prej gjërave që dëmtojnë adhurimet e besimtarit.

2) Përmbajtja dhe durimi

Qëllimi i agjërimit është të bëjë kompletimin e personalitetit të besimtarit. Vet agjërimi në esencë nënkupton durimin dhe vetëpërmbajtjen. Duron dhe vetëpërmbahesh nga ngrënia edhe pse po deshe mund të hash pa të parë njerëzit. Agjërimi të forcon në atë mënyrë që gjërat e thjeshta dhe të pavlera të të mos sfidojnë. Ndryshe, nëse agjëron ndërsa fjalosesh me njerëz, shahesh, grindesh, atëherë ky tipar themelor i agjërimit ka dështuar të mishërohet me personalitetin tënd. Muhammedi [alejhis salatu ves selam] ka thënë: “Agjërimi është mburojë, andaj, agjëruesi le të mos flet fjalë të pahijshme dhe le të mos bëjë marrëzira. Po qe se e provokoi dikush apo e shau, le të thotë (dy herë): Unë jam agjërues!” (Buhariu)

3) Braktisja e cilësive të urryera

Bazuar në hadithin paraprak, është etikë e agjërimit edhe largimi nga vetitë e papëlqyera, si gënjeshtra, bartja e fjalëve, përgojimi. Omeri [Allahu qoftë i kënaqur me të] ka thënë: “Agjërimi nuk është vetëm në të abstenuarit nga ushqimi dhe pija por edhe nga gënjeshtra, e kota, absurditetet dhe betimi.”[4]

Abidete Selmani ka thënë: “Keni kujdes dy gjëra që ua prishin agjërimin: përgojimi dhe gënjeshtra!”[5]

4) Ruajtja e shikimit dhe dëgjimit

Imam Gazaliu kur përmend etikën e agjërimit në radhë të parë e vë ruajtjen e shikimit[6]. Kjo, për shkak se shikimi ka një ndikim të madh në psikikën e njeriut. Ai si të thuash është zanafilla e mëkateve që kanë të bëjnë me nderin. Mu për këtë, Muhammedi, [alejhis salatu ves selam]: “Kush ka mundësi martese, le të martohet, ngase martesa ruan shikimin dhe nderin, e kush nuk ka mundësi le të agjërojë ngase agjërimi është mburojë!”

Një nga sahabijtë e Muhammedit [alejhis salatu ves selam], Xhabiri [Allahu qoftë i kënaqur me të] ka thënë: “Kur të agjërosh, atëherë le të agjërojnë bashkë me ty edhe dëgjimi, shikimi dhe gjuha jote nga gënjeshtra dhe mëkatet… ”[7]

5) Modestia dhe përulja

Besimtari me adhurimin e tij nëse dëshmon për diç, atëherë këtë e bën për të dëshmuar nevojën e tij për Zotin dhe nënshtrimin ndaj urdhrave të Tij. Mosndjekja e rrugës së atyre që kundërshtuan dhe nuk agjëruan nuk mjafton si dëshmi për të qenë i mirë. Përkundrazi, sa më shumë që të thellohesh në adhurim, aq më shumë ndien se duhet të tregohesh i përulur, dëgjueshëm, devotshëm. Kjo gjë kërkohet detyrimisht në agjërim. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë: “Kush agjëron Ramazanin me besim dhe llogari në shpërblimin e Allahut, i falen mëkatet e mëparshme!”(Transmetim unanim.)

Këto ishin disa nga tiparet profetike që simbolizojnë për etikën e duhur të besimtarit në Ramazan. Kam shpresë në Allahun e Madhëruar se përfillja e kësaj etike do të na garantojë agjërim të pranueshëm, e kësisoj do të ngadhënjejmë me shpërblimet e mëdha të Allahut, që mendja dhe logjika jonë dot s’i paramendon!

Allahu na pranoftë lutjet dhe adhurimet tona!

[1] Shih: Sahihu-t-Tergibi ve-t-Terhib, 1076-1077.

[2] Ibnul Kajjim. El-Fevaid. F. 118.

[3] Ibn Bettali. Sherhu Sahihi-l-Buhari. 4/23.

[4] El-Mervezi, Ebu Abdullah Muhammed Ibn Nasr Ibn Haxh-xhaxh. Ta’dhimu kadri-s-salah. 2/575.

[5] Ibni Ebi Dunja. Es-samtu ve adabu-l-lisan. F. 125.

[6] Imam Gazali. Ihjau Ulumid-Din. 1/234.

[7] Ibn Mubarek, Abdullah. Kitabu-z-zuhd. F. 156.

_________________________
I added cool smileys to this message… if you don’t see them go to: http://s.exps.me

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s