MUHAMMEDI A.S., SHËMBËLLTYRË E NJERËZIMIT

Në Kur’anin famëmadh, Allahu xh.sh., na drejtohet neve besimtarëve se shembullin më të mirë e kemi në të Dërguarin e Tij, Muhammedin a.s.

﴿ لَّقَدْ كَانَ لَكُمْ فِي رَسُولِ اللَّـهِ أُسْوَةٌ حَسَنَةٌ لِّمَن كَانَ يَرْجُو اللَّـهَ وَالْيَوْمَ الْآخِرَ وَذَكَرَ اللَّـهَ كَثِيرًا ﴿٢١﴾

Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e Allahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e Allahut në botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh Allahun.” [Ahzabë: 21]

Se është shembull për ne, na flet edhe vet Muhammedi a.s., i cili në një hadithi, të cilin të plotë do tua sjellim më poshtë, thotë:

“أَليسَ لَكُمْ فِيَّ أُسْوَةٌ”

Po ju a nuk e keni shembullin më të mirë në mua?![1]

Shëmbëlltyra e Pejgamberit a.s., ishte shndërruar në kriter. Gjeneratat e para kur shihnin njëri tjetrin duke bërë veprime që nuk konsistonin me konceptet e pastra fetare, e këshillonin njëri tjetrin duke ia kujtuar këtë gjë: “A nuk e kemi shembullin më të mirë në të Dërguarin e Allahut?!

Pyetjet që lindin vetvetiu:

  • Çfarë e bën kaq të përsosur shëmbëlltyrën e Muhammedit a.s.?
  • Cilat janë elementet dalluese të saj?

Përgjigja: personaliteti i tij. Allahu xh.sh., në Kur’an, e përshkruan në superlativ.

﴿ وَإِنَّكَ لَعَلَىٰ خُلُقٍ عَظِيمٍ ﴿٤﴾

Vërtet, ti je në një shkallë të lartë morali!” [Kalem: 4]

Ky vlerësim hyjnor për Muhammedin a.s., ka rëndësinë e vet. Komentuesi i njohur i Kur’anit, Muhamed Muteveli Sha’ravi, duke shpjeguar këtë ajet, thotë se morali i Muhammedit a.s., ishte ashtu siç e dëshironte Allahu xh.sh[2]. Pra, morali i tij ishte jashtë asaj se si ne e perceptojmë moralin ngase, sado që të duam, prapë vlerësimi ynë është i mangët, ndërsa kur Allahu ta vlerësojë, atëherë tiparet e tij janë të përkryera.

Muhammedi a.s., ishte i mishëruar me Kur’anin dhe mësimet e tij. Ishte i shkrirë në mesazhet dhe kuptimet e tij. Për këtë shkak, kur Ajshes r.a., i kërkuan ta përshkruante me pak fjalë moralin e Muhammedit a.s., ajo u përgjigj: “Morali i tij ishte Kur’ani.[3]

Nga këtu, shëmbëlltyra e Muhammedit a.s., na ofrohet me dimensione dhe parametra që mbulojnë çdo fushë të jetës dhe rrjedhimisht të paarritshme nga njerëzit.

Ai ishte shembull në çdo gjë:

  • Ishte me përkushtimin më të madh në adhurim dhe me zbatimin më të përkryer të tij. Arsyeja pse kishte thënë “Po ju a nuk e keni shembullin më të mirë në mua?!”, qëndron në atë se disa, në emër të fesë dhe adhurimit, kishin ndërmarrë veprime të gabuara, duke vendosur që njëri të mos bënte gjumë natën kurrë por vetëm të falej, tjetri të mos linte an edhe një ditë të vetme pa agjëruar, dhe i treti të ndahej nga gruaja përgjithmonë që t’i përkushtohej adhurimit. Pejgamberi a.s., i ndaloi nga këto veprime sepse binin ndesh me objektivat e fesë dhe se, po të ishin me vend, atëherë ai do t’ua paraprinte atyre në përfilljen e tyre.
  • Në kuptim të sjelljeve, ishte më modesti, më toleranti, më zemërgjeri. Aq shumë jepte saqë emri i tij përmendej për bujari edhe ndër jomyslimanë. Ishte më i guximshmi. Nuk frikësohej nga armiku dhe aq më pak të fshihej prej tij. Sahabet rrëfejnë se në kohë frike, ata mbroheshin pas tij. Pra, ishte më i guximshmi.
  • Ishte më i drejti dhe kur ishte në pyetje drejtësia nuk shikonte se për kë bëhej fjalë. “Nëse Allahu dhe i Dërguari i Tij nuk ndajnë drejtësi, kush mund të ndajë?![4]” – thoshte.

Kjo liste është e gjatë aq sa janë çështjet që kanë të bëjnë me ne dhe jetën tonë. Në të gjitha, pa diskutim, shembull për të mirë, e kemi Muhammedin a.s., andaj a nuk meriton që ta pasojmë?! 

[1] Muslimi, nr. 746.

[2] Shiko linkun: https://www.youtube.com/watch?v=y6qACw72Rko

[3] Sahihu Edebi el-Mufred: 234.

[4] Buhariu, nr. 3150; Muslimi, nr. 1062.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

Blog at WordPress.com.

Up ↑

%d bloggers like this: