ERA E GOJËS SË AGJËRUESIT

ERA E GOJËS SË AGJËRUESIT
 
Ndër shpërblimet e përmendura për agjërimin është edhe ai se era e gojës së agjëruesit tek Allahu është më e këndshme se era e miskut. Siç përcjellë Ebu Hurejre [Allahu qoftë i kënaqur me të!], Profeti Muhammed [Paqja qoftë mbi të!] ka thënë:

«والذي نَفسي بيدهِ لُخلوفُ فمِ الصائمِ أطيبُ عِندَ الله تعالى منْ ريحِ المِسكِ»

“…betohem në Atë, në dorën e të Cilit është shpirt im, se era e gojës së agjëruesit është më e këndshme tek Allahu se era e miskut…”[1]

Profeti [Paqja qoftë mbi të!], duke dashur të na ofrojë një imazh për erën e mirë të gojës së agjëruesit mori shembull miskun, i cili ka arën më të këndshme tek ne. Por, cila është domethënia e kësaj ere dhe cili është interpretimi për të?

 
1. Interpretimi i ‘erës së gojës’ ndërmjet reales dhe metaforës
Ibn Dekik el-Idi, kur flet për erën e këndshme të gojës së agjëruesit, përmend se ajo mund të interpretohet si konkrete por edhe si metaforë. Si konkrete merr kuptim vetëm në botën tjetër ndërsa si metaforë nënkupton kënaqësinë e Allahut për këtë vepër dhe shpërblimin e madh për të.[2]

Në fakt, Ibn Dekik el-Idi aludon në qëndrimet e dy taborëve të dijetarëve: tradicionalistëve, që interpretojnë tekstualisht erën, pra si erë konkrete, të cilën besimtari e gjen tek Allahu, dhe të tjerëve, që erën e shohin si metaforë ndërsa i japin kuptime të ndryshme. Ibn el-Kajjim, pasi trajton mendimet e thëna rreth interpretimet të erës, konstaton se interpretimi tekstual është ai më i qëlluari dhe se nuk ka asnjë nevojë që të interpretohet teksti dhe shprehjes t’i jepet kuptim tjetër nga ai që ka.[3] Ky mendim mbështetet fuqishëm edhe  nga versioni i hadithit i shënuar në Sahihun e Muslimit, në të cilin precizohet se për qëllim është bota tjetër.

«وَالَّذِي نَفْسُ مُحَمَّدٍ بِيَدِهِ، لَخُلُوفُ فَمِ الصَّائِمِ أَطْيَبُ عِنْدَ اللهِ، يَوْمَ الْقِيَامَةِ، مِنْ رِيحِ الْمِسْكِ»

Betohem në Allahun, në dorën e të Cilit është shpirti i Muhammedit, era e gojës së agjëruesit, tek Allahu, në Ditën e Kiametit, është më e mirë se era e miskut.”[4]

 
2. Largimi i erërave të këqija gjatë agjërimit dhe erës së gojës në veçanti
Era e gojës së agjëruesit nuk është rezultat i mos mbajtjes së higjienës personale dhe më konkretisht i mos pastrimit të dhëmbëve. Era e gojës shkaktohet nga zbrazja e stomakut nga ushqimi, era kjo që, pavarësisht pastrimit të dhëmbëve a gojës, nuk largohet. Nga këtu, nuk ka ndonjë ndalesë që të pastrohen dhëmbët, të shpërlahet goja herë pas here me ujë apo edhe i tërë trupi.[5]
 
3. Mëkatet humbasin erës e këndshme të gojës
Dikush nga gjeneratat e para ka thënë: ‘Adhurimet kërkojnë që edhe nga ana e jashtme – dukja të kujdesemi për to. Nëse në namaz kërkohet rroba e pastër, në agjërim kërkohet era, dhe, sikur që rroba njolloset me spërkatje, dhe rrjedhimisht bëhet e pavlefshme për tu falur me të, era njolloset/humbet me fjalë të këqija.’

Pra, janë fjalët e pista ato që zbehin agjërimin në tërësi dhe erën e gojës në veçanti.

 
4. Shpërblimi për agjërimin
Referuar shpjegimeve të mëparshme të hadithit, del se shpërblimi për agjërimin është i madh. Respektivisht është:
1)     Shpërblim i llojit të veprës
Duke qenë se nga agjërimi është shkaktuar erë e pakëndshme e gojës, në botën tjetër, nga vet lloji i veprës (era), i jepet shpërblimi.
2)     Shpërblim i sinqeritetit
Duke qenë se agjërimi kryhet në fshehtësi, atëherë Allahu dëshiron ta shpërblejë robin me këtë erë në Ditën e Llogarisë, në prani të njerëzve, e cila dëshmon sinqeritetin në agjërim.[6] Mu ashtu siç dallohen besimtarët që marrin abdes me përpikëri me ndriçimin e gjymtyrëve të trupit, po kështu besimtari i sinqertë në agjërim dallohen me erën e mirë.
3)     Shpërblim më i madh se ai për dëshmorin
Era e gojës së agjëruesit tek Allahu është më e mirë se era e gjakut të dëshmorit, për disa arsye:

a)     Tekstualisht, era e gojës së agjëruesit është vlerësuar më shumë se era e gjakut të dëshmorit. Për erën e gojës së agjëruesit është thënë se ‘është më e mirë se era e miskut’ ndërsa për erën e gjakut të dëshmorit është thënë: ‘…ngjyra e tij ngjyrë gjaku, era e tij erë misku…’[7] Pra, për erën e gojës së agjëruesit është thënë se është më e mirë se era e miskut ndërsa për gjakun e dëshmorit është thënë se ka erë misku.

b)    Agjërimi është një nga shtyllat kryesore të fesë, është obligim individual, përderisa xhihadi është obligim parcial.[8]

 

[1] Transmeton Buhariu.

[2] Shih: Ibn Dekik el-Idi. (2009). Sherhu-l-ilmam bi ehadithi el-ahkam. Siri: Dar nevadir. 3/151-153. Si metaforë e kanë shpjeguar edhe shumë

[3] Shih: Ibn Kajjim el-Xheuzijjeh, Muhammed bin Ebi Bekr. (1999). El-vabil es-sajjib min el-kelim et-tajjib. Kajro: Dar el-hadith. Fq. 28.

[4] Hadithi nr. 1151.

[5] Shih: Ibn Tejmije, El-fetava el-kubra, 2/474; Fetava el-lexhneti ed-daimeti, 10/328; Fetava esh-Shejh Ibn Baz, 15/260.

[6] Shih: Lashin, Musa Shahin. (2002). El-menhel el-hadith fi sherhi el-hadith. P.v.b: Dar el-medar el-islamij. 2/228-230.

[7] Transmeton Tirmidhiu.

[8] Shih: Lashin. (2002). El-menhel el-hadith fi sherhi el-hadith. Op. cit. 2/228-230.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s