“NUK ËSHTË PUNË E IMJA, NUK MË INTERESON!”

Hyrje

Në kohën e Sulltan Sulejman Kanunit ishte një asket i njohur, i quajtur me emrin Jahja efendiu. Për shkak të dijes dhe devotshmërisë, gëzonte respekt të veçantë tek Sulltani, për më tepër, ishin edhe vëllezër nga qumështi. Sulltani, tani që kishte zgjeruar dhe shtrirë pushtetin, kishte diç që e brengoste dhe për të cilën kërkonte përgjigje. Mori lapsin dhe i shkroi Jahja Efendiut për këtë çështje:

“Jahja Efendi,

Zoti i Madhëruar iu ka nderuar me dije të çmuar dhe të rrallë, andaj tregohuni i mirë me ne dhe na mësoni nga dija juaj: kur rrënohen shtetet dhe cili do të jetë fati i osmanlinjve?”

Jahja efendi e mori letrën dhe e lexoi. U mendua gjerë e gjatë dhe në fund i ktheu përgjigje me këto dy fjalë:

Nuk është punë e imja, nuk më intereson!

Sulltani, që e dinte se në këtë përgjigje fshihej ndonjë urtësi e madhe por që sipërfaqësisht nuk mund ta lexonte dot, mori rrugën dhe shkoi tek Jahja efendi, prej të cilit kërkoi me mirësjellje shpjegim se çfarë kishte dashur të thoshte në përgjigjen e tij!…

Të dashur vëllezër!

Përgjigjet e Jahja efendiut, që do t’i përmendim në vijim, janë përgjigje edhe për kohën tonë dhe problemet tona, andaj edhe janë temë e kësaj hutbeje sot. Jahja efendi iu drejtua Sulltanit:

“Sulltani im!

Kur në një vend të përhapen padrejtësia dhe korrupsioni ndërsa njerëzit t’i mbyllin para tyre dhe të thonë: ‘Nuk është punë për mua!’ për tu marrë vetëm me punët personale;

Kur çobanët të jenë ata që do ta sulmojnë kopenë ndërsa njerëzit që i shohin dhe njohin do të heshtin;

Kur zëri dhe të qarët e fukarave, nevojtarëve dhe miskinëve të ngritët ndërsa veshët të jenë shurdhuar e të mos i dëgjojë askush dhe asgjë pos gurit dhe drurit;

Kur këto të ndodhin, shteti do të rrënohet, besimi dhe respekti për institucionet do të lëkunden dhe njerëzit nuk do të jenë më të dëgjueshëm! Kështu, pashmangshëm, shteti do të shkojë drejt shkatërrimit të tij ”[1]

A nuk janë këto përgjigje, përgjigje edhe për kohën tonë?!

A nuk na kanë ngulfatur zullumi dhe korrupsioni ndërsa ne heshtim dhe i miratojmë?!

A nuk janë pushtetarët ata që më së shumti e dëmtojnë popullin?!

A nuk kemi të varfër e skamnorë që vuajnë për kafshatën e gojës?!

Së këndejmi, këto përgjigje të Jahja efendiut janë përgjigje edhe për ne, dhe po deshëm t’i përmbledhim në pak fjalë, do të thoshim: Po heshtëm karshi të keqes, do të shkatërrohemi të gjithë!

 

Të respektuar vëllezër!

[Puna e tjetrit, punë edhe e imja]

Shpeshherë e keqja tentohet të na imponohet si e drejtë individuale për të vepruar dhe shprehur lirshëm atë që e beson, dhe se ne të tjerët, nuk kemi të drejtë të ndërhyjmë në këtë, ngase cenojmë kinse privatësinë e tyre. E keqja më e madhe është kur këto bindje ekzistojnë tek një pjesë besimtarësh, të cilët madje i trumbetojnë këto ide si fe dhe devotshmëri. Ebu Bekri (r.a.) që kishte dëgjuar dis njerëz me ide të këtilla, madje edhe duke u thirrur gabimisht në Kur’an, iu drejtua:

“O ju njerëz! Po iu shoh duke e lexuar këtë ajet:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا عَلَيْكُمْ أَنفُسَكُمْ ۖ لَا يَضُرُّكُم مَّن ضَلَّ إِذَا اهْتَدَيْتُمْ

“O besimtarë! Ruajuni! Kur të gjendeni në rrugën e vërtetë, nuk do t’ju dëmtojë ai që është i humbur…” [El Maide: 105], por po gaboni, ngase unë e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: «Nëse njerëzit e shohin të padrejtin duke bërë padrejtësi ndërsa nuk e ndalin, Allahu do t’i përfshijë të gjithë me dënim.» [2]

Së këndejmi, nëse puna e tjetrit më rrezikon, pra lidhet me mua në një ose formë tjetër, atëherë, ajo është dhe punë imja, ndryshe, viktimë e punës së tij bëhem edhe unë. Kequ qëndron arsyeja pse:

[E keqja nuk miratohet kurrë]

Zullumi, korrupsioni dhe çdo dukuri tjetër negative në shoqëri, refuzohet, për shkak se nuk është individi ai që e paguan koston e tyre i vetëm, por e tërë shoqëria. Kështu na mësojnë Kur’ani dhe Sunneti:

وَاتَّقُوا فِتْنَةً لَّا تُصِيبَنَّ الَّذِينَ ظَلَمُوا مِنكُمْ خَاصَّةً

“Ruajuni ngatërresave, të cilat nuk i godasin vetëm ata që bëjnë keq…” [El Enfalë: 25]

Pra, dënimi nuk merr vetëm zullumqarët.

I Dërguari i Allahut, Muhammedi ﷺ, na e ka përshkruar në mënyrë figurative se si mund të ndodhë kjo. Në hadith të saktë të transmetuar nga Sahabiu Nu’man bin Beshir (r.a.) qëndron: «Shembulli i atij personi, i cili iu përmbahet kufijve të caktuar të Allahut dhe i tjetrit që i shkel, është sikur shembulli i një grupi njerëzish, që hodhën shortin për të siguruar vend në një anije. Disave u ra kuverta e sipërme, kurse të tjerëve kuverta e poshtme. Ata të kuvertës së poshtme, kur u nevojitej ujë, kalonin përmes atyre që ishin në kuvertën e sipërme. Atyre u ra ndërmend se nëse e bëjnë një vrimë në pjesën e poshtme të anijes, nuk do t’i trazonin udhëtarët e kuvertës së sipërme. Nëse ata, të kuvertës së sipërme i lejojnë të bëjnë këtë, të gjithë do të mbyten, ndërsa nëse i ndalojnë, të gjithë do të shpëtojnë.»

Hasan Basriu u pyet:  O babai i Seidit, më trego se si është puna e njeriut që fizikisht nuk ka marrë pjesë në fitnen e Ibn Muhelebit (një kryengritësi rebel) por që e ka mbështetur me gjuhë dhe zemër? Hasani ia ktheu: O biri i vëllait tim, sa duar e mbytën devenë (e Salihut a.s.)? Një dorë e vetme- iu përgjigj. Mirë, po a nuk e shkatërroi Allahu një popull të tërë për shkak se pajtuan me këtë vrasës dhe e përkrahën atë?!- i tha.[3]

Së këndejmi:

[Të mos heshtim, por të bashkëpunojmë në të mira]

Ndalimi i të keqes është obligim karshi tjetrit dhe imazhi më i sinqertë i miqësisë dhe vëllazërisë. Po deshëm të:

–          bëjmë jetë larg padrejtësisë,

–          të kemi mirëqenie, dhe

–          drejtësi sociale,

na duhet që të urdhërojmë për të mirë dhe të ndalojmë nga e keqja. Kjo është motoja jonë: bashkëpunimi në punë të mira dhe të mbara, jo në mëkate dhe armiqësi!  Feja është këshillë, andaj po pamë diç të keq, ta ndalojmë me butësi, mirësjellje dhe gjakftohtësi, sepse vetëm kështu shpëtojmë ne dhe i shpëtojmë gabimtarët nga radhët tona!

 

————————————-

[1] Osman Nuri Topbaş, YÜZAKI DERGİSİ, Yıl: 2017 Ay: Ağustos Sayı: 150;

http://www.islamveihsan.com/yahya-efendiden-kanuniye-cevap.html

[2] Sahihu-l-Xhami, nr. 1973.

[3] Imam Ahmedi, Ez Zuhd, fq. 289.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

Blog at WordPress.com.

Up ↑

%d bloggers like this: