REFLEKTIME TË PËRSOSURISË ISLAME NË FESTËN E KURBAN BAJRAMIT

HYRJE

Secili popull ka festën e vet dhe kjo është festa jonë![1]”, është kjo një thënie e Pejgamberit Muhammed a.s., me të cilën zgjodhëm për ta hapur ligjëratën e kësaj dite të madhe, jo vetëm për të dëshmuar praninë e anës festive në Islam por edhe elementet e saja origjinale, në të cilat edhe fshihet madhështia e saj. Festa në Islam ka bazament, motiv, mësime dhe natyrë të veçantë celebrimi. Më qartë, festat janë të përcaktuara fetarisht[2], lidhen me adhurime të caktuara[3], kanë mësime tejet edukative dhe nuk kalojnë asnjëherë në shthurje. E këtillë është edhe festa e Kurban Bajramit që tani veç kemi filluar kremtimin e saj. Bile, ajo ka disa veçori shtesë të cilat e bëjnë edhe më madhështore:

  • në aspektin kohor, Kurban Bajrami bie në njërin prej muajve të shenjtë, në muajin dhul hixhe, e më saktë në dhjetë ditët e para të tij, që konsiderohen ditët më të mira. Paraprihet nga Dita e Arafatit, agjërimi i së cilës shlyen mëkatet e dy viteve;
  • në aspektin gjeografik, Kurban Bajrami lidhet me kryerjen e haxhillëkut në Mekkë, në vendin më të shenjtë në rruzullin tokësor;
  • në aspektin ritual, Kurban Bajrami lidhet me kryerjen e haxhillëkut, shtyllës së pestë të Islamit[4].

Continue reading “REFLEKTIME TË PËRSOSURISË ISLAME NË FESTËN E KURBAN BAJRAMIT”

“NUK ËSHTË PUNË E IMJA, NUK MË INTERESON!”

Hyrje

Në kohën e Sulltan Sulejman Kanunit ishte një asket i njohur, i quajtur me emrin Jahja efendiu. Për shkak të dijes dhe devotshmërisë, gëzonte respekt të veçantë tek Sulltani, për më tepër, ishin edhe vëllezër nga qumështi. Sulltani, tani që kishte zgjeruar dhe shtrirë pushtetin, kishte diç që e brengoste dhe për të cilën kërkonte përgjigje. Mori lapsin dhe i shkroi Jahja Efendiut për këtë çështje:

“Jahja Efendi,

Zoti i Madhëruar iu ka nderuar me dije të çmuar dhe të rrallë, andaj tregohuni i mirë me ne dhe na mësoni nga dija juaj: kur rrënohen shtetet dhe cili do të jetë fati i osmanlinjve?”

Jahja efendi e mori letrën dhe e lexoi. U mendua gjerë e gjatë dhe në fund i ktheu përgjigje me këto dy fjalë:

Nuk është punë e imja, nuk më intereson!

Sulltani, që e dinte se në këtë përgjigje fshihej ndonjë urtësi e madhe por që sipërfaqësisht nuk mund ta lexonte dot, mori rrugën dhe shkoi tek Jahja efendi, prej të cilit kërkoi me mirësjellje shpjegim se çfarë kishte dashur të thoshte në përgjigjen e tij!…

Të dashur vëllezër!

Përgjigjet e Jahja efendiut, që do t’i përmendim në vijim, janë përgjigje edhe për kohën tonë dhe problemet tona, andaj edhe janë temë e kësaj hutbeje sot. Jahja efendi iu drejtua Sulltanit:

“Sulltani im!

Kur në një vend të përhapen padrejtësia dhe korrupsioni ndërsa njerëzit t’i mbyllin para tyre dhe të thonë: ‘Nuk është punë për mua!’ për tu marrë vetëm me punët personale;

Kur çobanët të jenë ata që do ta sulmojnë kopenë ndërsa njerëzit që i shohin dhe njohin do të heshtin;

Kur zëri dhe të qarët e fukarave, nevojtarëve dhe miskinëve të ngritët ndërsa veshët të jenë shurdhuar e të mos i dëgjojë askush dhe asgjë pos gurit dhe drurit;

Kur këto të ndodhin, shteti do të rrënohet, besimi dhe respekti për institucionet do të lëkunden dhe njerëzit nuk do të jenë më të dëgjueshëm! Kështu, pashmangshëm, shteti do të shkojë drejt shkatërrimit të tij ”[1]

A nuk janë këto përgjigje, përgjigje edhe për kohën tonë?!

A nuk na kanë ngulfatur zullumi dhe korrupsioni ndërsa ne heshtim dhe i miratojmë?!

A nuk janë pushtetarët ata që më së shumti e dëmtojnë popullin?!

A nuk kemi të varfër e skamnorë që vuajnë për kafshatën e gojës?!

Së këndejmi, këto përgjigje të Jahja efendiut janë përgjigje edhe për ne, dhe po deshëm t’i përmbledhim në pak fjalë, do të thoshim: Po heshtëm karshi të keqes, do të shkatërrohemi të gjithë!

 

Të respektuar vëllezër!

[Puna e tjetrit, punë edhe e imja]

Shpeshherë e keqja tentohet të na imponohet si e drejtë individuale për të vepruar dhe shprehur lirshëm atë që e beson, dhe se ne të tjerët, nuk kemi të drejtë të ndërhyjmë në këtë, ngase cenojmë kinse privatësinë e tyre. E keqja më e madhe është kur këto bindje ekzistojnë tek një pjesë besimtarësh, të cilët madje i trumbetojnë këto ide si fe dhe devotshmëri. Ebu Bekri (r.a.) që kishte dëgjuar dis njerëz me ide të këtilla, madje edhe duke u thirrur gabimisht në Kur’an, iu drejtua:

“O ju njerëz! Po iu shoh duke e lexuar këtë ajet:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا عَلَيْكُمْ أَنفُسَكُمْ ۖ لَا يَضُرُّكُم مَّن ضَلَّ إِذَا اهْتَدَيْتُمْ

“O besimtarë! Ruajuni! Kur të gjendeni në rrugën e vërtetë, nuk do t’ju dëmtojë ai që është i humbur…” [El Maide: 105], por po gaboni, ngase unë e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: «Nëse njerëzit e shohin të padrejtin duke bërë padrejtësi ndërsa nuk e ndalin, Allahu do t’i përfshijë të gjithë me dënim.» [2]

Së këndejmi, nëse puna e tjetrit më rrezikon, pra lidhet me mua në një ose formë tjetër, atëherë, ajo është dhe punë imja, ndryshe, viktimë e punës së tij bëhem edhe unë. Kequ qëndron arsyeja pse:

[E keqja nuk miratohet kurrë]

Zullumi, korrupsioni dhe çdo dukuri tjetër negative në shoqëri, refuzohet, për shkak se nuk është individi ai që e paguan koston e tyre i vetëm, por e tërë shoqëria. Kështu na mësojnë Kur’ani dhe Sunneti:

وَاتَّقُوا فِتْنَةً لَّا تُصِيبَنَّ الَّذِينَ ظَلَمُوا مِنكُمْ خَاصَّةً

“Ruajuni ngatërresave, të cilat nuk i godasin vetëm ata që bëjnë keq…” [El Enfalë: 25]

Pra, dënimi nuk merr vetëm zullumqarët.

I Dërguari i Allahut, Muhammedi ﷺ, na e ka përshkruar në mënyrë figurative se si mund të ndodhë kjo. Në hadith të saktë të transmetuar nga Sahabiu Nu’man bin Beshir (r.a.) qëndron: «Shembulli i atij personi, i cili iu përmbahet kufijve të caktuar të Allahut dhe i tjetrit që i shkel, është sikur shembulli i një grupi njerëzish, që hodhën shortin për të siguruar vend në një anije. Disave u ra kuverta e sipërme, kurse të tjerëve kuverta e poshtme. Ata të kuvertës së poshtme, kur u nevojitej ujë, kalonin përmes atyre që ishin në kuvertën e sipërme. Atyre u ra ndërmend se nëse e bëjnë një vrimë në pjesën e poshtme të anijes, nuk do t’i trazonin udhëtarët e kuvertës së sipërme. Nëse ata, të kuvertës së sipërme i lejojnë të bëjnë këtë, të gjithë do të mbyten, ndërsa nëse i ndalojnë, të gjithë do të shpëtojnë.»

Hasan Basriu u pyet:  O babai i Seidit, më trego se si është puna e njeriut që fizikisht nuk ka marrë pjesë në fitnen e Ibn Muhelebit (një kryengritësi rebel) por që e ka mbështetur me gjuhë dhe zemër? Hasani ia ktheu: O biri i vëllait tim, sa duar e mbytën devenë (e Salihut a.s.)? Një dorë e vetme- iu përgjigj. Mirë, po a nuk e shkatërroi Allahu një popull të tërë për shkak se pajtuan me këtë vrasës dhe e përkrahën atë?!- i tha.[3]

Së këndejmi:

[Të mos heshtim, por të bashkëpunojmë në të mira]

Ndalimi i të keqes është obligim karshi tjetrit dhe imazhi më i sinqertë i miqësisë dhe vëllazërisë. Po deshëm të:

–          bëjmë jetë larg padrejtësisë,

–          të kemi mirëqenie, dhe

–          drejtësi sociale,

na duhet që të urdhërojmë për të mirë dhe të ndalojmë nga e keqja. Kjo është motoja jonë: bashkëpunimi në punë të mira dhe të mbara, jo në mëkate dhe armiqësi!  Feja është këshillë, andaj po pamë diç të keq, ta ndalojmë me butësi, mirësjellje dhe gjakftohtësi, sepse vetëm kështu shpëtojmë ne dhe i shpëtojmë gabimtarët nga radhët tona!

 

————————————-

[1] Osman Nuri Topbaş, YÜZAKI DERGİSİ, Yıl: 2017 Ay: Ağustos Sayı: 150;

http://www.islamveihsan.com/yahya-efendiden-kanuniye-cevap.html

[2] Sahihu-l-Xhami, nr. 1973.

[3] Imam Ahmedi, Ez Zuhd, fq. 289.

RËNDËSIA E FITIMIT HALLALL TË PASURISË

RËNDËSIA E FITIMIT HALLALL TË PASURISË

fitimi hallall

Të nderuar vëllezër besimtarë!
Gjendja e rëndë ekonomike që mbretëron në vendin tonë ka bërë, përveç tjerash, që, për të ardhur deri tek sigurimi i një mbijetese solide, njerëzit ndonjëherë të mos zgjedhin mjete a mënyra. Janë përhapur forma të shumta të ndaluara fetarisht të fitimit dhe përvetësimit të pasurisë. Siç është vënë re nga studimet në terren, në popujt e dalë nga luftëra dhe konflikte, këto dukuri janë më të theksuara se tek të tjerët, e rrjedhimisht edhe me më shumë pasoja. Them këtë ndërsa parasysh kam faktin se shumica absolute e këtij populli janë myslimanë, dhe, dukuri të këtilla, si: vjedhja, mashtrimi, kontrabanda, fajdeja, kamata, janë vështirë të paramendueshme në shoqëritë islame. Andaj, sot, të nderuar vëllezër, do të ndajmë bashkërisht këtë kohë të rezervuar për këtë ritual javor tonin, për të mësuar diç rreth konceptit islam për fitimin dhe për rreziqet që paraqet fitimi i ndaluar për besimtarin.
Besimtarë të nderuar!
Myslimanët, ndryshe nga të tjerët, besojnë në Caktimin e Allahut (Kada dhe Kader), se çdo gjë që ndodhë në këtë botë, ndodhë me dijen e Allahut. Në kuadër të kësaj pjese të besimit, hyn gjithsesi edhe përcaktimi për pasurinë.
Allahu i Madhëruar ka thënë:
…Ne kemi përcaktuar ndër ta gjendjen e jetës në këtë botë…“ (ez-Zuhruf, 32)
Pejgamberi [paqja dhe shpëtimi qofshin mbi të!] ka thënë: “Vërtetë, Allahu ka ndarë me jush – ka caktuar moralet tuaja, ashtu siç ka caktuar furnizimet tuaja!”
Një gjë të tillë, Pejgamberi [paqja dhe shpëtimi qofshin mbi të!], na e mëson edhe në raste tjera. Në hadithin të cilin e transmeton Imam Muslimi nga Ibni Mes’udi [Allahu qoftë i kënaqur me të!], Pejgamberi [paqja dhe shpëtimi qofshin mbi të!] thotë: “…pastaj (derisa foshnja është në barkun e nënës, në ditën e 120-të) i dërgohet meleku, i cili e frymëzon me shpirt dhe urdhërohet me katër gjëra: me shkrimin e furnizimit të tij, vdekjes, punës dhe se a do të jetë i pikëlluar apo i lumtur…”
Kjo gjë ka rëndësinë e vet, ngase njeriun do ta pengojë nga kërkimi i furnizimit në gjëra të ndaluara, por, nuk do të duhej të merrej ekstremisht, ngase kësisoj do të keqkuptohej dhe për pasojë do të kishte gjëra, si papunësia, prej të cilave feja është e pastër. Ky hadith nuk thërret për ta braktisur punën, përkundrazi. Besimtari duhet të punojë, të angazhohet, të kërkojë furnizimin me çdo mjet dhe mënyrë të ligjshme dhe vetëm të ligjshme, ngase ai nuk do të vdes pa realizuar atë që ka caktuar Allahu për të. “Vërtetë, Shpirti i Shenjtë (Xhibrili) më frymëzoi në shpirtin tim se askush nuk do të vdesë pa plotësuar paraprakisht furnizimin e tij, andaj, t’ia keni frikën Allahut dhe kërkojeni furnizimin me të mirë!”
Një element tjetër i konceptit islam për fitimin, e që flet për përsosmërinë e Islamit si fe, është edhe vënia e kritereve për botëkuptimet e fitimit. Kamata, kjo sëmundje që po vret, nuk është sikur tregtia, ani pse, sipërfaqësisht, elementi i ‘pëlqimit’ demonstrohet në shitblerje – tregti dhe në kamatë. Kamata është padrejtësi, është shtypje e të varfërve, është armë e shkatërrimit në masë të humanizmit dhe solidaritetit shoqëror. Nga këtu, Allahu ua përkujton njerëzimit parimin e dallimit ndërmjet fitimit të lejuar dhe atij të ndaluar, e thotë:
Ata që e hanë kamatën, ata nuk ngrihen ndryshe vetëm se si ngrihet ai çmenduri nga të prekurit e djallit. (Bëjnë) kështu ngase thanë: “Edhe shitblerja nuk është tjetër, por njësoj sikurse edhe kamata”! E All-llahu e ka lejuar shitblerjen, por e ka ndaluar kamatën… “ (el-Bekare, 275)
Jo vetëm kamata, por çdo formë tjetër e fitimit që bëhet duke shkelur kriteret e parapara, konsiderohet e pavlefshme. Pejgamberi [paqja dhe shpëtimi qofshin mbi të!] kishte kaluar pranë një shitësi ushqimesh, i cili kishte fshehur të metat e artikujve të tij ndërsa kishte shfaqur vetëm elemente të mira. Pejgamberi [paqja dhe shpëtimi qofshin mbi të!] e futi dorën në ushqim dhe pa se ishte i lagur. Ç’është kjo? – e pyeti. E ka lagur shiu – iu përgjigj njeriu. Po atëherë pse nuk e ke vënë këtë sipër – itha ndërsa shtoi edhe këto fjalë që janë si rregull fetar: “Ai që na mashtron ne, nuk është prej nesh!”
Koncepti për fitimin ka dhe një karakteristikë tjetër. Fitimin, në raste të caktuara, edhe nëse është në përputhje me rregullat teknike, e sheh si të dështuar kur ai pushton njeriun aq sa e bën të harrojë edhe adhurimin. Ky nuk quhet fitim. Fitimi, në fakt, do të duhej të ishte motiv për të shumuar rrugët, në mënyrë që të vihet tek fitimi më i madh, kënaqësia e Allahut, ndryshe, humbja e këtij ideali për besimtarin, është humbje që nuk kompensohet me asgjë. Allahu ka thënë:
Po, kur ata shohin ndonjë tregti ose ndonjë aheng mësyhen atje, kurse ty të lënë në këmbë. Thuaju: “Ajo që është tek All-llahu është shumë më e mirë se dëfrimi dhe tregtia, e All-llahu është furnizuesi më i mirë!”“ (el-Xhumua, 11)
Ta humbasësh Xhennetin, është humbja më e madhe që mund ta pësosh. Por jo vetëm Xhennetin, mashtruesit do të humbasin edhe dynjanë. Edhe fitimi, për të cilin sakrifikojnë kaq shumë, pra edhe me Xhennet, do t’iu humb. Allahu ka thënë:
All-llahu e zhduk kamatën dhe e shton lëmoshën, All-llahu nuk e do asnjë besëprerë dhe mëkatar.“ (el-Bekare, 276)
Zhdukja e kamatës –kanë thënë dijetarët- ka kuptimin e humbjes së bereqetit të asaj që është fituar prej kamatës. Njerëzit e tillë, sado që të kenë fituar pasuri të shumta, i sheh gjithnjë duke vrapuar pas saj, sikur i kanë shpirtrat e varfër. Ata, edhe më keq, do t’i humbasin lidhjet me Allahun. Ata do të privohen nga kjo që kanë nevojë më së shumti për të. lutjet e tyre do të refuzohen nga Allahu. Pejgamberi [paqja dhe shpëtimi qofshin mbi të!] ka thënë:
“Allahu është i mirë dhe nuk pranon tjetër përveç të mirës, dhe Allahu ka urdhëruar besimtarët me atë, me të cilën i ka urdhëruar edhe të Dërguarit (Pejgamberët). Thotë Allahu i Madhërishëm: “O ju të dërguar, hani atë që është e lejuar dhe e mirë dhe bëni vepra të mira.“ (el-Mu’minun, 51). Po ashtu thotë: “O ju që besuat, hani nga të mirat që ua kemi dhënë.“ (el-Bekare, 172). Pastaj –vazhdon transmetuesi- (Pejgamberi) përmendi njeriun, i cili udhëton gjatë; flokëshprishur, i ngrit duart kah qielli (e lutet): O Zoti im! O Zoti im!, ndërsa ushqimin e ka haram, pijen e ka haram, është ushqyer nga harami, andaj si t’i përgjigjet (plotësohet duaja) të tillit?!”
Do t’i refuzohet lutja në këtë botë ndërsa në botën tjetër do të ndëshkohet. Pejgamberi [paqja dhe shpëtimi qofshin mbi të!] ka thënë: “Për çdo mish (shëndet) të fituar nga kamata, zjarri do të jetë më meritori për të (djegien e tij).”
Allahun e lusim të na mbrojë nga çdo gjë që tërheq pas vete hidhërimin e Tij!

_______________________________________
Hadithin e transmetojnë Imam Ahmedi në Musned dhe Imam Buhariu në Edebu-l-mufred ndërsa Shejh Albani në Es-silsiletu-s-sahihah, 2714, e vlerëson autentik.
Albani në Mushkiletu-l-fakr, nr. 15, thotë se është autentik.
Hadithin e transmeton Imam Muslimi në Sahihun e tij, nr. 102, Tirmidhiu në Sunen, nr.2224 dhe Ibni Maxheh në Sunen, nr. 1315.
Hadithin e transmeton Imam Muslimi në Sahihun e tij.
Albani në Sahihu-l-xhami, 4395, e vlerëson autentik.

PADREJTËSIA NDAJ NJERËZVE – KJO VEPËR E SHËMTUAR

PADREJTËSIA NDAJ NJERËZVE – KJO VEPËR E SHËMTUAR
adl
Të nderuar vëllezër besimtarë!
Njerëzit, që të gjithë, janë robër të Allahut të Madhëruar, e që nënkupton se askush nuk ka të drejtë të dëmtojë tjetrin, sidomos kur kihet parasysh fakti se Allahu, si Krijues, ia ka ndaluar padrejtësinë edhe Vetes së Tij. Në një hadith kudsijj qëndron: “…O ju robërit e Mi! Unë e kam ndaluar padrejtësinë edhe për Vete, sikur që e kam ndaluar edhe në mesin tuaj, andaj mos i bëni njëri tjetrit padrejtësi!…”
Pra, nëse Allahu i Madhëruar nuk po iu bëka padrejtësi krijesave, ndërsa Ai është Krijues i tyre dhe askush nuk mund ta merr në llogari për çfarë bën, atëherë krijesat aq më pak e kanë këtë të drejtë. Nga këtu, në Kur’anin Famëlartë, por dhe në hadithet profetike, gjejmë tekste të shumta, të cilat e trajtojnë padrejtësinë ndaj njerëzve nga aspekte të ndryshme.
1. Allahu në anën e të dëmtuarve
Fakti se është ndaluar padrejtësia dhe se Allahu nuk e do as për Vete atë, do të thotë se Allahu përkrah dhe ndihmon të dëmtuarin.
1.1. Allahu si ndihmës i tyre
Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë: “Keni kujdes nga lutja e të dëmtuarit ngase ajo bartet mbi re (tek Zoti mbi qiej). Allahu thotë: Pasha Krenarinë dhe Madhërinë Time! Do të ndihmoj, qoftë edhe pas një kohe!”
Në këtë hadithi vërejmë se Allahu i Madhëruar qëndron me të dëmtuarin dhe se do ta ndihmoj atë, herët a vonë.
Rrëfehet se një mysliman i varfër jetonte vetëm nga peshkimi, por, siç ndodhë me besimtarin, Allahu e sprovoi dhe për ditë të tëra nuk mund të peshkonte gjë.
Ishte gjëja e vetme me të cilën ia siguronte familjes furnizimin, andaj edhe brengosej, sidomos kur furnizimi në shtëpi filloi të pakësohej dukshëm. Çdo ditë dilte në bregdet për peshkim, por kot. Një ditë, pas një kohe të gjatë qëndrimi në bregdet, tha në vete: Kjo le të jetë hera e fundit për sot! -dhe hodhi rrjetën. Priti pak ndërsa rrjeta filloi të rëndohej. Kuptoi se kishte zënë diçka. Kur e nxori, pa se kishte zënë një peshk goxha të madh, që kurrë më parë nuk kishte peshkuar të tillë. U gëzua shumë por jo gjatë. Në fakt, peshkatari falënderoi Allahun shumë dhe mendoi, përveç që një pjesë do ta shfrytëzojë për ushqim, tjetrën do ta ndajë për shtije dhe për lëmoshë. Kështu do të vepronte sikur mbreti që kaloi pranë të mos e shihte peshkun. Ishte vërtet peshk i rrallë. Ushtria kërkuan që ta jap peshkun për mbretin por peshkatari refuzoi. Pranoi vetëm tua shiste, por ata ia morën me dhunë.
Kur u kthyen në pallat, mbreti kërkoi që t’ia gatuanin atë peshk për darkë, shijen e të cilit do ta kuptonte vetëm pas pak ditësh, atëherë kur do të zbulohej se mbreti ishte sëmurë nga gangrena. I thirrën mjekët ndërsa ata pas kontrollimit i propozuan mbretit që t’i nënshtrohet një operacioni për heqjen e gishtërinjve të këmbës për të parandaluar sëmundjen, e cila kërcënon edhe nëngjurin e tij. Mbreti refuzoi këtë dhe parapëlqeu që ta durojë dhimbjen, por, u pa se vendimi i tij ishte i gabuar. Pas vetëm pak ditësh u detyruan t’ia sillnin disa mjekë tjerë, jashtë vendit, për kontrollim, dhe vetëm pas herës së tretë kur u vërtetua se sëmundja kishte arritur deri tek gjuri, mbreti pranoi t’i nënshtrohej operacionit.
Kjo që i ndodhi mbretit e shqetësoi atë pa masë, andaj, mendoi ta thërriste një njeri të urtë e ta pyeste për këtë gjë. Ia sollën një njeri të mençur, të cilin mbreti e pyeti se çfarë mund të ketë qenë shkak i kësaj fatkeqësie të tij. Njeriu i urtë i tha: Patjetër se ti i ke bërë padrejtësi dikujt! Mbreti iu përgjigj me habi: Nuk më kujtohet t’i kem bërë dikujt padrejtësi. Kujtohu mirë! – i tha njeriu i urtë, ngase kjo nuk si të mos jetë shkak i ndonjë padrejtësie të bërë. Atëherë mbretit i ra ndërmend peshku i madh dhe peshkatari. Urdhëroi ushtrinë t’ia sjellin peshkatarin. Ushtria shkuan në bregdet, dhe si zakonisht, e gjetën në vendin e vet. E morën dhe e sollën tek mbreti, i cili e pyeti: Ma thuaj të vërtetën, çfarë bëre kur ta mora me dhunë peshkun e madh? Nuk bëra asgjë –foli paksa i frikësuar peshkatari. Fol se nuk do të ndodhë gjë e keqe! – i tha mbreti. Atëherë, kur peshkatari u sigurua, foli dhe tha: Kur ti ma more peshkun, u ktheva kah Allahu dhe u luta: O Zoti im! Ai e tregoi fuqinë e tij ndaj meje, andaj tregoje edhe Ti fuqinë Tënde ndaj tij!
Prej drejtësisë së Allahut të Madhëruar është që të ndihmojë madje edhe ata që nuk janë fare besimtarë. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë: “Ruaju lutjes së të dëmtuarit, qoftë ky edhe jomysliman, ngase nuk ka perde (pengesë) para lutjes së tij!”
Albani, sjell një hadithi tjetër, si dëshmi për të vërtetuar saktësinë (ar. hasen) e këtij hadithi, sjell një hadithi, që në fakt është dhe shpjegues i këtij hadithi: “Duaja e të dëmtuarit pranohet, qoftë ky edhe i shthurur, (për shkak se) shthurja është problem i tij (pasojat e së cilës i bart ai vet).”
1.2 Ndëshkimi në këtë botë
Ndonjëherë të padrejtit, për shkak se nuk ndëshkohen aty për aty, mashtrohen dhe kësisoj zhyten thellë e më thellë në padrejtësi. Kjo nuk nënkupton assesi se ata i shpëtojnë dënimit të Allahut të Madhëruar, përkundrazi. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë: “Vërtetë, Allahu i Madhëruar do ta afatizojë zullumqarin derisa kur ta kap, nuk do të mund t’i shpëton. Pastaj, Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] lexoi nga Kur’ani (ajetin 102 nga kaptina Hud): Ja, kështu është ndëshkimi i Zotit tënd, kur dënon vendet që janë zullumqare. Vërtet, ndëshkimi i Tij është i dhembshëm, e i ashpër.”
1.3 Allahut nuk mund t’ia fshehin të vërtetat
Allahut nuk mund t’i shpëtojnë as në botën tjetër. Ta zëmë, kanë kaluar nga kjo botë pa u ndëshkuar, atëherë në botën tjetër assesi nuk do të shpëtojnë. Ta zëmë, nëse ata arrijnë përkohësisht ndonjë të mirë materiale, shkak i mashtrimeve dhe manipulimeve, kjo nuk do të thotë se edhe tek Allahu do të kalojnë pa u zbuluar. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë: “Ju po ngrini padi (hasmëri, mospajtime) tek unë, dhe ndodhë që ndonjëri prej jush të jetë më orator, më bindës se tjetri (edhe pse në fakt nuk ka të drejtë), kështu që, nëse gjykoj për të sipas fjalëve që flet (ndërsa ai nuk ka të drejtë), le të mos e merr atë gjë (që e fiton nga gjykimi), ngase ajo në fakt është një hise e zjarrit të Xhehennemit për të!”
2. Zullumqarët dhe fati i hidhur në botën tjetër
2.1 Falimentimi
Zullumqari do të falimenton në ditën kur do të ketë problemet dhe nevojat më të mëdha. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë: “A e dini se kush është i falimentuar? Tek ne – thanë sahabet- është ai që nuk ka para dhe plaçkë (mall). I falimentuari prej Ummetit tim është ai që vjen në Ditën e Kiametit me namaz, me agjërim dhe me zekat, por që ka sharë atë, ka shpifur ndaj atij, ka ngrënë pasurinë e atij, ka derdhë gjakun e këtij dhe ka goditur filanin. Kështu që të gjithë njerëzve që i ka bërë keq i jepet prej të mirave të tij dhe në qoftë se të mirat nuk i mjaftojnë, atëherë i ngarkohen të këqijat e këtyre personave derisa t’i shlyejë të gjitha padrejtësitë dhe pastaj hidhet në zjarr.”
Nga këtu, Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] bën thirrje dhe porosit që të mos e shtyjmë pendimin nga padrejtësia deri në atë kohë kur do të jetë vonë. Buhariu transmeton se Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë: “Kush i ka bërë ndonjë padrejtësi vëllait të tij, në ndër apo gjë tjetër, le t’ia kërkojë hallallin sot, para se të mos vlejë më dinari dhe dërhemi, për shkak se, nëse ka vepra të mira, do t’i merren aq sa ka bërë padrejtësi (e do t’i jepen të dëmtuarit), e nëse nuk ka të tilla, atëherë i merren të këqijat (mëkatet) të dëmtuarit dhe i ngarkohen atij!”
Përmbyllje
Të nderuar vëllezër!
Ta paramendojmë veten si njërin prej këtyre të falimentuarve, sikur jemi para Allahut dhe tashmë na është marrë çdo e mirë që kem bërë dhe i është dhënë palës së dëmtuar ndërsa pritet nga momenti në moment edhe urdhri për të na dërguar në Xhehennem, si do të ndiheshim? Si do ta përballonim atë moment? Si do ta përjetonim urdhrin për të na dërguar në zjarr?
Si do të ndiheshim kur do të shihnim ata që kanë ndarë drejtësi tek kënaqen me pozita të larta tek Allahu?
Të mos harrojmë, para vete kemi mundësinë e zgjedhjes, o të jemi të drejtë, e të shpërblehemi, o të jemi të padrejtë, e të ndëshkohemi,. Allahu i Madhëruar thotë:
Në ditën e gjykimit Ne do të vëmë peshoja të drejta, e askujt nuk i bëhet e padrejtë asgjë, edhe nëse është (vepra) sa pesha e një kokrre të melit Ne do ta sjellim atë. E mjafton që Ne jemi llogaritës.“ (el-Enbija, 47)

PASOJAT E DEVIJIMIT MORAL

PASOJAT E DEVIJIMIT MORAL

Pikëpyetja

Njeriu është qenia më e përsosur e Allahut në tokë. Atë e krijoi Zoti në formën e përsosur, për se i dha intelektin si dëshmi konkrete. Allahu ka thënë:
Vërtet, Ne e krijuam njeriun në formën më të bukur.“ (et-Tin, 4)
Kjo forma e përsosur, sigurisht se, para çdo gjëje tjetër, ka të bëjë me intelektin e tij, pra jo fizikun dhe bukurinë pamore apriori, ngase, këto të fundit nuk do të luanin asnjë rol po qe se mungon e para. Njeriut që i mungon arsyeja në veprime i tërhiqe ky epitet. Allahu ka thënë për njerëzit që veprojnë kuturu:
A mendon ti se shumica e tyre dëgjojnë ose kuptojnë? Ata nuk trajtohen ndryshe, por vetëm si kafshë, bile janë edhe më të humbur nga e vërteta.“ (el-Furkan, 44)
Krahas intelektit, njeriut në qenien e tij iu inkorporua edhe elementi i epshit, i cili u vu për qëllime të pastra por me mundësi të shumta të devijimit, sidomos kur në kujdestari nuk është arsyeja. Marrëdhëniet seksuale, në esencë, nuk janë të urryera. Ato janë vënë si kusht i shtimit të gjinisë njerëzore. Allahu ka thënë:
O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një vete (njeriu) dhe nga ajo krijoi palën (shoqen) e saj, e prej atyre dyve u shtuan burra shumë e gra…“ (en-Nisa, 1)
Epshi do të marrë kahen e gabuar vetëm atëherë kur nuk do t’i shërbejë më qëllimit, për të cilin është vënë dhe kur nuk do të jetë më në përputhje me fenë. E them këtë të fundit duke u bazuar në atë se ndoshta mund të ketë arsyetime të ndryshme edhe tek disa lapërdharë që ushtrojnë forma të ndaluara të marrëdhënieve intime, si bashkëjetesa, marrëdhëniet jashtë kurorës, etj., se këtë po e bëjnë që të kenë fëmijë, pra që ta maskojnë krimin e tyre moral në emër të idealit të martesës (gjetjes së pasardhësve), se këto qëllime nuk arsyetojnë krimin e tyre. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë: “Besimtari nuk do ta plotësojë besimin e tij përderisa edhe epshin nuk e ka në vijë me atë me të cilën u kam ardhur juve!”
Është folur për vargun e transmetuesve të këtij hadithi. Albani ka thënë se është i dobët derisa Neveviu e vlerëson për autentik. Ajo që dihet dhe është në interesin tonë ka të bëjë me domethënien e këtij hadithi, e që është e vërtetë. Jo rastësisht Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka kërcënuar me pasoja shumë të rënda, madje në disa raste edhe fatale në kontekst të besimit, ata që ushtrojnë forma të ndaluara të marrëdhënieve intime.
Nga këtu, kur është folur për devijimin epshor, janë përmendur pasoja të natyrave të ndryshme, si:
1) Pasoja të njerëzisë
Dijetarët, duke patur parasysh faktet kur’anore dhe profetike, kanë ardhur në përfundim se njerëzit që kanë çrregullime të epshit, pra që bëjnë jetë të shthurur, ata kanë humbur njerëzinë e tyre. Argument kanë patur ajetin që cituam më parë nga kaptina el-Furkan dhe ajete tjera.
2) Pasoja të besimit
Njerëzit që bëjnë mëkate të tilla reflektojnë besimin e tyre të dobët ose të shuar fare. Ata bëjnë diç që besimin e tyre e ekspozon para rrezikut madje edhe të shuarjes. Në rast se ata devijimin moral e marrin si program jete, ata në një farë forme, kanë adhuruar epshin, ngase adhurimi, në esencë, nënkupton nënshtrimin. Allahu ka thënë:
A e ke parë ti atë, që për zot e çmon epshin e vet, a mos do t’i bëhesh ti atij mbrojtës?“ (el-Furkan, 43)
Se epshi rrezikon besimin, mësojmë edhe nga hadithi autentik, në të cilin Muhammedi [alejhis salatu ves selam] prostitucionin, si një nga format më të spikatura të devijimit moral, e sheh rrezik potencial për besimin. Buhariu, Muslimi dhe të tjerë transmetojnë se Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë: “Nuk ndodhë kurvari të bëjë kurvëri e të jetë besimtar (gjatë kryerjes së këtij akti të shëmtuar)…”
Dijetarët kanë sqaruar se kurvari nuk del prej feje, për aq kohë sa ai nuk pretendon se kurvëria është e lejuar në fe, por kanë thënë se teksti i hadithit është përpiluar kësisoj që të jetë një vërejtje e ashpër për ata që i qasen kësaj rruge të shëmtuar.
3) Pasojat qytetërimore – civilizuese
Devijimi nga natyrshmëria nuk kalon pa u ndëshkuar prej Zotit. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë: “…dhe nuk ndodhë që në një popull të përhapet amoraliteti e që Allahu të mos i mbulojë me bela…”
Pasojat mund t’i vërejmë edhe sot në ato vende ku është evidente kjo shthurje. Vetëm pak ditë më parë , një gazetë e jona shkruante se në Nju Jork çdo vit mbesin shtatzëna hiç më pak se 7.000 (shtatëmijë) vajza nën moshën 17 vjeçare ndërsa 2/3 e tyre (ose mbi 2000), abortojnë. Kjo është një gjë që e rrezikon shoqërinë dhe jo rastësisht Xhejms Roston pati shkruar vite më parë në Nju Jork Tajms (New York Times) se ‘rreziku i fuqisë seksuale në fund të çështjes mund të rezultojë edhe më i madh se ai i fuqisë nukleare.’
4) Pasojat shoqërore dhe etike
Për shkak të këtij degjenerimi, shoqëria do të përjetojë probleme të ndryshme, si:
 Shfaqjen e traditave të urryera në dëfrimin seksual, si: imoraliteti, homoseksualizmi, pedofilia, etj.
 Pjekuria e hershme dhe e pakohë seksuale. Shikimi i materialeve pornografike, shoqërimi me gjininë e kundërt, çuarja dashuri në moshën e re, kanë bërë, siç nënvizon në vërejtjet e tij një gjykatës evropian, që fëmijët të fillojnë fazën e pubertetit para kohe.
 Ikja nga martesa legjitime. Në bazë të disa statistikave të vjetra, është fjala për vitet e shtatëdhjeta, në disa vende të Evropës përqindja e atyre që i qaseshin martesës ishte 10/1000 ndërsa Suedi në vitin 1970 ishte 8/1000 për të rënë në 5/1000 në vitin 1973.
 Shkatërrimi i institucionit të familjes
 Shfaqja e formave jo të moralshme të organizimeve, si: party-të, mbrëmjet vallëzuese, etj .
5) Pasojat psikike
Shthurja dhe devijimi moral për pasoja kanë dhe stresin, depresionin, pesimizmin dhe forma tjera të çrregullimit shpirtëror. Për të kuptuar këtë më drejt, vetëm shih për jetën e ndonjë “ylli”kinematografik në perëndim dhe do të vëresh për probleme me të cilat ballafaqohen.
6) Pasojat shëndetësore
Degjenerimi sjell dhe probleme të pazgjidhura shëndetësore. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë: “…nuk ndodhë të përhapet amoraliteti në mesin e një populli dhe ta bëjnë haptazi e të mos përhapen në mesin e tyre murtaja dhe sëmundje tjera që nuk kanë qenë evidente tek të parët e tyre të ndjerë (që kanë shkuar në botën tjetër)…”
Përmbyllje
Devijimi moral nuk është sëmundje e pashërueshme. Islami ka ndërmarrë hapa shumë të rëndësishëm për shërimin e saj, hapa të cilët, sa për ilustrim do t’i përmendim në vijim:
1) Thirrja për pendim
Jo rrallë ndodhë që njerëzit të zhyten edhe më thellë në mëkate për shkak të bindjeve të gabuara se nuk ka shpëtim për ta. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam], në përfundim të hadithit që kërcënon lavirin, e të cilin e transmeton Imam Buhariu në Sahihun e tij, thotë: “…ndërsa pendimi është ende i ekspozuar!”
2) Njohja me rreziqet
Shthurja morale për pasojë, si në këtë, po ashtu në botën tjetër, ka ndëshkime të rrepta. Në këtë botë, ajo nuk kalon pa u ndëshkuar ndërsa ndëshkimi varion sipas peshës së mëkatit, derisa në botën tjetër janë paraparë ndëshkime nga më të rreptat.
3) Vetëdijesimi për përgjegjësinë
Në Kur’an, gjejmë ajete që edukojnë duke ia përkujtuar njeriut se shqisat dhe organet me të cilat është fisnikëruar nga Allahu nuk do të mbetet pa u pyetur për to.
4) Alternativat
Epshi është pjesë përbërëse e karakterit të njeriut. Ai, në rast se ngelë nën kontroll, është i dobishëm. Për të realizuar një gjë të tillë, më së lehti është duke u martuar. Martesa është hapi më i suksesshëm i ndërmarrë për ruajtjen e nderit. Nëse nuk mund të martohesh, atëherë agjëro, ngase kjo është porosia e atij që nuk flet nga hamendja.
5) Largimi nga gjërat që e nxisin epshin
Largimi nga çdo gjë që të çon tek epshi, si: mendimet rreth femrave, shikimi në to, bisedat rreth tyre, shoqërimi me to, etj.
6) Shfrytëzimi i kohës së lirë në punë të hairit
Kohën e lirë, mos e kalo me ose pranë gjërave që ta hijeshojnë mëkatin. Mundohu të gjesh shoqëri të hairit, gjeji vetes ndonjë punë, dobinë e të cilës shpreson ta gjesh në ahiret, bë një vepër për hire të Allahut që askush të mos e di!
7) Mbulesa e femrës
Mbulesa e femrës është urdhëruar për ta ruajtur shoqërinë nga problemet sikur kjo. Në vendet ku nuk ka liri të shfrenuar, problemet morale dhe pasojat e tyre janë më pak evidente. Në Arabinë Saudite, shifra e të prekurve nga virusi i SIDA-s është shumë e vogël në krahasim me vendet tjera, dhe kjo, siç thotë Muhammed Ali el-Berr , falë numrit të paktë të atyre që bien në mëkatin e zinasë.
Allahun e lusim të na ruajë nga devijimi dhe shthurja morale si dhe të na fisnikërojë me moralin e të ruajturve dhe të devotshmëve!