FEJA ËSHTË SINQERITET DHE KORREKTËSI

Temim ed-Dari [Allahu qoftë i kënaqur me të!] tregon se i Dërguari i Allahut [Paqja qoftë mbi të!] ka thënë: «Feja është sinqeritet dhe korrektësi!» Feja është sinqeritet dhe korrektësi!» Feja është sinqeritet dhe korrektësi!» Me kë?– e pyetën. Tha: «Me Allahun, Librin e Tij, të Dërguarin e Tij, prijësit e muslimanëve dhe muslimanët në tërësi

Transmeton Muslimi.[1]

عَنْ تَمِيمٍ الدَّارِيِّ رضي الله عنه قَالَ: قَالَ رَسُولُ اللَّهِ صلى الله عليه وسلم:

«الدِّينُ النَّصِيحَةُ، الدِّينُ النَّصِيحَةُ، الدِّينُ النَّصِيحَةُ. قَالُوا: لِمَنْ يَا رَسُولَ اللَّهِ؟ قَالَ: لِلَّهِ، وَلِكِتَابِهِ، وَلِرَسُولِهِ، وَلِأَئِمَّةِ الْمُسْلِمِينَ وعامتهم»

رواه مسلم.

 

 

Këtë fjalë (Feja është sinqeritet dhe korrektësi!») Profeti [Paqja qoftë mbi të!] e përsëriti disa herë për t’i vënë theks rëndësisë që ka por edhe për të këshilluar ummetin që ta marrin me seriozitet të madh dhe ta dinë bindshëm se tërë feja është e përmbledhur në të, respektivisht në përmbushjen e këtyre pesë detyrimeve.

[Sinqeriteti me Allahun] :

–         Njohje dhe pranim i njëshmërisë së Allahut,

–         Njohje dhe pranim i ekskluzivitetit sa i përket cilësive të përkryera e të përsosura në të cilat nuk pranon asnjë lloj ortakërie,

–         Adhurimi i tij me shpirt e me trup,

–         Kthimi tek Ai me pendim e adhurim çdoherë e në çdo kohë,

–         Kërkimi (lutja) me frikë e shpresë, me pendim e kërkim falje të përhershme, sepse njeriu patjetër do të lë ngec në diç nga detyrimet karshi Allahut apo do të merr guximin në mënyrë të verbër që t’i qaset disa mëkateve, kështu, në këto rrethana, mbyllja e plasaritjeve të shkaktuara, nga njëra anë, dhe  plotësimi i  fjalës dhe veprës,  nga ana tjetër, nuk arrihen ndryshe vetëm se me pendim të vazhdueshëm dhe kërkim falje të përhershme.

[Sinqeriteti me Librin e Tij] : Duke e nxënë përmendësh -memorizuar, medituar, mësuar shprehjet dhe domethëniet e tij si dhe duke u përpjekur e angazhuar për të vepruar sipas tij dhe për t’ia përcjellë atë njerëzve në përgjithësi.

[Sinqeriteti me të Dërguarin] : Duke e besuar dhe dashur, duke i dhënë përparësi ndaj vetes, bijve dhe pasurisë, duke e pasuar në çdo gjë, e madhe apo e vogël qe, duke mos vënë fjalë para fjalës së tij dhe duke u përpjekur për të përvetësuar udhëzimin e tij dhe për të mbrojtur fenë e tij.

[Korrektësia me prijësit e muslimanëve] : Duke filluar nga kryetari i shtetit e deri tek autoritetet më të ulëta, publike apo private qofshin. Korrektësia në raport me ta manifestohet duke ua njohur pushtetin, duke i dëgjuar dhe respektuar, duke i nxitur njerëzit që t’i respektojnë dhe jo të çohen kundër tyre, udhëzimi i tyre në rrugën e drejtë, këshillimi për atë që është në interes të tyre dhe të popullit si dhe duke përmbushur detyrimet e obligimet karshi tyre.

[Korrektësia me muslimanët në përgjithësi] : Duke ua dashur atë që do për vete, duke urryer për ta atë që urren për vete, si dhe duke nxituar për të jetësuar në praktikë këtë moral, sepse kush do diç, mundohet ta arrijë e realizojë.

Profeti [Paqja qoftë mbi të!] e interpretoi nasihatin (sinqeritetin dhe korrektësinë) me këto pesë gjëra, të cilat përmbledhin detyrimet karshi Allahut, Kur’anit, Profetit dhe të gjithë muslimanëve pavarësisht shtresave e pozitave që kanë. Kështu, me këtë thënie kuptimplote, Profeti [Paqja qoftë mbi të!], arriti të përfshijë tërë fenë në pak fjalë.[2]

[1] Transmeton Muslimi në Sahih, nr. 55. Hadithin e ka përmendur edhe Buhariu në Sahih, por pa sened. Me sened e ka transmetuar në Et-Tarih es-sagir, 2/30 dhe Et-Tarih el-kebir, 1/459.

[2] Shih: Xhamiu-l-Ulum ve-l-Hikem, hadithi i shtatë, 1/221-224.

CILËSITË E BANORËVE TË XHENNETIT

Shejh AbduRrahman Sa’di
Ebu Hurejre [Allahu qoftë i kënaqur me të!] tregon se një beduin kishte ardhur tek Profeti [Paqja qoftë mbi të!] dhe i kishte thënë: Më udhëzo për një vepër, të cilën, nëse e bëj, hyj në Xhennet! Ai i tha: «Ta adhurosh Allahun dhe të mos i përshkruash ortak në asgjë, ta falësh namazin e obliguar, të paguash kontributin e detyruar të zekatit dhe të agjërosh ramazanin.» Beduini tha: Pasha Atë, në dorën e të Cilit është shpirti im, kësaj nuk do t’i shtoj dhe as mungojë asgjë! Kur shkoi, Profeti (i) tha (të pranishmëve): «Kë e gëzon shikimi në banorët e Xhennetit le të shikojë në këtë njeri!»
Transmetim unanim. [Transmetojnë Buhariu në Sahih, nr. 1397, dhe Muslimi në Sahih, nr. 14. Teksti është i Muslimit.]
Komentim:
Përkitazi me temën e hadithit janë transmetuar hadithe të shumta, të cilat njëzëri pohojnë se ai që kryen obligimet e ngarkuara nga Allahu, obligime të përbashkëta apo të veçanta/individuale qofshin këto, fiton Xhennetin. Kështu, kush përmbushë detyrimet dhe i shmanget ndalesave, meriton hyrjen në Xhennet dhe shpëtimin nga Xhehennemi, sikur që i përshkruari me këto tipare, meriton të identifikohet emrin apo identifikimin me Islam dhe Iman, dhe jo vetëm. Ai është nga të devotshmit e shpëtuar që kanë trasuar rrugën e drejtë.