URTËSIA E MUAVIUT [Allahu qoftë i kënaqur me të!]

Muavi ibn Ebi Sufjan, ky sahabi i shquar për butësi dhe urtësi, një ditë tha një fjalë të madhe.

Unë nuk e vë shpatën atje kur mund ta vë shkopin, sikur që nuk e vë shkopin atje ku mund ta vë gjuhën. Sikur ndërmjet meje dhe njerëzve të mos kishte tjetër gjë që na mban bashkë vetëm se një fije floku, do ta mbaja: nëse ata e tërheqin, unë do ta lëshoja, e nëse ata e lëshojnë, unë do ta tërheqja.

Përkujdesuni për shoqërinë tuaj dhe zgjidhni ata siç i zgjidhni pemët më të mira. Jeta meriton të kalohet me shokë besnikë. Ndejat me burra janë pasuri më e madhe se çdo gjë tjetër. Kjo fija e flokut të Muaviut është diç që, në këtë vorbull zhvillimesh të paqëndrueshme shoqërore, njerëzit po e harrojnë. Njeriu më i mençur është ai që e kupton atë dhe e trajton siç duhet. Kështu, njerëzit i mbesin miq ndërsa dashuria, respekti dhe mirëkuptimi ndërmjet tyre nuk mungojnë.

 

Përshtati: Dr. Sedat Islami

TRESHET E PENDIMIT

Abdullah ibn Ahmed el-Havil

 

Kushtet e pendimit

  1. Keqardhja për të kaluarën
  2. Braktisja e menjëhershme e mëkatit
  3. Vendosmëria për të mos iu kthyer më kurrë atij mëkati

Kushtet e vlefshmërisë së pendimit

  1. Sinqeriteti
  2. Të jetë pendimi në kohën e mundësisë së pranimit, pra të jetë para vdekjes së peronit dhe para lindjes së diellit nga perëndimi
  3. Të drejtat t’iu kthehen pronarëve të tyre

Frytet e pendimit

  1. Dashuria e Allahut
  2. Falja e mëkateve
  3. Shndërrimi i të këqijave në të mira

Çfarë duhet braktisur pas pendimit

  1. Braktisja e vendeve ku ke bërë mëkat
  2. Braktisja e shoqërisë me të cilët ke bërë mëkate
  3. Braktisja e veglave dhe gjërave me të cilat ke bërë mëkat

Çfarë ndihmon në përforcim në pendim

  1. Këshilluesi që flet (Kur’ani)
  2. Këshilluesi i heshtur (vdekja)
  3. Shoqëria e zgjedhur

Çfarë e pengon pendimin

  1. Shpresa e madhe
  2. Zvarritja e pendimit
  3. Shoqëria e keqe

Pasojat e braktisjes s pendimit në këtë botë

  1. Ngushtimi i gjoksit
  2. Vështirësimi i punëve
  3. Përfundimi i keq (i jetës)

Mirësi të pendimit

  1. Lumturia shpirtërore
  2. Shtimi i furnizimit
  3. Vdekja e mirë

 

Përshtati: Dr. Sedat ISLAMI

Burimi: http://saaid.net/Doat/alhaweel/10.htm

 

 

TRE ORIENTALIST PËR PËRHAPJEN E ISLAMIT

‘Përhapja e Islamit’ ka qenë tezë diskutimi e kamotshme ndërsa shpeshherë tezave të ofruara nga studiues të ndryshëm nuk iu ka munguar ngjyra e urrejtjes dhe armiqësisë. Instrumentalizimi i shkencës nga politika dhe varësia ndaj saj ka bërë që ajo të verbërohet para të vërtetës. Portretizimi monstruoz i Islamit, si fe, dhe ithtarëve të tij, si njerëz, është shkaktari kryesor i paragjykimeve ndaj që edhe sot e kësaj dite ekzistojnë, dhe jo vetëm atyre. Shkencëtarëve servilë i faturohet edhe faji i krijimit të një ambienti të përshtatshëm edhe për vagabondë dhe maniakë, të cilët me laps në dorë dinë tua kalojnë për marrëzi edhe shkencëtarëve servilë. Për pasojë, sot shohim teza për ‘përhapjen e Islamit’ që vërtetë ngjajnë me skenarë të filmave horrorr. Fenë, të cilën Allahu i Madhëruar e shpalli shpëtim për njerëzimin dhe në të cilën ndaloi konvertimin me dhunë (Kur’ani: 2:256), mundohen ta paraqesin si të keqen më të madhe të njerëzimit.

Personalisht, nuk dyshoj në karakteret servile dhe qëllimet materiale të shumë prej këtyre “hulumtuesve” që si urithë i kanë hyrë shkencës brenda për ta shkatërruar. Kam këtë bindje ndërsa për bazë kam personalitete të shumta nga bota akademike që para të vërtetës nuk kanë mbyllur sytë, veçanërisht për çështjen që po diskutojmë. Muhammed Fethullah Ezzijadi, në librin e tij ‘Dhahiretu intishari-l-Islam ve mevkif ba’da-l-musteshrikine minha’ (Dukuria e përhapjes së Islamit dhe qëndrimi i disa orientalistëve ndaj saj), duke shtjelluar qëndrimet e shumë orientalistëve për këtë temë, përmend shumë emra, ndër të cilët, si tolerantë, objektivë dhe realist, veçon tre emra,[1] thëniet e të cilëve duhet të konsultoheshin para se t’i hyhet hulumtimeve për përhapjen e Islamit.

LAURA VAGLIERE: “Askush sot nuk mund të pretendojë se shpata e Çliruesit ka qenë ajo që i ka shtruar (hapur) rrugën përpara Islamit, përkundrazi, në trojet, kur dikur kanë qenë shtetet islame, frerët e pushtetit në duar i kanë marrë qeveri që kanë përkatësi tjera fetare, sikur që për kohë të gjatë në ambienti islame kanë vepruar organizata të fuqishme misionare, por megjithëkëtë, as këto qeveri dhe as ato organizata nuk ia kanë dalë dot ta heqin Islamin dhe ta largojnë atë nga jeta e popujve islamë.”

GUSTAV LE BON: “Kur’ani nuk është përhapur me shpatë…është përhapur vetëm me Thirrje (kumtim), dhe vetëm me Thirrje popujt e kanë përqafuar atë.”

Kur të hulumtojmë për çlirimet e arabëve dhe ngadhënjimet e tyre, lexuesi dot ë mësoj se si forca nuk ka qenë shkak i përhapjes së Kur’anit dhe se arabët kanë lënë të lirë në fenë e tyre popujt e nënshtruar.”

Henry De Castro: “Askush nuk është detyruar (ta pranojë Kur’anin) as me shpatë dhe as me gjuhë, përkundrazi, ka depërtuar në shpirt me dashuri dhe vullnet të lirë. (Pranimi i tij) Ka qenë si rezultat i aftësisë dhe zotësisë së Kur’anit për të ndikuar dhe marrë (bërë) mendjet (për vete).

Me qasje sikur këto ndaj Islamit, bota sot do të ishte më e qetë, më në harmoni dhe me më shumë respekt për njëri tjetrin.

[1] Shih: Ezzijadi, Muhammed Fethullah. (1983) Dhahiretu intishari-l-Islam ve mevkif ba’da-l-musteshrikine minha. Tarablus: El-Minshietu el-ammetu li-n-neshri ve-t-teuzië ve-l-i’lam. F. 304-305.

 

EMRAT E PROFETIT ﷺ

Dr. Jahja Ibrahim El-Jahja

Xhubejr bin Mut’im transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: «Unë kam pesë emra: Unë jam Muhammedi, Ahmedi, Mahiu –që me mua Allahu asgjëson kufrin, Hashiri (I ringjalluri ose Mbledhësi) –që njerëzit ringjallen (ose mblidhen) tek këmbët e mia, dhe Akibi.»[1]

Ebu Musa tregon: I Dërguari i Allahut ﷺ na i përmendte emrat e tij e thoshte: «Unë jam Muhammedi, Ahmedi, Mukaffiu, Hashiri, Nebijju-t-teubeti, dhe Nebijju-rr-rrahmeti.»[2]
Buhariu transmeton nga Ebu Hurejre [Allahu qoftë i kënaqur me të!] se Profeti ﷺ ka thënë: «A nuk mahniteni se si Allahu më mbron nga sharjet dhe mallkimi i kurejshëve?! Shajnë e mallkojnë duke thënë mudhemmem (i nënçmuar) ndërsa unë jam Muhammed.»[3

Poeti ka thënë:
Për ta lartësuar, i dha emër nga emri i Vet
Pronari i Arshit është Mahmud ndërsa ky është Muhammed

Emri ‘Akib’, siç qëndron tek Tirmidhiu, ka kuptimin: ‘Ai, pas të cilit nuk ka profet.’

Ibn Haxheri ka thënë: “Ajo që mund të kuptohet nga hadithi është se Profeti ﷺ ka dashur të thotë: ‘Unë kam pesë emra, me të cilët jam veçuar dhe me të cilët askush para meje nuk është emërtuar, ose në popujt para nesh nuk iu kushtuar rëndësi dhe nuk kanë qenë të njohur’ Pra, është synuar shpjegimi i këtyre pesë emrave dhe karakteristikave të tyre, e jo përmbledhja e të gjithë emrave të Profetit ﷺ.”[4]
Sipas Suhejliut, kanë qenë vetëm tre veta para Muhammedit ﷺ që kanë bartur këtë emër,[5] derisa Ibn Haxheri thotë të ketë shkruar një libër përkitazi me emrat e Profetit ﷺ ku k ardhur në përfundim se kanë qenë gjithsej pesëmbëdhjetë veta ata që janë quajtur para tij me këtë emër.[6]

Përkitazi me emrat e Profetit ﷺ janë shkruar libra të shumta, në disa prej të cilave janë përmendur madje treqind emra por që nuk janë dokumentuar me tekste të besueshme, në ndërkohë që disa kanë qenë tipare e disa madje as në tekstet fetare nuk kanë ardhur si emra, si p.sh. emri Lebineh (qerpiç; tullë) në hadithin e Ebu Hurejres [Allahu qoftë i kënaqur me të!]: «Shembulli im dhe shembulli i Profetëve tjerë është si shembulli i një njeriu që ka ndërtuar një shtëpi, të cilën e ka plotësuar dhe e ka përsosur, përveç një vendi ku mungon një tullë. Atëherë njerëzit që hyjnë në të, kënaqen nga bukuria e saj, por thonë: ‘Sikur ta kishte edhe një tullë ky vend (shtëpia do të ishte e mrekullueshme)/!»[7]

Ndërsa sa i përket ofiqit të Profetit ﷺ, ai është ‘Ebu-l-Kasim.’ Dëshmi për këtë kemi hadithin e Enesit i cili tregon: ‘Profeti ﷺ ishte në treg kur një njeri thirri: Ja Eba-l-Kasim! Profeti u kthye dhe tha: Vëni emrin tim por jo edhe ofiqin!’[8]

——————————————————————

[1] Buhariu, nr. 3532, dhe Muslimi, nr. 2354. Kuptimi i emrave: Muhammed: Shumë i lëvduar.; Ahmed: Më i lëvduar se çdokush tjetër.; Mahi: Asgjësuesi, çrrënjosësi i idhujtarisë dhe pabesimit ; Hashir: I ringjalluri ose Mbledhësi që njerëzit ringjallen ose mblidhen tek ai. Siç qëndron në Sherhu-s-Sunneh, kuptimi është: ringjallen pas meje sepse Profeti ﷺ ringjallet i pari.; Akibi: Siç edhe shpjegohet në hadithin e Tirmidhiut, që autori e përmend në vazhdim, Akib ka kuptimin e profetit të fundit pas të cilit nuk ka profet. Përkthyesi.

[2] Muslimi, , nr. 2355. Kuptimi i emrave: Mukaffiu: Pasuesi, që ka pasuar profetët, ka ardhur pas tyre. Për këtë shkak thuhet se ky emër ka kuptimin e ngjashëm me emrin Akib.; Nebijju-t-teubeti: Profeti i pendimit; Nebijju-rr-rrahmeti: Profeti i mëshirës.

[3] Nr. 3533.

[4] Fet’hu-l-Bari, 6/642.

[5] Err-rreud en-unf, 2/151.

[6] Fet’hu-l-Bari, 6/642.

[7] Buhariu, nr. 3535, Muslimi, nr. 2286.

[8] Buhariu, nr. 110, Muslimi, nr. 2131. Shih edhe: Fet’hu-l-Bari, 6/647.

RREGULLA DHE PARIME NË DA’VE

RREGULLA DHE PARIME NË DA’VE

 

Falënderimet i takojnë Allahut ndërsa përshëndetjet qofshin për Muhammedin, familjen, shokët dhe të gjithë pasuesit e tij!

Të thirrurit në Rrugën e Allahut – Da’veja është ndër veprat me më së shumti nderë dhe ndër adhurimet më të çmuara; është veçori dhe tipar i dalluar i profetëve [alejhimusselam], sikur që është punë dhe detyrë më e spikatur e evlijave [të dashurve] dhe asfijave [të zgjedhurve] nga robërit e sinqertë të Allahut. Allahu ka thënë:

E kush është në rrugë më të mirë se ai që thërret në rrugën e All-llahut, që bën vepra të mira dhe që thotë: “Unë jam prej myslimanëve?“ (Fussilet, 33)

Duatët [thirrësit, misionarët myslimanë] janë elitë e përzgjedhur e ummetit islam, për shkak se detyra të cilën e kryejnë parasheh patjetër që të jenë shembuj që pasohen dhe modele që ndiqen. Tek ata duhet të reflektojë mesazhi në të cilin i thërrasin njerëzit me dije dhe argumente.

Allahu i Madhëruar ka kërkuar prej këtij ummeti që nga bijtë e tij të nxjerr grup njerëzish që thërrasin në fe ndërsa kjo nuk është një punë e lehtë dhe që nuk kërkon angazhim serioz dhe sakrificë të vazhdueshme. Pikërisht për këtë, përmbajtja e këtij artikulli që përmbledh rregulla dhe parime se si duhet zhvilluar thirrjen, në mënyrë që të jenë një ndihmesë për thirrësit dhe një rrugë për të korrur sukses.

1.      Thirrja në Rrugën e Allahut – Da’veja është rrugë shpëtimi në këtë dhe botën tjetër, sepse “Që Allahu ta udhëzojë një njeri nëpërmjet teje është më mirë për ty se sa të posedosh pasuri të çmuar.”(Hadith.)

Shpërblimi realizohet me të thirrur dhe nuk kushtëzohet me pranimin ose jo të të thirrurve. Thirrësi është i detyruar të angazhohet dhe të jap mundin e tij ndërsa suksesi është nga Allahu i Madhëruar. Përgatitja e thirrësit është kusht, fitorja nga Allahu është premtim, ndërsa Da’veja, në objektiva dhe rezultate, është formë prej formave të Xhihadit.

2.      Konfirmimi i metodologjisë së të parëve tanë që përmblidhet në metodologjinë e Ehlu Sunnetit dhe Xhematit, e që njihet për mesatarinë, gjithëpërfshirjen, maturinë dhe distancimin nga çdo lloj ekstremi.

Po kështu kjo metodologji pikënisje ka dijen fetare, e cila nënkupton dijen në raport me Kur’anin dhe Sunnetin. Kjo është mbrojtje nga dështimi dhe dritë që ndriçon rrugën e profetëve [alejhimusselam].

3.      Përkushtimi për të themeluar kolektivin mysliman dhe për të unifikuar fjalën e tyre rreth të vërtetës, dhe këtë mbi bazën e parimit: “Fjala e Teuhidit është bazë për teuhidin (unifikimin) e fjalës.”

Grupimet fanatike që sot po përçajnë myslimanët dhe po thellojnë ndasitë ndërmjet tyre duhet të largohen. Çdo grup në Da’ve duhet të ketë parasysh se botëkuptimi i vërtetë i grupit të tyre është grup prej myslimanëve, e assesi grupi i myslimanëve. (Pra, ata nuk janë myslimanët e vetëm. Ata janë vetëm një pjesë e myslimanëve. Përkthyesi.)

4.      Lojalizmi duhet të jetë ndaj fesë, jo ndaj individëve. E vërteta është më jetëgjatë se individët, dhe, po deshe të njohësh ithtarët e së vërtetës, njihe të vërtetën së pari.

5.      Thirrja për në bashkëpunim dhe në çdo gjë që na shpie tek bashkëpunimi dhe largimi nga përçarja dhe çdo gjë që na çon tek ajo. Duhet ta ndihmojmë dhe përkrahim njëri tjetrin ndërsa aty ku ka hapësirë për mendim ndryshe dhe diskutim, duhet ta këshillojmë njëri tjetrin por gjithnjë duke u ruajtur që të mos kalojmë në urrejtje.

Parim tek lëvizjet dhe grupet e moderuara islame është të bashkëveprojnë dhe unifikohen, e në rast se jo, të mbështesin njëri tjetrin, në rast se jo, atëherë të bashkëjetojnë, ndryshe mund të kenë përfundim të keq.

6.      Individi, që i përket një grupi a lëvizje, të mos jetë fanatik i tij/saj, por të pranoj me shpirtgjerësi çdo kontribut dhe angazhim të mirë që e ofrojnë të tjerët.

7.      Mospajtimi në çështje dytësore të fesë parasheh/obligon këshillimin dhe dialogun e assesi kundërshtimin dhe konfliktin.

8.      Vetëkritika, vetëllogaria dhe vetëvlerësimi i përhershëm.

9.      Mësimi i etikës së kundërshtimit dhe thellimi në bazat dhe kriteret e dialogut, duke pranuar rëndësinë që kanë dhe duke përvetësuar mjetet e tyre.

10.    Mospërgjithësimi i normave dhe gjykimi me maturi i individëve. Korrektësi është të gjykosh botëkuptimet, jo strukturat (individët).

11.    Dallimi ndërmjet qëllimit dhe mjetit, p.sh. Da’veja është qëllim ndërsa lëvizja, grupi apo qendra janë mjete.

12.    Pandryshueshmëria në qëllime (objektiva) dhe fleksibiliteti në mjete. (Qëllimet ngelin qëllime ndërsa mjetet mund të ndryshojnë sipas kohës. Përkthyesi)

13.    Dhënia përparësi gjërave sipas rëndësisë së kanë. Çështjet dytësore apo sekondare duhet të jenë në vendin, kohën dhe rrethanat përkatëse.

14.    Shkëmbimi i përvojave ndërmjet thirrësve dhe ndërtimi i metodologjisë mbi përvojat e të mëparshmëve është çështje me rëndësi. Thirrësi nuk duhet ta konceptojë vetëm as si i pari dhe as si i fundit që ka filluar të thërret në këtë fe. Nuk guxon ta konsiderojë veten të panevojshëm për këshillat dhe udhëzimet e të tjerëve.

15.    Respektimi i dijetarëve të dalluar për personalitetin dhe dijen e tyre: merret dija prej tyre, nderohen dhe respektohen, nuk nëpërkëmbet nderi i tyre, nuk paragjykohet për qëllimet e tyre dhe nuk akuzohen apriori. Dijetarët, për aq kohë sa hulumtojnë dhe angazhohen, edhe nëse gabojnë, nuk fajësohen, por as nuk shfajësohen.  Mjafton fakti që ata janë njerëz dhe gabojnë sikur të gjithë të tjerët por për shkak të angazhimit të tyre, vlera, nderi dhe pozita mbesin të paprekura.

16.    Mendimi i mirë për myslimanët dhe interpretimi i mirë i fjalëve dhe mendimeve të tyre, duke ua mbuluar të metat në publik dhe duke i këshilluar për to në vetmi.

17.    Nëse dominojnë të mirat e ndonjë individi, atëherë të këqijat nuk i përmenden, përveç për ndonjë interes. Po kështu, nëse dominojnë të këqijat e dikujt, atëherë nuk i përmenden të mirat, nga frika që puna e tij mund t’i pështjellët dikujt.

18.    Përdorimi i terminologjisë fetare dhe shmangia e përdorimit të terminologjive të huaja, si shura në vend të demokracisë.

19.    Medhhebet juridike janë pasuri dhe thesar i çmuar i ummeti, të cilat i studiojmë dhe përfitojmë prej tyre pa shfaqur ndonjë fanatizëm a anshmëri. Medhhebet nuk mohohen tërësisht, mohohen vetëm interpretimet që nuk kanë mbështetje ndërsa kriter për interpretimet e tyre kemi Kur’anin dhe Sunnetin.

20.    Përcaktimi i qëndrimit të matur dhe arsyeshëm karshi perëndimit dhe qytetërimit të tij: përfitojmë nga shkencat e tij empirike në përputhje me rregullat dhe normat e fesë sonë.

21.    Afirmimi i rëndësisë së shura-së (konsultimit) në Da’ve dhe domosdoshmëria e të mësuarit të esencës dhe thelbit të konsultimit.

22.    Thirrësi është pasqyrë e thirrjes së tij dhe shembull praktik i saj, andaj le të jetë shembull dhe model.

23.    Duhet aplikuar metodologjinë e urtësisë dhe këshillës së mirë, ashtu siç Allahu na ka mësuar: Ti (Muhammed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira. Zoti yt është Ai që e di më së miri atë që është larguar nga rruga e Tij dhe Ai di më së miri për të udhëzuarit.”(En-Nahl, 125)

24.    Thirrësi duhet të shquhet për durimin, i cili, jo vetëm që është tipar profetësh, por edhe vendimmarrës për suksesin në mision.

25.    Thirrësi duhet të largohet nga interpretimet radikale dhe vështirësimi i gjërave. Duhet të aplikojë lehtësimin dhe butësinë aq sa feja ka lënë hapësirë për to.

26.    Myslimanin hulumton për të vërtetën ndërsa në mision guximin për ta proklamuar të vërtetën është domosdoshmëri. Por, nëse nuk mund ta thuash të vërtetën, atëherë mos e thuaj as të pavërtetën. Ik prej saj!

27.    Kujdes nga plogështia dhe pasojat e saj. Thirrësi nuk guxon të tregohet indiferent karshi kësaj dukurie dhe formave të trajtimit të saj.

28.    Thirrësi duhet të ketë kujdes nga propagandat dhe thashethemet për shkak të pasojave dhe ndikimit negativ që kanë në shoqëri.

29.    Kriter i vlerësimit është devotshmëria dhe kryerja e veprave të mira, duke anashkaluar çdo përkatësi tjetër gjeografike, etnike, grupore, lëvizje, etj.

30.    Metodologjia më e preferuar në Da’ve është që të vërtetat islame të prezantohen fillimisht ndërsa të mos merret me dyshimet që të tjerët kanë hedhur për Islamin. Kësisoj njerëzve iu japin një peshore për të vërtetën. Po kështu, i thërrasim për në bazat e fesë ndërsa iu flasim sipas nivelit të tyre intelektual sepse njohja e karakteristikave të të thirrurve është mjet për udhëzimin e tyre.

31.    Thirrësit dhe lëvizjet islame përherë duhet t’i mbështeten Allahut dhe të kërkojnë ndihmën prej Tij. Duhet të besojnë fuqishëm se Ai që udhëheq me Da’ven dhe mbron thirrësit dhe iu jep sukses është Allahu  dhe se feja dhe çdo gjë tjetër është e Allahut të Madhëruar.

Këto rregulla që përshkruam më lartë janë të përfituara nga përvojat e dijetarëve dhe hoxhallarëve të shumtë, për të cilat, kemi shpresë në Allahun e Madhëruar, se mund të japin efektet e tyre pozitive nëse kuptohen dhe aplikohen siç duhet.

Le ta dinë të gjithë Thirrësit se nuk mund të korrin sukses në thirrjen dhe misionin e tyre në rast se nuk mbështeten në Allahun e Madhëruar, nuk janë të sinqertë me Të dhe nuk i dorëzohen tërësish Atij.

 

http://www.saaid.net

Abdullah bin Abdul Hamid El Etherijj

Përshtati: Dr. Sedat Islami