PADREJTËSIA NDAJ NJERËZVE – KJO VEPËR E SHËMTUAR

PADREJTËSIA NDAJ NJERËZVE – KJO VEPËR E SHËMTUAR
adl
Të nderuar vëllezër besimtarë!
Njerëzit, që të gjithë, janë robër të Allahut të Madhëruar, e që nënkupton se askush nuk ka të drejtë të dëmtojë tjetrin, sidomos kur kihet parasysh fakti se Allahu, si Krijues, ia ka ndaluar padrejtësinë edhe Vetes së Tij. Në një hadith kudsijj qëndron: “…O ju robërit e Mi! Unë e kam ndaluar padrejtësinë edhe për Vete, sikur që e kam ndaluar edhe në mesin tuaj, andaj mos i bëni njëri tjetrit padrejtësi!…”
Pra, nëse Allahu i Madhëruar nuk po iu bëka padrejtësi krijesave, ndërsa Ai është Krijues i tyre dhe askush nuk mund ta merr në llogari për çfarë bën, atëherë krijesat aq më pak e kanë këtë të drejtë. Nga këtu, në Kur’anin Famëlartë, por dhe në hadithet profetike, gjejmë tekste të shumta, të cilat e trajtojnë padrejtësinë ndaj njerëzve nga aspekte të ndryshme.
1. Allahu në anën e të dëmtuarve
Fakti se është ndaluar padrejtësia dhe se Allahu nuk e do as për Vete atë, do të thotë se Allahu përkrah dhe ndihmon të dëmtuarin.
1.1. Allahu si ndihmës i tyre
Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë: “Keni kujdes nga lutja e të dëmtuarit ngase ajo bartet mbi re (tek Zoti mbi qiej). Allahu thotë: Pasha Krenarinë dhe Madhërinë Time! Do të ndihmoj, qoftë edhe pas një kohe!”
Në këtë hadithi vërejmë se Allahu i Madhëruar qëndron me të dëmtuarin dhe se do ta ndihmoj atë, herët a vonë.
Rrëfehet se një mysliman i varfër jetonte vetëm nga peshkimi, por, siç ndodhë me besimtarin, Allahu e sprovoi dhe për ditë të tëra nuk mund të peshkonte gjë.
Ishte gjëja e vetme me të cilën ia siguronte familjes furnizimin, andaj edhe brengosej, sidomos kur furnizimi në shtëpi filloi të pakësohej dukshëm. Çdo ditë dilte në bregdet për peshkim, por kot. Një ditë, pas një kohe të gjatë qëndrimi në bregdet, tha në vete: Kjo le të jetë hera e fundit për sot! -dhe hodhi rrjetën. Priti pak ndërsa rrjeta filloi të rëndohej. Kuptoi se kishte zënë diçka. Kur e nxori, pa se kishte zënë një peshk goxha të madh, që kurrë më parë nuk kishte peshkuar të tillë. U gëzua shumë por jo gjatë. Në fakt, peshkatari falënderoi Allahun shumë dhe mendoi, përveç që një pjesë do ta shfrytëzojë për ushqim, tjetrën do ta ndajë për shtije dhe për lëmoshë. Kështu do të vepronte sikur mbreti që kaloi pranë të mos e shihte peshkun. Ishte vërtet peshk i rrallë. Ushtria kërkuan që ta jap peshkun për mbretin por peshkatari refuzoi. Pranoi vetëm tua shiste, por ata ia morën me dhunë.
Kur u kthyen në pallat, mbreti kërkoi që t’ia gatuanin atë peshk për darkë, shijen e të cilit do ta kuptonte vetëm pas pak ditësh, atëherë kur do të zbulohej se mbreti ishte sëmurë nga gangrena. I thirrën mjekët ndërsa ata pas kontrollimit i propozuan mbretit që t’i nënshtrohet një operacioni për heqjen e gishtërinjve të këmbës për të parandaluar sëmundjen, e cila kërcënon edhe nëngjurin e tij. Mbreti refuzoi këtë dhe parapëlqeu që ta durojë dhimbjen, por, u pa se vendimi i tij ishte i gabuar. Pas vetëm pak ditësh u detyruan t’ia sillnin disa mjekë tjerë, jashtë vendit, për kontrollim, dhe vetëm pas herës së tretë kur u vërtetua se sëmundja kishte arritur deri tek gjuri, mbreti pranoi t’i nënshtrohej operacionit.
Kjo që i ndodhi mbretit e shqetësoi atë pa masë, andaj, mendoi ta thërriste një njeri të urtë e ta pyeste për këtë gjë. Ia sollën një njeri të mençur, të cilin mbreti e pyeti se çfarë mund të ketë qenë shkak i kësaj fatkeqësie të tij. Njeriu i urtë i tha: Patjetër se ti i ke bërë padrejtësi dikujt! Mbreti iu përgjigj me habi: Nuk më kujtohet t’i kem bërë dikujt padrejtësi. Kujtohu mirë! – i tha njeriu i urtë, ngase kjo nuk si të mos jetë shkak i ndonjë padrejtësie të bërë. Atëherë mbretit i ra ndërmend peshku i madh dhe peshkatari. Urdhëroi ushtrinë t’ia sjellin peshkatarin. Ushtria shkuan në bregdet, dhe si zakonisht, e gjetën në vendin e vet. E morën dhe e sollën tek mbreti, i cili e pyeti: Ma thuaj të vërtetën, çfarë bëre kur ta mora me dhunë peshkun e madh? Nuk bëra asgjë –foli paksa i frikësuar peshkatari. Fol se nuk do të ndodhë gjë e keqe! – i tha mbreti. Atëherë, kur peshkatari u sigurua, foli dhe tha: Kur ti ma more peshkun, u ktheva kah Allahu dhe u luta: O Zoti im! Ai e tregoi fuqinë e tij ndaj meje, andaj tregoje edhe Ti fuqinë Tënde ndaj tij!
Prej drejtësisë së Allahut të Madhëruar është që të ndihmojë madje edhe ata që nuk janë fare besimtarë. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë: “Ruaju lutjes së të dëmtuarit, qoftë ky edhe jomysliman, ngase nuk ka perde (pengesë) para lutjes së tij!”
Albani, sjell një hadithi tjetër, si dëshmi për të vërtetuar saktësinë (ar. hasen) e këtij hadithi, sjell një hadithi, që në fakt është dhe shpjegues i këtij hadithi: “Duaja e të dëmtuarit pranohet, qoftë ky edhe i shthurur, (për shkak se) shthurja është problem i tij (pasojat e së cilës i bart ai vet).”
1.2 Ndëshkimi në këtë botë
Ndonjëherë të padrejtit, për shkak se nuk ndëshkohen aty për aty, mashtrohen dhe kësisoj zhyten thellë e më thellë në padrejtësi. Kjo nuk nënkupton assesi se ata i shpëtojnë dënimit të Allahut të Madhëruar, përkundrazi. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë: “Vërtetë, Allahu i Madhëruar do ta afatizojë zullumqarin derisa kur ta kap, nuk do të mund t’i shpëton. Pastaj, Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] lexoi nga Kur’ani (ajetin 102 nga kaptina Hud): Ja, kështu është ndëshkimi i Zotit tënd, kur dënon vendet që janë zullumqare. Vërtet, ndëshkimi i Tij është i dhembshëm, e i ashpër.”
1.3 Allahut nuk mund t’ia fshehin të vërtetat
Allahut nuk mund t’i shpëtojnë as në botën tjetër. Ta zëmë, kanë kaluar nga kjo botë pa u ndëshkuar, atëherë në botën tjetër assesi nuk do të shpëtojnë. Ta zëmë, nëse ata arrijnë përkohësisht ndonjë të mirë materiale, shkak i mashtrimeve dhe manipulimeve, kjo nuk do të thotë se edhe tek Allahu do të kalojnë pa u zbuluar. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë: “Ju po ngrini padi (hasmëri, mospajtime) tek unë, dhe ndodhë që ndonjëri prej jush të jetë më orator, më bindës se tjetri (edhe pse në fakt nuk ka të drejtë), kështu që, nëse gjykoj për të sipas fjalëve që flet (ndërsa ai nuk ka të drejtë), le të mos e merr atë gjë (që e fiton nga gjykimi), ngase ajo në fakt është një hise e zjarrit të Xhehennemit për të!”
2. Zullumqarët dhe fati i hidhur në botën tjetër
2.1 Falimentimi
Zullumqari do të falimenton në ditën kur do të ketë problemet dhe nevojat më të mëdha. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë: “A e dini se kush është i falimentuar? Tek ne – thanë sahabet- është ai që nuk ka para dhe plaçkë (mall). I falimentuari prej Ummetit tim është ai që vjen në Ditën e Kiametit me namaz, me agjërim dhe me zekat, por që ka sharë atë, ka shpifur ndaj atij, ka ngrënë pasurinë e atij, ka derdhë gjakun e këtij dhe ka goditur filanin. Kështu që të gjithë njerëzve që i ka bërë keq i jepet prej të mirave të tij dhe në qoftë se të mirat nuk i mjaftojnë, atëherë i ngarkohen të këqijat e këtyre personave derisa t’i shlyejë të gjitha padrejtësitë dhe pastaj hidhet në zjarr.”
Nga këtu, Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] bën thirrje dhe porosit që të mos e shtyjmë pendimin nga padrejtësia deri në atë kohë kur do të jetë vonë. Buhariu transmeton se Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë: “Kush i ka bërë ndonjë padrejtësi vëllait të tij, në ndër apo gjë tjetër, le t’ia kërkojë hallallin sot, para se të mos vlejë më dinari dhe dërhemi, për shkak se, nëse ka vepra të mira, do t’i merren aq sa ka bërë padrejtësi (e do t’i jepen të dëmtuarit), e nëse nuk ka të tilla, atëherë i merren të këqijat (mëkatet) të dëmtuarit dhe i ngarkohen atij!”
Përmbyllje
Të nderuar vëllezër!
Ta paramendojmë veten si njërin prej këtyre të falimentuarve, sikur jemi para Allahut dhe tashmë na është marrë çdo e mirë që kem bërë dhe i është dhënë palës së dëmtuar ndërsa pritet nga momenti në moment edhe urdhri për të na dërguar në Xhehennem, si do të ndiheshim? Si do ta përballonim atë moment? Si do ta përjetonim urdhrin për të na dërguar në zjarr?
Si do të ndiheshim kur do të shihnim ata që kanë ndarë drejtësi tek kënaqen me pozita të larta tek Allahu?
Të mos harrojmë, para vete kemi mundësinë e zgjedhjes, o të jemi të drejtë, e të shpërblehemi, o të jemi të padrejtë, e të ndëshkohemi,. Allahu i Madhëruar thotë:
Në ditën e gjykimit Ne do të vëmë peshoja të drejta, e askujt nuk i bëhet e padrejtë asgjë, edhe nëse është (vepra) sa pesha e një kokrre të melit Ne do ta sjellim atë. E mjafton që Ne jemi llogaritës.“ (el-Enbija, 47)

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s