LUTJA MË E MIRË

Hyrje

Në Islam lidhjes ndërmjet besimtarit dhe Zotit i kushtohet rëndësi e veçantë. Që kjo lidhje të jetë e fuqishme janë ligjësuar disa gjëra, ndër të cilat edhe lutja –duaja. Lutja shpreh afërsinë tonë me Allahun. Në Kur’an, Allahu duke na folur për këtë na thotë:

وَإِذَا سَأَلَكَ عِبَادِي عَنِّي فَإِنِّي قَرِيبٌ أُجِيبُ دَعْوَةَ الدَّاعِ إِذَا دَعَانِ فَلْيَسْتَجِيبُوا لِي وَلْيُؤْمِنُوا بِي لَعَلَّهُمْ يَرْشُدُونَ

Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua. Prandaj, le t’i përgjigjen thirrjes Sime dhe le të më besojnë Mua, për të qenë në rrugë të drejtë.” [Bekare: 186]

Pra, është thirrje dhe motivim për dua sepse, përderisa Allahu është afër, askush para Tij nuk mund t’i përgjigjet lutjes, kërkesës, ankesës, hallit tonë. Thotë Allahu:

وَقَالَ رَبُّكُمُ ادْعُونِي أَسْتَجِبْ لَكُمْ 

Zoti juaj ka thënë: “Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem!…” [Gafir: 60]

Për shkak të kësaj pozite dhe kësaj rëndësie, duaja konsiderohet adhurim[1]. Kjo nënkupton se duaja nuk është diçka e thjesht dhe parëndësishme që duhet të parashtrohet dosido. Atëherë lind pyetja:

Si dhe për çfarë të lutemi?

Duaja ka rregullat dhe etikën përkatëse. Allahu nuk i përgjigjet çdo lutje e çdo duaje. Por, përtej kësaj, duaja ka edhe diçka që mund të quhet art dhe mjeshtri e duasë. Është përmbajtja e saj. Një lutje e mirë është ajo që shprehet në atë mënyrë që Allahu do.

Në këtë hutbe, duke iu referuar një hadithi profetik, do të trajtojmë kriterin e përmbajtjes së lutjes, i cili e shndërron atë në lutje të mirë dhe, natyrisht, të pranuar.  Në hadithin e transmetuar nga Ebu Derda r.a., qëndron se Pejgamberi a.s., ka thënë:

«مَا سَأَلَ اللَّهَ الْعِبَادُ شَيْئًا أَفْضَلَ مِنْ أَنْ يَغْفِرَ لَهُمْ وَيُعَافِيَهُمْ»

Robërit nuk e lusin Allahun për diç më me vlerë se që t’i falë dhe t’iu dhurojë shëndet![2]

Përmbajtja, para së gjithash

Duke qenë se është art, lutja kërkon që, para formave të caktuara, të ketë përmbajtje[3]. Kjo e fundit duanë e nxjerr nga diçka e ngurtë në diçka të gjallë, diçka që kërkesës së besimtarit i jep kuptim gjithëpërfshirës, diçka që në fokus ka gjërat më të rëndësishme të parapara sipas fesë.

Në këtë lutje që na mëson Muhammedi a.s., gjejmë jo thjesht një lutje por një koncept të rëndësishëm fetar. Lutja nuk shfaq dobësinë por fuqinë e besimit dhe nivelin e thellë të tij. Pejgamberi a.s., po thotë se lutja më e mirë është ajo që bashkon anën shpirtërore me atë fizike, anën fetare me atë materiale, fenë dhe dynjanë. Imam Sheukani thotë se në këtë lutje fshihet sekreti i lumturisë në të dyja botët sepse, lutja për falje të mëkateve, është lutje për të shpëtuar në botën tjetër, ndërsa lutja për shëndet dhe mirëqenie është lutje për të shpëtuar në këtë botë[4]. Këtu qëndron arsyeja pse pejgamberët a.s., në lutjet e tyre në fokus kishin faljen e mëkateve[5].

Në këtë lutje:

  • Shpëtimi në botën tjetër është përshkuar si gjëja më e rëndësishme. Për këtë shkak, Allahu xh.sh., shpëtimin nga Xhehennemi e konsideron fitore të vërtetë.

فَمَن زُحْزِحَ عَنِ النَّارِ وَأُدْخِلَ الْجَنَّةَ فَقَدْ فَازَ ۗ 

“…kushdo që shpëton nga zjarri i Xhehenemit dhe hyn në Xhenet, ai ka fituar (gjithçka që mund të dëshirohet)…” [Al Imran: 185]

  • Feja përfshihet tërësisht. Ndonjëherë në lutjet tona fokusohemi vetëm në anën shpirtërore duke harruar anën materiale, gjë kjo që bie ndesh edhe me parimet themelore të Islamit. Më saktë, rëndësia e kësaj lutje qëndron në balancimin ndërmjet kërkesave të shpirtit dhe trupit. Është përkthim i asaj që urdhërohet në Kur’an:

وَابْتَغِ فِيمَا آتَاكَ اللَّـهُ الدَّارَ الْآخِرَةَ ۖ وَلَا تَنسَ نَصِيبَكَ مِنَ الدُّنْيَا

Por përpiqu me atë që të ka dhënë Allahu të fitosh jetën e botës së ardhshme, duke mos harruar pjesën tënde në këtë botë…” [Kasas: 77]

  • Lumturia nuk është në gjërat materiale. Shprehja në hadith “…t’iu dhurojë shëndet.” Në fakt përfshin më shumë. Kuptimisht përfshin sigurinë, mirëqenien, shpëtimin nga varfëria, të ligat dhe sëmundjet, por që shëndetin e nënkupton më drejtpërsëdrejti[6]. Kjo flet për vlerën e vërtetë të gjërave. Pasuria nuk është në posedimin e anës materiale por anës fizike e shpirtërore. Për këtë shkak, në tekste fetare, pasuria e vërtetë është ajo e shpirtit, rehatisë, qetësisë[7].
  • Misioni i besimtarit. Feja nuk është dobësi. Pajtimi me gjendjen e dobët nuk është porosi fetare. Të qëndrosh i shtrirë nga sëmundja me pretekstin se të falen mëkatet sepse sprovat pastron nga mëkatet është gabim. Pejgamberi a.s., kishte kaluar pranë një grup njerëzish të sprovuar për të cilët tha:

»أما كان هؤلاءِ يسألونَ العافيةَ»

A nuk e kanë lutur këta (Allahun) që tua largojë sprovën?”[8]

Pra, nuk i pëlqeu gjendja e tyre, sepse ata e kanë braktisur duanë si mjet me të cilin largohen të këqijat. Kështu ata dëmtojnë dhe imazhin pozitiv të Islamit. Si i sëmurë, bëhesh barrë, si i shëndoshë, bëhesh kontribuues. Si i sëmurë, privohesh nga ndihma për të tjerët, si i shëndoshë, iu ndihmon të tjerëve, e realizon atë që Pejgamberi a.s., e vlerëson si tiparin që dallon besimtarin më të mirë, të qenit i dobishëm për të tjerët[9].

Përfundim

Kështu, nëse duam lutje të pranuar, duhet të kemi në konsideratë:

  • Lutje në të cilën shprehet kërkesa për faljen e mëkateve,
  • Lutje në të cilën konceptet fetare nuk gjymtohen.

————————————————

[1] Pejgamberi a.s., ka thënë: “Lutja është ibadet.” Hadithin e shënojnë Ahmedi, Ebu Davudi dhe Tirmidhiu. Shih: Sahih el-xhami, 3407.

[2] Hadithin e shënon Bezzari ndërsa Albani në Silsiletu el-ehadith essahihah, nr. 1138, konsideron se hadithi është i saktë.

[3] Kjo nuk nënkupton braktisjen e lutjeve fetare të përmendura tekstualisht në Kur’an dhe Sunnet. Assesi. Ajo që synohet këtu është orientimi në lutje.

[4] Muhammed bin Ali esh-Sheukani, Tuhfetu edh-dhakirine bi-iddeti el-hisni el-hasin min kelami sejjidi el-murselinë, (Bejrut: Muessesetu el-kutub eth-thekafijjeh, 1988), f. 393.

[5] Shih lutjet e Ademit a.s., në kaptinën A’rafë, 23, dhe Nuhut a.s., në kaptinën Hud, 47.

[6] Mahir bin Abdulhamid bin Mukaddem, Sherhu edduai min el-Kitabi ve es-Sunneti, (?), f. 344.

[7] Pejgamberi Muhammed a.s., ka thënë: “Njerëzit nuk ua dinë vlerën dy mirësive: shëndetit dhe kohës së lirë.” [Buhariu]; “Kush gdhin në mëngjes ndërsa e ka shëndetin, sigurinë familjare dhe ushqimin për atë ditë, është sikur ta ketë tërë botën.” [Tirmidhiu]

[8] Albani në Essilsiletu essahihah, nr. 2197, konsideron se hadithi është i saktë.

[9] Muhammedi a.s., ka thënë: “Njeriu më i mirë është më i dobishmi për të tjerët.” Hadith hasen. Shih: Bidajetu es-sul, nr. 44.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

Create a free website or blog at WordPress.com.

Up ↑

%d bloggers like this: