PËRSE AGJËROVA?

PËRSE AGJËROVA?

Të nderuar vëllezër besimtarë!

‘Përse agjërova’ është tema, të cilën me lejen e Allahut do ta shtjellojmë në hutben e sotme. Është një titull që provokon, mbase për të mirë, për tu ndalur ca çaste me veten për t’ia parashtruar disa pyetje:

1) Përse agjërova?

2) Prej ç’gjëje agjërova (abstenova)?

3) Çfarë më bëri të sfidoj vështirësitë e agjërimit?

4) Çfarë kërkohet prej meje tash kur Ramazani ka kaluar?

Këto janë disa pyetjet që na shqetësojnë dhe të cilave, me lejen e Allahut, do të mundohemi tua japim përgjigjen, për të qetësuar sado pak shpirtin e trazuar nga mundësia e refuzimit dhe frika e dështimit pas këtij testi, goxha të rëndë.

Vëllezër myslimanë!

Agjërimi është një adhurim që dallon nga adhurimet tjera për dy karakteristika tejet interesante:

1) Metodën dhe formën e kryerjes, dhe

2) Periudhën kohore.

Këto janë dy specifikat e agjërimit, që, sipërfaqësisht e bëjnë të ndryshëm nga adhurimet tjera, por gjithsesi më tërheqës, më interesant dhe më sfidues.

Sa i përkatës veçorisë së parë, pra ‘formës së kryerjes’, agjërimi dallon nga adhurimet tjera, për shkak ë fshehtësisë së tij. në adhurimet tjera doemos do të shohin njerëzit, p.sh., nëse fal namazin, atëherë patjetër duhet t’i bësh rukutë dhe sexhdet, ndryshe, nuk mund të thuash se jam falur[1].

Pra, e ka kushtëzuar praninë fizike të njeriut në xhami, ndryshe, pretendimi se ke qenë në xhami ndërsa nuk të ka parë kush do të ishte vetëm një gënjeshtër, dhe asgjë më shumë.

Zekatin nuk mund ta bësh dot pa të parë njerëzit, të paktën ai që e merr prej teje (i autorizuari nga shteti), apo vet njeriut që ia dorëzon. Këtë e mësojmë edhe nga ky ajet kur’anor:

“إِن تُبْدُواْ الصَّدَقَاتِ فَنِعِمَّا هِيَ وَإِن تُخْفُوهَا وَتُؤْتُوهَا الْفُقَرَاء فَهُوَ خَيْرٌ لُّكُمْ وَيُكَفِّرُ عَنكُم مِّن سَيِّئَاتِكُمْ وَاللّهُ بِمَا تَعْمَلُونَ خَبِيرٌ

Nëse lëmoshat i jepni haptazi, ajo është mirë, por nëse ato ua jepni të varfërve fshehurazi, ajo është edhe më e mirë për ju dhe Ai ua largon (me punë të mira) të këqijat. All-llahu është i njohur hollësisht për veprat tuaja.” (el-Bekare, 271)

Ibni Abbasi rrëfehet të ketë thënë: “Për lëmoshën vullnetare shpërblimi i dhënies fshehurazi është për shtatëdhjetë fish më shumë se sa për dhënien haptazi, ndërsa ndryshe qëndron puna me lëmoshën e obliguar, respektivisht Zekatin, për dhënien e së cilës haptazi shpërblimi është për njëzetepesë herë më shumë se sa për dhënie fshehurazi.”

Kështu qëndron puna edhe me Haxhin, por jo edhe me agjërimin, ngase, përkundër se mund të mos agjërosh, nëse thua se je agjërueshëm, njerëzit të besojnë.

Ndërsa veçoria e dytë e agjërimit është ‘koha apo periudha.’ Nëse namazi mund të kryhet brenda pak minutave, zekati brenda disa orëve, haxhi në më pak se një javë, agjërimi zgjat një muaj të tërë.

Vëlla mysliman!

Për tridhjetë ditë ke abstenuar nga ushqimi, për tridhjetë ditë ke duruar urinë dhe etjen, për tridhjetë ditë ke përballuar vapën e madhe, për tridhjetë ditë je falur natën, ke lexuar Kur’an, ke dhënë mund në fusha të ndryshme, pas gjithë kësaj, a je ndalë ta pyesësh vetën:

Përse kam agjëruar?

– Kam agjëruar vetëm për hire të Allahut të Madhëruar, ashtu siç na ka mësuar Ai:

“الصوم لي وأنا أجزي به

Agjërimi është për Mua dhe Unë shpërblej për të!” (Albani thotë se hadithi është autentik.)

– Kam agjëruar edhe duke shpresuar në shpërblimin e Allahut të Madhëruar. Muhammedi [alejhis salatu ves selam] në një hadithi ka thënë:

“للصائم فرحتان: إذا أفطر فرح، وإذا لقي الله تعالى فجزاه فرح

Agjëruesi ka dy gëzime: kur të bëjë iftar, gëzohet, e po kështu gëzohet kur ta takojë Allahun e Madhëruar dhe ta shpërblejë Ai për agjërimin…” (Albani thotë se hadithi është autentik.)

– Kam agjëruar që të shpëtoj nga zjarri, ngase Ramazani është muaj në të cilin besimtarët kanë mundësinë e shpëtimit nga zjarri i Xhehennemit.

– Kam agjëruar për të fituar kurorën e mirësisë, devotshmërinë. Allahu i Madhëruar ka thënë:

“يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُواْ كُتِبَ عَلَيْكُمُ الصِّيَامُ كَمَا كُتِبَ عَلَى الَّذِينَ مِن قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ

O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” (el-Bekare, 183)

Vëlla i nderuar!

Për hatër të gjitha këtyre gjërave kemi agjëruar, por prej ç’gjëje kemi agjëruar? A nuk jemi larguar nga gjërat e lejuara prej agimit e deri në mbrëmje?! Gjithsesi se po, dhe, nëse puna është kështu, pra, për hire të Allahut të Madhëruar kemi braktisur edhe të lejuarat, atëherë a nuk është turp për ne që për hire të Tij të mos braktisim edhe të ndaluarat?! A nuk është më parësore kjo?!

Vëlla!

Çfarë të ndihmoi të përballosh vështirësitë e agjërimit? Agjërimi është adhurimi më i vështirë për shkak të formës së kryerjes dhe kohës së gjatë, por, vullneti dhe dëshira kanë qenë ato që të kanë bërë të fortë në kryerjen e tij. I ke caktuar vetes një qëllim dhe nuk i je nënshtruar epsheve, ke përmbledhur veten dhe nuk je treguar përtacë. Këtu ka qenë suksesi yt për agjërimin dhe këtu qëndron edhe për adhurimet tjera. Mos iu ndaj vullnetit dhe vendosmërisë ngase kështu Allahu i Madhëruar do t’i lehtësoj gjërat dhe nuk do të dështosh as pas Ramazanit. Allahu i Madhëruar thotë:

“قُلْ إِنَّ الْفَضْلَ بِيَدِ اللَّهِ يُؤْتِيهِ مَنْ يَشَاءُ وَاللَّهُ وَاسِعٌ عَلِيمٌ (73) يَخْتَصُّ بِرَحْمَتِهِ مَنْ يَشَاءُ وَاللَّهُ ذُو الْفَضْلِ الْعَظِيمِ

… Thuaj (o i dërguar): “I vetmi udhëzim është udhëzimi nga All-llahu”! (u thoni të vetëve mos besoni nga droja) Se po i jepet ndokujt (pejgamberllëku) sikurse u është dhënë juve dhe (nga droja) se t’ju paraqesin fakte (muslimanët) para Zotit tuaj (ditën e gjykimit). Thuaju: “E tërë e mira është në duar të All-llahut, Ai ia jep atë kujt të dojë; All-llahu është dhurues i gjërë, i gjithëdijshëm”. 74. Ai veçon me mëshirën e vet (me pejgamberllëk) kë të dojë. All-llahu është Zot i mirësisë së madhe.” (Ali Imran, 73-74)

Çfarë kërkohet pas Ramazanit?

Vëlla mysliman!

Ajo që kërkohet prej teje pas Ramazanit është që thelbin e porosisë së ramazanit të vazhdosh ta hulumtosh në fjalët dhe veprat tua. Omer Ibn Abdul Azizi thoshte: “Devotshmëria nuk është agjërimi gjatë ditës dhe falja gjatë natës, por është braktisja e së ndaluarës dhe kryerja e të obliguarave…” Andaj shiko se në fjalët, gjestet, veprimet, sjelljet, mendimet, dietë tua i shmangesh harameve apo jo! Shiko se sa mundohesh ta ruash shpirtin e Ramazanit dhe frymën e tij në veprat tua. Përpara ke ditët e Shevvalit, andaj mos hezito, agjëroi ato dhe dëshmo se je i gatshëm për të zbatuar mësimet fetare!

Allahun e lus ta ketë pranuar ramazanin prej nesh dhe të na përforcon në rrugën e Tij të drejtë deri në vdekje!

[1] Këtë element të jashtëm dhe të kërkuar të namazit e hasim edhe në këtë hadith: “إذا رأيتم الرجل يعتاد المساجد فاشهدوا له بالإيمان Nëse vëreni njeriun të frekuenton xhamitë, atëherë dëshmoni se ai është besimtar!” (Transmeton Tirmidhiu ndërsa Albani ka thënë se është i dobët –daif.)

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s