DEKLARATË E ORGANIZATËS PËR PËRKRAHJE BOTËRORE RRETH NGJARJEVE TË FUNDIT PËRKITAZI ME FILMIN OFENDUES PËR PROFETIN MUHAMMED [alejhis salatu ves selam]

DEKLARATË E ORGANIZATËS PËR PËRKRAHJE BOTËRORE RRETH NGJARJEVE TË FUNDIT PËRKITAZI ME FILMIN OFENDUES PËR PROFETIN MUHAMMED [alejhis salatu ves selam]

بسم الله الرحمن الرحيم

Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëplotit!

Shkarkoje në word

DEKLARATË E ORGANIZATËS PËR PËRKRAHJE BOTËRORE RRETH NGJARJEVE TË FUNDIT PËRKITAZI ME FILMIN OFENDUES PËR PROFETIN MUHAMMED

Falënderimet i takojnë Allahut, Zotit të botëve, ndërsa përshëndetjet qofshin për zotërinë e profetëve, Muhammedin, familjen dhe të gjithë shokët e tij!

Sigurisht se të gjithë jeni në dijeni për atë që këtyre ditëve po qarkullon në internet dhe media përkitazi me disa materiale fyese që janë publikuar për Islamin dhe Profetin Muhammed nga një grup fanatikësh jomyslimanë. Në fakt, kjo nuk është hera e parë që ata veprojnë kështu. Ata, e kanë bërë traditë, që herë pas here, t’i provokojnë myslimanët anembanë botës me veprime të tilla armiqësore. Organizata monitoron në vazhdimësi këto veprime të pamatura si dhe mundohet me tërë kapacitetet që ka dhe në përputhje me moralin dhe etikën islame të demantojë ato.

Po kështu, kemi parë edhe zhvillimet në Egjipt dhe Libi, që patën edhe epilog tragjik; në Libi u vranë ambasadori amerikan dhe disa bashkëpunëtorë të tij, ndërsa ai, të cilin e duam, për të cilin hidhërohemi dhe flijohemi me qeniet dhe pasuritë tona, na mëson edhe për vetëpërmbajtjen nga hidhërimi si dhe për mënyrat e trajtimit të fyesve, kështu që, Organizata, pas këtij shtjellimi, qëndrimin e saj e shpreh si vijon:

1) Hidhërimi për këtë ofendim që i është bërë të Dërguarit tonë të dashur [paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!] është gjë, jo vetëm e ligjësuar dhe e kërkuar prej besimtarit, porse është dhe një dëshmi për besimin e tij. Pezmi për ta mbrojtur atë dhe për të stopuar këto ofendime është xhelozi e llojit të lëvduar në fe, por, mbetet obligim që tërë ky pezëm dhe kjo pakënaqësi të kontrollohen nga dispozita fetare si dhe të shprehen në përputhje të plotë me udhëzimin profetik, në mënyrë që të mos jemi prej atyre që mbrojnë Profetin me gjëra që janë në kundërshtim me udhëzimin, mësimet dhe këshillat e tij.

2) Që hidhërimi dhe xhelozia të jenë të lidhura për një qëllimi, e që është stopimi i këtyre talljeve dhe përqeshjeve si dhe ndëshkimi i atyre që provokuan me to. Reagimi i mbështetur në këtë qëllim të lartë është i rëndësishëm ngase i shmanget çdo lloj veprimi që mund të jetë shkak për përhapje edhe më të madhe të këtyre ofendimeve, apo për ripërsëritje të tyre, apo që mund të hap ndonjë rrugë që autorët e këtij krimi makabër të mbrohen duke u thirrur në të drejtën dhe lirinë e shprehjes. Organizata më parë, gjegjësisht gjatë kohës kur qenë publikuar karikaturat fyese për Profetin tonë në Danimarkë, pati lëshuar një dokument me udhëzime përkatëse për hapat e reagimit të duhur, ose për mënyrat e trajtimit të këtyre provokimeve, dhe këtë duke organizuar dialogje dhe diskutime ndërmjet organeve udhëheqëse të diasporës sonë në shumë vende. Organizata premton se së shpejti do ta ripublikojë këtë dokument, për shkak të rëndësisë së ka.

3) Veprime sikur këto, nuk ka dyshim se janë me qëllime të caktuara. Këto duan trazira dhe rrëmuja, sidomos në vendet e ‘Pranverës arabe’, me theks të veçantë në Egjipt, për të provokuar ndonjë incident ndërfetar të mundshëm, në mënyrë që përpjekjet për rimëkëmbjen e vendit të shkojnë huq dhe rrjedhimisht të reflektojë para botës si një vend jostabil dhe i paqëndrueshëm. Gjithsesi se duhet të jemi të vëmendshëm ndaj kësaj gjëje.

4) Obligimi ynë nuk kufizohet vetëm në këto reagime dhe përpjekje për të demantuar dyshimet e endura, porse, krahas kësaj, për të flakur bindjet e gabuara, botës perëndimore duhet t’ia ofrojmë personalitetin e Muhammedit [paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!], gjegjësisht duhet t’i njoftojmë me të, me moralin shembullor të tij, me sjelljet brilante, me edukatën e përsosur, me etikën madhështore, me imazhin origjinal.

Nuk duhet të presim këto veprime fyese që të ndërmarrim këta hapa, përkundrazi, duhet tua paraprijmë atyre, në mënyrë që këto të mos ndodhin fare.

5) Nuk guxojmë të shkelim dispozitat dhe moralin fetar. Marrëveshjet e bëra duhet të respektohen. Ata që kanë hyrë në vendet tona, ambasadorë, tregtarë, apo t tjerë, duhet trajtuar në përputhje me këto marrëveshje. Pejgamberi [paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!], siç transmeton Buhariu, ka thënë:

“Nuk ka për ta ndier erën e Xhennetit ai që mbyt një jomysliman nën protektorat!”

I Dërguari i Allahut [paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!] ndaloi që të mbyten të deleguarit, madje edhe në rastet kur ata janë përfaqësues kriminelësh, siç ishte rasti me të deleguarit e Musejleme Kedh-dhabit, të cilët thanë gjëra fyese për Islamin dhe myslimanët, por që nuk u mbytën, për shkak, se siç tha i Dërguari i Allahut [paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!]:

“Sikur të deleguarit të mbyteshin, do t’iu mbysja ju të dyve!”

Ibni Mes’udi ka thënë: Kështu, është sunnet – ligj që të deleguarit të mos mbyten! Hadithi gjendet në Sunene, Mesanide, tek Daremiu, Mustedreku, telk Bejhakiu ndërsa ka sened autentik.

Pra, nuk ka vrarë ambasadorët dhe të deleguarit e Musejlemes, për shkak të interesit të përgjithshëm të njerëzve në këto dhe nevojës së sigurimit të tyre çështje. Ne e dimë se sa shumë ambasadorë, diplomatë, të deleguar, nëpunës, emigrantë, refugjatë, etj, ka në botë ndërsa ne kërkojmë në vazhdimësi respektimin e tyre dhe të drejtave të tyre.

Këtë gjë e kanë trajtuar edhe juristë me renome. P.sh. Muhammed ibn el-Hasen nga radhët e hanefitëve ka thënë: “Parimisht, Prijësi i myslimanëve duhet t’i mbrojë ata që janë nën mbrojtjen e shtetit tonë, për derisa janë në shtetin tonë, të gjykoj me drejtësi ndaj atyre që i kanë bërë padrejtësi, (pra të sillet me ta) ashtu siç e ka obligim të sillet me Ehlu dhimmeh (jomyslimanët që jetojnë në shtetin islam me kontratën përkatëse).”

Ibni Kudame në el-Mugni ka thënë: “Nëse pjesëmarrësve të luftës iu jepet siguria, atëherë ndalohet mbytja e tyre, ndalohet marrja e pasurisë së tyre sikur që ndalohet edhe ekspozimi i tyre par ndonjë rreziku.”

Juristët myslimanë kanë sqaruar se siguria, pavarësisht formës së dhënë, duhet të respektohet dhe të çohet në vend. Serhasiu, nga radhët e hanefitëve, ka thënë: “Siguria është e ndërtuar mbi parimin e zgjerimit, që nënkupton se vërtetohet me fjalët e mundshme apo isharetet – aludimet e mundshme.”

Shembini, nga radhët e malikitëve, ka thënë: “Siguria, parimisht, është e zgjeruar në çështjen e derdhjes së gjaqeve.”

Neveviu, nga radhët e shafiitëve, ka thënë: “Siguria mund të jepet me çfarëdo fjale që nënkupton sigurinë, me shkrim, me letër, apo me forma tjera.”

Një rregull juridik fetar thotë: “Në rast të paqartësisë ndërmjet të lejuarës – mubahit dhe të ndaluarës, atëherë, për të mos thyer marrëveshjen, për të mos rënë në tradhti apo për të mos derdhë gjak të ndaluar, shkohet kah aspekti i së ndaluarës (në veprim ekzekutues, e jo në atë që lejon një gjë të tillë).”

6) Organizata bën thirrje në adresë të të gjithë myslimanëve, si individë dhe si shoqëri, që të punojnë bashkë për të realizuar vizionin e vënë prej saj, e i cili është: “Ta bëjmë personalitetin e të Dërguarit të Allahut [paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!] në nivel global shembullin më ideal dhe më meritor për nderim dhe respektim!”

Kjo sigurisht se nënkupton se duhet bërë një punë strategjike, punë koncize, duhet përdorur mjete ndikuese, gjuhë të ndryshme, programe të llojllojshme, shtresa të ndryshme, etj. Kjo është ajo që Organizata ka praktikuar në aktivitetet e saj, prej të cilave do të veçonim:

a) Organizimin e takimeve dialoguese në ato vende në të cilat është fyer Pejgamberi [paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!], dhe këtë me pjesëmarrje të figurave të shquara nga jomyslimanët dhe myslimanët, si mendimtarë, akademikë, politologë, gazetarë, analistë, etj. Organizata ka mbajtur tri simpoziume deri më tash, në Londër (Angli), Suedi dhe Holandë.

b) Publikimin e filmave dokumentarë dhe libërthave që merren me prezantimin e të Dërguarit të Allahut dhe të misionit të tij. organizata ka shpërndarë kopje të filmave për të Dërguarin e Allahut, si filmi ‘Mjegulla e shpërndarë’ si dhe mbi 200.000 kopje të librave të xhepit përkitazi me njoftimin me Profetin Muhammed [paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!]. Shpërndarja është bërë në gjuhë të ndryshme ndërsa janë shfrytëzuar takime të mëdha, siç ishte Kupa e Botës në Futboll në Afrikën Jugore dhe Lojërat Olimpike në Londër.

c) Hapjen e ekspozitave për njoftimin me Profetin Muhammed [paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!]. Organizata ka hapur një të tillë në qytetin me qendrën më të madhe tregtare në Evropë. Në Mançester, si dhe ka marrë pjesë në ekspozitën ‘Islam-Expo’ në Londër.

Për fund, ne duam të sigurojmë besimtarët se -me lejen e Allahut- nuk do të kursejmë mund për ta mbrojtur të Dërguarin e Tij dhe për ta përhapur të vërtetën mbi të dhe jetën e tij. do të vëmë në funksion tërë arsenalin tonë intelektual që kemi dhe do të aplikojmë çdo metodë që nuk bie ndesh me metodologjinë e kulluar islame. Konferenca, që do të mbahet në shkurtin e vitit të ardhshëm (2013), do të jetë një rast tjetër i artë për të përfituar metoda, projekte dhe ide të reja për këtë gjë. I bëjmë thirrje të gjithëve besimtarëve që të bashkërendojnë rreth këtyre botëkuptimeve dhe udhëzimeve profetike në tërë atë që bëjmë dhe braktisim.

Kjo deklaratë erdhi si shpjegim i një qëndrimi fetar, që mendojmë se ne, të gjitha organizatat tjera dhe të gjitha figurat islame me ndikim, e kanë për obligim ta bëjnë atë, për të sqaruar të vërtetën dhe për të mos e fshehur atë, si shprehje në praktikë e besës së dhënë Allahut për ta bërë një gjë të tillë!

Kryetari i Organizatës
Dr. Jusuf Kardavi

Zv.Kryetari
Dr. Selman ibn Fehd el-Audeh

Sekretari i përgjithshëm
Dr. Salim Shemmeri

Burimi: http://saaid.net/fatwa/f112.htm

Përshtati në shqip: Sedat ISLAMI

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s