DEVOTSHMËRIA SI QËLLIM KRYESOR I AGJËRIMIT

DEVOTSHMËRIA SI QËLLIM KRYESOR I AGJËRIMIT

Dr. Sedat ISLAMI

 

Me gjithë të mirat e shumta shëndetësore, edukative e shpirtërore që ka agjërimi, në Kur’an devotshmëria është nënvizuar si qëllim kryesor i tij. Allahu thotë:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا كُتِبَ عَلَيْكُمُ الصِّيَامُ كَمَا كُتِبَ عَلَى الَّذِينَ مِن قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ

O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” [Bekare: 183]

Kjo nënkupton se devotshmëria që ka këtë rëndësi duhet të ketë edhe kuptime të mëdha. Me lejen e Allahut do të mundohemi që para jush të sjellim disa nga imazhet e devotshmërisë sipas shpjegimeve që kanë bërë gjeneratat e para – selefi.

 

DEVOTSHMËRIA ËSHTË SHPIRTI I ADHURIMEVE

Nëse i referohemi agjërimit, vërejmë se ana formale e tij nënkupton veprime të caktuara dhe të kufizuara. Bëhet fjalë vetëm për tre gjëra: abstenimin nga ushqimi, pija dhe marrëdhëniet intime. Teknikisht, për të përmbushur obligimin, duhen plotësuar këto tre kushte. Por nëse ndalemi dhe e analizojmë thellësisht agjërimin, vërejmë se, pavarësisht përmbushjes së këtyre kushteve, nëse gjatë agjërimit mungon esenca, qëllimi, mesazhi, atëherë agjërimi refuzohet. Pejgamberi Muhammed ﷺ ka thënë: “Ai që agjëron por nuk iu është larguar shpifjes dhe veprimit sipas saj, ai është sikur të mos ketë agjëruar fare ngase Allahu nuk ka nevojë për braktisje të ushqimit dhe pijes prej nesh.” Buhariu.

Zhveshja e agjërimit nga ana thelbësore, nga mesazhet e tij, nga roli dhe funksioni i tij, bën që agjërimi të refuzohet. Këtë aspekt të brendshëm, esencial e thelbësor, Kur’ani e ka përmbledhur në devotshmëri. Pra, devotshmëria është kusht kryesor i pranimit të veprave. Për këtë shkak në Kur’an Zoti na mëson se veprat i pranohen vetëm të devotshmëve.

﴿ إِنَّمَا يَتَقَبَّلُ اللَّـهُ مِنَ الْمُتَّقِينَ

“…Allahu pranon vetëm prej të sinqertëve.” [Maide: 27]

 

DEVOTSHMËRIA ËSHTË PËRCAKTUES I FATIT TË VEPRËS

Besimtari për të qenë në rrugën e drejtë patjetër duhet të bëjë përputhjen ndërmjet shpirtit dhe gjymtyrëve, ndryshe, rrezikon të klasifikohet si hipokrit dhe jo vetëm. I tilli del kundër udhëzimeve të Zotit për mënyrat se si afrohet tek Ai. Më qartë, në aspektin e jashtëm, njeriu mund të kryejë një vepër të mirë, por përderisa në esencë nuk ka qëllim të pastër, refuzohet. Esenca e veprës tregon të vërtetën e saj. Bishr bin Harithi ka thënë: “Kush kërkon pozitat (e dynjasë) nëpërmjet dijes (e cila duhet të bëhet vetëm për Allahun), ai është afruar tek Allahu me atë që Allahu e urren. Për pasojë, të tillin e urren toka dhe qielli.” Dijetarët thonë: “Fatzi dhe i dëshpëruar është ai që, përkundër mundësive për adhurim, nuk ka bërë asgjë. Ndërsa edhe më keq se ky është ai që ka bërë adhurime por me nijet të keq. I tilli është i privuar nga shpërblimi dhe sevapi.” Një njeri i urtë ka thënë: “Nuk ka humbje më të madhe për njeriun se sa ta duan njerëzit për Zotin për shkak të asaj që ai rrejshëm paraqet para tyre ndërsa ta urrejë Allahu për shkak të asaj që ai fsheh në zemër.” Për të mos ndodhur një gjë e tillë, duhet fillimisht të pastrojmë shpirtin që gjithçka të jetë për Allahun, e pastaj vetvetiu shtrihet ndikimi dhe pushteti tek gjymtyrët. Ibn Tejmije ka thënë: ‘Nëse ke rregulluar fshehtësitë (bindjet, zemrën), Allahu t’i rregullon të dukshmet (veprat).’ Nga këtu është thënë se zemra është komandanti ndërsa gjymtyrët janë ushtarët.

 

DEVOTSHMËRIA ËSHTË TREGUES I LIDHJES ME ZOTIN

Nëse ke dëshirë ta dish se je apo jo në rrugë të Zotit, të do dhe të shpërblen apo jo Zoti, atëherë shiko sa je i devotshëm. Devotshmëria është tregues i dashurisë sate ndaj Allahut por edhe i dashurisë së Tij ndaj teje. Nëse ne bëjmë vepra të mira (namaz, agjërim…) atëherë kjo është shenjë e devotshmërisë. Hasan Basriu ka thënë: “Nuk do të mund ta duash Allahun përderisa nuk e do bindjen dhe nënshtrimin ndaj Tij.” Mungesa e devotshmërisë tregon mungesën e dashurisë së Zotit ndaj robit, dhe jo vetëm. Një nga format me të cilat Zoti e ndëshkon robin është edhe zhveshja nga devotshmëria. Kanë thënë dijetarët: Ndëshkimi i Zotit për robin që lajthit nga rruga e drejtë mund të manifestohet në disa forma:

  • Dikë Allahu e ndëshkon rëndë që të ngel si mësim për të tjerët.
  • Dikujt, për shkak të lajthitjes, i dërgohet ndonjë sprovë nga e cila vuan për vite apo mbase edhe tërë jetën.
  • Tjetrit i dërgohet ndonjë problem që ia zbeh kënaqësinë e jetës, dhe
  • Të tjerë që, për shkak të mëkateve, privohen nga adhurimi dhe largohen prej tij. Ky dënim është dënimi më i rëndë që mund t’i ndodhë një besimtari.

Ibn Mubareku ka thënë: Vuhejbi ishte pyetur: A e shijon adhurimin ai që bën mëkat? Jo vetëm ai që bën mëkat por as ai që ka menduar të bëjë mëkat –u përgjigj.

 

DEVOTSHMËRIA ËSHTË ARRATISJE TEK ALLAHU

Devotshmëria nënkupton një frikë e cila shkakton ikjen por jo prej Zotit por tek Zoti. Ka thënë Kasim Hakimi: “Nëse dikush ka frikë diçka, ikën prej saj. Ndërsa nëse dikush ka frikë Allahun, ai ikën tek Allahu.” Devotshmëria është lidhje me Allahun, është preokupim me adhurimet, është gjendje gatishmërie për tu takuar me Allahun. Kjo nuk është frikë që trishton as ndjenjë që shkakton depresion e paralizim nga puna. Përkundrazi. Është forcë që shtyn drejt përsosjes së veprave. Bekr bin Abdullah Muzeniu ka thënë: ‘Nëse ke dëshirë që të të bëjë dobi namazi, me rastin e faljes thuaj: Ndoshta është hera e fundit që falem!‘ Pra, duke përkujtuar fundin e jetës që mund të ndodhë në çdo moment, e me të cilin nënkuptohet kalim tek Allahu për tu shpërblyer për vepra, ne i bëjmë veprat në formë të përkryer.

 

DEVOTSHMËRIA ËSHTË DIJE

Devotshmëria është emocion i koordinuar nga dija. Nuk është frikë që tmerron. Fudajl bin Ijjadi ka thënë: “Njeriu ia ka frikën Allahut aq sa e njeh Atë!” Pra, sa më shumë që ta njohësh Allahun, aq më shumë ia ke frikën Atij. Një njeri i urtë ka thënë: “Ke frikë Allahun sipas mundësisë që Ai ka ndaj teje dhe turpërohu prej Tij sipas afërsisë së Tij ndaj teje.” Bilal bin Seidi ka thënë: “Mos shiko sa është i vogël mëkati por shikoje se kujt po i bën mëkat?

 

DEVOTSHMËRIA ËSHTË MËLMESA E DUHUR E ADHURIMIT

Nëse një gjelle i vëmë sheqer ose një ëmbëlsirë kripë, ato do të ngelin formalisht gjellë dhe ëmbëlsirë por në esencë pa shijen përkatëse. Kështu qëndron puna me adhurimet kur zhveshën nga devotshmëria: formalisht adhurime, brenda të zbrazëta. Për këtë shkak, risitë janë parë si sëmundje të cilat adhurimeve i shkaktojnë rënien e devotshmërisë. Imam Euzaiu ka thënë: “Nuk ndodhë një njeri ta shpik një risi në fe e të mos privohet nga devotshmëria (ver’i).

Nëse kjo i ndodhë një risimtari, një besimtari të sinqertë e të devotshëm i mundësohet që nga adhurimi i vet të përjetojë kënaqësi tre herë. Abdullah bin Vehbi ka thënë: “Çdo gjë e shijshme të dhuron vetëm një kënaqësi, me përjashtim të namazit, i cili ka tre kënaqësi: një gjatë kryerjes së tij, tjetrin kur ta kujtosh adhurimin dhe të tretin kur të shpërblehesh për të.”

 

DEVOTSHMËRIA ËSHTË MBUROJË

Ajeti i agjërimit që cituam fillon me thirrje “O ju besimtarë…”, vazhdon me përshkrim të detyrës “…iu është obliguar agjërimi…”, mbaron me përshkrimin e efektit të këtij obligimi “…që të jeni të devotshëm.” Nëse lexojmë më thellësisht këtë ajet, ne mund t’i deshifrojmë tablonë e jetës dhe rregullat e saja. Jeta është arenë. Mëkatet janë ato që na sulmojnë gjithandej. Për tu mbrojtur na duhet një mburojë. Veprat e mira, me theks të veçantë agjërimi, na dhurojnë mburojën kundër mëkateve, të cilën e quajmë devotshmëri. Për këtë shkak, Pejgamberi Muhammed ﷺ agjërimin e ka quajtur mburojë: “Agjërimi është mburojë…” Dhikrin, që e kryejmë më shpesh gjatë Ramazanit, e ka quajtur kala në të cilën strehohet ushtari që të mos mbytet nga armiku.

 

DEVOTSHMËRIA FORMËSON PERSONALITETIN

Devotshmëria nuk nënkupton vetëm ikjen nga gjërat e ndaluara. Ndonjëherë edhe disa gjëra të lejuara mund të na dëmtojnë. P.sh. protokolli i veshjes parasheh që një zyrtar të mos vesh vetëm se rroba të caktuara, ani pse në raste tjera edhe rrobat tjera mund t’i përdorë. Për besimtarin ka një protokoll që duhet ndjekur strikt, veçmas nëse është njeri që pasohet. Sufjan bin Ujejne ka thënë: “Besimtari nuk mund ta arrijë besimin e vërtetë përderisa ndërmjet tij dhe harameve të mos vë një mur ndarës prej hallalli…” Omeri r.a. ka thënë: “I braktisnim 9/10 e hallallit nga frika e rënies në haram.” Ebu Derda r.a. ka thënë: “Devotshmëria plotësohet kur ruhesh nga ajo që sipërfaqësisht duket hallall nga frika që të mos biesh në haram.” Musa bin A’jen rrëfen: Më ka thënë Euzaiu: “O babai i Seidit, më parë, kur nuk njiheshim e nuk pasoheshim, bënim shaka e qeshnim. Tani që (jemi bërë dijetarë) e pasohemi, konsideroj se nuk na takon më shumë se të buzëqeshim (pra duhet të përmbahemi më shumë).” Ibn Kajjimi ka thënë: “Devotshmëria është tre shkallë: mbrojtja e zemrës nga mëkatet dhe ndalesat, pastaj mbrojtja e saj nga të papëlqyerat dhe shkalla e tretë mbrojtja nga gjërat e panevojshme dhe të padobishme.

Ibn El Xheuzi shpalos edhe një detaj tjetër të kësaj dukurie. Thotë: “Paramendo, nëse zemra errësohet vetëm pse zhytet në mubah (gjëra të lejuara), si do të jetë gjendja e saj nëse zhytet në harame?” Pra, lëshimi në gjëra të lejuara ta errëson zemrën dhe kështu dalëngadalë të zhvendos nga hallalli në haram.

 

DEVOTSHMËRIA ËSHTË ZGJEDHJA E SË DUHUR

Devotshmëria nënkupton të jesh në vijë me udhëzimin hyjnor. Kjo nënkupton që për çdo rast dhe gjendje, duhet të zgjedhësh të duhurën. Më konkretisht, njëri nga të parët ka thënë: “Jeta e njeriut sillet ndërmjet katër gjendjeve: adhurimit, të cilit nuk duhet t’i ndahet, mëkatit, të cilin duhet braktisur menjëherë dhe duhet kërkuar falje, mirësisë, për të cilën duhet falënderuar, dhe sprovës, ndaj të cilës duhet duruar.”

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s