TRAJTIMI I VESVESEVE NË BESIM

AbduRrahman Sa’di
Ebu Hurejre [Allahu qoftë i kënaqur me të!] transmeton se i Dërguari i Allahut [Paqja qoftë mbi të!] ka thënë: “Djalli do t’i vijë ndonjërit prej jush dhe do t’i thotë (bëjë vesvese): Kush e ka krijuar këtë e atë, derisa t’i thotë: Po Allahun, kush e ka krijuar? Nëse dikujt i ndodhë kjo, atëherë le të kërkojë mbrojtjen e Allahut dhe le të stopojë (së marri me këto vesvese).”  Në një version: “…le të thotë: Kam besuar në Allahun dhe të Dërguarin e Tij.”
Transmetim unanim.
Në një version tjetër qëndron: “Njerëzit do të vazhdojnë të pyesin derisa të thonë: Allahun, kush e ka krijuar?”
Referuar këtij hadithi dhe përmbajtjes së tij, njeriu në një ose formë tjetër do të jetë në shënjestër të djallit dhe këtyre mendimeve të gabuara, qoftë nëpërmjet vesveseve të shkaktuar prej tij, qoftë nga sharlatanët dhe ateistët, që kanë qasje të këtilla. Praktikisht, këto dy mënyra të hedhjes së dyshimeve janë konfirmuar: djalli nuk ndalet së ushtruari dhunën e tij psikike ndaj njeriut me pyetje e marrëzi të tilla, veçmas tek ata që nuk kanë bagazh fetar, sikur që ateistët vazhdojnë të mbrojnë qëndrimet e tyre duke mos lënë tribunë e hapësirë pa e shfrytëzuar.
Ky hadith profetik, krahas evidentimit të shkakut të këtyre mendimeve të këqija, ka përshkruar edhe ilaçin adekuat të trajtimit të tyre, i cili përmblidhet në njërën prej tre mënyrave në vijim:
  1. Duke stopuar së marri me mendime të këqija,
  2. Duke kërkuar mbrojtjen e Allahut, dhe
  3. Duke proklamuar besimin në Allahun dhe të Dërguarin e Tij.
Sa i përket të parës, [stopimit të mendimeve të këqija], Allahu mendjes dhe mendimeve i ka bërë limite që nuk mund t’i kalojnë dot, e madje, edhe nëse përpiqen, e kanë të pamundur, sepse përpjekja për të pamundurën është absurditet i llojit të vet. E në këtë aspekt, ky absurditet shprehet më së shumti kur dikush tenton të vargojë një pas një shkaqet dhe faktorët e ekzistencës për të përfunduar deri tek Allahu. Kjo edhe mund të ndodhë, sepse Allahu ka krijuar çdo gjë bashkë me tiparet që kanë dhe: “Kthimi përfundimtar është tek Allahu.” [En-Nexhm; 42] Por, kur mendja të arrijë tek Allahu, atëherë aty duhet të ndalet sepse Allahu është i Pari, që para Tij s’ka qenë askush, është i Fundit, pas të Cilit nuk është askush: fillimi i Tij nuk ka pikënisje, pa marrë parasysh atë që koha dhe kushtet përcaktojnë, sepse, tek e fundit, kohën, kushtet dhe mendjen Allahu i ka krijuar. Së këndejmi, insistimi për të parashtruar këtë pyetje të gabuar është absolutisht i paarsyeshëm, dhe veprim tjetër përveç stopimit të këtyre mendimeve të këqija nuk ka.
[Kërkimi i mbrojtjes së Allahut] është hapi i dytë që ndërmerret për luftimin e këtyre mendimeve të këqija. Siç dihet, djalli nëpërmjet tyre mundohet t’i hedh dyshimet sa i përket Allahut, andaj, nëse dikush gjen mendim të këtillë, le të kërkojë mbrojtjen e Allahut, sepse kush strehohet sinqerisht tek Allahu, Allahu do ta mbrojë nga djalli dhe dyshimet e tij.
Mënyra e tretë është [deklarimi i besimit], që nënkupton të largosh mendimet e këqija me bindje të fortë, pra me të kundërtën e tyre. Allahu dhe i Dërguari i Tij na kanë mësuar se Allahu është i pari, para të Cilit nuk është askush, Ai është Një, nuk ka shok dhe as ortak në krijimtari dhe asgjë tjetër. Kjo bindje mjafton për t’i larguar ato mendime të kota sepse e vërteta mund të kotën ndërsa dyshimet nuk sfidojnë bindjen.
Këto tre mënyra të përmendura nga Profeti [Paqja qoftë mbi të!] zhvleftësojnë këto dyshime, të cilat, për fat të keq, vazhdojnë të jenë në majë të gjuhës së ateistëve. Urdhëroi ‘stopimin’ për të zhvleftësuar zinxhirin e kotë (të shkaqeve), pastaj ‘kërkimin e mbrojtjes së Allahut’, për t’i larguar këto dyshime, dhe urdhëroi besimin e vërtetë, i cili largon këto dyshime. Falënderuar qoftë Allahu:
  • Me stopim, u shkëput e keqja aty për aty,
  • Me kërkimin e mbrojtjes, u shkëput shkaku që ftonte në të keqen, dhe
  • Me besim u strehua tek Allahu dhe u mbrojt me bindje të sakta e korrekte, të cilat largojnë çdo disident e kundërshtar.
Këto tre mënyra janë boshti rreth të cilit sillen shkaqet që largojnë çdo dyshim a bindje të gabuar. Ato duhet marrë në konsideratë çdoherë që na paraqiten gjëra të këtilla ose të ngjashme me to e që prekin në një ose formë tjetër besimin tonë, dhe të cilat i largojmë duke:
  • Zhvleftësuar me fakte e prova,
  • Konfirmuar të kundërtën, pra të vërtetën, pas të cilës nuk ka tjetër vetëm se humbje dhe devijim, dhe
  • Kërkimin e mbrojtjes së Allahut ndaj djallit për të larguar dyshimet që djalli i hedh në ezmer, qoftë në formë të vesveseve, qoftë në formë të epsheve, për tua tendosur besimin dhe për t’i katandisur në mëkate të ndryshme.
Kështu, me durim e bindje, robi arrin shpëtimin nga sprovat e epshit dhe dyshimeve!
Allahut i detyrohemi për sukses dhe shpëtim!
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s