101 KËSHILLA DHE URTËSI

  1. A është fjala ‘La ilahe il-lallah’ çelësi i xhenetit?- u pyet Vehb ibn Munebihu. Po -u përgjigj dhe shtoi: por çdo çelës i ka dhëmbët e vet, andaj nëse ke çelës me dhëmbë (të duhur), hapet (xhenneti) për ty, e nëse jo, nuk hapet[1].
  2. Ai që citon tjetrin pa e përmendur emrin e tij, sikur ajo që thotë është e tij (plagjiati), nuk do të ketë bereqet në dije dhe as begati në jetë[2].
  3. Ai që i jep fetva njerëzve në çdo gjë që e pyesin është i çmendur[3].
  4. Ai që nuk e di shpërblimin për veprat e mira, do ta ketë të vështirë t’i bëjë ato[4].
  5. Allahu i madhëruar i shpalli Davudit a.s.: O Davud, do t’i mësoj dy punë me të cilat mund të fitosh simpatinë e njerëzve dhe kënaqësinë Time: ndërmjet Meje dhe teje mbulesë le të jetë devotshmëria ndërsa në raport me njerëzit sillu sipas moralit të tyre[5].
  6. Bazat e mëkateve dhe gabimeve janë tre: mendjemadhësia, lakmia dhe zilia[6].
  7. Besimtari i sinqertë ndërron gjatë ditës dyzet herë ndërsa dyfytyrëshi qëndron i njëjti për dyzet vite.[7]
  8. Bëhu zahid (asket) sepse zuhdi në trupin e zahidit është më i mirë se qaforja në trupin e beqareshës.[8]
  9. Bibliotekat janë vende ku ruhen librat, në të cilat është ruajtur gjaku dhe djersa e dijetarëve të shkuar…[9]
  10. Çoni thesaret tuaja në ahiret sepse njeriu e ka zemrën atje ku e ka thesarin.[10]

Continue reading “101 KËSHILLA DHE URTËSI”

LUTJA E MUHAMMEDIT a.s., PËR UMMETIN

HYRJE

Raportet tona me Muhammedin a.s., janë përtej datave dhe shënimeve ceremoniale. Muhammedi a.s., për ne është referencë e fesë, e cila na duhet çdo ditë, që nga momenti kur zgjohemi e deri në momentin kur shkojmë për të fjetur. Më qartë, Muhammedi a.s., për ne është fe. Ai është lajmëtar i Zotit të cilin duhet ta respektojmë. Për këtë shkak, në Kur’an, Allahu xh.sh., na fton që ta pasojmë e ta ndjekim rrugën e tij, sikur që na e tërheq vërejtjen nga shmangia prej rrugës së tij sepse ajoi paraqet humbje dhe devijim. Por, përtej kësaj, ekziston një linjë emocionale e cila këtë lidhje tonën me Muhammedin a.s., e çon në nivele tjera, në nivele të dashurisë e mallëngjimit për të. Sot, në këtë hutbe, nuk do të trajtojmë dashurinë për Muhammedin a.s., por një shkak në mesin e shumë të shkaqeve që na çon tek kjo dashuri për të plotësuar kështu shkaqet tjera që i kemi trajtuara në hutbe dhe ligjërata të mëparshme. Fjala është për lutjet e Muhammedit a..s, për ithtarët e tij.

Continue reading “LUTJA E MUHAMMEDIT a.s., PËR UMMETIN”

PËRKUJDESJA SHËNDETËSORE SIPAS PIKËPAMJES ISLAME

PËRKUJDESJA SHËNDETËSORE SIPAS PIKËPAMJES ISLAME[1]

HYRJE

Rëndësia e shëndetit në Islam

Përkushtimi i fesë për shëndetin është i madh për shkak të lidhjes së tij, fillimisht me objektivat kryesore të saj, e më pas edhe me aplikimin e saj në jetë. Dijetari i madh, Gazaliu, duke folur për pesë objektivat e fesë, përkujdesjen për qenien e njeriut ku bën pjesë edhe shëndeti fizik, e radhit si objektiven e dytë, menjëherë pas objektives së besimit. Këtu mbase qëndron edhe arsyeja pse feja ka përshkruar si mëkate të mëdha gjërat që e cenojnë këtë objektivë. Këtu qëndron edhe arsyeja pse feja kur flet për shëndetin flet si për një mirësi dhe dhunti parësore në jetën e njeriut. Në një prej thënieve të Pejgamberit Muhammed a.s., qëndron: “Njerëzit nuk ua dinë vlerën dy mirësive: shëndetit dhe kohës së lirë.” [Buhariu] Madje, shëndetin e ka radhitur si mirësinë kryesore në një rast kur radhit atë që quhet e tërë bota e njeriut: “Kush gdhin në mëngjes ndërsa e ka shëndetin, sigurinë familjare dhe ushqimin për atë ditë, është sikur ta ketë tërë botën.” [Tirmidhiu]

Duke qenë se për shëndetit varen edhe jeta publike dhe fetare, atëherë feja shëndetit fizik i ka kushtuar rëndësi të madhe. Në Kur’an [2:247], Allahu, duke na folur për mbretin Talut, tregon se arsye e përzgjedhjes së tij ishin kapacitetet intelektuale dhe fizike. Këtë e gjejmë dhe në mësimet e Pejgamberit Muhammed a.s., i cili thotë: “Besimtari i fuqishëm është më i mirë se besimtari i dobët, edhe pse që të dy janë të mirë.” [Muslimi]

Për shkak të kësaj rëndësie, feja na tregon se shëndeti do të jetë prej gjerave të para që Allahu do ta merr në pyetje njeriun për të: “A nuk ta kemi bërë trupin të shëndoshë?!”- do t’i drejtohet Zoti robit, siç na mëson Muhammedi a.s. [Tirmidhiu]

Continue reading “PËRKUJDESJA SHËNDETËSORE SIPAS PIKËPAMJES ISLAME”

PERSONALITETI I MUHAMMEDIT a.s.

Në mars të vitit 2008, në shoqërim të merhumit hoxhës Ferat ef. Gërguri, dhe hoxhallarëve tjerë, në Shtëpinë e Kulturës në Vushtrri, ku mysafir ishte edhe i pari i Komunës asokohe Muharrem Shabani, në nderim të personalitetit të Muhammedit a.s., organizuam një tribunë, në të cilën ligjërova me temën:
“PERSONALITETI I MUHAMMEDIT a.s.”
Rastësisht i gjeta videot andaj desha t’i ndaj me ju në këtë muaj të lindjes së Muhammedit a.s., ndoshta dikush përfiton!

P 1 (https://www.youtube.com/watch?v=uoN8olr-574&t=6s)
P2 (https://www.youtube.com/watch?v=b9-Th6cCUA4&t=176s)

REFLEKTIME TË PËRSOSURISË ISLAME NË FESTËN E KURBAN BAJRAMIT

HYRJE

Secili popull ka festën e vet dhe kjo është festa jonë![1]”, është kjo një thënie e Pejgamberit Muhammed a.s., me të cilën zgjodhëm për ta hapur ligjëratën e kësaj dite të madhe, jo vetëm për të dëshmuar praninë e anës festive në Islam por edhe elementet e saja origjinale, në të cilat edhe fshihet madhështia e saj. Festa në Islam ka bazament, motiv, mësime dhe natyrë të veçantë celebrimi. Më qartë, festat janë të përcaktuara fetarisht[2], lidhen me adhurime të caktuara[3], kanë mësime tejet edukative dhe nuk kalojnë asnjëherë në shthurje. E këtillë është edhe festa e Kurban Bajramit që tani veç kemi filluar kremtimin e saj. Bile, ajo ka disa veçori shtesë të cilat e bëjnë edhe më madhështore:

  • në aspektin kohor, Kurban Bajrami bie në njërin prej muajve të shenjtë, në muajin dhul hixhe, e më saktë në dhjetë ditët e para të tij, që konsiderohen ditët më të mira. Paraprihet nga Dita e Arafatit, agjërimi i së cilës shlyen mëkatet e dy viteve;
  • në aspektin gjeografik, Kurban Bajrami lidhet me kryerjen e haxhillëkut në Mekkë, në vendin më të shenjtë në rruzullin tokësor;
  • në aspektin ritual, Kurban Bajrami lidhet me kryerjen e haxhillëkut, shtyllës së pestë të Islamit[4].

Continue reading “REFLEKTIME TË PËRSOSURISË ISLAME NË FESTËN E KURBAN BAJRAMIT”

ISLAMI NË MBËSHTETJE TË TË MBIJETUARVE TË DHUNËS SEKSUALE GJATË LUFTËS

ISLAMI NË MBËSHTETJE TË TË MBIJETUARVE TË DHUNËS SEKSUALE GJATË LUFTËS

Hyrje

Viktimat seksuale të luftës vazhdojnë të jenë kategori e margjinalizuar në shoqëri. Tani edhe kur kanë kaluar dy dekada nga mbarimi i luftës, kjo kategori vazhdon të mbetet plagë e pashëruar. Nuk është statusi material ai që zgjidh çdo problem të kësaj kategorie. Ajo që vuan kjo kategori nuk ka të bëjë apriori me mungesë të mirash materiale, por me pranim. Femrat e dhunuara vazhdojnë të jenë të refuzuara, madje edhe në rrethe të ngushta familjare. Për pasojë, ato vazhdojnë të jetojnë me plagën, me turpin që vret, me fajin e një mëkati të imponuar.

Konsideroj se, ndër arsyet e shumta, pse duhet të përshpejtojmë dhe të mobilizohemi në rrethe të gjëra për ta shëruar këtë plagë, është edhe fakti se disa motra tona nga kjo kategori duke pritur për drejtësi dhe pranim, kanë kaluar në amshim, andaj të nxitojmë që të tjerat ta kalojnë pjesën e mbetur të jetës me dinjitet dhe krenari.

Konferenca që organizoi BIRK-u këtë fillimjavë dhe kjo hutbe janë shprehje e vullnetit për të kontribuar konkretisht në këtë drejtim. Konsideroj se roli ynë, për shkak të natyrës së plagës, është primar dhe i domosdoshëm. Askush sikur feja nuk mund ta trajtojë një plagë me bazë morale, andaj, më lejoni të prezantoj para jush në mënyrë të përmbledhur konceptin islam për viktimat e dhunës seksuale.

Mëkati i imponuar nuk konsiderohet mëkat Continue reading “ISLAMI NË MBËSHTETJE TË TË MBIJETUARVE TË DHUNËS SEKSUALE GJATË LUFTËS”

Urtësitë dhe veçoritë e Xhumasë

Xhumaja gëzon një ekskluzivitet ndër ditë. Ajo është një ditë ku gërshetohet madhështia dhe fuqia e Krijuesit të tokës dhe qiejve me faljen dhe mëshirën e Tij.
Është dita me të cilën janë veçuar muslimanët, dhe të cilën Allahu i Madhëruar e ka dalluar me mirësi të shumta. Nuk ka vend për tu çuditur se përse është favorizuar Xhumaja nga ditët tjera kur parimi i favorizimit është aplikuar edhe në gjëra tjera për të mos thënë në çdo gjë. Thotë Allahu i Madhëruar:
“وَرَبُّكَ يَخْلُقُ مَا يَشَاءُ وَيَخْتَارُ
Zoti yt krijon çka të dojë dhe zgjedh kë të dojë…”[1].

Ky punim modest synon motivimin e besimtarëve për adhurim, në përgjithësi, dhe për xhuma, në veçanti, dhe këtë nëpërmjet ofrimit të urtësive dhe mësimeve që burojnë e rrjedhin nga kjo ditë.

I. Njoftimi i përgjithshëm me xhumanë

Xhumaja është një ndër adhurimet më madhështore në Islam. Gjuhësisht, nënkupton bashkimin e njerëzve në një vend. Në të kaluarën, periudhën paraislame, quhej el-Arubeh (dita e mëshirës)[2], kurse në Islam ka marrë këtë emër për shkak se:
• Në këtë ditë u përsos krijimi i çdo gjëje të gjallë,
• Në këtë ditë është bashkuar krijimi i Ademit, alejhi’s selam,
• Në këtë ditë është falur Esa’d b. Zurare me medinasit, pra janë tubuar, dhe e kanë quajtur el-Xhumuah (bashkim-tubim),
• Ka’b b. Luej, njëri ndër paraardhësit e Muhammedit, alejhi’s selam, e tubonte fisin e tij dhe i këshillonte në këtë ditë.
• Ngase njerëzit tubohen për namaz në këtë ditë.

Xhumaja nënkupton namazin dy rekatesh i cili është i obliguar vetëm për gjininë mashkullore, respektivisht për të rriturit dhe të aftit e kësaj gjinie. Para tij mbahet Hutbeja, e cila përbëhet nga dy pjesë dhe prezenca e së paku tre vetave është e domosdoshme ngase nuk falet vetmas. Urdhri për obligim është ajeti kur’anor:
“يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آَمَنُوا إِذَا نُودِيَ لِلصَّلَاةِ مِنْ يَوْمِ الجُمُعَةِ فَاسْعَوْا إِلَى ذِكْرِ اللهِ وَذَرُوا البَيْعَ ذَلِكُمْ خَيْرٌ لَكُمْ إِنْ كُنْتُمْ تَعْلَمُونَ
O ju që besuat, kur bëhet thirrja për namaz, ditën e xhumasë, ecni shpejtë për aty ku përmendet All-llahu (dëgjojeni hutben, faleni namazin), e lini shitblerjen, kjo është shumë më e dobishme për ju nëse jeni që e dini”[3].
Për herë të parë qe falur në Medinë edhe pse obligim ishte qysh në Mekke por për shkak të rrethanave politike nuk qe mundësuar kryerja e këtij riti islam.
Nga sqarimet paraprake mësuam se përjashtim nga ky namaz bën femra, e cila duhet ta fali drekën kurse krahas saj nga ky namaz (obligim) lirohen edhe: robi (i burgosuri), fëmija, i sëmuri dhe udhëtari. Këto kategori janë përshkruar në këto hadithe:
“الْجُمُعَةُ حَقٌّ وَاجِبٌ عَلَى كُلِّ مُسْلِمٍ فِي جَمَاعَةٍ إِلَّا أَرْبَعَةً عَبْدٌ مَمْلُوكٌ أَوْ امْرَأَةٌ أَوْ صَبِيٌّ أَوْ مَرِيضٌ
Xhumaja është e drejtë dhe obligim (për kryerjen e saj) në kolektiv për çdo musliman përveç për katër kategori: robin në pronësi, gruan, fëmijën dhe të sëmurin”[4].
“ليس على مسافر جمعة
Udhëtari nuk e ka obligim Xhumanë”[5].

II. Urtësitë
Një ditë madhështore sikur Xhumaja padyshim se përmban jo buqetë por thuaj lirisht kopshte urtësish, të cilat janë vërtetë shumë mbresëlënëse dhe përçojnë vetëm humanizëm. Ja disa prej atyre urtësive:

II.1. Bashkimi
Xhumaja përkujton moton islame, moto kjo e cila synon bashkimin e njerëzve në vija besimi. Thotë Allahu i Madhëruar:
“وَاعْتَصِمُواْ بِحَبْلِ اللّهِ جَمِيعاً وَلاَ تَفَرَّقُواْ وَاذْكُرُواْ نِعْمَتَ اللّهِ عَلَيْكُمْ إِذْ كُنتُمْ أَعْدَاء فَأَلَّفَ بَيْنَ قُلُوبِكُمْ فَأَصْبَحْتُم بِنِعْمَتِهِ إِخْوَاناً
Dhe kapuni që të gjithë ju për litarin (fenë dhe Kur’anin) e All-llahut, e mos u përçani! Përkujtojeni nimetin e All-llahut ndaj jush, kur ju (para se ta pranonit fenë islame) ishit të armiqësuar, e Ai i bashkoi zemrat tuaja dhe ashtu me dhuntinë e Tij aguat të jeni vëllezër…”[6].
Tubimi i njerëzve nëpër xhami, kryerja e obligimeve të njëjta, radhitja e safave në baza fetare e jo në baza tjera (nuk favorizohet i pasuri dhe nuk prapësohet i varfëri), i ngjan Haxhit, ndaj edhe disa prej dijetareve e quanin Haxh i vogël. Mu për këtë, Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
“إِنَّ اللَّهَ لَا يَنْظُرُ إِلَى أَجْسَادِكُمْ وَلَا إِلَى صُوَرِكُمْ وَلَكِنْ يَنْظُرُ إِلَى قُلُوبِكُمْ وَأَشَارَ بِأَصَابِعِهِ إِلَى صَدْرِهِ
Vërtetë, Allahu i Madhëruar nuk shikon në fizikun dhe dukjen tuaj por shikon në zemrat tuaja duke bërë me gisht kah gjoksi”[7].

II.2. Këshilla
Njeriu nga vet natyra e tij është i krijuar që nën ndikimin e presioneve të ndryshme (problemet e përditshme të jetës), disi t’i shmanget pa dashje fesë dhe obligimeve fetare. Tërë problemi i kësaj qëndron në qëndrimin larg xhamisë. Si simptomë qe shfaqur edhe tek shokët e Pejgamberit, alejhi’s selam. Rasti i Handhales, i cili i qe ankuar Pejgamberit, alejhi’s selam pikërisht për këtë, është një dëshmi se ajo mund ta godet çfarëdo njeriu. Mu për këtë qëllim, Xhumaja e cila bën bashkimin javor të njerëzve, luan rol kyç në shërimin e shpirtrave me simptoma të tilla. Xhabir b. Semure rrëfen se:
“كَانَتْ صَلَاةُ رَسُولِ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ قَصْدًا وَخُطْبَتُهُ قَصْدًا يَقْرَأُ آيَاتٍ مِنْ الْقُرْآنِ وَيُذَكِّرُ النَّاسَ
Namazi dhe Hutbeja e Pejgamberit, alejhi’s selam ishin mesatare (jo të gjata), lexonte ajete kur’anore dhe i këshillonte njerëzit”[8].
Ky vetëdijesim fillon qysh nga agimi i Ditës së Xhuma, në sabahun e së cilës këndohen Suret Es Sexhde dhe El Insan[9], të cilat, siç përmend Ibni Tejmije, përmbledhin në brendi të tyre domethëniet më madhështore të Ditës së Xhuma: Krijimin e Ademit, vdekjen, ringjalljen, etj.
Një aspekt tjetër vetëdijesimi, sidomos për ata kryelartë dhe mendjemëdhenjtë, bëhet edhe nëpërmjet përkujtimit të mbarimit të çdo pushteti a fuqie në këtë ditë. Më qartë, Kiameti, i cili shënon fundin e çdo krijese, ndodhë pikërisht ditën e xhuma[10], ndaj edhe Allahu i Madhëruar duke ua përkujtuar këtë, njerëzve ua rrëfen një insert të këtij përfundimi tragjik për mendjemëdhenjtë:
“يَوْمَ هُم بَارِزُونَ لَا يَخْفَى عَلَى اللَّهِ مِنْهُمْ شَيْءٌ لِّمَنِ الْمُلْكُ الْيَوْمَ لِلَّهِ الْوَاحِدِ الْقَهَّارِ
Ditës kur ata do të dalin (prej varrezave) në shesh, e All-llahut nuk mund t’i fshihet asgjë gjë e tyre. I kujt është pushteti sot? (bëhet pyetja). I All-llahut, i Atij që është Një, i fuqiplotit (është përgjigjja)!”[11].

II.3. Solidarizimi
Jo rrallë, e sidomos për raste të veçanta, Xhumaja shpreh shpirtin e humanitetit edhe nëpërmjet participimit në aksione humanitare. Shembuj të artë të kësaj natyre kanë treguar edhe xhematet tona që kanë dhënë ndihma jo vetëm për rajonin tonë por edhe pjesët më të largëta të botës, siç ishte rasti me Tsunamin në Indonezi, Gërdecin në Shqipëri, për të vërtetuar kështu praktikisht murin e pashkëputur islam anembanë botës. Thotë Muhammedi, alejhi’s selam, duke përshkruar këtë mur:
“مَثَلُ الْمُؤْمِنِينَ فِي تَوَادِّهِمْ وَتَرَاحُمِهِمْ وَتَعَاطُفِهِمْ مَثَلُ الْجَسَدِ إِذَا اشْتَكَى مِنْهُ عُضْوٌ تَدَاعَى لَهُ سَائِرُ الْجَسَدِ بِالسَّهَرِ وَالْحُمَّى
Shembulli i besimtarëve në dashurinë, mëshirën dhe butësinë reciproke është sikur shembulli i trupit, që po rënkoi një gjymtyrë e tij, atëherë i tërë trupi mbetet pa gjumë dhe me ethe”[12].

II.4. Udhëzimin e drejtë të Ummetit
Xhumaja siç duket këtë status e ka qysh prej fillimit të jetës në këtë tokë. Megjithatë, udhëzimi në të deri me ardhjen e ummetit të fundit nuk qe bërë. Ka thënë Pejgamberi, alejhi’s selam:
“أضل الله عن الجمعة من كان قبلنا، فكان لليهود يوم السبت، وكان للنصارى يوم الأحد، فجاء الله بنا، فهدانا ليوم الجمعة
Ata që ishin para nesh nuk u udhëzuan nga Allahu i Madhëruar për Xhumanë; çifutët e patën të shtunën, të krishterët të dielën kurse neve Allahu i Madhëruar na udhëzoi për Ditën e Xhumasë”[13].
Imam Neveviu mban qëndrimin se popujt para nesh ishin njoftuar për vlerën e një dite por çka ishte ajo nuk e dinin mu për këtë ajo i qe lënë përpjekjeve të tyre të cilat rezultuan me zgjidhje të gabuar. Në fakt, atyre iu tregua kjo ditë nga Musai, alejhi’s selam por polemizuan me të për të shtunën kështu që iu mbet ajo ditë pa përputhje me ligjin fetar. Kurse prej mëshirës së Allahut ndaj nesh ishte udhëzimi jo vetëm ne vlerën por edhe ne vet ditën me saktësi.
Këtë gabim më vonë e zbuluan por koha tashmë kishte kaluar kështu që në vend se të hyjnë në fenë islame e të fitojnë këtë shpërblim, ata zgjodhën rrugën e tiranisë dhe urrejtjes.
Imam Ahmedi rrëfen tregimin e çifutëve të cilët e përshëndesnin Muhammedin, alejhi’s selam me: Es samu alejke – Vdekja qoftë mbi ty!, gjë e cila e rëndonte shumë Aishen, e cila ashpër ua ktheu atyre: Vdekja qoftë mbi jo o vëllezër të majmunëve dhe derrave. E përshëndetni të dërguarin e Allahut të Madhëruar me atë që Ai nuk e ka përshëndetur. Pejgamberi, alejhi’s selam e ndaloi nga ky fjalor dhe ia tregoi esencën e problemit dhe thelbin e urrejtjes duke i thënë:
“إنهم لا يحسدوننا على شيء كما يحسدوننا على الجمعة التي هدانا الله لها ، و ضلوا عنها
Ata nuk na xhelozojnë për asgjë sikur na xhelozojnë për Xhuma, për të cilën na udhëzoi Allahu i Madhëruar kurse ata humbën”[14].

II.5. Xhumaja shans për falënderim ndaj Muhammedit, alejhi’s selam

Si?
Në këtë ditë është i ligjësuar edhe dërgimi i salavateve mbi Muhammedin, alejhi’s selam. Salavati është i mirë çdoherë vetëm se në këtë ditë, e cila është dita më e mirë, për zotërinë e njerëzimit, ka vlerë të veçantë. Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
“إِنَّ مِنْ أَفْضَلِ أَيَّامِكُمْ يَوْمَ الْجُمُعَةِ فِيهِ خُلِقَ آدَمُ وَفِيهِ قُبِضَ وَفِيهِ النَّفْخَةُ وَفِيهِ الصَّعْقَةُ فَأَكْثِرُوا عَلَيَّ مِنْ الصَّلَاةِ فِيهِ فَإِنَّ صَلَاتَكُمْ مَعْرُوضَةٌ عَلَيَّ قَالَ قَالُوا يَا رَسُولَ اللَّهِ وَكَيْفَ تُعْرَضُ صَلَاتُنَا عَلَيْكَ وَقَدْ أَرِمْتَ يَقُولُونَ بَلِيتَ فَقَالَ إِنَّ اللَّهَ عَزَّ وَجَلَّ حَرَّمَ عَلَى الْأَرْضِ أَجْسَادَ الْأَنْبِيَاءِ
Prej ditëve tuaja më të mira është Dita e Xhumasë: në të u krijua Ademi dhe në të vdiq, në të është fryrja (e dytë – en nefhatu) dhe zëri trishtues (es sa’katu –thuhet se është fryrja e pare) ndaj më dërgoni shumë selavate ngase ato më prezantohen. O i dërguari i Allahut! Si do të prezantohet salavati ynë kur ti do të shpërbehesh – thonë do të shkatërrohet trupi yt. Pejgamberi, alejhi’s selam tha: Allahu i Madhëruar ia ka ndaluar tokës të hajë trupat e profetëve!”[15].
El Izz b. Abdus Selami ka thënë: Salvati yne për Muhammedin, alejhi’s selam nuk është ndërmjetësim ngase ne nuk kemi atë nder të ndërmjetësojmë për të por Allahu i Madhëruar na ka urdhëruar që të mirën ta kthejmë me të mirë. Nëse nuk mund ta bëjmë një gjë të tillë, atëherë të lutemi për atë që na ka bërë mirë. Duke ditur pamundësinë tonë që të mirën e Muhammedit, alejhi’s selam ta kthejmë me diç ekuivalente, na udhëzoi në salavate si falënderim dhe respekt për të mirësinë që na solli.

II.6. Është festë e muslimanëve
Ibni Maxheh transmeton se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
“إِنَّ هَذَا يَوْمُ عِيدٍ جَعَلَهُ اللَّهُ لِلْمُسْلِمِينَ
Vërtetë, kjo është ditë feste e caktuar prej Allahut për muslimanët“[16].
Ka thënë Ibni Rexhebi: Është si rezultat i plotësimit të namazeve të obliguara ngase Allahu i Madhëruar për çdo ditë dhe natë besimtarëve ua ngarkoi faljen e pesë namazeve. Ditët janë shtatë dhe sa herë që një cikël javor merr fund, besimtaret në atë dite plotësojnë namazet e tyre kështu që edhe iu është ligjësuar festa në atë ditë. Kjo për faktin se ditët e javës tek muslimanët fillojnë të shtunën e përfundojnë të premten.
Aspekt tjetër që vërteton se kjo dite është feste, përveç ndalimit të agjërimit, është kurbani për këtë ditë. Nëse në Fitër Bajram japim fitrat, në Kurban Bajram kurbanin, atëherë në këtë festë, siç kanë cituar disa dijetarë, ofrojmë kurban, dhe atë bazuar në hadithin e Pejgamberit, alejhi’s selam:
“مَنْ اغْتَسَلَ يَوْمَ الْجُمُعَةِ غُسْلَ الْجَنَابَةِ ثُمَّ رَاحَ فَكَأَنَّمَا قَرَّبَ بَدَنَةً وَمَنْ رَاحَ فِي السَّاعَةِ الثَّانِيَةِ فَكَأَنَّمَا قَرَّبَ بَقَرَةً وَمَنْ رَاحَ فِي السَّاعَةِ الثَّالِثَةِ فَكَأَنَّمَا قَرَّبَ كَبْشًا أَقْرَنَ وَمَنْ رَاحَ فِي السَّاعَةِ الرَّابِعَةِ فَكَأَنَّمَا قَرَّبَ دَجَاجَةً وَمَنْ رَاحَ فِي السَّاعَةِ الْخَامِسَةِ فَكَأَنَّمَا قَرَّبَ بَيْضَةً فَإِذَا خَرَجَ الْإِمَامُ حَضَرَتْ الْمَلَائِكَةُ يَسْتَمِعُونَ الذِّكْرَ
Kush lahet (merr gusul) ditën e xhuma, pastaj shkon në xhami është sikur të ketë therur një deve (kjo është një kohën e parë), pastaj kush shkon në kohën e dytë është sikur të ketë therur një lopë dhe kush shkon në kohën e tretë sikur të ketë therur një dash dhe kush shkon në kohën e katërt është sikur të ketë therur një pulë e ai që shkon i fundit, pra në kohën e pestë është sikur të ketë falur një ve. Kur të del imami (per te mbajtur hutben) prezantojnë melaiket dhe dëgjojnë përmendjen e Allahut”[17].

II. 7. Refuzimin e pakusht të djallit
Xhumaja është obligim i patjetërsuar por përderisa Allahu i Madhëruar e ka pajisur njeriun me intelekt, atëherë përgjigjen apo jo pas mësimit të urdhrit ia ka lënë të lirë atij. Nëse përgjigjesh, je prej atyre që pasojnë Allahun e Madhëruar, ndryshe, nëse refuzon, deshe apo jo, radhitesh në radhët e pasuesve të djallit, i cili në momentet më të vështira jo vetëm që nuk do të mund të të ndihmojë por edhe do të shfajësohet se nuk të ka detyruar me dhunë ta braktisësh namazin. Allahu i Madhëruar e përshkruan këtë skenë në kaptinën Ibrahim, ajeti 22:
“وَقَالَ الشَّيْطَانُ لَمَّا قُضِيَ الْأَمْرُ إِنَّ اللَّهَ وَعَدَكُمْ وَعْدَ الْحَقِّ وَوَعَدْتُكُمْ فَأَخْلَفْتُكُمْ وَمَا كَانَ لِيَ عَلَيْكُمْ مِنْ سُلْطَانٍ إِلَّا أَنْ دَعَوْتُكُمْ فَاسْتَجَبْتُمْ لِي فَلَا تَلُومُونِي وَلُومُوا أَنْفُسَكُمْ مَا أَنَا بِمُصْرِخِكُمْ وَمَا أَنْتُمْ بِمُصْرِخِيَّ إِنِّي كَفَرْتُ بِمَا أَشْرَكْتُمُونِ مِنْ قَبْلُ إِنَّ الظَّالِمِينَ لَهُمْ عَذَابٌ أَلِيمٌ
E pasi të kryhet çështja (të hyjnë ata të xhennetit dhe të xhehennemit në të, xhehennemlinjve) djalli (u mban ligjëratën e shëmtuar), dhe u thotë: “Vërtet, All-llahu ju pat premtuar premtim të vërtetë, e unë ju pata premtuar dhe, qe, nuk e zbatova premtimin ndaj jush. Po unë nuk pata kurrfarë pushteti ndaj jush (që t’ju detyroj), përpos që ju thirra (në rrugë të gabuar), e ju m’u përgjigjët; atëherë pra mos më qortoni mua, po qortojeni veten. Unë nuk mund t’ju shpëtoj juve, e as ju nuk mund të më shpëtoni mua. Unë mohoj shoqërimin tuaj që ma bëtë mua më parë (më adhuruat në vend të Zotit)”. S’ka dyshim, jobesimtarët kanë dënim të dhembshëm”.

III. Veçoritë

III.1. Është një simbol që nënkupton shumë gjëra, dhe një manifestim, karakteri i të cilit është ka shtrirje përtej kohe e toke
Çdonjëri prej nesh që sheh sot apo kalon pranë NEWBORN-it në Prishtinë, automatikisht kthen mendjen në retrospektivë, respektivisht në shpalljen e pavarësisë. Kjo për faktin se mendja e njeriut është e mësuar të komunikoj edhe me shenja e simbole. Kështu është puna edhe me Ditën e Xhuma. Ajo është një shenjë, e cila përkujton shumë gjera, duke filluar nga e kaluara shumë e largët e deri tek e ardhmja e panjohur. Ja disa karakteristika të saj:
• Është dita më e mirë e javës[18],
• Është krijuar Ademi, ka hyrë në Xhenent në të dhe është nxjerrë prej tij në po këtë ditë[19],
• Ademi ka zbritur në tokë dhe ka vdekur në këtë ditë.
• Ndodhë Kataklizma[20].
• Ka shënuar ditën zyrtare të përfundimit të shpalljes ani pse ka qenë vetëm koincidencë me ditën e Arafatit[21].
• Njeriun që vdes në të e shpëton nga dënimi i varrit[22].

III.2. Është sinonim i ditës më madhështore për besimtarët
Fjala është për Ditën e Shtimit (Jevmu’l Mezid), ditën kur Allahu xhennetlinjëve do t’ua dhurojë shpërblimin më të madh. Thotë Allahu:
“لِّلَّذِينَ أَحْسَنُواْ الْحُسْنَى وَزِيَادَةٌ
Atyre që bëjnë vepra të mira, u takon e mira (xhenneti) edhe më tepër (e shohin All-llahun)…” Junus, 26.
Këtë detajisht e ka sqaruar Sunneti. Pejgamberi, alejhi’s selam na mëson:
“إِذَا دَخَلَ أَهْلُ الْجَنَّةِ الْجَنَّةَ قَالَ يَقُولُ اللَّهُ تَبَارَكَ وَتَعَالَى تُرِيدُونَ شَيْئًا أَزِيدُكُمْ فَيَقُولُونَ أَلَمْ تُبَيِّضْ وُجُوهَنَا أَلَمْ تُدْخِلْنَا الْجَنَّةَ وَتُنَجِّنَا مِنْ النَّارِ قَالَ فَيَكْشِفُ الْحِجَابَ فَمَا أُعْطُوا شَيْئًا أَحَبَّ إِلَيْهِمْ مِنْ النَّظَرِ إِلَى رَبِّهِمْ عَزَّ وَجَلَّ
Kur banorët e Xhennetit të hyjnë në Xhennet, tha: thotë Allahu i Madhëruar: Dëshironi diç tua shtoj atë! O Zoti ynë –thonë-: a nuk na i ke zbardhë fytyrat, a nuk na ke futur në Xhennet, a nuk na ke shpëtuar nga zjarri?! Tha: Atëherë e heq perden dhe asgjë nuk iu është dhënë më e mirë se sa shikimi në Zotin e tyre të Madhëruar.” Muslimi.
Me këtë rast nuk dua ta lëshojë shansin pa përmendur se afërsia në këtë ditë me Allahun apo largësia varen nga shkuarja herët apo vone ne xhami për xhuma. Kështu është komentuar hadithi që e potencuam më herët.[23]

III.3. Është makine e fshirjes se mëkateve
Kjo ditë me adhurimet që ka ndikon jashtëzakonisht shumë në faljen e mëkateve. Do te doja të veçoja vetëm disa elemente të faljes:
a. Namazi i Xhumasë[24]
Ebu Hurejre transmeton se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
“مَنْ اغْتَسَلَ ثُمَّ أَتَى الْجُمُعَةَ فَصَلَّى مَا قُدِّرَ لَهُ ، ثُمَّ أَنْصَتَ حَتَّى يَفْرُغَ مِنْ خُطْبَتِهِ ، ثُمَّ يُصَلِّي مَعَهُ ، غُفِرَ لَهُ مَا بَيْنَهُ وَبَيْنَ الْجُمُعَةِ الأُخْرَى وَفَضْلُ ثَلاثَةِ أَيَّامٍ
Kush pastrohet e pastaj vjen në xhuma dhe fal atë që i është caktuar pastaj hesht derisa imami ta përfundojë hutben për tu falur më pas me të, këtij i falen mëkatet ndërmjet dy xhumave si dhe tri ditëve shtesë.” Muslimi.
b. Shpërblim për hapat
Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
“مَنْ اغْتَسَلَ يَوْمَ الْجُمُعَةِ وَغَسَّلَ وَبَكَّرَ وَابْتَكَرَ وَدَنَا وَاسْتَمَعَ وَأَنْصَتَ كَانَ لَهُ بِكُلِّ خُطْوَةٍ يَخْطُوهَا أَجْرُ سَنَةٍ صِيَامُهَا وَقِيَامُهَا
Kush pastron kokën dhe trupin dhe shkon herët në xhami (dhe e arrin fillimin e hutbes) si dhe afrohet, e dëgjon dhe hesht (me përkushtim për dëgjim të hutbes), ai ka për çdo hap që bën shpërblimin e agjërimin dhe faljes fakultative të një viti”[25]
c. Ora e përgjigjes.
Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
“وَفِيهِ سَاعَةٌ لَا يَسْأَلُ اللَّهَ فِيهَا الْعَبْدُ شَيْئًا إِلَّا أَعْطَاهُ مَا لَمْ يَسْأَلْ حَرَامًا
…dhe në të është një çast që nuk ndodhë robi ta lus Allahun e të mos i përgjigjet me kusht që lutja te mos jetë nga të ndaluarat…”[26]
Kohët që janë përmendur per pranimin e duasë janë kohë kur nuk lejohet namazi, pra pas ikindisë, dhe ndërmjet uljes së imamit e deri tek farzi i xhumasë…
Se cila kohë është e synuar në këtë hadith, përgjigjen më të bukur për përputhjen e haditheve që diskutojnë këtë çështje, e ka dhënë edhe Ebu Bekir el Ethremi, i cili thotë: Këto hadithe që flasin për këtë çast të përgjigjes dhe që kanë pikëpamje të ndryshme (disa kur të ulet imami – përfundim të namazit; pas hutbes – përfundim të namazit; çasti i fundit pas ikindisë; në mes ikindisë dhe perëndimit të diellit) janë të njërës prej dy aspekteve:
– disa janë më të sakta se tjerat,
– kjo orë lëviz në kohë gjatë ditës së xhuma ashtu siç lëviz nata e kadrit në dhjetëshin e fundit.
Xhumaja me këtë element, pra me kohën e faljes, në vete ngërthen një urtësi shumë të rëndësishme, e ajo është vazhdimësia në adhurime. Kjo për faktin se ora, përveç që nuk dihet saktësisht dhe është moment i shkurtër[27], ajo –sipas një mendimi- lëviz, ashtu siç lëviz Nata e Kadrit në Ramazan.
Kështu, nëse Nata e Kadrit ka mbetur sekret që angazhimi ynë të jetë gjatë tërë Ramazanit, e me theks të veçantë në dhjetë ditët e fundit të tij, atëherë dita e xhuma do të ishte mirë, ani pse lejohet shitblerja pas namazit të xhumasë, të lihej për adhurim, sidomos pjesa pas namazit të ikindisë nëse më herët nuk ekzistojnë mundësitë.

Përfundim

Pas këtij përshkrimi të shkurtër që i bëmë urtësive dhe veçorive të Xhumasë dhe Namazit të saj, për çka u bindëm se është vërtetë një ditë madhështore me rite, porosi dhe mësime po kështu madhështore, nuk na mbetet gjë tjetër vetëm t’i drejtohemi me ca këshilla atyre që pa asnjë arsye anashkalojnë Namazin e Xhumasë.
Vëlla dhe motër!
A e dini se mos falja e tri xhumave bën që ju të identifikoheni si hipokrit. A nuk keni dëgjuar hadithin e Muhammedit, alejhi’s selam, se:
“مَنْ تَرَكَ ثَلَاثَ جُمَعٍ تَهَاوُنًا بِهَا طَبَعَ اللَّهُ عَلَى قَلْبِهِ
Kush i braktisë tri xhuma pa arsye, Allahu i Madhëruar do t’ia vulosë zemrën e tij (me hipokrizi)”[28].
A nuk ke dëgjuar se ata që nuk e falin xhumanë kanë qenë të kërcënuar nga Muhammedi, alejhi’s selam, për djegie duke qenë gjallë, dënim ky i paraparë vetëm për disa nga mëkatet e mëdha, madje edhe atë shumë rrallë. Muslimi transmeton se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
“لَقَدْ هَمَمْتُ أَنْ آمُرَ رَجُلًا يُصَلِّي بِالنَّاسِ ثُمَّ أُحَرِّقَ عَلَى رِجَالٍ يَتَخَلَّفُونَ عَنْ الْجُمُعَةِ بُيُوتَهُمْ
Desha që ta urdhëroj dikë të falet me njerëz e unë të shkoj tek ata që nuk e falin xhumanë dhe tua djegë shtëpitë (duke qenë ata brenda tyre)”.

Lexues të nderuar!
Para frikës le të jetë dashuria motiv për faljen e xhumasë. Përkujtoni këto që u përmendën në këtë ligjëratë se ka shpresë që t’iu bëjnë dobi. Përgjigjuni thirrjes së Allahut të Madhëruar dhe të dërguarit të tij ngase në të është shpëtimi!

Literatura e konsultuar
1. Abdu’l Adhim Bedevijj, El Vexhizu fi fikhi’s sunneti ve’l kitabi’l aziz, b.3, Dar Ibni Rexheb, Mensure, 2001.
2. Es-Sejjid Sabik, Fikhu’s Sunneh, El fet’hu li’l i’lami’l arabijj, b.2, Kajro, 1999.
3. Ahmed b. AbduRrahman b. Kudame el Makdesijj, Muhtesar minhaxhi’l kasidine, Daru’l Iman, Aleksandri, Egjipt.
4. Dr. Husejn Ahmed Sunbul, Mukaddimetun fis salati alen Nebijji, alejhi’s selam, b.1, 2000.
5. Muhammed b. Ismail el Emir el Jemenijj es San’anijj, Subulu’s selam shehu bulugu’l meram min xhem’i edil-leti’l ahkam, b.5, Daru’l hadith, 1997, Kajro, Egjipt.
6. Abdullah b. AbduRrahman b. Salih Al Bessam, Tejsiru’l Al-lam sherhu umdetu’l ahkam, b.1, Daru’l Mugni, Rijad, 2000.
7. Xhumaja dita e zgjedhur e javës, përgatitur nga redaksia e revistës “Drita e jetës”, Gjilan,.
8. Ibn Kajjim el Xheuzijjeh, Zadu’l mead fi hedji hajri’l ibad, Daru’l menar, b.1, 2003, Kajro, Egjipt.

____________________________
[1] El Kasas, 68.
[2] Taxhu’l urus, 1/745.
[3] El Xhumuah, 8.
[4] Transmeton Ebu Davudi ndërsa Albani në Sahihu ve Daifu Suneni Ebi Davud, 1067, pj.3, f. 67, e ka cilësuar autentik.
[5] Albani në Sahihu’l Xhamii, 9536, pj.20, f. 108, e ka cilësuar autentik.
[6] Ali Imran, 103.
[7] Muslimi.
[8] Transmeton Ebu Davudi ndërsa Albani e ka cilësuar hasen.
[9] Buhariu.
[10] Transmeton Ebu Davudi ndërsa Albani e ka cilësuar autentik.
[11] Gafir, 16.
[12] Muslimi.
[13] Muslimi.
[14] Arnauti ka thënë për këtë hadith se ka sened hasen ndërsa Albani ka thënë se ka sened xhejjid. Shih: Es Silsiletu’s Sahihah, 2/312.
[15] Transmeton Ebu Davudi ndërsa Albani e ka cilësuar autentik.
[16] Albani e ka cilësuar hasen.
[17] Buhariu dhe Muslimi.
[18] “Prej ditëve tuaja më të mira është Dita e Xhumasë: në të u krijua Ademi dhe në të vdiq, në të është fryrja (e dytë – en nefhatu) dhe zëri trishtues (es sa’katu –thuhet se është fryrja e pare) ndaj më dërgoni shumë selavate ngase ato më prezantohen. O i dërguari i Allahut! Si do të prezantohet salavati ynë kur ti do të shpërbehesh – thonë do të shkatërrohet trupi yt. Pejgamberi, alejhi’s selam tha: Allahu i Madhëruar ia ka ndaluar tokës të hajë trupat e profetëve!” Transmeton Ebu Davudi dnersa Albani e ka cielsuar autnetik.
[19] “Dita më e mirë në të cilën ka lindur dielli është dita e xhuma. Në të është krijuar Ademi, në të ka hyrë në Xhennet dhe është nxjerrë prej tij, dhe se Kiameti nuk do të ndodhë veçse ditën e xhuma.” Transmeton Tirmidhiu ndërsa Albani e ka cilësuar autentik.
[20] “Vërtetë, Dita e Xhuma është zonja e ditëve dhe më madhështorja prej tyre, madje tek Allahu është më madhështore edhe se Dita e Kurban dhe Fitër Bajramit. Në të janë pesë veçori: E ka krijuar Allahu Ademin, e ka lëshuar në tokë, ia ka marrë shpirtin, dhe në të është një çast, që nuk ndodhë njeriu ta lus Allahun e Allahu të mos i përgjigjet, me kusht që ajo të mos jetë e ndaluar. Në të ndodhë edhe kataklizmi. Nuk ka melek të afërt, qiell, tokë, erë, kodër, det, e që të mos kenë frikë atë.” Transmeton Ibni Maxheh ndërsa Albani e ka cilësuar hasen.
[21] Omeri rrëfen se një çifut i kishte thënë atij: O prijësi i besimtarëve! Një ajet (që iu është shpallur ju dhe) që e lexoni në librin tuaj, sikur të na ishte shpallë ne çifutëve do ta merrnin për festë. Po cili ajet është ai?- e pyeti Omeri. Ajeti: “…Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fe…”. Po ne e dimë kohën dhe vendin kur i ka zbritur Pejgamberit, alejhi’s selam. Ai ishte duke qëndruar në Arafat Ditën e Xhuma.” Buhariu.
[22] Tirmidhiu transmeton se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë: “Nuk ka musliman që vdes ditën e xhuma apo edhe natën e saj e të mos e ruajë Allahu nga sprova e varrit!” Albani e ka cilësuar hasen.
[23] “Kush lahet (merr gusul) ditën e xhuma, pastaj shkon në xhami është sikur të ketë therur një deve (kjo është një kohën e parë), pastaj kush shkon në kohën e dytë është sikur të ketë therur një lopë dhe kush shkon në kohën e tretë sikur të ketë therur një dash dhe kush shkon në kohën e katërt është sikur të ketë therur një pulë e ai që shkon i fundit, pra në kohën e pestë është sikur të ketë falur një ve. Kur të del imami (per te mbajtur hutben) prezantojnë melaiket dhe dëgjojnë përmendjen e Allahut” Buhariu dhe Muslimi.
[24] “Pesë namazet dhe xhumaja deri në xhuma shlyejnë mëkatet që janë ndërmjet tyre.” Muslimi.
[25] Transmeton Tirmidhiu dhe të tjerët ndërsa Albani e ka cilësuar autentik.
[26] Transmeton Ibni Maxheh ndërsa Albani e ka cilësuar hasen.
[27] Në një transmetim të Imam Muslimit qëndron edhe kjo: “ …dhe aludoi me dorë duke e zvogëluar (shkurtuar atë).” Kurse në një transmetim tjetër po kështu nga Muslimi qëndron: “ …dhe ajo është një kohë e lehtë – shkurtër.”
[28] Transmetojnë Ebu Davudi, Nesaiu dhe Ibni Maxheh ndërsa Albani e ka cilësuar hasenun sahih.

Ky punim është publikuar në Takvimi 2011.

Continue reading “Urtësitë dhe veçoritë e Xhumasë”

HUTBEJA E FITËR BAJRAMIT 2019

[Vlera dhe rëndësia e agjërimit]

Të nderuar besimtarë,

Sot po përcjellim muajin e Ramazanit, muajin që për besimtarët ka rëndësi më shumë se thjesht një muaj adhurimi. Ramazani, vështruar nga misioni që ka, është akademi ku bëhet kultivimi i vlerave dhe virtyteve më të larta shpirtërore, morale dhe shoqërore. Duke na folur për këtë, Allahu në Kur’an na drejtohet:

﴿يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا كُتِبَ عَلَيْكُمُ الصِّيَامُ كَمَا كُتِبَ عَلَى الَّذِينَ مِن قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ﴾

“O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.” [Bekare: 2/183]

Lloji i devocionit shpirtëror që kultivohet në Ramazan nëpërmjet agjërimit, lidhjen me Zotin e ngrit në një nivel tjetër, në një dashuri e cila manifestohet me shkrirje shpirtërore dhe emocionale vetëm e vetëm për ta fituar kënaqësinë e Zotit. Besimtari do atë që do Allahu andaj epshet, në kuptimin e gjerë të fjalës, janë plotësisht të dominuara nga kjo forcë e shpirtit. Këto botëkuptime të agjërimit i gjejmë të konkretizuara në hadithin e saktë të Pejgamberit a.s., të shënuar nga Buhariu dhe Muslimi, e në të cilin qëndron: “Allahu ka thënë: Secila vepër e njeriut është për të, përveç agjërimit, i cili është për Mua dhe Unë shpërblej për të. Besimtari i braktisë ushqimin, pijen dhe epshin për hir Timin…” Pra, abstenimi nga ushqimi, pija dhe epshi bëhet krejtësisht në mënyrë vullnetare, andaj edhe sinqeriteti dhe përkushtimi evoluojnë në këtë shkallë të lartë shpirtërore, duke e bërë agjërimin një vepër me shpërblimin pothuajse më të madh.

Në lidhjen me të tjerët, agjërimi aprovon një kod të veçantë etik, në të cilin dominon fuqia e vlerës dhe parimit ndaj çfarëdo fuqie tjetër. Në një hadith tjetër të saktë, Pejgamberi a.s., na flet për këtë mision të agjërimit e thotë: “Agjërimi është mburojë, andaj agjëruesi le të mos flet fjalë të pahijshme dhe le të mos shfaqë injorancë. E, nëse ndokush e provokon apo shanë, le t’i përgjigjet duke i thënë: unë jam agjërueshëm!…” Pra, nuk janë frika dhe dobësia ato që frenojnë besimtarin nga sjelljet dhe fjalët e pista por është agjërimi.

Në aspektin shoqëror, agjërimi kultivon përgjegjësinë materiale karshi tjetrit. Mendimtari i madh mysliman, Muhammed Reshid Rida, duke folur për këtë funksion të agjërimit thotë: “Kur agjëruesi të ndiejë uri, atëherë ai përkujton ata që gjithnjë janë të uritur, kështu që kjo ia ngjall ndjenjat e butësisë dhe mëshirës, e rrjedhimisht e bën që të ndajë lëmoshë për ta…”

[Esenca e festës dhe mesazhet e saj në Islam]

Të respektuar myslimanë!

Nëse ky është Ramazani dhe këto janë objektivat e tij, atëherë sot, kur jemi tubuar për të kremtuar përfundimin e suksesshëm të tij, ndarja nuk duhet të jetë tjetër pos fizike. Ramazani, që depërton edhe në çështje emocionale, na mëson se gëzimi dhe kënaqësia me suksesin në fushën e adhurimit duhet të dominojnë çfarëdo burimi tjetër të gëzimit a kënaqësisë. Ja çfarë na mëson Allahu:

﴿وَلِتُكْمِلُوا الْعِدَّةَ وَلِتُكَبِّرُوا اللَّـهَ عَلَىٰ مَا هَدَاكُمْ وَلَعَلَّكُمْ تَشْكُرُونَ﴾

“…Ai dëshiron që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun (në fund të agjërimit), për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni Atë.” [Bekare: 2/185]

﴿قُلْ بِفَضْلِ اللَّـهِ وَبِرَحْمَتِهِ فَبِذَٰلِكَ فَلْيَفْرَحُوا هُوَ خَيْرٌ مِّمَّا يَجْمَعُونَ﴾

“Thuaj: “Me dhuntinë e Allahut dhe mëshirën e Tij – vetëm me këto le të gëzohen! Kjo është më e mirë se ajo që grumbullojnë.”.” [Junus: 10/58]

Kjo në asnjë mënyrë nuk nënkupton mohimin fetar të asaj që është e natyrshme tek njeriu, dëfrimin dhe argëtimin në këtë rast. Ajo që përbën dallim tek feja është angazhimi për të mos lejuar këto ndjenja të kalojnë në shthurje. Dëshmi më të mirë për këtë e kemi praktikën e Muhammedit a.s., i cili kur erdhi në Medinë dhe pa një traditë të gabuar kremtimi ku shpirtërorja çiftëzohej dhunshëm me emocionalen duke shndërruar atmosferën festive në diçka monstruoze. Kështu, ndaloi këto praktika duke iu treguar besimtarëve se Zoti ua kishte ndërruar ato me më të mira.

Po, festat tona janë fe sepse janë të caktuara prej Zotit, andaj edhe natyra e kremtimit duhet të jetë në thelb fetare. Të diplomosh në akademinë e Ramazanit d.t.th., të jesh njeri i ngritur, me përgjegjësi, me peshë, dhe mbi të gjitha me mision. Nisur nga këtu, për ne kjo ditë shënon jo fundin e Ramazanit por pjesën e dytë të tij, pjesën në terren, ku duhen dëshmuar mësimet e marra në Ramazan. Nëse në Ramazan kemi mësuar për mirësjelljen, solidaritetin, faljen, ndërsa sot në festë nuk i dëshmojmë, atëherë ne kemi dështuar.  “Festa pa shpirtmadhësi e falje është thjesht një copë letër në kalendar” do të thoshte shkrimtari i madh Ali Tantavi.

Festat në Islam janë arena dhe sheshe; arena, ku shkrihen dallimet, përkatësitë, pozitat, sheshe ku takohen të gjithë me fitoren e përbashkët, me të mirën e përgjithshme. Festat janë momente kur konfirmohen vlerat bazë të fesë, si: bashkimi, lidhjeve familjare e farefisnore, solidariteti, ndihma. Për këtë shkak, para se të fillojmë kremtimin, e kemi për obligim të sigurohemi që kemi kryer edhe detyrimin material të festës, gjegjësisht kemi dhënë lëmoshën e fitrit, e drejtë kjo e pamohueshme e të varfrit që edhe ai të jetë pjesë e këtij gëzimi kolektiv.

[Apel për ndalje të migrimit]

Të respektuar vëllezër,

Këto mësime të Ramazanit dhe këto tradita të festës, për shkak të rrethanave nëpër të cilat po kalojmë, duhet të marrin një rol shtesë në jetën tonë shoqërore. Të gjithë jemi në dijeni për migrimin jashtë Kosove që kohëve të fundit ka filluar të bëhet shumë shqetësues. Gjendja e rëndë ekonomike, si shkak kryesor i migrimit, duhet të luftohet, dhe ja, platforma solidarizuese e Ramazanit mund të shërbejë si mënyrë e suksesshme e luftimit të kësaj dukurie. Ramazani na ka mësuar që të ndihmojmë të tjerët sepse ata janë pasqyrë ku ne e shohim vetveten. Mustafa Sibai, një mendimtar i dalluar i kohës sonë, duke folur për këtë funksion të festës thotë se bashkimi fizik dhe lidhja shpirtërore që ndodhin në festë janë dy elemente me të cilat mposhtim çdo të keqe. Kështu, nëse arrijmë të shkrihemi në një trup, nëse karshi tjetrit ndiejmë përgjegjësi, nëse vuajmë për tjetrin dhe gëzohemi për të,  atëherë ne do të sfidojmë gjendjen e rëndë ekonomike, do të ndëshkojmë me ngritjen e nivelit tonë të vetëdijes krimin dhe korrupsionin, do të angazhohemi që gjakun e derdhur për ruajtjen e këtij vendi të mos e çojmë dëm. Si popull potencialin human e kemi pasur asetin më me vlerë, andaj ta ruajmë, ta çmojmë, të punojmë bashkërisht që të mos na ikën. Edhe kësaj nate do t’i vijë agimi. Do të doja që fjalët e mia të dëgjohen si thirrje për të gjithë ne, popull e qeveri, që të reflektojmë. T’ia kthejmë buzëqeshjen Kosovës sonë, t’ia kthejmë shpresën popullit tonë. Shqiptarët kanë dëshmuar se e duan vendin e tyre. Kanë braktisur perëndimin për tu kthyer këtu. Do ta bëjnë prapë nëse shohin ndryshimin.

[Urimi]

Për fund, më lejoni që në emrin tim personal dhe në emër të Këshillit të Bashkësisë Islame në Vushtrri t’iu urojë festën e Fitër Bajramit, me lutjen që Zoti këtë festë ta shndërrojë në gëzim e lumturi për të gjithë ne. Po kështu më lejoni që të përsëris apelin time për të marrë shkas këtë festë dhe festat kombëtare për tu angazhuar të mirën e këtij vendi dhe këtij populli.

Zoti na e pastë pranuar agjërimin dhe urime festa e Fitër Bajramit!

Blog at WordPress.com.

Up ↑