MERJEMJA, E BIJA E IMRANIT

MERJEMJA, E BIJA E IMRANIT

merjme

Kur’ani Famëlartë një pjesë të madhe ia ka kushtuar edhe tregimeve të profetëve, disa prej të cilave, i ka sjellë në formë të përmbledhur, përderisa për të tjera, ka sjellë versione më të detajuara. Një nga ato rrëfimet për të cilat Kur’ani ka folur më gjatë është edhe ai për Merjemen, nënën e Isait [alejhimaselam]. Kjo, mbase është bërë për shkak të rrëfimeve kontroverse që kanë qarkulluar e vazhdojnë të qarkullojnë edhe sot e kësaj dite për të. Kështu, Kur’ani, ka marrë përsipër të sjellë versionin origjinal të rrëfimit, në mënyrë që bashkë me të, të përmirësohen edhe bindjet e gabuara fetare. Lindja e fëmijës në një mënyrë jo të zakonshme ka bërë që të krishterët atë ta konsiderojnë të shenjtë ndërsa birin e saj si Zot. Allahu ka demantuar këtë gjë, duke na rrëfyer, së pari, se, si rast mund të ketë qenë i jashtëzakonshëm, por jo edhe si ligj hyjnor. Ai është aplikuar edhe më parë, madje edhe në forma më ekstreme, nëse mund të thuhet kështu. Kushtimisht, nëse Isai [alejhiselam] paska lind pa baba dhe për këtë po i jepen epitete hyjnore, atëherë Ademi [alejhiselam] që ka lind pa baba dhe pa nënë, si të trajtohet?! Por, jo vetëm ky argument zhvleftëson bindjet e gabuara përkitazi me Isanë [alejhiselam]. Në fakt, ky argument mund të përdoret vetëm për të bindur logjikën njerëzore, ndryshe, tek Allahu nuk vlen ky krahasim. Allahu në rrëfen se kur Ai do ndonjë gjë, mjafton të urdhëron dhe ajo bëhet. Kjo, sigurisht, edhe në rastin e krijimit të Isait [alejhiselam]. Thotë Allahu:
“Ajo tha: “Zoti im, si mund të kemë unë djalë e mua s’më ka prekur njeriu (nuk jam e martuar) “? Ai (All-llahu) tha: “Ja, kështu, All-llahu krijon çka të dojë. Kur Ai vendos për një çështje, vetëm i thotë: Bëhu! Ajo menjëherë bëhet”.“ (Ali Imran, 47)
“Vërtet, çështja e Isait (të lindur pa baba) tek All-llahu është sikurse çështja e Ademit. Atë e krijoi Ai nga dheu, e pastaj atij i tha: “Bëhu”! ai u bë.“ (Ali Imran, 59)
Kështu, për të mësuar versionin origjinal të jetës së Merjemes [alejhaselam] dhe për të parë se si emri i saj u përjetësua për shkak të devotshmërisë dhe nderit të saj, e jo për shkak se kishte atribute hyjnore, do t’i referohemi Kur’ani dhe haditheve të sakta.
Në vijim, do të bëjmë prezantimin e jetës së saj, etapë pas etape, ndërsa përmbylljen do ta bëjmë me një sërë mësimesh të përfituara nga jetëshkrimi i saj.
Prejardhja dhe familja e saj
Merjemja është e bija e Imranit, një burri të ditur dhe të respektuar në mesin e popullit të vet. Ishte nga pasardhësit e Sulejmanit, të birit të Davudit [alejhimaselam]. Familja e Imranit, ishte e dalluar. Allahu na rrëfen se ishte një nga ato familjet e përzgjedhura tek Ai për hire të devotshmërisë dhe sinqeritetit të tyre. Thotë Allahu:
“All-llahu e zgjodhi (pejgamber) Ademin, Nuhun, familjen e Ibrahimit, familjen e Imranit mbi popujt tjerë (të asaj kohe).“ (Ali Imran, 33)
Se ishte familje e tillë flet fakti se pikërisht ky ajet është vendosur në një kaptinë që mban emrin e kësaj familje ‘Al Imran.’
Imrani ishte martuar me Hinnen, një grua të devotshme, me të cilën, një kohë të gjatë nuk pati fëmijë. Hinneja, një ditë, derisa ecte rrugës, pa se si një shpend ushqente të voglin e vet, kështu që iu shtua dëshira edhe më të kishte fëmijë. E luti Allahun dhe dëshira e saj iu plotësua. Hinneja ngeli me barrë. Hinneja ishte grua mirënjohëse. E falënderoi Allahun dhe u zotua se evladin e saj do ta linte në tempull si shërbëtor. Allahu na e rrëfen këtë pjesë të historisë së Hinnes, e thotë:
(Përkujtohu) Kur gruaja e Imranit pat thënë: “Zoti im, unë këtë që është në barkun tim, vendosa ta kushtoj thjesht vetëm për shërbimin Tënd, pra pranoje këtë prej meje, vertet Ti je Ai që dëgjon e di”!“ (Ali Imran, 35)
Fëmijëria e Merjemes [alejhaselam]
Por, gjërat nuk shkuan siç mendonte ose kishte dëshirë Hinneja. Foshnja e lindur ishte e gjinisë femërore. Ishte gëzim dhe hidhërim njëkohësisht. Emocione të përziera. Hinneja ishte zotuar ta linte fëmijën në shërbim të fesë, por tash, kur lindi femër, puna ndryshoi paksa. Nuk ishte traditë që femra të izoloheshin për të shërbyer. Megjithëkëtë, ajo e çoi në vend zotimin e saj. Duke qenë se ishte vajza e një të dituri në mesin e tyre, vajza e atij që kishin respekt për të, e pranuan. Thotë Allahu:
“E kur ajo e lindi tha: “Zoti im, unë e linda femër”! Po All-llahu e di më së miri atë që ajo e lindi. E mashkulli nuk është si femra. “Dhe unë e emërtova atë Merjeme, e atë dhe pasardhësit e saj po t’i lë Ty në mbrojtje prej djallit të mallkuar”.“ (Ali Imran, 36)
Lindi Merjemja dhe mori këtë emër që në gjuhën e tyre kishte kuptimin ‘adhuruese.’
Përkujdesja për të
Mermja [alejhaselam] gëzoi dy përkujdesje:
1) Përkujdesja hyjnore. Kur lindi dhe u emërtua me këtë emër, Hinneja iu lut Allahut ta mbronte nga djallit dhe cytjet e tij.
“…Dhe unë e emërtova atë Merjeme, e atë dhe pasardhësit e saj po t’i lë Ty në mbrojtje prej djallit të mallkuar”.“ (Ali Imran, 36)
Këtë e ka sqaruar edhe Muhammedi [alejhis salatu ves selam] në një hadith autentik të transmetuar nga Ebu Hurejre dhe të regjistruar na Buhariu dhe Muslimi:
“Nuk ka njeri që ka lindur e që djalli të mos e ketë prekur kur ka lindur, për çka edhe ai ia plas vajit, por jo edhe Merjemen dhe birin e saj. Pastaj, Ebu Hurejre, thotë (nëse doni dëshmi për këtë lexoni): “e atë dhe pasardhësit e saj po t’i lë Ty në mbrojtje prej djallit të mallkuar”.“ (Ali Imran, 36).”
Përkujdesja hyjnore ndaj Merjemes [alejhaselam] kishte edhe një dimension tjetër. Allahu i Madhëruar herë pas here e furnizonte me mirësitë e Tij, të cilat, përveç tjerash, aludonin në pozitën e madhe të saj. Thotë Allahu:
“Zoti i saj e pranoi premtimin e saj ashtu si është më mirë, e rriti me një edukatë të mirë e të plotë dhe e vuri nën kujdesin e Zekirijasë. Sa herë që hynte Zekirijaja në mihrabin (dhomën) e saj, gjente te ajo ushqim e thoshte: “Oj Merjeme, prej nga ty ky ushqim”? Ajo i thonte: “Ai është nga All-llahu, se All-llahu atë që do pa masë e furnizon”!“ (Ali Imran, 37)
Thuhet se asaj gjatë dimrit i silleshin fruta vere dhe gjatë verës fruta dimri.
2) Përkujdesja fizike
Dërgimi i një vajze në faltore kërkonte që dikush ta merrte përsipër përkujdesjen ndaj saj. Për shkak të pozitës së babait të saj, të gjithë e donin këtë gjë. Kur’anin na njofton për këtë:
“Zoti i saj e pranoi premtimin e saj ashtu si është më mirë, e rriti me një edukatë të mirë e të plotë dhe e vuri nën kujdesin e Zekirijasë…“ (Ali Imran, 37)
Në të vërtetë, në Kur’an qëndron edhe se ata kishin hedhur short për këtë gjë.
“Këto janë nga lajmet e fshehta (të hershme) që po t’i shpallim ty. Ti nuk ishe ndër ta kur i hidhnin shortet se kush prej tyre do të bëhej kujdestar i Mejremes, nuk ishe pranë tyre as kur ata ziheshin mes vete”.“ (Ali Imran, 44)
Siç shpjegon Ibni Kethiri në ‘Kasasu-l-Kur’an’, referencë kryesore e këtij punimi, ata kishin hedhur dy shorte dhe në të dyja rastet, shorti i binte Zekerijjasë [alejhiselam]. Herën e parë vendosën lapsat në një vend ndërsa i thanë një fëmijë të mitur të merrte një laps. Lapsi i kujt të qëllonte, ai do ta merrte kujdestarinë. Qëlloi lapsi Zekerijjasë [alejhiselam], por ata nuk e pranuan. Thanë të hedhin short prapë. Kësaj radhe do të hidhnin lapsat në një lum me ujë rrjedhës dhe lapsi i kujt do të ecte në kundërshtim me rrjedhën e ujit, ai do ta merrte atë. Prapë, lapsi i Zekerijjasë [alejhiselam] fitoi. Kështu, atë e mori në përkujdesje Zekerijjaja [alejhiselam]. Përndryshe, gruaja e Zekerijjasë [alejhiselam] ishte teze e Merjemes [alejhaselam].
Tiparet e Merjemes [alejhaselam]
Merjemja [alejhaselam] derisa ishte në faltore, shquhej për devotshmëri të madhe. Ajo kishte fituar simpatinë e të gjithëve. Kur e kishte radhën e shërbimit, shërbente, ndërsa kohën tjetër e kalonte në adhurim. Ajo ishte përgëzuar nga Allahu për tiparet dhe virtytet e saja. Thotë Allahu:
“Përkujto kur engjëjt i thanë: “Oj Mejreme, All-llahu të dalloi ty (me besim e karakter), të pastroi (nga shpifjet ebreje) dhe të lartësoi mbi gratë e botës”. 43. “Oj Mejreme, vazhdoje adhurimin ndaj Zotit tënd, bën sexhde dhe falu për Zotin bashkë me ata që falen”!“ (Ali Imran, 42-43)
Këto tipare, Merjemen do ta bënin simbol të nderit dhe pastërtisë morale. Ajo do të dëfrehej me devotshmëri dhe do të shijonte mirësitë e saj si dhe do të bënte një jetë të qetë derisa një ditë t’i paraqitej meleku dhe ta informonte për një vendim hyjnor, i cili do t’i ndryshonte jetën përgjithmonë asaj.
Ngelja shtatzënë
Xhibrili [alejhiselam] do ta informonte se Allahu kishte vendosur që ajo të mbetej me barrë pa patur asnjë mashkull pranë. Ishte vendim i Allahut.
“Përkujto kur engjëjt i thanë: “Oj Mejreme, All-llahu të përgëzon me fjalën e vet (me lindjen e një fëmije si rezultat i fjalës së Zotit) emri i të cilit është Mesih, Isa, bir i Merjemes, i famshëm në Dunja e Ahiret dhe nga të afërmit (e Zotit). 46. E që duke qenë në djep (foshnje) u flet njerëzve, e edhe si i rritur e që është nga të përsosurit.“ (Ali Imran, 45-46)
Në fakt, në Kur’an, jepen edhe detaje dhe hollësi të takimit të Merjemes me Xhibrili [alejhimaselam], e të cilat reflektojnë sinqeritetin e saj prej besimtareje por edhe gjendjen shoqërore të kohës kur jetonte ajo. Thotë Allahu:
“E, përmendju në këtë libër (tregimin për) Merjemen kur ajo u largua prej familjes së saj në një vend në lindje. 17. Ajo vuri një perde ndaj tyre, e Ne ia dërguam asaj Xhibrilin, e ai iu paraqit asaj njeri në tërësi. 18. Ajo tha: “Unë i mbështetem të Gjithëmëshirshmit prej teje, nëse je që i frikësohesh Atij (pra më le të lirë)!” 19. Ai (Xhibrili) tha: “Unë jam vetëm i dërguar (melek) i Zotit tënd për të dhuruar ty një djalë të pastër (pejgamber)”. 20. Ajo tha: “Si do të kem unë djalë, kur mua nuk më është afruar njeri (nuk jam e martuar), e as nuk kam qenë e pamoralshme”. 21. Ai (Xhibrili) tha: “Ja, kështu ka thënë Zoti yt; ajo për Mua është lehtë, e për ta bërë atë (djalin e krijuar pa babë) argument për njerëzit e edhe mëshirë nga ana e Jonë. Kjo është çështje e kryer!“ (Merjem, 16- 21)
Ajo njihej për moral, e tash, kush do t’i besonte se ishte e tillë. Pra, kishte frikë shpifjet. Çifutët kishin bërë krime më makabre se shpifja. Në fakt, ajo nuk e kishte problem të argumentonte se ishte e ndershme, por si tua mbushte mendjen e tyre. Me kalimin e kohës, vërehej dallimi në trup nga shtatëzania. Një njeri i urtë, Jusuf Nexh-xhari, iu afrua dhe e pyeti tërthorazi për këtë. Oj Merjeme, a mund të del bima pa farë? Tha: Po, a nuk e ka krijuar Allahu farën?! A mund të lind fëmija pa baba? – e pyeti prapë. Tha: Po, Ademi [alejhiselam] ka lindur edhe pa nënë.
Lindja dhe ballafaqimi me popullin
Ditët do të kalonin ndërsa Merjemes i afrohej lindja, e cila nuk e brengoste më së shumti. Allahu na rrëfen për këtë në detaje në kaptinën Merjem:
“Ajo e barti atë (Isain), andaj (me të në bark) u izolua në një vend të largët. 23. E dhembja (e lindjes) e mbështeti atë te një trup i hurmës. Ajo tha: “Ah sa mirë ka qenë për mua të kisha vdekur para kësaj e të isha e harruar që moti!” 24. E prej së poshtmi atë e thirri (Xhibrili): “Mos u brengos, Zoti yt bëri pranë teje një përrockë (uji)”. 25. E ti shkunde trupin e hurmës se do të bijnë ty hurma të freskëta. 26. Ti pra, ha pi e qetësohu, dhe nëse sheh ndonjë prej njerëzve thuaj: “Unë kam vendosur heshtje për hir të Gjithëmëshirshmit, andaj asnjë njeriu sot nuk i flas!” 27. Dhe duke e bartur ngryk shkoi me të te të afërmit e vet ata i thanë: “Oj Merjeme, ke bërë një punë shumë të keqe!” 28. Oj motra e Harunit, babai yt nuk ishte njeri i prishur e as nëna jote nuk ka qenë e pamoralshme! 29. Atëherë ajo u dha shenjë kah ai (Isai). Ata thanë: “Si t’i flasim atij që është foshnjë në djep?” 30. Ai (Isai) tha: “Unë jam rob i All-llahut, mua më ka dhënë (ka caktuar të më japë) librin dhe më ka bërë Pejgamber. 31. Më ka bërë dobiprurës kudo që të jem dhe më ka porositur me namaz (falje) e zeqatë për sa të jem gjallë! 32. Më ka bërë të mirësjellshëm ndaj nënës sime, e nuk më ka bërë kryelartë as të padëgjueshëm! 33. Selami (shpëtimi prej All-llahut) është me mua ditën kur u linda, ditën kur të vdes dhe ditën kur të dal (prej varrit) i gjallë!” 34. Kjo është (fjalë) e vërtetë, rreth Isait, birit të Merjemes në të cilin ata shkaktojnë dyshime. 35. Nuk i takoi (nuk ka nevojë) All-llahu të ketë ndonjë fëmijë, i pastër është Ai, kur dëshiron një send Ai vetëm i thotë atij: Bëhu!”. Ai menjëherë bëhet. 36. (Isai i tha popullit të vet) Dhe se All-llahu është Zoti im dhe Zoti juaj, pra adhurojeni Atë, kjo është rrugë (fé) e drejtë. 37. Po grupet u kundërshtuan mes vete (rreth Isait). Të mjerët ata që nuk besuan se çka kanë për të parë ditën e madhe!“ (Merjem, 22-37)
Rreziku për jetën
“Edhe të birin e Merjemes dhe nënën e tij i paraqitëm si argumente (mrekulli) dhe i vendosëm që të dy në një rrafshnaltë dhe me ujë rrjedhës.“ (el-Mu’minune, 50)
Është thënë në koment se Merjemeja ka ikur me të birin e saj për shkak të intrigave dhe komploteve të mundshme për mbytjen e fëmijës së saj nga mbreti.
Merjemeja [alejhaselam] në Islam
Islami i ka dhënë një vend të rëndësishëm Merjemes [alejhaselam]. Emri i saj është përmendur 34 herë në Kur’an derisa është gruaja e vetme me emrin e së cilës Allahu ka emërtuar një kaptinë në Kur’an. Me gjithë respektin e madh, ajo trajtohet vetëm si një njeri i zakonshëm. Pra, ne nuk i veshim atribute hyjnore. Allahu duke na rrëfyer për njerëzinë e Merjemes përmend procese të natyrshme tek ajo e që janë dhe tek çdo njeri tjetër.
“Mesihu, biri i Merjemes, nuk është tjetër vetëm se i dërguar; para tij pati shumë të dërguar. Nëna e tij ishte e drejtë (e ndershme). Që të dy ata ishin që ushqeheshin (si njerëzit tjerë). Ja si u sqarohen atyre argumentet dhe shih pastaj se si ia kthejnë shpinën të vërtetës!“ (el-Maide, 75)
Por, Merjemja edhe nëse është sikur njerëzit tjerë për nga natyra, ajo, në kuptim të vlerave dhe devotshmërisë, është shumë e vlerësuar. Derisa të tjerët shpifnin për të[1], myslimanët kanë vetëm fjalë miradije.
“Edhe Merjemen, të bijën e Imranit, që e ruajti nderin e vet, e Ne prej anës sonë i frymëzuam një shpirt, e ajo i besoi fjalët e Zotit të saj dhe librat e Tij dhe ishte e devotshme.“ (et-Tahrim, 12)
“Mesihu, biri i Merjemes, nuk është tjetër vetëm se i dërguar; para tij pati shumë të dërguar. Nëna e tij ishte e drejtë (e ndershme)…“ (el-Maide, 75)
Ishte një grua e shquar për nderë. Muhammedi [alejhis salatu ves selam] ka thënë:
“Gruaja më e mirë e tyre (asaj kohe) ishte Merjemja, e bija e Imranit ndërsa gruaja më e mirë e tyre (kësaj kohe) ishte Hatixheja, e bija e Huvejlidit.”[2]
Është një grua që meriton të merret model. Muhammedi [alejhis salatu ves selam] ka thënë:
“Të mjaftojnë nga gratë e botës Merjemeja, e bija e Imranit, Hatixheja, e bija e Huvejlidit, Fatimeja, e bija e Muhammedit dhe Asija, gruaja e Faraonit.”[3]
Merjemja është një nga ato gratë e përsosura, ato që kanë një personalitet të formuar. Muhammedi [alejhis salatu ves selam] ka thënë:
“Nga burrat ka shumë që janë përsosur (kanë arritur grada të larta) ndërsa nga gratë nuk është përsosur vetëm se Merjemeja, e bija e Imranit dhe Asija, gruaja e Faraonit ndërsa vlera e Aishes ndaj grave të botës është sikurse vlera e theridit (një ushqim special) ndaj ushqimeve tjera.” [4]
Merjemja është përgëzuar me Xhennet. Muhammedi [alejhis salatu ves selam], siç transmeton Ibni Abbasi, një ditë kishte bërë katër vija dhe kishte thënë: A e dini se çka janë këto katër vija? Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri! – u përgjigjën Sahabet. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] tha:
“Gratë më të mira të banorëve të Xhennetit janë Hatixheja, e bija e HUvejlidit, Fatimeja, e bija e Muhammedit, Asija, e bija e Muzahimit dhe gruaja e Faraonit si dhe Merjemja, e bija e Imranit.”[5]
A është martuar Merjemja më pas?
A është martuar Merjemja me Jusuf Nexh-xharin?
Në Kur’an dhe Sunnet nuk kemi ndonjë tekst që tregon se Merjemja është martuar pas lindjes së Isait. Ndërsa për periudhën para lindjes, me tekst kur’anor, është vërtetuar se atë nuk e ka prekur asnjë mashkull[6].
Martesa e Muhammedit [alejhis salatu ves selam] me të në Xhennet
Janë transmetuar disa hadithe që flasin për kinse martesën e Muhammedit [alejhis salatu ves selam] me Merjemen në Xhennet, por të cilat, verifikuesit e haditheve, ndër ta edhe Shejh Albani[7], i kanë vlerësuar to dobëta.
Mësimet nga jeta e Merjemes [alejhaselam]
1) Merjemja si model
Në hadithin e Imam Ahmedit që cituam më parë, Merjemja na prezantohet dhe si një gra, e cila duhet të merret model nga myslimania në jetën e saj. Nëse do të di për nderin dhe moralin, le t’i kthehet jetës së Merjemes. Nëse do ta ndërton personalitetin e saj, le t’i kthehet personalitetit të Merjemes. Merjemja është si një lloj pasqyre ku myslimania shikon për ta rregulluar karakterin dhe për ta zbukuruar moralin.
2) Islami nuk diskriminon femrën
Është një nga rastet e mira për të dëshmuar për vlerësimin real të Islamit për femrën. Është një grua, e cila u përmend shumë në Kur’an, madje një kaptinë e tërë u emërtua me emrin e saj.
3) Rëndësia e devotshmërisë
Devotshmëria të ruan. Ajo është mburojë e hekurt para shpifjeve, akuzave, intrigave. Ajo, përveç tjerash, të siguron edhe jetë të mirë materiale.
4) Islami dhe vlerësimi real i personaliteteve
Kontributi i Merjemes është vlerësuar lart por jo, siç bënë të krishterët, deri në atë shkallë aq sa edhe të adhurohet.
5) Islami fe e të gjithë profetëve
Në Kur’an u përmend se Merjemja është motra e Harunit, por, siç shpjegohet, kjo përkatësi është vetëm në kuptim të emërtimit dhe thirrjes me emra të profetëve. Pra, aludohet në lidhjen ndërmjet profetëve.

[1] Shih: Kur’ani: En-Nisa, 156.
[2] Transmetim unanim.
[3] Imam Ahmedi nga Enes. SHuajb Arnauti thotë se është autentik.
[4] Transmetim unanim.
[5] Imam Ahmedi nga Ibni Abbasi. Shuajb Arnauti thotë se është autentik.
[6]http://www.alifta.net/Fatawa/FatawaDetails.aspx?View=Page&PageID=5867&PageNo=1&BookID=2
[7] Shih: Daifu-l-Xhamii, nr. 1611; 1235.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s